10 vite më parë me Muharrem Rruginë, i vetmi që jetonte nga brezi i vitit 30-të

17/11/2020 - 15:55

10 vite më parë me Muharrem Rruginë

-I vetmi që jetonte nga brezi i vitit 30-të

-Çfaqet edhe një foto e rrallë e 24 korrikut 1935

Nga BUJAR QESJA

Koha lëviz pa ndërprerje, e ditët fluturojnë. Jeta jonë e gjallë sa vjen e rrudhet, por kemi shansin e madh që kujtimet freskohen dhe ne ulemi në prehërin e joshjes së tyre. Fotot kanë personazhe të ndryshme. Secili është histori më vete. Kohë të ndryshme, në njerëz të ndryshëm. Histori të larmishme, në personazhe të jetës itensive, të një qyteti të madh siç është Durrësi. Njerëz që kanë bërë histori, duke e lenë për ne të tjerët që të mburremi me to. Njerëz të thjeshtë, bujarë, të qetë, punëtorë dhe profesionistë në zanatet e tyre, fjalë pak dhe pa mburrje, vijnë e ulen ashtu siç ishin në të gjallë në kujtimet tona.

Ne i vështrojmë, i japin fjalën se nuk do ‘i harrojmë. Bisedojmë me to. Flasim ashtu heshtur. Ata na dëgjojnë. Por edhe ne i dëgjojmë dhe ky dialog ka gjasa të vazhdojë, aq sa frymëmarrja do të vazhdojë të ma lëkundë gjoksin, aq sa edhe arkiva ime të lehtësohet nga pesha e rëndë e mbresave dhe kujtimeve të pafund.

Tani po çfaq një foto sa të rrallë, aq edhe të bukur. E bukur pasi është ulur këmbëkryq në zemrën tonë. As unë dhe as perzonazhi që intervistoj, nuk jemi artistë filmash, as reklamojmë ndonjë firmë, as nuk shesim mënd me atë ç’ka çfaqet. Unë jam ai gazetari dhe njeriu i zakonshëm, i njerëzve të zakonshëm të qytetit tim, ndërsa tjetri pranë meje një zotni i rrallë në kulturë e komunikim dhe në atë rekord që ka mbi kurrizin e tij.

Ky është avokati i njohur, i ndershmi dhe i urti Muharrem Rrugia. Këtu publikohet me kostumin e shkëlqyer të futbollistit të viteve 30-të, kur ai ka luajtur me Tartarët e njohur, me armenët e famshëm Ballxhian dhe Bodikian, me intelektualin e njohur të Durrësit Nako Spiro, më Stas Moisiun, me Nikoll Tiranën, me Rit Margaritin, me Nani Sallatën dhe Kristaq Pizhën, me Stringën, me Dovanën dhe Jeremiqin, etj. etj.

Jemi në odeonin “Nikolin Xhoja”, të teatrit “A. Moisiu” në Durrës. Është vjeshta e vitit 2010. Kremtohet 80 vjetori i krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Që të dy jemi vlerësuar me pllakën simbolike “Mirënjohje”.

Ky Muharrem Shabani, stekë e lartë e intelektualëve durrsakë, ishte një futbollist elegant dhe shumë i shpejtë. Jetoi ky mburrje e Durrësit 99 vjeç dhe ka pak vite që është larguar nga jeta, ashtu qetë, pa shqetësuar njeri, duke na lënë pas një kujtim dhe vlerë që nuk mund të çmohet. Nuk ka qenë personazh mediatik, as ka patur nevojë të ishte kështu. Por ai nuk i shpëtoi dot këndshikimit të një njeriu të hershëm të letrave, i cili e donte kënaqësinë që të jepte një intervistë e tillë.

Muharrem Rrugia! E madhe puna e jote. E madhe ndihmesa jote. Akoma më e madhe është detyrimi ynë për kujtesën tënde!

Durrës: 17 nëntor 2020

Foto 1: Gazetari Bujar Qesja duke intervistuar avokatin Muharrem Rrugia, nga intelektualët e njohur në Durrës dhe futbollist i çquar i vteve 30-të. Nëntor 2010

Foto 2: Një ndeshje ndërkombëtare e Teutës së Durrësit.

Sport klub Podgorica (Mali i Zi) – Teuta (Durrës) 2-3

24 korrik 1935

Në mesin e rradhës së dytë, ndodhet futbollisti Muharrem Rrugia, teksa një malazez i ka hedhur dorën mbi supe. Në pamje është edhe gjyqtari ndërkombëtar, një emër i njhohur i arsimit në Durrës Mithat Hoxha. Foto është e 24 korrik 1935. Me fanela të bardha dhe një shirit të kuq në gjoks është ekipi i Teutës.

Poshtë nga e majta: Rit Margariti, Tom Gjiri, Muharrem Rrugia, Anastas Moisiu, Nani Sallata, Mikel Nushi (trajner i ekipit).

Lart nga e djathta: Fiqiri Tartari, Vlash Goga, Vlash Tati, Naxhi Stringa, Eqerem Arapi, Mithat Hoxha (i dyti nga e djatha në këmbë), gjyqtar i ndeshjes.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: