14 shkurti, dita e të dashuruarve

14/02/2012 - 00:00

 

Data 14 shkurt festohet në pjesën më të madhe të botës si dita e të dashuruarve. Në këtë festë është bërë tashmë traditë që çiftet shkëmbejnë dhurata, sms, puthje e lule me njeri tjetrin në shenjë të dashurisë që i lidh. Pavarësisht se çdo çift ka ditët e tij të veçanta, si përvjetorin e njohjes, ditën e fejesës, martesës etj, Shën Valentini është kthyer vitet e fundit në një festë mbarë botërore duke u festuar edhe në ato shtete që deri tani janë konsideruar si shumë konservatore në këtë drejtim. Duke përjashtuar vendeve arabe, Shën Valentini festohet në të gjithë Europën, kontinentin amerikan dhe lindjen e largët. Megjithëse në vendin tonë dita e të dashuruarve nisi të festohej vetëm pas viteve '90, ajo festohet masivisht e jo vetëm nga çiftet e reja, por edhe nga ato tashmë të konsoliduara. 

Ide për dhurata për Shën Valentinin

Këto ditë shëtitëm shumë nëpër dyqanet dhe qendrat tregtare që kanë ekspozuar dhurata dhe aksesorë të ndryshëm, të përshtatshëm për këtë ditë, për të parë tendencat e blerjeve. Pavarësisht se shitjet janë ende të pakta në numër (shumë prej nesh e lënë përherë për ditën e fundit blerjen e dhuratës), shitëset e dyqaneve konstatojnë se kriza ekonomike do të prekë edhe këtë festë. Kryesisht blerësit drejtohen drejt produkteve apo dhuratave jo shumë të shtrenjta, pasi në këtë ditë ndoshta nuk ka aq shumë vlerë çmimi i dhuratës, por dedikimi që ju do t'i bëni të dashurve tuaj. Dyqanet e luleve janë bizneset që për Shën Valentin kanë punën më të madhe, sepse lulet, sidomos trëndafilat, shihen si një nga dhuratat më të përshtatshme për t'ua dhuruar femrave. Në të njëjtën kohë dhurata mjaft të preferuara mbeten çokollatat në formë zemre, kukullat e pellushit, bizhuteri të ndryshme, CD me këngë dashurie, produkte kozmetike, të brendshme etj. Ata që duan të bëjnë dhurata më të shtrenjta mund të zgjedhin celularë, ipad apo aparat fotografik për të fiksuar momentet tuaja më të bukura. Ndërsa për meshkujt përveç bluzës, shallit, kapuçit apo dorezave (këto të fundit janë shumë të përshtatshme për këto ditë të ftohta), mund t'u dhuroni parfumin e tyre të preferuar, regjistrim në palestër për një muaj, një byrzylyk argjendi apo floriri etj. Nëse doni të keni një dhuratë të përbashkët, një ide e bukur mund të jetë një seancë masazhi apo trajtimi në një qendër bukurie. Kjo e fundit mund të jetë një ide shumë e mirë për ato femra që do të jenë vetëm këtë Shën Valentin. Për të mos rënë në pesimizëm, sidomos në këtë ditë që i rezervohet dashurisë, dhurojini vetes një trajtim të veçantë në një qendër estetike. Pas kësaj do të rifitoni besimin në veten tuaj, e mbase mund të qëllojë që, pse jo, dhe ju të gjeni një person që do t'iu bëjë të ndiheni e rëndësishme dhe e bukur. 

Gjithsesi një këshillë për ata që nuk e kanë blerë akoma dhuratën. Mos e lini për ta blerë minutën e fundit, pasi jo gjithmonë gjeni atë që do t'ju duket më e përshtatshmja. Dhe mos harroni të vini një biletë të vogël, ku të shkruani një dedikim special për personin e zemrës. Mirë është që të jetë një dedikim personal, por nëse nuk ndiheni shumë të zotë me fjalët, shprehje dashurie ka sa të duash, prandaj ju mjafton të përzgjidhni një prej tyre e ta huazoni për një ditë. 

Udhëtimet për Shën Valentin 

Nëse dëshironi të ndërmerrni një udhëtim turistik për të kaluar në një mënyrë të paharruar këtë festë, Parisi ndoshta do të ishte destinacioni më i preferuar. Kryeqyteti francez, i njohur nga të gjithë si qyteti i dashurisë, do të përbënte një zgjidhje ideale për çdo çift. Pas interesimit tonë, në agjensitë turistike të Durrësit mësuam se paketa turistike për të kaluar Shën Valentinin në Paris është 550 euro personi. Paketa përmban qëndrimin tre ditor në kryeqytetin francez (12-15 shkurt), udhëtimin me avion, akomodimin në hotel dhe vizitat në disa nga monumentet më të famshme pariziene. Krahas Parisit, destinacione të tjera turistike për ditën e të dashuruarve janë qëndrimi katër ditor në Budapest dhe Vienë (11-15 shkurt), 550 euro personi si dhe Dubai (11-15 shkurt), paketa turistike e të cilit kushton 850 euro personi. Nëse nuk doni të shpenzoni kaq shumë para, alternativa të tjera mbeten destinacionet turistike të rajonit tonë si Kaloshini apo Budva (Mal i Zi), Dubrovniku (Kroaci) apo Selaniku (Greqi). Qëndrimi në këto qytete, për tre net (12-15 shkurt) vërtitet rreth 100-150 euro. Çmimet e këtyre paketave janë për udhëtimet në grup, pasi agjentët e agjensive turistike bëjnë të ditur se për  destinacionet e rajonit shumë çifte mund të zgjedhin të organizojnë udhëtime personale. Gjithsesi kriza ekonomike duket se ka prekur edhe këtë sektor, pasi, siç thonë drejtuesit e agjensisë më të madhe në qytetin tonë, "Albtours", këtë vit në ndryshim nga vitet e tjera kërkesat kanë qenë në numër shumë më të kufizuar. Ajo që vlen të përmendet është fakti se krahas çifteve të reja kanë zgjedhur të udhëtojnë edhe çifte të moshave të mesme, por këtë herë pa fëmijët. 

Festimet nëpër lokale

Për të krijuar një atmosferë sa më të bukur me rastin e festës së të dashuruarve shumë nga baret, restorantet apo pubet e diskot e qytetit kanë menduar të organizojnë mbrëmje festive kryesisht me muzikë live apo Dj. Në të gjitha lokalet hyrja është kryesisht falas, por kushti i vetëm është që duhet të shkosh çift. Diskot si çdo vit tjetër pritet të popullohen gjatë orëve të paradites nga të rinjtë e shkollave të mesme apo 9-vjeçare, që përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum këto orë të lira që kanë. Shumë nga lokalet i bëjnë publicitet këngëtarëve, emra të njohur të muzikës së lehtë apo asaj popullore, që kanë ftuar për të argëtuar pjesëmarrësit atë natë. Si gjithnjë muzika live mbetet një nga alternativat më të mira, për të mos thënë e vetmja në qytetin tonë, për të kaluar një mbrëmje festive. 

Pak histori për Shën Valentinin     

Për Shën Valentinin, mbrojtësin e të dashuruarve ekzistojnë legjenda të shumta. Dita e të dashuruarve mori emrin nga shenjtori dhe martiri San Valentino i Ternit. Sipas të dhënave historike, ai ka vdekur në Romë në 14 shkurt të vitit 273. Ai ishte një prift dhe martir kristian i shpallur shenjtor nga Kisha katolike e ajo ortodokse. Ai lindi në një familje të pasur romake dhe u konvertua në fenë kristiane shumë i ri. Valentini ishte shumë i dashur nga populli dhe në atë periudhë perandori romak Aureliano kishte nisur persekutimin e kristianëve. Ushtarët e Aurelianos e arrestuan Valentinin, e nxorrën jashtë mureve të qytetit dhe i prenë kohën pikërisht më 14 shkurt. Disa nga mrekullitë që i janë atribuuar shenjtorit Valentin gjatë shekujve janë psh; rikthimi i shikimit vajzës së gardianit të tij, të cilën para se t'i prisnin kokën Valentini e përshëndeti me një letër që mbyllej me fjalët "... nga Valentini yt". Një tjetër legjendë është ajo që flet për momentin, kur Valentini arriti të pajtonte një çift që po grindej duke bërë që të fluturonin rreth tyre shumë çifte pëllumbash. Prej kësaj legjende besohet se ka lindur shprehja "si dy pëllumba", që i referohet një çifti të dashuruarish. Një tjetër legjendë flet për celebrimin e martesës së kristianes Serapia dhe ushtarit romak Sabino. Vajza ishte shumë e sëmurë dhe djali thirri Valentinin për t'i lidhur në martesë. Pas celebrimit të ceremonisë të dy të rinjtë vdiqën.

Dita e përkujtimit të këtij shenjtori u vendos në vitin 496 nga papa Gelasio I, për të zeëvendësuar Lupercalian (festë pagane që festohej në datë 15 shkurt dhe sipas legjendës ishte krijuar në nderim të ulkonjës që ushqeu me gji Romolon dhe Remon, dy themeluesit antikë të qytetit të Romës). Mënyra moderne e festimit të kësaj dite përmes shkëmbimit të frazave të dashurisë apo dhuratave mes të dashuruarve nisi të marrë jetë në mesjetën e vonë. Për ta përhapur këtë festë në Francë dhe Angli një kontribut të madh dhanë fretërit benedikas përmes manastirëve të tyre të shumtë. Sidomos në vendet e kulturës anglosaksone pjesa më e bukur e festës ishte shkëmbimi i "valentine", kartolinave të vogla që përmbanin fraza dashurie dhe ishin të zbukuruara me zemra apo figurën e Kupidit me harkun dhe shigjetën e dashurisë. Duke nisur nga shekulli i XIX-të, festimi i kësaj feste u kthye, përveçse një rituali për të dashuruarit, edhe në një biznes fitimprurës për industrinë, e cila përmes dhuratave, që shkëmbehen këtë ditë realizon fitime shumë të mëdha. Sipas një shoqërie që prodhon kartolina urimi, gjatë ditës së të dashuruarve dërgohen rreth një miliard bileta të tilla, gjë që e rendit këtë festë të dytën pas Krishtlindjes përsa i përket numrit të urimeve.     

 

Paketat turistike për Shën Valentin

Destinacionet turistike

Netët e qëndrimit

Çmimi për person

Parisi

3 (12-15 shkurt)

550 euro

Budapest, Vienë

4 (11-15 shkurt)

550 euro

Dubai

4 (11-15 shkurt)

850 euro

Budva, Dubrovnik, Selanik

3 (12-15 shkurt)

100-150 euro

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin

“L’Ouest-Eclair” ka botuar, të dielën e 11 tetorit 1914, në faqen n°4, shkrimin e “La Stampa-s” së Torinos në lidhje me hyrjen triumfale

  • Nostalgjia dhe malli vijnë për ta shqyer shpirtin
  • Në reagim të një diskutimi nisur në një rrjet social

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botë