Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare. 5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol, Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës, lindi në Shkup më 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.

Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuarit”.

Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Por cila ishte Tereza e Kalkutës?

I thonë e Kalkutës. Po është edhe krenaria jonë! E Shqipërisë. E shqiptarëve! Ikonë feje për ne e për gjithë botën! E pohoi vetë, gjithnjë, me plot gojën “me gjak jam shqiptare!”. E shqiptarja 18-vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, hyri në insititutin e Motrave të Zojës Loretos, ku mori emrin motër Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. As që i shkonte mendja asokohe se me të, Kisha do të kishte tri Shën Tereza të mëdha!

Në vitin 1946, gjatë shtegtimit me tren, nëpër udhët e Indisë së largët, Nënë Tereza ndjeu “thirrjen në thirrje” që e nxiti të themelonte, katër vjet më pas, bashkësinë rregulltare të Misionareve të Bamirësisë, Kongregatë që do të njihej zyrtarisht nga kryedioqeza e Kalkutës.

Në vitin 1948, motra imcake, gjithnjë me buzagazin e shndritshëm në fytyrë, veshi për herë të parë sarin bardh e blu e doli nga kuvendi, për të shkuar në periferitë e mjera të Kalkutës, pranë të varfërve më të varfër. Me Rruzare në dorë, u nis ta kërkonte e t’i shërbente Krishtit në njerëzit më të padashur, më të pakujdesur, më të flakur”. Pas pak shembullin e saj e ndoqën disa nga nxënëset. Njëra pas tjetrës… Derisa u bënë aq shumë sa “të pushtonin botën”.

Për më tepër, ndiqni materialin special të përgatitur në videon më poshtë nga “DurrësLajm”.