Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Pjesa e dytë (e para është botuar më 23 prill 2019)

16 prill 1994. Java e 24-t i kampionatit të 58-të kombëtar të futbollit. Pas 23 javësh, Teuta e Durrësit kryesonte me 32 pikë, duke fituar 12 ndeshje, barazuar 8 dhe humbur 3. Kishte shënuar 33 gola dhe pësuar 9. Pikët e fitoreve ishin 2. Tirana e vendit të dytë kishte 30 pikë, Flamurtari 29. Vllaznia dhe Elbasani ishin më poshtë me 25 dhe 24 pikë. Kjo ishte renditje, e pesë vendeve të para të kampionatit. Me 16 prill Teuta fiton bujshëm në Kavajë me Besën 3-0, Besëlidhja mundi Tiranën 2-1 dhe Lushnja ndali Flamurtarin 1-0. Klasifikimi dy javë para përfundimit të kampionatit, kishte këtë renditje: Teuta e vendit të parë 34 pikë, Tirana 29 dhe Flamurtari 28.

23 prill 1994. Një fitore e Teutës në Niko Dovana, e klasifikonte automatikisht në vëndin e parë. Tirana priste në fushën e saj Lushnjen, e cila e kishte prerë biletën për në kategorinë e dytë. Flamurtari në shtëpinë e tij, kishte sfidën me Partizanin. Në Durrës s’kishte mbetur njëri, pa shkuar në stadium. Mënçuria e tifozërisë durrsake, kishte shkuar deri atje, sa të vendoste në rrethin qendror të mesit të fushës 22 kanaçe me koka kola, si shenjë mikrpritje për Vllazninë dhe si një sihariq të shumëpritur për ekipin vendas. Vllazninë e Shkodrës e drejtonte Astrit Hafizi. Ndërsa kolegë të tij të Teutës ishin Haxhi Ballgjini dhe Stavri Nica. Teuta fiton 1-0. Tirana barazon me Lushnjen 0-0 dhe Flamurtari – Partizani 1-1. Në numurin e kaluar kemi shpjeguar se çfarë ngjau në Niko Dovana në këtë ditë.

30 prill 1994. Teuta udhëton në Lezhë me autoritetin e ekipit kampion. Për të nxitur edhe tifozërinë vendase, që ti jepte një shans gëzimit dhe entuziazmit të saj për fitimin e kampionatit, durrsakët nuk stërmundohen dhe barazojnë 0-0. Tirana mundi Dinamon 1-0 dhe Flamutari humbet thellësisht në Laç 5-0.
Teuta përfundimisht në vendin e parë me 37 pikë, 13 fitore, 9 barazime dhe 3 humbje, me golavarazh 37-9. Tirana e dyta me 33 pikë, 13 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje, me bilanc të golave 36-16 dhe në vendin e tretë Flamurtari 30 pikë, 11 fitore, 8 barazime dhe 7 humbje. Shënoi 26 gola dhe pësoi 21.

Kampionati i 58-të kombëtar i futbollit dha këtë renditje finale:

Rendi Skuadra N F B H G.SH G.P Pikë
1 KS Teuta 26 14 9 3 37 9 37
2 KF Tirana26 13 7 6 36 16 33
3 FK Flamurtar26 11 8 7 26 21 30
4 KS Vllaznia26 11 6 9 33 28 28
5 KF Partizani26 6 13 7 27 25 25
6 KS Dinamo26 5 15 6 25 27 25
7 KF Apolonia26 8 9 9 25 28 25
8 KS Elbasani26 9 7 10 26 30 25
9 KF Albpetrol26 8 8 10 31 31 24
10 KS Besëlidhja26 9 6 11 27 33 24
11 KS Besa26 8 8 10 24 37 24
12 KF Laçi26 8 7 11 32 36 23
13 KS Lushnja26 7 9 10 20 25 23
14 KF Sopoti26 6 6 14 19 42 18

Heronjtë historikë të Teutës kampione

Ata janë 23. Pavarësisht nga minutazhi i aktivizimit, ata mbeten njëlloj protogonistë. Futbolli durrsak, duke nisur nga kampionati i parë në vitin 1930, e deri tek ky i fundit në vitin 2019, të 23 futbollistët e titullit kampion, janë mburrja historike tij. Cilët janë ata. 
Kujtim Shtama, Xhevahir Kapllani, Ardian Abazi, Eugen Xhakoni, Shpetim Kapidani, Anesti Qendro, Ardian Dashi, Mikel Furrxhi, Bajram Fraholli, Alvaro Zalla, Ilir Alliu, Alban Mehmeti, Ardian Bushi, Elton Koca, Artan Vila, Dashamir Disha, Enkelejd Dobi, Marenglen Xhai, Fatos Kuci, Ilir Bushi, Gentjan Begeja, Gazmend Canaku, Elvis Kalaja.

Një popull i “çmendur” për trofe

Pak durrsakë të pranishëm në stadiumin e Lezhës, me 30 prill 1994. Ceremonia madhështore dhe popullore për titullin, ishte bërë me 23 prill 1994 në Durrës, në stadiumin Niko Dovana. Teuta kishte privilegjin, që të kurorëzohej me titullin kampion një javë para përfundimit zyrtar të kampionatit. Dhe gjatë javës Durrësi ishte i tëri në festë. Populli për çdo ditë, improvizonte festime të ndryshme, duke kompesuar “inatin” e grumbullur sa për një histori të tërë, që nuk kishte mundur të fitonte qoftë edhe një trofe të vetëm. Mjaft banorë e kalonin natën jashtë, duke ndezur zjarre, duke kërcyer e brohoritur, duke krijuar sofra masive deri në agim. Shumë breza të futbollit durrsak, nuk ia kishin arritur kësaj. I janë ofruar titullit, por e pa e prekur, kurrë, kurrë.

Eduart Dervishi, Sekretar i Federatës Shqiptare të Futbollit (sot punonjës i Federatës Spanjolle të Futbollit) i dorëzon kupën e kampionatit, Ardian Abazit, kapitenit të papërsëritshëm të Teutës. Një xhiro i ekipit, rreth perimetrit të brendshëm të stadiumit Besëlidhja. Foto me disa fansa të “çmëndur” dhe pa humbur kohë drejt Durrësit. Ekipi dhe stafi i tij, e dinin fort mirë, se në Durrës do të bëhej një festë e tillë, se zor mund të imagjinohet dhe jo më të përsëritej një e dytë. Ndërkohë duke nisur nga 11 shkurti 1994, kishte filluar të botohej në Durrës, gazeta e përjavshme “Teuta Sport” me botues Bujar Qesja.

Për të fituar kohë, isha nisur në Tiranë dhe në shtypshkronjën Marin Barleti në pronësi të Enon Myftiut, po punoja për numurin special, kushtuar heronjve të futbollit të qytetit tim. Botimi special ishte me 6 faqe, dy prej të cilave i kushtoheshin me foto dhe karakteristika protogonistëve të kampionatit të 55-të kombëtar të futbollit. Duhej të nxitoja që mbrëmja të më vendoste në qendër të qytetit. I lodhur dhe i rraskapitur, nga një punë mbi të zakonshmen, vendosur gazetat mbi të vetmin mjet lëvizës biçikletën, nxitova të kap trenin e orës 19.00 të mbrëmjes që nisej nga Tirana për në Durrës.

Kisha vendosur që, 4000 gazetat e numurit special të Teuta Sport, t’ua falja bashkëqytetarëve të mi, për të nxitur më shumë entuziazmin, për t’i dhënë një dorë më shumë kënaqësisë qytetare, nga një pjesë e mundit fizik dhe material të birit të tyre të përkushtuar, i cili gëzonte njëlloj si mijrat e mijrat të asaj dite të pazakontë, të së dielës së 30 prillit të vitit 1994.

Prita tek Ura e Dajlanit

Pjesa më ekzaltuar, nuk i priti heronjtë e topkëmbës kur të preknin qytetin. Padurimi i kishte vendosur tek Ura e Dajlanit, në hyrje të qytetit të lashtë. Në të ngrysur, kur autobuzi i futbollistëve të Teutës çfaq konturet, thirrjet: Erdhën! Erdhën! u përhap si një kushtrim. Autobuzi dukej si nje anije gjigande, që po çante detin e trazuar të njerëzve. Dyert e mjetit lëvizës, u çqyen nga padurimi dhe menjëherë futbollistët e kanë parë veten mbi krahët e turmave. Dhe prej andej kanë ardhë tek sheshi. Nuk mund të përfytyrohet madhështia njerëzore, përballë teatrit “A. Moisiu”. Thirrje, thirrje pa fund. “Ju lumtë djema, na nderuat”! “Krenaria dhe mburrja e qytetit tonë! “Keni bërë atë, që s’kishte ndodhur më parë”. Dhe në fakt nuk ka ndodhur edhe pas 25 viteve, nga 30 prilli i vitit 1994.

Nderi i qytetit të Durrësit, këngëtari i njohur Qemal Kërtusha lotonte nga kënaqësia dhe më lexoj një tekst kënge dhe më interpretonte melodinë përkatëse, që e kishte bërë një natë para 30 prillit. Banda e qytetit ekzekutonte himne festive dhe marshe sportive. Turmat stërmadha të njerëzve, veçse thërrisnin dhe brohorisnin. Ishte një gëzim dhe entuziazëm i jashtëzakonshëm. Aty e kupton se sa i magjishëm është futbolli, se sa popullor dhe çudibërës janë futbollistët dhe topi i tyre frymëzues.

Lapsusi i kryeministrit Meksi

Ishin vitet e para të demokracisë dhe thyerja e monizmit, ende nuk ishte i kristalizuar. Është 30 prilli i vitit 1994. Qeveria demokratike e kohës, nëpërmjet përfaqësuesit të saj kryesor, të urtit dhe eruditit Aleksandër Meksi, nxitoi të ishte e pranishme në këtë festë aq masive dhe aq popullore të durrsakëve. S’kishte mbetur njeri në shtëpi, atë mbrëmje elektrizuese. Të gjithë në shesh dhe të gjithë për futbollin. Teksa fjala i kalon kryeministrit, në ekzaltim para këtij manifestimi të paparë, ai ndër të tjera formuloi pak a shumë edhe këtë shprehje:

-Ardhja e demokracisë, bëri të mundur që për herë të parë, ekipi i Teutës në futboll të dalë kampione e Shqipërisë. Kjo nuk kishte ndodhur më parë.
Për analogji i bie të pohojmë, se Lushnja dhe Sopoti i Librazhdit, që kaluan në kategorinë e dytë, të jenë ndëshkuar pikërisht nga ardhja e demokracisë. E vetmja gjë, që nuk ka vend në këtë gjykim, është politika. Suksesi ishte fryt i mendimit dhe veprimit të specialistëve durrsakë të futbollit, që koha i nxorri në pah aftësitë e tyre profesionale.

Suksesi së pari i dyshes Miha-Koka dhe së dyti Haxhi Ballgjinit dhe Nicës

I është dashur një punë tejet të lodhshme dhe pasionante dyshes së njohur të futbollit durrsak, Edmond Mihas dhe Bashkim Kokës, që të nxjerrin një brez të artë futbollistësh.

Dhe ardhmëria e sigurtë, duket që tek të rinjtë. Xhevahir Kapllani akrobat dhe pozicional, shtatlarti dhe dominues në luftën ajrore, kapiteni i lindur i ekipit, mbrojtësi i krahut të djathtë Ardian Abazi, mbrojtësi energjik shtatlartë Mikel Furrxhi, talenti i veçantë i mbrojtësit sulmues Nesti Qendro, shtatshkurtëri dhe energjiku Artan Vila, mbrojtësi pozicional Eugen Xhakoni, i palodhuri Ardian Dashi, organizatorët e mesfushës Shpëtim Kapidani dhe Alban Mehmeti, qendërslmuesi golashënues Elton Koça, ekstremi i krahut, këmbëshpejti Alvaro Zalla, për të ardhur tek dy blerjet e shkëlqyera Bajram Fraholli, teknik dhe i lëvizshëm, ardhur nga Pogradeci në rolin e sulmuesit dhe librazhdasi Ilir Alliu mesfushor mbrojtës shumë aktiv dhe produktiv, i marrë nga Tirana. Ky ishte formacioni bazë.

Por pjesa jo e jabanxhijve, është produkt i shkollës durrsake të futbollit. Kujtim Shtama, Gentjan Begeja, Dashamir Disha, Gazmend Çanaku, Fatos Kuçi, Ilir Bushi, Enkelejd Dobi, Markelian Xhai, janë disa prej tyre. Puna që bëri dyshja Miha – Koka me të rinjtë, reflektoi edhe në ekipin e parë.

Nuk është punë demokracie, kjo arritje historike i futbollit durrsak. Teuta kishte prekur kupën ballkanike që në vitin 1992. Kalon disa ndeshje me sukses, teksa fiton titullin kampion me 1994 dhe kupën e Shqipërisë në vitin 1995, për t’u ndeshur me Parmën e famshme të futbollit italian. Largimi i papritur i Edmond Mihas, detyroi sekretarin e KF Teuta Bashkim Koka, të emëronte si trajner të parë Haxhi Ballgjinin, i cili së bashku me Stavri Nicën, kanë meritën se kristalizuan grupin dhe e ndërgjegjësuan drejt suksesit të pazakontë.

Abdurrahim Sulimani shtylla financiare e Teutës kampione

Në pranverën e vitit 1993, Teutës së Durrësit iu ofrua një biznesmen i fuqishëm slloveno shqiptar, me emrin Abdurrahim Sulimani. Ai thërritej në zhargonin e përditshëm Xhimi. Ndër të tjera, kishte një fabrikë të fuqishme të përpunimit të mermerit në qytetin e vogël të Sllovenisë, Kamnik, 10-12 kilometra larg Lubjanës. Xhimi bëri të mundur, të bënte atë grumbullim unikal për kohën të të gjithë ekipit dhe stafit të tij, në fshatin kodrinor të Cërkljes, shumë pranë portit të Koperit, e vetmja pjesë ujore e Sllovenisë. Për afro 20 ditë, nën drejtimin e trajnerit Edmond Miha dhe Stavri Nica dhe drejtues të klubit Bashkim Koka, 23 futbollistë nisën atë grumbullim efikas, pasojat pozitive të tij do të ndjeheshin në të gjithë sezonin. Pjesë e këtij grumbullimi ishte edhe gazetari Bujar Qesja. Teuta krahas përgatijes speciale sllovene, zhvilloi edhe një sërë takimesh miqësore me klubet vendase, ku po kristalizoheshin vlerat cilësore të futbollistëve.

Baza materiale ishte e fuqishme. Po kështu u rritën edhe pagesat dhe kontratat me futbollistët. Çdo gjë e detajuar. Abdurrahim Sulimani, ngarkoi pranë ekipit përfaqësuesin e tij, diplomati e karrierës Kujtim Hysenaj. Me këtë rast një homazh për Hysenaj, i cili para disa vitesh është ndarë nga jeta.
Futbollit durrsak dhe qytetaria durrsake, i mbetet t’i jetë mirnjohës dhe të respektojë historikisht, ndihmesën e jashtëzakonshme që dha Abdurrahim Sulimani. Ai titull ishte edhe i atij.

Teuta sport nxiti suksesin

Teuta Sport pa dritën e botimit, në kulmin e zhvillimit cilësor të futbollit durrsak. Ajo u bë zëdhënëse aktive i këtij suksesi, duke u kthyer në pjesë e domosdoshme për sportëdashësit durrsakë. Sot mund të duket e pabesueshme, për të ekspozuar një të dhënë shumë inkurajuese. Tirazhi i Teuta Sport në atë vit dhe pak më vonë, shkoi në 8000 kopje, 5000 prej të cilave shpërndaheshin në Durrës, Kavajë, Shijak dhe pjesa tjetër në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Laç etj. Futbolli durrsak ndiqej në ato vite me shumë interes dhe duartrokitej në shumicën e qyteteve shqiptare ku ndeshej Teuta.

Teuta Sport pati rastin fatlumë, ta ndiqte Teutën 100 përqind në të gjitha takimet e saj brenda dhe jashtë vendit. Prezenca e saj ka qenë në Parma të Italisë, Turku të Finlandës, Akranes të Islandës, Edesa të Greqisë, Lubjanë të Sllovenisë, në Vienë të Austrisë etj.

Epilog

Ndonëse kanë kaluar 25 vite nga titulli i parë dhe i vetëm kampion i Teutës së Durrësit në futboll, 30 prilli i vitit 1994 kujtohet me nostalgji. Është pjesa më e bukur, më tërheqëse i futbollit të Durrësit. Ishte një futboll, që u gatua dhe u nxit më lëndë të parë, nga pasionantët e rinj të topkëmbës vendase. Ky brum u gatua në prefeksion, nga dy specialistë të shkollës shqiptare të futbollit, që të dy kanë përfunduar studimet e larta në Akademinë e Sporteve (dega futboll) dhe që të dy në vite ishin titullarë të nderuar të Lokomotivës. Ata janë Edmond Miha, që jeton prej vitesh në Austri dhe Bashkim Koka që nuk ka lëvizuar nga Durrësi. Punën e tyre e vijoi futbollisti i çquar Haxhi Ballgjini dhe i mirnjohuri tjetër Stavri Nica, që ende vazhdon detyrën e trajnerit.

30 prill 1994- 30 prill 2019. Plot 25 vite. Ai brez futbollistësh, do të mbetet kurora e artë i futbollit durrsak, duke ia rritur dukshëm prestigjin dhe duke i bërë krenarë durrsakët, pikërisht për këtë dukuri mbreslënëse.
Dhe më tej! Jemi besimplotë, për të përsëritur një tjetër sukses të këtij lloji. 
Por titulli i parë i 30 prillit 1994, do të mbetet gjithnjë i parë