Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Shkak për këtë shkrim profil për Benardina Qerraxhinë, u bë një takim i rastësishëm me të nipin e saj Gjergjin. E pyeta thjesht:
-Kur është ndarë nga jeta zysh Beni?
-Me 25 maj 1994.

Pra i bie, që me 25 maj 2019, Benardina Qerraxhia e jashtëzakonshme, të mbush plot 25 vite që nuk është pranë nesh. Autokritika vjen e sinqertë, ashtu si vetë dëshira ime po e tillë, për ta prekur tashmë profilin e saj universal, kompleks, me dritë hije, me privacione, sakrifica, por me mbijetesë të një gruaje shumë të veçantë, me një karakter shumë të fortë, me një grintë… Të mos lodhemi, se nuk e gjejmë kërkund.

Benardina Qerraxhia! Sa mall! Sa dëshirë për të folur me të, në kujtesën dhe imagjinatën time. Nuk mund të pretendoj, se jam njohës i mirë i jetës së saj. Madje mund të renditem tek modestët. Krejt i qetë në veten time, duke vendosur në maksimum turbinat e fuqishme të kujtesës, në morinë e shumtë të ngjarjeve, fakteve e dukurive jetësore, u zbulua një lloj drite ku më nxiti të bërtisja:
-Po. Benardina Qerraxhia. Si nuk kam shkruajtur njëherë tamam, për këtë kryezonjë të kulturës, edukatës, të karakterit të paepur qytetar, të kësaj heroine të sporteve, të kësaj kategorie kuadri dhe intelektualeje, që na bën nder të gjithëve pa përjashtim po ta kujtojmë, e jo më të guxojmë si unë tani, të hedh mendime dhe fakte për të. Me kalimin e viteve, madhështia e figurës së saj jo vetëm që nuk është zbehur, por është ndezur më shumë në sfondin e një kohe që ofroi, por i mori shumë, e lodhi dhe e stërmundoi, por kurrë nuk e dorëzoi, nuk e tuti, e ngriti dhe e ringriti edhe atëhere, kur u mendua se e rrëzuan dhe i mposhtën vullnetin dhe zellin për punën dhe jetën.

QAJ EDHE TANI ME LOT PËR DHURATËN QË MË BËRE

Ishte fillimi i majit të vitit 1994. Shumë pak javë, para se Zysh Beni të ndërronte jetë. Me 11 shkurt të vitit 1994, kisha filluar të botoja gazetën time “Teuta Sport”. Lodhjen dhe rraskapitjen për ta mbajtur atë, e kam treguar në mjaft raste. Kisha mësuar se Beni Qerraxhia ishte sëmurë dhe shtrirja në krevat, tregonte se po konsumonte ditët e fundit të jetës. Në fund të vizitës, nuk i shpëtova një zakoni të fuqishëm popullor, duke tentuar ti vendos mbi komodinë një 5000 lekësh të vjetër. U drodha, deri në rrënqethje, kur edhe tani kur e kujtoj tronditem dhe humbas thellë në përjetimin e atij çasti, i destinuar të mos harrohet kurrë, kurrë.

Ajo i jep një forcë të paparë, fizikut të saj të copëtuar tashmë nga pesha e jetës dhe me gjysmë trup të ngritur, krijon portretin e një shqiponje që bëhej gati të fluturonte. Poshtë jastëkut të larë me lotët nga gjëndja ku ndodhej, fshihte diçka. Pa më kërkuar ndihmë, i dha fuqi vetes. Dhe çfarë nxorri prej andej?

-Ti po lodhesh Bujar, e po heq shumë me atë gazetë, që nuk është vetëm e jotja por edhe e jona. Zysh Beni është në fund të jetës (dhe mjekrra iu mbush me lot) dhe nuk kam mundësi të të ndihmoj. Merre këtë 5000 lekësh dhe “hidhja” gazetës tënde. Unë jam e varfër dhe nuk mundem të të jap më shumë.
-Zysh Ben, çfarë po bën kështu? Unë dua të të ndihmoj, e jo të ngarkoj gjendjen tënde.
-Mos ma bë dysh fjalën biri im, nxënësi im i përkushtuar ndaj pasionit dhe detyrës tënde. Kjo është dëshirë dhe dëshirat nuk kthehen.

Ky ishte takimi im i fundit, me këtë grua të hekurt, më shumë se e aftë, më shumë se e zonja, me shumë se e ditur, më shumë se e vuajtur, më shumë së luftuari, por edhe më shumë së qëndruari. Ky veprim i pashembullt i Benardina Qerraxhisë, më bëri të qaj në shpirt. Dhe tani kur e kujtoj, nuk ndjehem mirë. Shkalla e ngarkesës shpirtërore është e madhe.

FORMIMI EKSELENCË I QERRAXHISË

Benardina Qerraxhia, është një kapitull i artë i sportit dhe kulturës durrsake. Jo pa mundim, më është dashur të rrëmoj, për të marrë ndonjë të dhënë për një figurë madhore të qytetarisë durrsake, ndonëse ishte lindur në Shkodër me 24 janar 1919. Jeta e saj me dritë hije për sistemin e kohës, ka kursyer shumë publiçistikën shqiptare t’i kushtohej portretit të saj të veçantë. Formimi kulturor, ishte në maksimumin e mundshëm për kohën. Zysh Beni, siç u popullarizua emri i saj, ishte fëmija i tetë i prindërve Gjergjush dhe Roza Qerraxhia.

Shpejt e la qytetin e lindjes- Shkodrën, për t’u ngulitur në Kavajë. Shkolla bujqësore shqiptaro-amerikane e Golemit, ishte shumë e njohur dhe Beni mësoi aty. Fare e njomë, përvetësoi njëherazi dy gjuhë të huaja anglisht dhe italisht. E folura anglisht e zysh Benit, në versionin amerikan ishte e përsosur dhe shumë dalluese nga anglisht folësit e tjerë. Sipas kësaj gjigandeje të mënçurisë durrsake, e folura amerikane është më e fisme, më lozonjare, më artistike, më shprehëse, më e butë, më joshëse se sa anglishtja e folur në Angli. Nga shkolla shqiptaro amerikane e Kavajës, në të mesmen e njohur“Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Disiplina, edukata, kultura e gjërë, komunikimi njerëzor në raport me shoqërinë, krijuan profilin e një intelektualeje ekselencë, gjë që do ta ndihmonte në krijimin e një profili të një gruaje të pakonkurueshme.

Formimi kulturor i Benardina Qerraxhisë, nuk kishte të sosur. Ai u bë gradualisht, duke kulmuar me fitimin e një burse studimi në Akademinë e Fizkulturës në Orvjeto, pranë kryeqytetit italian Romë. Në mbarim të sudimeve, shqiptarja Benardina Qerraxhia do të klasifikohej me notën maksimale 30 në metodën e mësimdhënies. Dashuria për atdheun, tradita patriotike e familjes së saj, me një mbiemër shumë të njohur në Shkodër Qerraxhia, e detyruan këtë vajzë magjike të rikthehej në Durrës. Dhe kjo gjë për kohën, duhej të konsiderohej si një fat i rënë nga qielli, pasi kuadër të këtij rangu nuk kishte Shqipëria dhe jo më Durrësi. Punon si mësuese në shkollën qytetëse dhe në të vetmin gjimnaz të Durrësit “16 Shtatori”. Anglishtes së përsosur, iu shtua edhe një italishte po e tillë, një frëngjishte dhe spanjishte perfekte. I gjithë formimi kulturor i Benardina Qerraxhisë, ishte një vlerë e shtuar për qytetarinë dhe civilizimin e jetës kulturore, sociale dhe sportive në Durrës dhe veçanërisht i shërbente emancipimit në një nivel superior të femrës shqiptare.

SHKODRANIA QË BEFASOI DURRËSIN

E kam njohur personalisht Benardina Qerraxhinë, por pa dashur nuk kam tentuar sa i se duhet, për të depërtuar në thellësinë e jetës së saj. Isha i ri dhe kuptimin e gjërave, nuk i kam ndjerë si tani. Por për një gjë isha dhe mbetem i sigurtë, që Benardina Qerraxhia mbetet një lloj etaloni, ku përcaktohet shkalla më e zhvilluar e formimit të një kuadri, të një lloj inteligjence, që do të ishim fatlum për ta ndeshur edhe sot.

Do tju rendis, se çfarë ishte në gjendje të bënte kjo kryezonjë me një formim kulturor shumë të veçantë dhe ju të nderuar lexues të këtyre rradhë, tentoni po të doni të vendosni një të dytë si shkallë krahasimi.

Benardina Qerraxhia ishte:

1.Gazetarja e parë që bënte kronikat e ndeshjeve të futbollit, duke nisur nga viti 1945.
2. Trajneria e parë e vajzave të volejbollit të Durrësit, duke i prezantuar me një veshje mahnitëe dhe befasuese për kohën. Bëhet fjalë për vitin 1947.
3. Pjesmarrëse e garës së parë kombëtare çiklistike për femra, me itenerar Durrës – Vorë, ku edhe tani nuk kemi çiklizëm për femra. Kjo nga fundi i viteve 40-të.
4. E vetmja gjyqtare femër në sportet e boksit dhe të mundjes.
5. Notare dhe organizatore e notit. Pjesmarrëse në ballkaniadën e njohur të Splitit në vitin 1947.
6. Gjyqtare e garave të notit, deri në moshën 70 vjeç.
7. Qendistare e një niveli cilësor, duke qepur dhe stolisur pjesën më të madhe të kostumeve të manifestimeve sportive, sidomos ato në kuadrin e spartakiadës së parë kombëtare në vitin 1959.
8. Ka qenë trajnere edhe në sportet e basketbollit, notit dhe atletikës.
9. Ndër aktoret e para të teatrit profesionist të Durrësit A. Moisiu, që në krijim me 11 janar 1953.
10. Një artiste e pakonkuruar edhe në gatim.
11. Nga të parat që nisi kurset për anglisht në Durrës, duke patur një preferencë superiore.
12. Një mësimdhënëse e lindur, që edhe sot e kësaj dite nxënësit e saj të moshuar, e kujtojnë me shumë mall. Formimi i tyre konkurues, është edhe meritë e zysh Benit.

PSE TENTONIN TA POSHTËRONIN KËTË FISNIKE

Një vëlla i zysh Benit, ishte mësues në shkollën shqiptaro amerikane të Golemit – Kavajë. Ndërsa një vëlla tjetër, i quajtur Ndoc Qerraxhia, me një formim edhe ky të spikatur kulturor, u arrestua. Shkaku ende nuk dihet, por thjesht se kishte një “prerje” perendimore. Këtu mendohet të ngacmohet, deri në trishtim dhe brengosje, ky model i avancuar i femrës shqiptare, i arsimuar në shkollat e avancuara shqiptare të kohës, por edhe në Itali. Këtu sistemi i para viteve 90-të nuk të falte. Sikur edhe një lidhje pa kuptim të kishe me jashtë, përbënte preçedent dhe mbi këtë bazë provokohej persekucioni.

Eh moj Benardina Qerraxhia, çfarë ishe ti! Kam qenë me fat jo vetëm unë, por të gjitha ata që të njohën ty, që komunikuan me ty, që patën lidhje pune me ty, që patën bashkëpunim me ty, që morën shërbimet e t’ua humane dhe njerëzore. Ti edhe këndoje shumë bukur, edhe recitoje shumë bukur. E për çfarë nuk të mrekulloje ti, zysha ime e paharruar?!

I kërkova mikut tim të vjetër, historianit të fotografisë, por edhe arkivist profesionist pranë teatrit A, Mosiu Luan Jaupi, të rrëmonte në arkivë se mos gjente ndonjë gjë për Benardina Qerraxhinë. Më shumë se korrekt, Jaupi më sjell të vetmen fletëpalosje të kohës. Në të lexoj:

Benardina Qerraxhia, nr 22 në borderonë e trupës profesioniste të teatrit A, Moisiu Durrës. Aktore. 2 shkurt 1953. Kujtojmë që teatri është krijuar me 11 janar 1953. Me 12 maj 1953, njoftohej në Durrës, se çfaqej premiera e pjesës me tre akte, të autorit Fatmir Gjata “Vajza nga Fshati”. Regjisor Pandi Stillu. Asistent regjisor Nikolin Xhoja. Skenograf Ismail Hidri. Beni luante rolin e Lenës, që ishte punëtore në repartin e tezgjave. Pas kësaj çfaqje, Bernardina Qerraxhinë e largojnë nga teatri.

Çfarë më tregoi, një e njohura e hershme e zysh Benit – Belina Hotova.
-Isha 16-17 vjeçe. Viti 1967. Shkolla e mesme Naim Frashëri, ku luante edhe artisti i njohur Mirush Kabashi, vuri në skenë premierën Qielli i Kuq. Zysh Beni kishte rolin e një punëtoreje. Kur çfaqja u kontrollua nga një komision politik, një person kërkoi sqarime se çfarë donte kjo grua në këtë çfaqje. Dhe jepet urdhëri që të largohej. Erdhi tek ne atë mbrëmje dhe të qarat e saj nuk pushonin. Eh Zot thamë, çfarë po ndodh kështu?!

Ia sfumonin meritat. Nuk e evidentonin. Klikoni po të doni në geogle, nuk gjendet një rradhë për të, një foto për të, një…, një….. Asgjë fare. Dhe për kë? Për një grua e një dimensioni kolosal. Për një mburrje tonën.

25 maj 1994! Në shtëpinë e parë, majtas kur fillon rruga e famshme e lagjes Sefer Efeniu, ishin mbledhur me qindra njerëz. Arkivoli me trupin e të ndjerës, kalonte lart në duart e njerëzve. Aty ishte strehuar për gjithmonë, trupi i pajetë i heroinës së sporteve dhe kulturës durrsake, të një zonje që i dha shumë qytetit të Durrësit, të një perle të mësimdhënies, të një gruaje me një kulturë të jashtëzakonshme, me emrin emblematik Benardina Qerraxhia.

Falë intuitës, për të mos harruar më në fund një ngjarje të tillë, siç është 25 maji i vitit 2019, 25 vjetori i largimit nga jeta të Benardina Qerraxhisë, iu përkushtuam me një përkujtim të tillë figurës më qendrore të kulturës dhe sportit në Durrës. Shkolla e mesme kombëtare sportive në Durrës, mban emrin e kësaj pioniereje të sportit durrsak Benardina Qerraxhia.

Mos’harresa ndaj teje, ishte një detyrë parësore, zysha ime e paharruar Benardina Qerraxhia.

Kujtimi për ty, të mos zbehet kurrë!

Durrës më: 27 maj 2019