Nga BUJAR QESJA

Nuk është në fondin tim kjo foto, por më ra në dorë. Ma dërguan njerëz të mirë të qytetit tim, me dëshirën e madhe për të shkruajtur diçka. Nje sebep duam dhe ulemi shpejt në prehërin e kujtimeve dhe notojmë në tunelin e thellë të mbresave. Memoria si një hard disk gjigand, lëviz me shpejtësins e erës. Memoria shtrydhet si centrifugë dhe prodhon bukurinë e një jete, që meriton të rrëfehet.

Është një pamje, që edhe po të lotosh, je në të drejtën tënde të emocioneve, që vijnë e të çpojnë si një hushtë. I njoh që të katër. Me tre prej tyre, me shumë dhëmbje shprehem që kam komunikuar miqësisht dhe me njërin së gjalli ndalemi dhe me mashën e kujtimeve, ngacmojmë prushin e nxehtë të shpirtit tonë.

Teksa shkruaj, e i drejtohem kësaj fotoje për të satën e satën herë, në ekranin e gjërë të asaj që quhen kujtime, çfaqen personazhe që na bëjmë edhe tani, pse jo edhe më tej të mburremi, veçse të mburremi.

Që të katër, janë duke gjykuar një ndeshje ndërkombëtare volejbolli. Janë në parkun e mallit tonë të përjetshëm, në atë që quhet parku sportiv “Nako Spiru”, të Nakos sportist, të Nakos mburrja e inteligjencës durrsake. Është një foto, me pretendime poshtë modestes. Kështu ishte teknika e kohës e fotografive. E kam jetuar vetë, në publiçistikën e para viteve 90-të, në atë që quhet zinkografi. Pamja ekspozohej në zink dhe vendosej në gërmat të derdhura në plumb të linotipit të kohës së Goteborgut. Cilësia nuk e prekte dëshirën.

Por e kam bërë hallall cilësinë, pasi kam fituar bukurinë e prezantimit të katër emrave historikë të gjykimeve durrsake, të gjykimeve shqiptare, të personazheve që i ka dhënë jetë nga jeta e tyre sporteve. Janë nga ato qytetarë, që sa jetuan dhe sa po jetojnë, veçse nder i kanë dhënë Durrësit të tyre. Dhe na takon ti shtrëngojmë fort, që të mos na ikin nga pjesa e rezervuar e kujtimeve tona, në atë që quhet dhoma komode e memories.

Ta fillojmë me Selaudin Carën. Është vendosur në krahun e djathtë të fotos. Mbiemri Cara. Sa i fuqishëm në Durrës. Dhe këtë fuqi ja ka dhënë kurora e fisme e kësaj dinastie, e cila varet si flori në gjoksin e çdo durrsaku. Është një Carë tjetër. I madh edhe ky. Quhet Dilaver Cara. Gjyqtar ndërkombëtar volejbolli. Është edhe një Carë i kulturës. Quhet Genci Cara. Baterist i përkryer. Të mos shpërndahemi, pasi malli e çan rrethimin e këtij shkrimi dhe merr zjarr, për të ndezur kapituj të tjerë të një kujtese po kaq të bukur, që gjithashtu qëndron e ulur hijshëm në shpirtin tonë.

Selaudin Cara një gjyqtar korrekt, tepër serioz, më shumë se i drejtë. Një djalë simpatik, ku dallonte në fushë me atë vrapimin e tij atletik dhe ku eleganca i një trupi të formuar, ia rriste karatët e prezantimit. Këtu në këtë foto, të vitit 1965, çfaqet si gjyqtar volejbolli. Na këputi shpirtin, na e dogji xhanin, kur u sëmur rëndë dhe e ndali frymëmarrjen mbase më shumë se tri dekada të shkuara. Por na e la të gjallë kujtesën. Më duket sikur po flas me të. Dhe ai çfaqet si dikur, i qeshur, i dashur, por i saktë deri në prefeksion kur gjykonte.

Prane tij vjen Agim Taraku. Na iku edhe Gimi, por të mos thotë kush se do ta na iki nga bisedat virtuale që bëj me të shpesh. O Gim Taraku! Sa i ëmbël në gjykime! Sa i pasur në kulturën sportive! Sa i ke dhënë Durrësit tënd. Zoti ta dhuroi Dhuratën dhe së bashku krijuat atë dyshe sportive, për t’u ulur në historinë më të vlefshme të sportit durrsak.

Kristaq Bekridheli! Një gjigand i plotë i arritjeve. Profesor Bekridheli, poliglot dhe përdoruesi i shumicës së llojeve të sporteve. Gjyqtar më së pari në të gjitha disiplinat, e më pas pedagog i edukimit sportiv, e baba madhështor i dy binjakeve mbreslënëse të notit, shkencëtar i sporteve. Kristaq Bekridheli një prerje e rrallë e sporteve, kostumin e të cilit zor se e vesh një i dytë. Se kemi të gjallë, por merr frymë në kujtimet tona. Mushkritë e këtyre kujtimeve, kurrë s’kanë për ta mbaruar oksigjenin e një jete itensive, që brezi i ri të rritë kryelartësinë për ato njerëz që i kanë përfaqësuar.

Kostandin Gajda e mbyll foton. Gjyqtar i prerë i volejbollit. Kur Mustafa Çelkupa, padiskutim nga kuadrot më të famshëm të sportit durrsak, që e drejtoi me një autoritet të rrallë këtë sektor, duke e mbushur me lavdi Durrësin e tij (drejtoi 1960-1974)sekretar kishte pikërisht këtë 85 vjeçar Kostandin Gajdën. Pedagog fizkulture, shumë masovik, me merita në përparimin dhe traditat e sportit të Durrësit, plotëson këtë foto të mrekullueshme, një gjetje e veçantë dhe që ngacmoi një shkrim me pretendime historike.

Kjo katërshe, e bashkuar si nga një dorë magjike, meritonte një cilësi prezantimi në foto, si vetë paraqitja e tyre. Por në vend të saj, le të ngushëllohemi me një kujtesë të pastër, cilësia e së cilës jam i sigurtë që nuk ka për t’u shkitur tërë kohën.

Kujtesë! Kujtesë! Dhe vetëm kujtesë! Ky është një mesazh që vjen nga një brez në largim, për një brez në ecuri, për një brez që edhe pas kësaj po të lind, kryelartësia për atë që është bërë, gjithnjë do t’ia rritë autoritetin.