Nga Shefqet Kërcelli

Nëntë vite më parë, më 9 gusht të vitit 2010, u futën në përbërje të Rojes sonë Bregdetare, 3 “ArchAngel”, (01, 03, 05), ndërsa më datën 14.03.2013, mberritën në portin e Durrësit dhe 2 anije të tjera “ARCH ANGEL”, (Me nr.bordi, 02, 04), dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA për Rojen tonë Bregdetare. Këto anije të reagimit të shpejtë me një vlerë 5.3 milion $, sipas Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes, (ODC) në Tiranë, ishin nga fondi i koalicionit kundër terrorizmit të SHBA. “ARCHANGELAT”, kanë qenë tepër aktive në mjaft operacione detare gjatë këtyre viteve si, në operacionet e kërkim shpëtimit, zbatim ligjshmërie dhe operacione humanitare në çdo koordinatë të ujërave tona detare. E ku s’janë futur këto anije, e për çfarë s'i kanë përdorur?!

Deri në çuarjen e miellit e ujit në Velipojën e përmbytur, midis zhukave e pisllëqeve.

Paralel me mberritjen e anijeve, ekuipazhet e para të 5 anijeve u aftësuan plotësisht për t'i drejtuar këto anije. Kjo pasi në verën e vitit 2010, një ekip trajnues i Rojes Bregdetare të SHBA, zhvilloi në Portin e Durrësit trajnimin e personelit shqiptar që po i përdor ato, kryesisht për ndërtimin e anijes, instalimin dhe mirmbajtjen e motorrëve, sistemet elektronike dhe elektrike, pajisjet e komunikimit dhe lundrimit, etj. Pesë anijet kanë qenë të gatshme e në lëvizje për çdo emergjencë detare në portet tona dhe bazat kryesore të Forcës Detare nga jugu në veri, duke rritur ndjeshëm kapacitetet operacionale të Rojes sonë Bregdetare, veçanërisht në operacionet kërkim-shpëtim dhe ato për zbatimin e ligjit në det.

Më vjen keq që shumica e personelit që u trajnua posaçërisht për këto anije, djem të mirë, janë larguar nga Forca Detare, sidomos Komandantët e anijeve.

 Kush janë “ARCH ANGEL”?

Tip i ri i 2010-s, erdhën në qese, në përdorim vetëm Roja Bregdetare e SHBA, Shqipëri, Izrael e Pakistan. Kanë një  gjatësi-13 m, gjerësi-4 m, lartësi-3.8 m, peshkim nga 0.3 deri 0.8 m, peshë-9.5 t, shpejtësi-35 deri 44 nyje, shpejtësi ekonomike-30 nyje, starton në 13’’ një shpejtësi 30 nyje dhe është e pajisur me 2 motora 500 KF Caterpillar. Përballon deri në 6 ballë det dhe është e pajisur me aparaturat më moderne të kohës. Mban në bord shtrat për vendosjen e mitrolozave të rëndë deri 20 m/m. Me këto karakteristika kjo anije në kuptimin figurativ është një “ëngjëll” për hapësirën tonë detare.

Duhet theksuar se në këto 28 vite të bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona, Departamenti i shtetit i SHBA, ka dhënë ndihmë të veçantë për Rojen tonë Bregdetare, që nga trajnimi i personelit, pajisja me mjete speciale për bordim, deri te dhurimi i 5 anijeve të shpejta “ARCHANGEL”.

Në këtë përvjetor një mirënjohje e veçantë shkon për ushtarakët amerikanë të Rojes Bregdetare, të Pentagonit dhe përfaqsuesit në Shqipëri, që bënë të mundur sjelljen e këtyre mjeteve të shpejta në vendin tonë.

Gjetëm mirëkuptimin, kur unë i çoja email pas e-maili, përfaqësuesit në Pentagon, për të sjellë dhe dy ‘Archangelat”,-02-04, që erdhën mbas një kohe për arësye transporti.

Falenderoj Kapiten Ed Safe, një oficer tepër i aftë i Rojes Bregdetare të SHBA, që më la timonin e anijes, 9 gushtin e 2010, kur e ulëm “Archangel-01”, në basenin e portit Durrës.

Gjithashtu një urim shkon dhe për të gjithë detarët që u bënë pjesë e ekuipazheve të këtyre Motovedetave, i zotëruan ato në perfeksion. Shpresoj që ti kenë lënë dijet dhe eksperiencën e tyre për këto anije, brezave pasardhës.

-Navigatori i vjetër dhe “zhapiku” me uniformë detari…

Një navigator i vjetër me kontribut real në Flotën Detare, një dite duke ndrruar një cigare më thotë,-o Ceto, me ato 5 milion$ që i keni futur Flotës bashkë me ushtarakët Amerikanë, tani duhet të rrije gjithë ditën, kafe dhe limonatë, sa për ato 270$ që të japin. Nuk mund të rrij ja ktheva, po të llogaris mijëra faqe shkrime për detarët, reportazhe, dossiera, portrete, lajme, tregime, foto, etj…produkti im ndaj Flotës e shtetit shkon mbi 1000$…e kush do tja dijë.

Ndërkohë një zhapik i ardhur rishtas në Flotë, pa ditur cështë milja detare, që ditën e parë veshi uniformën e detarit dhe tha:- tani jam u..këtu…tani fillon historia e degës sime e Flotës…

I dukej vetja si komandant fregate kokëboshit…të nesërmen po më thoshte:- po ti cfarë kë bërë?…ndërsa produkti i tij ndaj ushtrisë dhe Flotës është zero… medet…Dhe Flotës bashkë me ca të tjerë ja bërejti dhe kockat.. Kur bashkohen injoranca me –izmat, e vuajnë të gjithë, por sidomos këto anije që vuajnë difektet e shkaktuara dhe moseleminimin në kohë të tyre.

Nostalgjia dhe “Archangelat”…

Dikush këto anije i quan dhe gomone. Hë mo, se gomone janë…Vërtet ato kanë anash gomë, por ato janë anije të vërteta lufte. Tashmë detarët e dinë se sa punë kanë bërë ato në Flotë, skanë lënë kordinatë gjeografikë të Jonit e Adriatikut pa zgjidhur një detyrë konkrete.

Mund të jem nga të parët që dua që flota jonë të pajiset me anije më të mëdha. Por, kam qënë dhe jam partizan i asaj, anije po, por mos me e lan popullin pa bukë. Duhet edhe buka dhe anijet. Se me mbajt një fregatë na kushton shumë..sa për gjysmën e Durrësit. Vërtet i mbanim dikur, por punonte gjysma e popullit për ato.

Ndaj derisa të forcohet ekonomia, le të përdorim anije të këtij tonazhi. Se dhe këto na i kanë dhuruar. Por, ne kemi dhe atë, që kur bëhemi me lekë, i blejmë tek të tjerët, jo tek ai që na ndihmoi në ditë të vështirë.

Mirëmbajtja…

Në këto anije kanë kaluar të gjithë navigatorët me të drejtë lundrimi.

Por, ajo që më shqetëson është mirëmbajtja e tyre. Trishtohem kur shoh gunga në bash, apo difekte të tjera. Cuna,- janë të reja, na vret zoti mos i mirëmbajmë. Se Amerikanët bënë shumë dhe për mirëmbajtjen e tyre, plus pagesës së doganës. Doganë, për një mall të dhuruar?!

Shoh cdo ditë cfarë bëjnë simotrat e saj në SHBA, nga Atlantiku në Paqësor. Spektakël të vërtetë. Dhe ato janë prodhim i 2010. Një ditë do e bëj krahasimin. Janë vetëm 9 vjet anije, ndaj le t'i mirëmbajmë ato anije si dritën tonë.