Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

-Nga 13 qershori 2018, një shok e mik më pak, por një amanet më shumë
-Një qytetar i shkëlqyer i Durrësit është shuar, ndezur bekimi ndaj tij

Nga BUJAR QESJA

Një avion nga Gjermania, diku nga 11-12 qershori i vitit 2018, ulet ne aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës. Një pasagjer jo i gjalle, qe transportuar. Familja e tij kishte udhëtuar me tokë, për tu ribashkuar me të, në Tiranë. Unë jo se jo, por mjaft prej nesh, as nuk mund të na shkonte ndërmënd se ky njeri, jeta e të cilit sapo shuhet, është ai, shoku, miku dhe bashkëqytetari ynë i shkëlqyer Anastas Mima. Botërori i futbollit punë orësh priste të fillonte, ndërsa europiani i atletikës i planifikuar në muajin gusht, do ta kishte të pranishëm në shkallët e stadiumit më të madh të Berlinit.

Si Caci, është larguar nga jeta?

Kunati im i madh Panajoti, po pinte një kafe me mua dhe po bisedonim për hallet dhe punët e ditës. Jeta është e vrullshme dhe në qelizat e saj, fuqishëm pulson ritmi, të rejat dhe të fshehtat e saj, të priturat dhe të papriturat e saj, befasitë bashkuar me enigmat, çuditë dhe versionet nga më të ndryshmet. Ja se si ndodhi. Panajoti, sapo fliste në telefon me shokun e vjetër Bajramin dhe i thotë, që Vlash Bixhi, shoku i tyre i fëmijërisë, ishte goditur nga një hemoragji cerebrale. Spitali ishte streha e tij më e re. Ndërkohë Bajrami i thotë, ja që sdo të thotë gjë Joti. Ka njerëz që nuk abuzojnë dhe nuk vënë alkol dhe cigare në gojë dhe jeta tregohet tragjike ndaj tyre. Deri këtu po qendroja i qetë dhe po përcillja densitetin e lajmeve të reja ndërmjet dy shokësh, në një telefonatë fare të thjeshtë, nga ato që ne bëjmë me dhjetra në ditë. 
-Ja kështu ndodhi edhe me Anastas Mimën, vazhdon të shprehet nga ana tjetër e telit Bajrami. Ai është ndarë nga jeta para dy muajve. 
Pas kësaj reagova me shpejtësi, deri në dridhje dhe trishtim. Si është e mundur që Anastas Mima, apo Caci, nuk jeton më?! Ishte një reagim instiktiv ky, ndaj vetes time. Befasia, ishte përzierë me tragjiken dhe kjo më lëndoi pa masë. Janë nga ato habere, që të godasin papritur dhe të lënë pa fjalë për disa çaste. Aty dhe vetëm aty, mësova për vdekjen e Cac Mimës, shokut tonë të rinisë së parë, ku fillojnë të thuren dhe krijohen ëndërrat dhe ndërkohë tret imagjinatën të fshehur në kulisat e kohës, duke pritur plotësimin apo mos plotësimin e tyre. E lashë kafenë, teksa ftohej ngadalë në ngrohtësinë e pazakontë të stinës. Lashë edhe Jotin në punë të tij dhe u mora me Anastas Mimëm.

Me Tatjana Pandukun, gruan e mirë të Anastasit

Reagova në adresën e saj në fb dhe i shkruajta se jam një mik e shok i Cacit, burrit të saj të shuar tashmë nga jeta. Tentova të zbus sadopak dhimbjen e saj, por të frenoja gjithashtu edhe dhimbjen time. Doja një informim, se si kishte ndodhur humbja e tij, sepse jo me pak se disa muaj, e kisha takuar diku tek “Katër Stinët” e bregdetit. Ashtu i qeshur, hokatar, fisnik dhe me atë pamjen e tij të lexueshme prej një durrsaku të thekur. Tatjana, vajza e patriotit të famshëm korçar Ilo Panduku, më gëzoi teksa iu përgjigj kërkesës time, për një takim me të në Durrës, për të folur për bashkëshortin e saj dhe mikun tim Anastas Mimën.
-Çfarë i ndodhi Cacit? Ishte reagimi im i menjëhershëm, pa e lënë Tatjanën të marrë frymë më parë, pasi u ul. Shpjegimin e saj po e ndiqja me shumë vëmëndje, të përzierë me habi dhe trishtim.
-Caci vuante nga tëmthi dhe gurët e tij e shqetësonin. Pas disa kohësh, barku iu ënjt dhe operacioni konstatoi, një gjë shumë të rrallë dhe i ra ta vuantë Caci ynë. Një kancer rrebel, kishte filluar të grryente paretet e brëndëshme të barkut. Asnjë organ tjetër nuk ishte dëmtuar. Vërtet e rrallë dhe befasuese për mjeksinë. E dërguam menjëherë në Gjermani, në klinikën e qytetit Gutersloh, ku është mjeke edhe vajza e jonë Anisa. Gjermanët bënë të pamundurën dhe ia lehtësuan dhimbjen, por jetën nuk ja shpëtuan dot. Vajza ia tha hapur të jatit: Babi, një tumor të kërcënon jetën, por do të përpiqemi të shpëtojmë.
Lotët e nxehtë të Tatjanës, ranë mbi kafenë e sapo porositur. Një ajër i ftohtë, në këtë vranësirë të 27 gushtit 2018, më goditi në fytyrë, sikur për të më përmëndur, që duhet ruajtur qetësia dhe trishtimi të zbehej në kufijtë e rezistencës. Tatjana e ndjente hapur vakumin e krijuar nga ikja e atij, që kishin lidhur jetën 36 vite të shkuara, në atë martesë të paharruar me djalin durrsak, të mirin, të dashurin, shokun dhe mikun tonë të paharruar Cac Mimën.

Cac Mima e donte Durrësin si ajrin që thithte

Caci ishte djali i parë, i familjes së Vasil Mimës. Shtëpia e tij është në mes të Durrësit, aty ku janë sistemuar në vite historie fiset e njohur, të urtë dhe të fisëm të Mimëve. Vasili, një mekanik i thekur, një njeri punëtor dhe shumë i vuajtur, rriti katër fëmijë tre djem: Anastasin, Thomain dhe Josifin, si dhe vajzën e vetme Albinën. Emigracioni, natyrisht strehë e re për ta. Caci nuk pranoi kurrsesi të ikte nga Durrësi. I vetmi kompromis që bëri me veten, ishte qendrimi në një shtëpi të dytë në Tiranë, pasi shoqëroi të birin Gjergjin, që është gazetar i njohur në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Por më shumë preferonte Durrësin e tij, qytetin që e lindi, në tokën e të cilit ai preferoi të përfshihet në përjetësi. Gjatë kohës që merrte njohuri në shkollën e mesme të përgjithshme Naim Frashëri në Durrës, Anastas Mima filloi të përdorte atletikën si pasion dhe hobi. Në not kishte prirje, por Idriz Çinari, trajneri legjendar i atletikës durrsake, nuhati talentin e Cacit në vrapimin e 200 dhe 400 metrave. Anastas Mima i datëlindjes 2 janar 1947, në intervalin e moshës 15-18 vjeçare bëri histori në atletikën durrsake. Janë disa atletë në këtë histori si Vasil Profiti, Ymer Shullani, Jorgji Mile që përbëjnë atë, që quhet atletika e lehtë durrsake. Rezultatet janë të nivelit kombëtar. Durrësi është me traditë në atletikë, pasi këtu kanë punuar kolosë të tillë si Rruf Kazazi, Idriz Çinari, Andrea Stasi, Ilias Elezi, Halit Dapi, Frederik Gjergo dhe dolën atletë të përmasave pikante dhe historike si Anastas Mima, Shefik Dervishi, Fatbardha Dervishi, Pranvera Dyrmishi, Elizabeta Muça, Esat Kryeziu, Abdi Dane, Daut Falli, Hasan Korra, Aleksandër Tirana, Rrahman Morina etj. Atletika durrsake shkëlqente dhe ishte mburrje. Dhe padyshim Cac Mima, mbeti si një kurorë e artë, në gjerdanin e shkëlqyer të kësaj atletike fatlume, të shkollës së njohur durrsake të vrapuesve dhe hedhesve. 
Tatjana e thekson për të satën herë, dashurinë dhe mallin e jashtëzakonshëm që kishte Caci ynë për Durrësin, qytetit tonë të përbashkët të lindjes. Dhe kur e pyetnim se me kë ekip ishte simpatizant, pa e zgjatur dhe menjëherë nga goja e Cac Mimës, shprehej vetëm një emër: “Jam dhe do të jem vetëm me Durrësin”.
Më ketë qytet e lidhnin kujtimet e fëmijërisë, të shkollës dhe sportit, por edhe të uzinës elektromekanike (UEM), ku ai punoi gjatë dhe krijoi një simpati të jashtëzakonshme ndërmjet shokësh dhe shoqesh. Dhe ai lumturohej nga ky mjedis magjik, ku flitej për jetën, për punën dhe për sportin. Anastas Mima! Është tepër i njohur në Durrës. Dhe kjo jo vetëm nga sporti, por para së gjithash, nga raportet e shkëlqyera shoqërore dhe qytetare, që ai ndërtonte me njerëzit. Atij i flitnin të gjithë, pasi i respektonte të gjithë, i donte të gjithë, donte gjithçka që quhej Durrës, që vinte era Durrës, që ishte nga Durrësi. Prandaj edhe durrsakët e donin dhe e respektonin djalin e tyre. Influenca sportive e të jatit, bëri që edhe i biri Gjergji, të merrej me histori sportive të Durrësit, kombëtare dhe të përbotshme dhe të bëhej një koleksionist aktiv i këtyre dukurive.

“ Lule, Lule në varrimin tim Anisë”!

Tatjanë pse loton! Nuk dua të të shikoj kështu! Caci na shikon atje ku është dhe mbase na këshillon të përmbahemi. Ne do ta duam si më parë, pasi ai është rinia dhe fëmijëria ime, është jeta e jote Tatjanë, është babai i dy fëmijve të pastër si drita, i Anisës dhe i Gjergjit. Meraku i babait për rritjen, edukimin dhe shkollimin e tyre, u përligj plotësisht. Anisa mbaroi për mjeksi në Gjermani dhe Gjergji për gazetari në Tiranë. Fëmijë që i bëjnë nder familjes Mima, Anastasit dhe Tatjanës. 
Avioni ardhur nga qyteti Gutersloh, ndalon në Rinas, në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. Brenda tij ndodhet një arkivol, që unë nxitoj të trajtoj, si një shtrat ngjyrë gri, që do të vendoset, në krevatin tokë ngjyrë gri të Durrësit të tij, të Durrësit tonë të shtrenjtë. Anisa i kishte prerë të jatit një biletë ekstra, për të ndjekur kampionatin europian të atletikës, që zhvillohej në Berlin në gusht të 2018-ës. Një atleti të regjur të viteve 60-të, ishte më shumë se një krenari për të ndjekur atletikën moderne europiane në vitet 20-të të shekullit të 21-të. Një dhuratë shumë e çmuar dhe shumë e zgjuar e Anisës. Por Caci ynë nuk mundi ta ndjekë atë. Sëmundja avancoi dukshëm. Caci e donte jetën, por e kuptoi që ishte me orë të numëruara. Eh çfatkeqësi?!
-Dëgjo Anisa, Tatjana sigurisht që po. Varrin e dua në Durrës. Në Durrësin tim të shtrenjtë. Të më vendosni lule dhe të më kujtoni. Ju dua shumë! 
Lot nuk kishte më. Avioni u ul në Rinas, për t’iu drejtuar Tiranës, e më pas kortezhi të kalonte në Durrës. Në kishën e Shën Astit, u zhvillua një ceremoni mortore e jashtëzakonshme. Të katër priftërinjtë e këtushëm, e njihin mirë Anstas Mimën. Ai ishte shërbëtor i bindur i fesë kristiane dhe i vetë kishës së saj. Korteu u drejtua nga varrezat e reja të Durrësit. Anastas Mima për në banesën e fundit, por kurrë kjo e fundit në memorien tonë. 71 vjeçari Anastas Mima e sosi jetën e tij, por është fillesa e kujtimit mbi të.
Tatjanë më gëzove, që erdhe sot në Durrës, tek miku dhe shoku i Cacit. Gjithnjë kështu, ia largojmë dhimbjen njëri tjetrit dhe Cacin e ofrojmë më shumë tek ne, pranë Durrësit dhe bashkëqytetarëve të tij. 
Sa mirë kështu Tatjanë!

Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh