Duke lundruar dhe u lëkundur mbi barkë, vetëm kështu mund t’i pikasësh një buzëqeshje në fytyrë Anna Ninës. Jo më kot thonë se shtëpia ndodhet aty ku është zemra. Anna ia ndjen ritmin pulseve nëpër ujra të kthjellët e të kristaltë, e kësisoj edhe habitatin s’mund ta kishte veçse larg tokës. Një lundrim me varkë në vitin 1998 për në Genova të Italisë…kaq i mjaftoi Annës për të kuptuar se e profesioni dhe e ardhmja e saj do të shtrihej midis erërave, të bardhave vela dhe dallgëve të shkumëzuara. Me dëshirën e pamatë për të njohur botën ashtu sikurse eksploratorët e kontinenteve kanë bërë dikur, shërben tashmë prej disa vitesh në kuvertë dhe kuzhinën e anijeve me ekuipazhe të kombësive të ndryshme. Fiton të ardhura shumë më tepër nga ç’do të paguhej në tokë, por kjo nuk është arsyeja që e ka çuar në braktisjen e kësaj të fundit. Fillimisht ka studiuar në shkollën e lundrimit “Yacht Club Italiano Beppe Croce”, më pas i është nënshtruar një sërë trajnimeve.

Aty ku koha lidhet natyrshëm me mijëra yje vezëllues mbi qiell, Anna njeh gjithnjë e më tepër vetveten. Këtë zbulim nuk ka ngurruar ta pasqyrojë në faqet e mbledhura të një libri. E megjithatë, kur e pyesim se si do ta përkufizonte unin e saj, Anna jep një përgjigje tejet interesante, që për hir të së vërtetës të konfuzon. “Si mund ta përkufizoj vetveten, kur lundroj gjithmonë drejt horizontit dhe pafundësisë?”-thotë ajo për Mapo, duke shtuar se është gjithnjë në kërkim të aventurave. Nuk është pjesë e një stafi të përhershëm pasi është e pavarur në nismën e saj, ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse i cilëson aventura udhëtimet në det.

Shpirti i saj i lirë është pikasur që në vegjëli, të paktën këtë gjë lë të kuptosh. “Nuk dilja nga uji pa m’u nxirë buza.Kujtoj tentativat e mia të para të lundrimit, mbi komardaret e zeza e dy dërrasa të kryqëzuara…ndihesha si një pirate e vogël. Luaja e ëndërroja se si një ditë do lundroja përtej detit Adriatik. Kush është i brezit tim i mban mend komardaret për të cilat po flas, që sot janë shndërruar në flamingo e njëbrirësh me lloj e soj ngjyrash. Nuk di a të frymëzojnë për aventura piratësh, por, mua, ajo era e gomës, gërvishtjet te pipëza e fryrjes, apo nxirjet, më kujtojnë plotësisht piratët, të frikshëm, të pisët, dhëmbë prishur, por tepër simpatik”-rrëfen Anna, e cila sot ka arritur t’i bëjë ëndrrat e saj realitet.

Ka lundruar në dy oqeane, atë Atlantik dhe atë Indian, që ka qenë njëkohësisht dhe distanca më e gjatë që ka përshkuar. Megjithatë, nuk preferon ta veçojë si udhëtim. “Janë të paharrueshme të gjitha herët që lë tokën dhe i drejtohem detit. Zbuloj ishuj, vende, kultura të reja, duke kaluar shpesh dhe përmes stuhive, rrufeve dhe dallgëve të frikshme, që sikur do të të përpijnë në atë madhështi që ka deti; aty ku del e lind dielli, e ku perëndon me një bukuri mbresëlënëse, për t’i lënë vendin hënës dhe yjeve të t’bëjnë shoqëri, nën kërcimin e ndonjë delfini që vjen e kërkon të luajë, apo ndonjë balene gjigante që të frikëson.”

E teksa ditët, muajt dhe vitet e Annës tingëllojnë si një përrallë që të mban pezull nga kureshtja e tepruar, Mapo vendos të ndalet tek libri i saj i fundit, “Mos e Lexo”. “Është një rrëfim i sinqertë, midis detit dhe tokës, ku lexuesi mund të njihet me jetën dhe fantazitë e mia. Përsa i takon titullit, thjesht për të provokuar më shumë kureshtje”-shprehet Anna.

Nëse mendoni se kjo vajzë kokëkuqe është mjaftuar me hedhjen e të zezës mbi të bardhë, gaboheni! Ka synim hapjen e një klase në qytetin e saj të lindjes, Durrës, për këdo që ka dëshirë të njihet me filozofinë e Yogës, se si ta ushtrojë dhe të mësojë më shumë për meditimin dhe teknikat e Pranayama-s (teknikat e frymëmarrjes). Pikërisht për këtë arsye ka studiuar në qytetin indian që konsiderohet si i Yogës, Rishikesh, ndodhur rrënzë të Himalajave. Kur i shtrohet pyetja nëse do ta ketë apo jo të vështirë t’i përkushtohet, Anna na e bën edhe njëherë të qartë prioritetin e saj. Kur jam në det, çdo gjë ndal, për të filluar përsëri”-thotë ajo buzagaz.

Por a mund ta quajmë Annën një shpirt në kërkim të perfeksionit? “Unë jetoj thjesht jetën time, duke shijuar lumturinë ashtu dhe momentet e frikshme. Perfeksioni nuk është për mua, jam një njeri shumë emocional për të qenë perfekte. Di të them vetëm se kam një listë dëshirash që dua t’i vë vizën përpara se të largohem nga ky trup. Kjo është më me rëndësi për mua.”

Ndahemi nga Anna, për ta lënë të lirë. E teksa ne do të ndërmarrim të tjera hapa, drejt personazheve po kaq interesantë, këtë vajzë e dimë shumë mirë se si dhe ku do ta rigjejmë; duke vallëzuar e ndjekur ritmin e dallgëve, kudo që ta shpien. /gazetamapo