Arkitekt Sotiri, “Arkitekt Sinani” i trevave Shqiptare

23/10/2011 - 00:00

Misteret e arkitektit të adhuruar nga italianët

Lidhjet  e padukshme të arkitektit me Ahmet Zogun, mbretëreshën Elisabetë dhe Fan Nolin, deri te misteret e pistoletës së gjeneral Garibaldit dhe martesës me mbesën e kryebashkiakut të Venetos

Çdo ditë në rrugët e qytetit të Durrësit shikon një të moshuar që me ecjen e një djali të ri, me krenarinë e një familje të fisme, me hijeshinë e një njeriu sportiv dhe me inteligjencën dhe mirësjelljen e një zotërie kalon në qendër të qytetit, përshëndet ëë gjithë ata që njeh dhe më pas ngjitet në rrugën që të çon te biblioteka e qytetit. Atje ai ndalet, lexon gazetat dhe më pas i drejtohet shoqatës “Durrësi”. Askush nuk mund ta përcaktojë saktë moshën e ish mësuesit të nderuar të Matematikës, pasi me siguri që nëse nuk e njeh që në fëmijëri do të gabohet. Salvador Sotiri i ka kaluar të tetëdhjetat dhe nuk të jep përshtypjen se është as 60 vjeç. Jeta e rregullt, lëvizja por dhe geni i një familje të fisme, të pashme, por dhe sportive e kanë mbajtur të tillë. Veç jetës së tij, që e bën të ndjehet krenar, Salvador Sotiri mban mbi supe dhe një peshë tjetër që e bën më krenar dhe fisnik. Ai është djali i arkitekt Kristo Sotiri, ose e thënë ndryshe e “asit “ të arkitekturës shqiptare. Salvadori vetëm është një arkiv e pashtershme e asaj që arkitekti i famshëm ka lënë në këtë qytet, duke nisur nga Kodra Vilë deri te projekte të tjera perfekte arkitekturore. Dikush e ka quajtur arkitekt Sotirin si “Arkitekt Sinani” i trevave shqiptare. Duke mbajtur në dorë fotografitë, Salvadori të tregon duke u zhytur në kujtime jetën e babait të tij nga Italia e vitit 1903 deri deri në çastet e fundit në shkurt të 1953 kur mbylli sytë për herë të fundit.

Jeta dhe vepra e arkitekt Kristo Sotirit

Arkitekti i madh lindi në 1870 në Pogradec. Në vitin 1880 e gjithë familja shpëngulet në Rumani ku i ati kish hapur një fabrikë dërrasash dhe merrej me tregëtinë e qerestesë. Pasi kryen studimet e mesme në Galats të Rumanisë vazhdon studimet e larta universitare në degën e inxhinierisë civile në Padova të Italisë, ku diplomohet në vitin 1898. Vazhdon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia ku laureohet Prof. Arkitekt në vitin 1904. Në vitin 1903 ai martohet me contessinën Bianca Querini me të cilën lind një vajzë (e cila largohet nga Shqipëria në vitin 1946 pasi ishte martuar me një drejtor banke italiane). Po në vitin 1904 emërohet asistent inspektor i monumenteve antike të Venecias dhe në vitin 1909 pranon ofertën e mbretëreshës Elisabeta Varmen Silva të Rumanisë për të punuar në pallatin mbtetëror. Në Kostancë përfshihet në lëvizjen atdhetare dhe hap një zyrë projektimi. Në vitin 1920, pas thirrjes së Kongresit të Lushnjës drejtuar intelektualëve shqiptarë për t’i shërbyer atdheut, kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Korçë ku punon pranë bashkisë dhe profesor i jashtëm në lice. Më pas arkitekti martohet me një vajzë të mrekullueshme shqiptare Julianën me te cilin lindi 2 djem po kaq te mrekullueshëm Salvadorin dhe Vangjelin. Në vitin 1924 thirret nga presidenti Fan Noli me të cilin ish njohur në mërgatën shqiptare për të punuar  në Ministrinë e Punëve Botërore. Në vitin 1925 thirret nga Ahmet Zogu për të punuar arkitekt personal i Oborrit mbretëror, ndërsa në vitin 1928 emërohet pranë bashkisë së Durrësit, qytet ku ishte vendosur familjarisht që në vitin 1925. Në vitin 1939 me pushtimin e vendit nga Italia fashiste pushohet nga puna si arkitekt i bashkisë dhe gjatë pushtimit punon si arkitekt privat. Mbas çlirimit në vitin 1945 emërohet në ndërmarrjen nacionale rruga-ura me qendër në Shkozet të Durrësit, për  të vazhduar me punë të kësaj natyre në Ministrinë e Punëve Botërore, drejtorinë e përgjithshme të porteve.

Disa nga veprat e arkitekt Sotirit evidentohen si më poshtë:

- Restauron Kishën e Santa Maria della Salute (Shën Maria e Shëndetit) në qytetin e Venecias

- Projektoi Ossarium në Kostanca, Rumani (me konkurs)

- Projektoi stabiliment banjash “Kasino” në Kostanca

- Projektoi xhami otomane në Kostancë

- Projektoi Bankë otomane në Kajro (Egjipt)

Në vitin 1909 arkitekt Sotiri nga Italia kthehet në Rumani.

Veprat:

- Përmendorja “Avantul Tarii” kushtuar një ngjarje historike dhe një bllok prej katër banesash, në një rrugë kryesore të Kostancës

- Monumenti kushtuar Jon Beneskut, personalitet rumun, në Kostancë

Në Shqipëri kryen këto vepra:

Në Tiranë:

- Ndërtesa e Abdi Toptani (projekt i vitit 1920)

- Ish-bibliotekës kombëtare në rrugën e Elbasanit

- Pallati i princeshave (projekt 1938)

- Bashkia e kryeqytetit (projekt)

- Stacion treni (projekt)

-Projekton banesa te familjeve te ndryshme

Në Korçë:

- Projekti i Kishës së Vllehëve dhe plani i ndërtimit të Kishës së Mitropolisë (mbas Clirimit muzeu Mesjetar)

Vila e  Zogut në Durrës, një nga kryeveprat e arkitekt Sotirit

Një nga veprat më të bukura arkitektonike të Kristo Sotirit është ai i Kodrës Vilë të qytetit, një vepër që dhe sot është nga më të bukurat në qytetin bregdetar.Vila 80-vjeçare, e vendosur ne kodrën me lartësi 98 metra mbi nivelin e detit, të cilin ajo e sheh nga të tre anët kryesore të konstruksionit të saj me krahët në formë shqiponje, ishte një dhuratë që tregtarët durrsakë i blatonin mbretit Zog I në vitin 1926. Profesor Kristo Sotiri, arkitekti i laureuar në Padova dhe Venecia të Italisë, i cili kishte mbi shpatulla edhe përvojën 11-vjeçare si arkitekt i oborrit të mbretëreshës Elisabeta Karmen Silva të Rumanisë, projektoi dhe ndërtoi në kodër variantin e parë të njërës prej veprave më të bukura të qytetit me histori 2 800-vjeçare. Godina mori formën e bukur përfundimtare në vitin 1937 nën kujdesin e arkitektëve dhe specialisteve italianë, vetëm pak muaj para martesës së monarkut Zog i Parë me konteshën hungareze, Geraldine Apony. Mjediset e brendshme, të zbukuruara hijshëm, salla e madhe e pritjeve, shkallët e gjera prej mermeri, kati i sipërm që ishte projektuar enkas për çiftin mbretëror, ballkonet që shohin krejt gjirin detar të Durrësit, janë provë e një ndërtimi modern për vitet 1920-1930. Vila mbi kodrën e Durrësit për më shumë se 40 vjet është shfrytëzuar si rezidencë pritjeje qeveritare. Në mjediset e saj kanë pushuar emra të njohur të kampit komunist, që nga Hrushovi deri te princi Kamboxhian, Samde Norodom Sihanuk, bashkë me gruan e tij tëre, Monika, ndësa pas viteve 1990 ish-Presidenti amerikan, Xhimi Karter, është një prej pushuesve neë këtë ndërtesë. Por ndërtesa me arkitekturë të veçantë u dëmtua rëndë në mars të vitit 1997, kur brenda dy ditësh ajo u plaçkit, duke shkatërruar plotësisht edhe sistemin e ndriçimit që kishte mbetur i paprekur që në kohën kur u ndërtua. Për disa vite radhazi ajo u shfrytëzua nga forcat ndërkombëtare të NATO-s, që mbërritën në vendin tonë me misione ushtarake për t’i kaluar më pas në pronësi familjes mbretërore.

-Rikonstrukton plotësisht rrugën që lidh edhe sot qytetin me Vilën e Zogut

-Në vitin 1929 projekton bashkine e Durrësit dhe sheshin para saj (sot sheshi “Iliria”)

-Merret me studime urbanistike të qytetit të Durrësit për shtrirjen e tij dhe sistemimin e rrugëve në lagjen Varosh të Durrësit si dhe te bulevardit “Dyrrah”, rruga “A.Goga” ,rruga “Skënderbeu”, rruga e Dëshmorëve

-Në vitet 1934-1937 harton planin urbanistik rregullues të banjave të Plazhit të Durrësit dhe për zbatimin e tij i vihet në dispozicion garda mbretërore

-Në vitin 1928 e në vazhdim projekton ndërtesa banimi të familjeve të ndryshme si Kalamishi, Krosi, Kosova, Goga, Jorgji, Koja, R.Breshka etj.

-Në vitet 1945 projekton parkun sportiv “Nako Spiro” me palestër dhe mjedise të jashtme

-Në vitet 1947-1949 projekton “Mauzoleumin e Dëshmorëve”

-Projekton dhe ndërton lulishten para Mauzoleumit

- Ideoi dhe ndërtimin e dy objekteve në krahet e lulishtes së Mauzoleumit , muzeun arkeologjk-historik dhe bibliotekën e qytetit

Salvador Sotiri tregon për pistoletën e gjeneralit të Garibaldit...

Në qytetin e Durrësit ndodhet një objekt i rrallë me vlera të mëdha jo vetëm antikuare, por edhe historike të një historie të përbashkët shqiptaro-italiane. Bëhet fjalë për armën që i përket gjeneralit të Garibaldit, Xhuzepe Sirtori i cili dha një ndihmë të madhe për bashkimin e Italisë. Pistoleta e gjeneralit të Garibaldit ka ardhur në Shqipëri pikërisht nga arkitekti i oborrit mbretëror Kristo Sotiri,- tregon djali i tij, Salvadori.

Arkitekti i famshëm i oborrit mbretëror Kristo Sotiri e kishte blerë shumë vite më parë në një dyqan antikuaresh në Itali armën me të cileë kishte luftuar Xhuzepe Sirtori, gjeneral i ushtrisë së Garibaldit dhe një nga kontribuesit më të fortë për bashkimin e Italisë në kufijtë e sotëm

Arma është e veçantë pasi sipas dokumentacionit të pasqyruar edhe në enciklopedinë italiane, por edhe në letrën shoqëruese të marrë në Itali nga pronari i saj ligjor arkitekti i shquar i Durrësit Kristo Sotiri, kjo armë është përdorur në betejën për pushtimin e Marsales nga trupat e Garibaldit.

Po sipas Salvadorit, babai i tij e ka blerë në një dyqan antikuaresh në Itali dhe çertifikata e shitjes dhe e origjinës ndodhet edhe sot e kësaj dite në tytën e pistoletës që luftoi në fronte për bashkimin e shtetit modern italian. Megjithëse pistoleta është e blerë zyrtarisht në një dyqan shtetëror duke qenë se është objekt me vlera të rralla historike për shtetin italian, ai është gati që t`ia dhurojë atë Muzeut të Garibaldit.

Pak vlerësim për “Arkitekt Sinanin e trevave shqiptare”

Ndonëse arkitekt Sotiri është shpallur “Qytetar Nderi” i qytetit të Pogradecit dhe ka marrë disa çmime nga shoqata Durrësi, përsëri mund të themi se është bërë shumë pak për të vlerësuar atë që dikush e quan “Arkitekt Sinani i trevave shqiptare”. Shumë rrugë kanë marrë emra të njerëzve që e meritojnë apo që nuk e meritojnë, shumë insitucione kanë marrë emra të njerëzve që e meritojnë apo që nuk e meritojnë, por asnjë prej tyre nuk e ka emrin e arkitekt Sotirit, që më e pakta e të gjithave e meriton një emër në një nga rrugët e qytetit të tij. Gjithësesi me modestinë e një fisniku Salvadori nuk ka trokitur në asnjë nga dyert e insitucioneve shqiptare për të kërkuar një nderim të merituar, në një kohë që duhej të trokisnin këto insitucione dhe ta kishin për nder që të vlerësonin një prej kolosëve të arkitekturës shqiptare.

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një datë e rëndësishme në historinë e detarisë shqiptare: si sot 74 vite më parë, Porti i Durrësit kaloi nga kujdestaria e Forcës Detare

  • Janë 11- të nga më të mirët
  • Të lajmë borxhin që i kemi traditës

- Ti ruajmë dhe mbrojmë traditat tonë kulturore

- Nihilizmi dukuri e gabuar dhe keqdashëse

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin