Nga BUJAR QESJA

Rri e godas në memorie, për të mos e lënë kurrë të pluhuroset. Vitet kalojnë e mosha e ngacmon fizikun. E rrudh paksa, e mbledh dhe i jep tjetër kontur trupit. Por çuditërisht kujtesa mbetet e ftohtë, memoria e lëviz turbinën, për t’i thënë historisë qytetare hajde pranë dhe të zbulojmë të fshehtat e saj. Kështu ndodhi edhe në këtë rast me Qendro Koçin. Por kurrë nuk u thërrit Qendro, por përkëdhelia e nënës ishte më joshëse, duke i detyruar të gjithë të afërm dhe të largët ta thërritnin në një emër të ri, por që u kthye në një traditë të palëkundur. I bukuri nënës, i miri i nënës, vogëlushi i nënës. Duke i marrë borxh një fjalë gjuhës turke, emri BEBEKU mbeti përcaktues. Më i vogli nga pesë fëmijët e Kiço Koçit, që nga martesa me Eftali Ramën, krijuan atë familje që do t’i jepte nder dhe moral civilizimit dhe qytetarisë durrsake.

Ç’më çoi tek Bebeku? E kam thënë edhe në një rast tjetër që, rastësia është mbret i fatit. Duke tentuar ti heq aq sa mundem, petët e historisë së famshme të individëve dhe familjeve me emër në Durrës, mendova të bëj një shkrim me bateristët e qytetit. Nga këndvështrimi im, bie në përfundim të një logjike të thjeshtë: Durrësi është i njohur me bateristë, apo thënë ndryshe me xhezbandistë. Dhe bëra një renditje: Bebeku, Genc Cara, Hamit Cara, Refik Myshketa, Met Hushi, Joti Frank, Bujar Karagjozi, Ibrahim Enesi, Agron Alushi etj.

Dhe kërkova informacion. Dhe pikërisht ky informacion, duke nisur së pari nga Bebeku, ma devijoi temën e shkrimit. Historia e Bebekut, mësuar dukshëm nga komunikimi me fëmijtë të tij Ketin dhe Kiçon, më preku, duke më përplasur në tapetin e brigjëzuar të historisë, dhimbjes dhe trishtimit të familjes së Kiço Koçit. Një dramë më vetë, pse jo në raste të veçanta edhe tmerr më vete.

Nga shkopinjtë elektrizues dhe të artë të Qendro Koçit, në kalvarin e pafund të një shpirti dhe zemre të bërë copash, të një familje që gjithaq qendroi kundrejt një stoicizmi të jashtëzakonshëm, duke na ardhur me një fuqi sikur edhe u krijua deri në ditët e sotme. Kështu që emrin Qendro, e adaptova në kornizat e këtij shkrimi me epitetin qendro, qendresë, mbijeto, rezisto, kundërshto dhe mos u ç’përfytyro. Dhe shkopinjtë e Qendro Koçit, m’u dukën si trokitje të fuqishme në lëkurën e fortë të baterisë së kohës, ku frymëzuesi ynë tentonte të ndërtonte ëndërrat e tij, për të ruajtur me fanatizëm atë ritëm, që kurrë nuk do të ndërpritej.

Sa ngacmim më dha Bebek historia e jote dhe do të doja të ishim së bashku për ti ndarë tërë ato dhimbje dhe fatkeqësi, për të qenë së pari pranë ritmit të rrahjes së zemrës, që gjithaq punonte dhe pulsonte gjakun e kushtrimtë të rezistencës dhe mbijetesës dhe ritmeve të pashuara të baterisë tënde. Ti këndoje, luaje në bateri dhe krijoje figuracione të mahnitshme, duke hedhur valle mbi xhez, që më duket si arena e përgjakshme e jetës tënde të mundimshme.

Kiço Koçi dhe Eftali Rama

Ngacmimi dhe fantazia për të prekur shpirtin e gjërë prej muzikanti të Bebekut (“Të bukurit të nanës”), më çoi të njihem me rrënjët e familjes Koçi. Çfarë historie, çfarë fati për të depërtuar në njërën prej familjeve më të fisme, më të bukura në shpirt e në soj, më të mënçura në kulturë dhe dije, që i bënin nder dhe që ishin prestigj për Durrësin. Kiço Koçi, belbëzimin e parë e pati në qytetin e Gjirokastrës. Ai lindi në Labovë të Gjirokastrës me 25 shtator 1889. Studioi në Athinë dhe në Stamboll për jurisprudencë, por ruajti një dashuri të madhe për Atdheun. Veprimtaria e tij patriotike ishte e gjërë dhe itensive. Me 21 janar 1920 në Kongresin e Lushnjes, ishte përfaqësues i Gjirokastrës, duke qenë deputet i saj.

Kiço Koçi iu gjënd vatanit në ditët më të vështira, duke kryer një veprimtari të theksuar patriotike. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Fan Nolit dhe kjo ndodhi edhe pasi erdhi në Durrës në vitin 1920. Nuk iu desh shumë kohë për tu lidhur me qarqet progresive të qytetit të Durrësit, ku më i spikaturi qëndronte Kristaq Rama. Ky ishte njeri me famë, pasi qe njëri nga firmëtarët e aktit të njohur të Pavarësisë në Vlorë krahas firmës së Ismail Qemalit, kur këtë përpjekje e kishte bërë edhe pak ditë më parë në Durrës. Kristaq Rama ishte politikan edhe biznesmen i njohur, me aftësi dhe nuhatje prej ekonomisti dhe organizatori të sprovuar. Ai ishte lidhur me vjehrrin Thoma Truja duke bërë tregti së bashku, pasi kishte lidhur jetën me vajzën e tij Athinanë.

Aktivitet jo të pakët afarist ka patur edhe Kiço Koçi. Fabrika e parë, apo më saktë punishtja e hershme e cigareve në Durrës, ka qenë në pronësi të Kiço Koçit. Më pas krijohet shoqëria e përbashkët e Stamles. Miqësia ndërmjet Kiço Koçit dhe Kristaq Ramës, që kishte bazë aktivitetin politik dhe ekonomik, u thellua më shumë pas lindjes së një krushqie të re. Kristaq Rama i dha vajzën për grua, patriotit të njohur gjirokastritit Kiço Koçi. Dhe kjo vajzë ishte Eftali Rama dhe u bë shumë e njohur me mbiemrin e bashkëshortit Eftali Koçi. Ajo është krijuesja e të parës shkollë femërore e gjuhës shqipe në Durrës në vitin 1920 dhe ka patur në përbërje edhe mësuese të tilla me emër si Marie Kaçulini dhe Bedrie Bebeziqi. Kjo treshe pati jehonë të fuqishme në shoqërinë durrsake të atëhershme dhe u kthye edhe në një simbol të bashkëjetësës së të tre feve: kristiane, mislimane dhe katolike. Vendasit i quajtën ato me emrin historik “ Tri motrat”.

Veprimtaria e dëndur intelektuale, arsimore dhe kulturore e Eftali Koçit, u çmua si shumë e efektëshme pas ardhjes së demokracisë në Shqipërisë në fillim të viteve 90-të. Njëra nga shkollat 9 vjeçare në Durrës quhet “Eftali Koçi”, si dhe është vendosur një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku jetoi dhe kreu aktivitetin arsimor, kjo kockë e femrës intelektuale durrsake. Një rrugë e Durrësit ka marrë emrin e djalit nga Gjirokastra Kiço Koçit, që u bë pjesë aktive dhe historike e zhvillimit dhe qytetërimit të shoqërisë durrsake. Familja Koçi u shtua me pesë fëmijë, ku i pari Taqo Koçi pushkatohet nga komunistët dhe i pesti Bebeku, që u kthye në simbolin e një instrumentisti shumë të talentuar, me ekspresivitet të rrallë, me një përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u vendosur në historinë e kulturës durrsake me ngarkesën dimensionale të famshmëve, babait dhe nënës së tij Kiço dhe Eftali Koçi.

Nuk mund të lëmë pa u thelluar edhe në familjen e Kristaq Ramës, pasi lidhet edhe ajo me emra të njohur të politikës dhe artit. I biri i Kristaq Ramës dhe vëllai i Eftali Koçit është Vlash Rama. Një emër i njohur në Durrës jo vetëm nga familja, por edhe nga punët e tij. Edhe në vendin ku jetoi Vlash Rama pranë lokalit të famshëm për vendasit “Danubi”, është vendosur një pllakë përkujtimore. Vlashi mekanik, organizator i sporteve, aktiv në funksionimin e centralit elektrik të Durrësit, shofer i larmadhnisë së tij, mbretit Ahmet Zogu është edhe babai i Kristaq Ramës, skulptor i popullit dhe deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë. Gruaja e Vlash Ramës është Veronika Kolombi, e bija e piktorit të famshëm Zef Kolombi. I biri i Kristaqit është Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe ky ushtron profesionin e piktorit.

E bëmë këtë përqasje, për të ditur mjedisin ku lindi dhe zhvilloi talentin e tij të jashtëzakonshëm në instrumentin e baterisë Qendro Koçi. Por legjenda rreth tij, u krijua me emrin Bebeku “i bukuri i nanës”.

Dy Taqot e Koçiasve

Rrëfimet janë rrënqethëse dhe pena ime duket sikur ngulet si një shpatë, ndaj akuzuesve të një kohe që kishte filluar e mbrapshtë. Familja e Kiço Koçit po priste të festonte si të gjithë vitin e ri 1946. Por me 17 dhjetor 1945, djali i madh i kësaj familje, i miri dhe i mënçuri Taqo Koçi arrestohet së bashku me shokun e tij Tom (Thoma) Goga. Absurditeti nuk ishte i vështirë të sajohej. Kishin luftuar në kuadër të një batalioni patriotësh shqiptarë, kundër çetnikëve serbë për çlirimin e trojeve shqiptare të Kosovës. Dhe këto në atë kohë, jugosllavët konsideroheshin vëllezër dhe aleatë me qeverinë komuniste të Hoxhës. Të dy shokët e ngushtë, patriotë por jo komunistë, pronarë të aktiviteteve të biznesit të tyre, ku veçanërisht Tom Gogës shteti i kohës i detyrohej 1.6 milion franga ari. Për t’ia rrëmbyer Tomit kantjerin detar pa i dhënë asnjë grosh dhe për ti luajtur syrin e besnikërisë Jugosllavisë së Titos kundër Taqit aktiv, në luftën për çlirimin e trojeve amtare jashtë kufijve të Atdheut amë, u kapën në befasi teksa u vihen prangat.

Gjyqi i zhvilluar në kinema “Esperia” (ish kinema “Iliria”), me ndërhyrjen e Bedri Spahiut, i dënoi të dy 23 vjeçarët durrsakë me pushkatim. Në mesnatën e 31 dhjetorit 1945, teksa në popull festohej viti i ri, dy nga djemtë më të mirë të rinisë durrsake Taqo Koçi dhe Tom Goga, i nxjerrin me shpejtësi nga qelitë dhe i vendosin para togës së pushkatimit. “Çfarë kemi bërë, të dimë të paktën se çfarë kemi bërë” është dëgjuar të thonë dy të rinjtë. Dhe në përgjigje breshëria e plumbave, që u përplasen me fuqinë e vdekjes mbi trupat e njomë të Taqos dhe Tomit. Gjaku i tyre nuk është tharë dhe mbetet akuzë për krimet e tmerrshme të shtetit komunist.

Xhoxh Koçi, një burrë që e kam njohur në rininë time, shumë i ditur dhe hokatar, fëmisë së parë që u shtua familjes së tyre, i vendosi emrin e të vëllait Taqo Koçit. Një djalë i bukur si xhaxhai. Një talent i ri i këngës dhe i kompozimit. Kitara e tij së pari prekte në telat e zemrës, duke i pushtuar shpirtin dhe duke sjellur më në fund hare dhe gëzim në fisin e Koçiasve.

Por dramat dhe fati i mbrapshtë në këtë familje nuk mbaronin . Kryente shërbimin ushtarak në Poliçan, brigadë pune. Rraskapitej tërë ditën. I jati Xhorxhi kishte bërë burg, pasi kishte reaguar për vdekjes enigmë të të vëllait, Taqit. Taqi i ri shikohej ndryshe nga sistemi, e i duhej të punonte. Zemra e tij e thyer, nuk duhej ti gëzonte ato që ia coptuan xhaxhain. Por një ditë do të ishte fatale për të. Teksa shtynte vagonët e ngarkuar me gurë, këputet kavo dhe bie poshtë nga një lartësi e madhe. Dhe sikur mos mjaftonte kjo, vagoni plumb i rëndë ia tret fuqitë e mbetura, duke e larë këtë tokë të shenjtë për të dytën herë, me gjakun e pastër të Koçiasve.

Xhoxh Koçi kur mësoi për vdekjen e të birit, ka lëshuar një pickamë të tmerrshme, duke bërë që të gjithë durrsakët të mbajnë frymën. Djalë i vetëm ndër tre vajza.

Koiçidenca vjen e akullt, me formatin e tmerrit dhe të lemerisë. Dy Taqo Koçi treten në tokën e vëndit të tyre në zemër të rinisë. Ditë të zymta për familjen Koçi. E kjo m’u në derën e dy emrave të famshëm për Durrësin dhe durrsakët, të juristit dhe patriotit Kiço Koçi dhe të mësueses së parë të shkollës femërore shqipe Eftali Koçi.

Zoti i bëri bashkë dy Ritat e Koçiasve

Në ngacmim për t’iu përkushtuar Bebekut tonë më tërë dukuritë e jashtëzakonshme të merituara, lapsi godet mendimin që falë përvojës dhe intuitës, vrapon drejt labirinthesh fort të preferuara, kur i zbulon dhe i kalon në dritën e vëmëndjes së lexuesit.

I ndava më vete dy Ritat, pasi janë dy kapituj origjinalë të një jete mes vuajtjesh dhe persekutimesh dhe që i dhanë më shumë forcë dhe autoritet fisit të njohur në Durrës themeluar nga Kiço Koçi dhe Eftali Rama. Gruaja e Xhorxhi Koçit quhet Rita Koka. E njohur veçanërisht edhe për ditarin e saj, ku ngjyen nëpërmjet gjakut të kujtimeve, nga jetët më të vështira dhe më persekutuese të një vajze 17 vjeçare. Nga shkopinjtë elektrizues të Qendro Koçit, në elektrizimin e një jete plot dramë, ankth, pabesi dhe pusi, torturash e dhimbjesh, ku si një monument i rezistencës njerëzore qendron ajo, stoikja, e mbisakrifikuesja, qendrestare i një formati që na frymëzon dhe shton krenarinë të një brezi, që dukshëm nuk u përtyp nga dhëmbët vrastarë të sistemit të përgjakur komunist.

Rita Koka, bija e kolonelit të njohur, zëvëndës kryetar i Shtatmadhorisë mbretërore dhe komandant i Përgjithshëm i Rojës mbretërore të Kufirit dhe i Financës të mbretit Zog Sami Koka, asistoi në gjyqin komunist të të jatit, gjyq që drejtohej nga Koçi Xoxe në pranverën e vitit 1945. 30 vite burg për gjeneralin e njohur. Rita e lindur në vitin 1930 në Firence dhe e rritur atje, e kuptonte tmerrin që e kishte kapluar Shqipërinë. Pas arrestimit dhe burgosjes së babait, i vendosen prangat edhe 17 vjeçares Rita Koka dhe dënohet me 10 vite burg. Në Burrel takimi me të jatin ishte më shumë se i dhimbshëm. Në qeli u vendos me të mirnjohurën Musine Kokalari. Në burg Rita Koka lidhi jetën me Xhoxhi Koçin, që vuantë dënimin në burgun e Burrelit si pasoja e reagimit ndaj pushkatimit të vëllait Taqos.

Dhe njohja e tyre mbetet e veçantë dhe shumë origjinale. Të burgosurit e këtij niveli si Rita me Xhoxhin, nuk thyhen, nuk jepen dhe i rezistojnë të keqes me forma paqësore deri edhe në të pabesuara. Shpirti i tyre e çfrytëzon lirinë, shpresën dhe optimizmin edhe në qelitë më shumë se të tmerrshme të komunizmit. Një pasdite Xhoxhi, njohës i disa gjuhëve të huaja, i çquar për një kulturë të veçantë, për ti dhënë moral vetes dhe për të zbehur sadopak të keqen, fillon të fërshëllej një melodi të njohur italiane. Si një befasi e këndshme dëgjohet që, në dhomën ngjitur dikush ta vazhdojë këtë melodi aty ku e la Xhoxhi. Ishte shqiptarja e lindur dhe e rritur në Itali Rita Koka. Njohja e tyre përfundoi më pas në lidhje martesore.

Familja e tyre u shtua me tre vajza dhe një djalë.

Të gjithë kalvarin dhe tmerrin e jetës së saj Rita Koka, e ka rrëfyer në një ditar që pritet të shikojë dritën e botimit.

E Rita tjetër vinte nga familja e fisme shkodrane Pistulli. Kur Bebek Koçi shkoi një pasdite tek Kafja e Madhe në Shkodër, kur ndodhej atje me një çfaqje njihet rastësisht me mbesën e mikut të tij, bateristit të njohur shkodran Palok Kurti që quhej Rita Pistulli. Një vajzë e bukur, e gjatë dhe e drejtë si selvi ia turbulloi mëndjen Bebekut tonë. Për të thonin që ishte nga vajzat më të bukura të Shkodrës. Gjyshi i Ritës Ndoc Pistulli, ishte regjenti i parë i Shqipërisë. Gjyshi nga nëna Zef Kurti, është muzikanti që krijoi bandën e parë në Shkodër. Kur i jati i Ritës, i burgosur politik prej 12 vitesh, mësoi nga e shoqja se Ritën ia kishte kërkuar i biri i Kiço Koçit komentoi:

-Nëse është i biri i Kiço Koçit, deputeti i Gjirokastrës në Kongresin e Lushnjes dhe nipi i Lele Koçit – Prefektit të Vlorës, jam shumë i lumtur dhe jap bekimin tim.

Kështu përfundoi edhe kjo lidhje, ndërmjet një familje shumë të dëgjuar në Durrës Koçi dhe një familje shumë të njohur dhe me tradita si Pistulli në Shkodër. Që të dy këto familje kishin pozicione të njëjta, bindje dhe qendrime antikomuniste, patriotë dhe atdhetarë të flaktë, duke luftuar dhe mbrojtur interesat e Mëmëdheut.. Këto janë edhe arsyjet e persekucionit dhe e kalvarit të pafund, të mundimeve të këtyre dy familjeve me rrënjë dhe me degë të fuqishme nacionaliste dhe të orjentimit perendimor dhe progresist të Shqipërisë.

Bebeku ynë

Gjithnjë njerëzit e letrave, i mundon një fakt jo fort anashkalues. Personazhet që vendosin t’i përkushtohen, janë në dimensione shumë të arrira. Në mos ti kalojnë dhe kjo nuk vihet në dyshim, të paktën të tentojnë të mbeten jo shumë poshtë tyre. Kështu më ndodh edhe mua në këtë rast. Ky Bebek – “i bukuri nënës”, ka një përkim tejet origjinal, ku bukuria fizike, pamja e magjishme ka shkuar paralelisht me ushtrimin hiperbolik të profesionit të muzikantit. Bebeku kish lindur në një mjedis shumë të favorshëm kulturor, me baba dhe nënë me arsim të avancuar dhe me pozicion të njohur dhe të fisëm në shoqëri. Patriotë të mëdhenj. Luftëtarë po ashtu të mëdhenj, por absolutisht jo të përfshirë në idetë komuniste. Dy djemtë e parë të familjes Koçi Taqo dhe Xhorxhi, kanë aktivitet antifashist patriotik, por jo të udhëhequr nga idetë komuniste se sa nga ato nacionaliste. Arrestohen, burgosen, por nuk lënë pa e zhvilluar patriotizmin e tyre në favor të Atdheut.

Njeriu Bebek, familjari Bebek, i kulturuari Bebek, artisti dhe virtuozi i baterise Bebek. Fama, autoriteti dhe prestigji i Qendro Koçit, veçse lartësoi emrin e tij dhe i dha një nam të jashtëzakonshëm Durrësit. Cilido në Durrës ndjehej krenar që në gjirin e tyre jetonte një talent i lindur, një burrë i pashëm, king siç i thonë shpesh, me një trup sportisti, një njeri që trashëgonte nga babai dhe nëna vetëm kulturë dhe mënçuri. Shkopinjtë magjikë të baterisë që krijonin ritmet mahnitëse të muzikës, të dukeshin si dirigjentë që drejtonin një jetë të mbushur me ëndërra, por që më pas dukej se drejtonin marshe funebër, të një kohe që kompozohej keqas, duke intrepretuar partiturat më të zeza të historisë së kohëve moderne. Bebek Koçi ngjasonte me një barkë, që përballonte dallgët e mëdha të një deti të trazuar, duke bërë që ritmet e pandërprera të muzikës së tij, të mos shuhen edhe sot e kësaj dite.

Me Qendro Koçin kam takuar vetëm njëherë, kur drejtoja pallatin “Rinia”, qendër e njohur e kulturës durrsake dhe me emër në Republikë. Më kishin folur për Keti Koçin që punonte në hekurrudhë, për ta aktivizuar si aktore me trupën qendrore të humorit. Më duhej të takoja të jatin, që është ky Bebeku i tanishëm i këtij shkrimi. Ishte viti 1988, 33 vite të shkuara. I shkova në shtëpi dhe biseduam. Më ka lënë mbresa që edhe sot i kujtoj. Keti erdhi në trupën tonë dhe mua më dukej se pranë kishim edhe Bebekun.

Qendro Koçi lindi në Durrës me 12 shkurt të vitit 1931. I nxitur nga mjedisi plot kulturë në familje, që i njomë u dha pas artit. Veshi i tij muzikor ishte i taksur nga Zoti. Zgjodhi baterinë, pasi ishte i vetmi mjet që mund ti përshtatej ekspresivitetit dhe shpërthimeve të tij. Ishte i papërmbajtshëm, duke krijuar mitin e tij, legjendën e tij, idhullin e tij. Shkopinjtë e baterisë fluturonin në ajër dhe ai i thithte shpejt ato sikur të ishte një magnet i fuqishëm. Është i vetmi që ka ndjekur studimet për xhez, duke e luajtur këtë instrument me partitura. Po, po! Bebeku luante në bateri me partitura. Ai ishte i pari që aplikoi dhe përdori me një art të paparashikueshëm, mahnitës, befasues në kufijtë e hipnotizimit fshesat e baterisë, ku fëshfërimat e tyre mbi lëkurën e instrumentit, të kujtonin rënien e ëmbël të gjetheve në vjeshtë.

E mori Estrada Profesioniste e Tiranës. Figuracioni i orkestrës e nxirrte në pah Bebekun tonë, i cili i kishte dhënë këtij grupi harmoninë e valëve të detit, që puthin bregun me mallin e një nëne për fëmijën. Dhe kudo që shkoi dhe në çdo vënd që preku këmba e tij, ai ishte dhe mbeti durrsaku ynë i çmuar, durrsaku ynë bukurosh, me një buzëqeshje që ndjellte gëzim dhe lumturi. Nami u përhap me shpejtësi. Njerëzit sapo mësonin se në çfaqje ishte edhe Bebeku “thyheshin xhamat”. Kështu në Tiranë. Kështu në Durrës. Kështu kudo, kudo.

Ditën që zoti i fali bukurinë mahnitëse të një vajze shkodrane me emrin Rita Pistulli, me të cilën lidhi jetën, salla e teatrit “Migjeni” mbajti një peshë të paimagjinueshme. Kur këngëtarja Vaçe Zela po interpretonte këngën italiane “I ragazzi in blu ballano rok” dhe kërcente në të gjithë skenën, vjen një solo në bateri nga gjigandi ynë i improvizimit. Bateria mori “zjarr” e në sallë u ndez një flakë stërmadhe, që më duket se ende nuk është shuar. Dhe kjo solo, u shoqërua nga kori prej qindra njerëzish, që thërritnin pa u ndalur:”Bebeku”! Bebeku”! “Bebeku”!

Kulturë, realizim, kënaqësi. Këto ishin dukuritë kryesore të artit të tij të intrepretimit. Kishte njohuri të thella për kolosë të artit botëror dhe veçanërisht për Benny Goodman, Luis Armstrong, Ray Charles, Ella Fitzgerald dhe lista edhe pas kësaj mbetet e gjatë. Idhulli i tij mbetej bateristi virtuoz amerikan Baddy Rich dhe pas tij Gene Krupa. Duke u mbështetur dhe frymëzuar nga këto personazhe emblematikë të artit botëror, përfytyroni artin që demostronte Qendro Koçi, që të dukej si një shqiponjë ku shkopinjtë çfaqeshin si krahët e fuqishme të saj, duke krijuar atë magji interpretimi që nuk mund të harrohet kurrë.

Nga mesi i viteve 50-të e deri në fund të viteve 70-të, Bebek Koçi ishte mrekullia dhe magjia e orkestrës së estradës së Tiranës dhe të Durrësit. Ishte i pari që preferohej në mjedise të tilla tërheqëse si hotel “Dajti” në Tiranë, lulishtja e “Vollgës” në Durrës, Hotel “Adriatiku” në plazh. Mbrëmjet tek “Vollga” ku luante në bateri Bebeku, në fizarmonikë Petraq Dhamo dhe Rifat Dedja, në piano Rexhep Zemblaku e në trompë Enver Mara, janë një histori plot bujë dhe mbresa për durrsakët. Në shumë mbrëmje, dasma e gëzime të ndryshme, Bebek Koçi kthehej në kapitullin më emocionues, pasi muzika e tij të frymëzonte, të zgjonte e të bënte të fluturoje.

Në kulmin e popullaritetit, re të zeza u grumbulluan në qiellin e pastër të shpirtit të tij si njeri dhe si artist. Hienat nuhasnin gjahun dhe si bishat u përgatiten për ta çqyer. Taqo i pushkatuar, Xhoxhi i burgosur e ngacmonin Bebekun, se mund ti rrezikohej karriera, e ardhmja e tij dhe e familjes së lumtur që ngriti, pas kthimit të tij në Durrës dhe martesës të ndodhura të dyja këto në vitet 60-të.

Ai punonte dhe punonte pa pushim. Duatrokitje dhe duartrokitje pa fund. Emri i tij gjithnjë e më i lakuar dhe i famshëm. Kjo e tronditi sistemin. “Armikut” i duhet zënë pusi dhe kjo nuk ishte e vështirë të bëhej. Drama ndodhi. Tragjikja u krye. Shkopinjtë dhe shpirti i Bebekut morën zjarr dhe kjo e prushonte ideologjinë komuniste.

Hej Bebek i dashur, çfarë ndodhi me ty! Mbledhje, poshtërime, fyerje. “Armiku” paska qenë brenda në gjirin tonë. E ai nuk duhej të luante më. Dëshira dhe dashuria e njerëzve për Qendro Koçin duhej të përbuzej. Arti i tij duhej plumbosur. Ky “armik” i sillte dëm sistemit, prandaj duhej mbytur. Përfytyroni gjendjen shpirtërore të një artisti, të një pjestari të familjes së qytetëruar të krijuar nga intelektualë të tillë të rrallë si Kiço dhe Eftali Koçi.

Eh Bebek, Bebek! I bukuri i nënës! I miri i nënës! Artisti i nënës! Çfarë ndodhi me ty djalë!?

Kur Luan Zhegu vjen të këndojë në pallatin e sportit të Durrësit, Bebeku që e kishte për zemër interpretimin e tij, vjen dhe e takon. I prezantohet:

-Jam Bebek Koçi. Më pëlqeni si këngëtar dhe ju ndjek me vëmëndje.

Luani paksa i hutuar, i përgjigjet:

-Mos jeni Bebeku i famshëm i xhazit?

Bebeku miraton duke buzëqeshur.

Dhe Zhegu shpreh lumturinë e tij:

-Është nder i madh për mua, që më në fund më jepet rasti të njohë xhezbandistin për të cilin kisha dëgjuar të flitej, me shumë admirim në qarqet artistike në Tiranë. Dhe më në fund arrita ta njoh.

E rëndë gjëndja shpirtërore e Bebekut tek fëmijët e tij. Ja persekutuan. I trajtuan si të huaj në atdheun e tyre, në tokën e shtrenjtë të paraardhësve të tyre. Keti me një zë brilant, fitoi konkurset por jo shkollën. Kiço i aftë në pikturë, por jo djali i Bebekut, i këtij burri që ngriti peshë një popull të tërë me artin dhe bukurinë e tij të intrepretimit, nuk do të mundësohej të shprehte talentin e tij. Kiço arriti të përundoi më pas studimet për juridik dhe bëri specializimin për drejtësi detare.

Keti Koçi filloi studimet në Universitetin e Arteve, por i ndërpreu pasi u largua në Itali. Në Romë lidhi jetën me shkodranin Tefë (Stefan) Curani. Gjyshi i tij Stefan Curani, ka qenë ministër i financave në qeverinë Vrioni, si dhe konsulli nderi i Austrisë në Shqipëri.

Aftësia e Keti Koçit, e ndihmoi që të miratohej si mësuese noti nga CONI (Komiteti Nacional Olimpik Italian) dhe FIN, duke e ushtruar për 16 vite këtë profesion. Dy vajzat e familjes Curani kanë studiuar në universitetin e Sapiencës në Romë, duke u specializuar për inxhinjeri të energjisë së rinovueshme dhe për ekonomi aziendale.

Puna e re e Bebekut si elektriçist në Ndërmarrjen Kimike. I vrarë, i vrerosur, i cfilitur dhe i mërzitur i qepet zanatit të ri. Dhe porsi bateria, shkopinjtë e jetës së tij filluan të luanin në profesionin që ia imponuan dhe ruajti emrin e famshëm të tij. Ai kudo që punoi ishte Bebek Koçi. Punoi dhe studioi me zell të papërmbajtur. Nuk bëhej gjë në ndërmarrje pa thërritur Bebekun. E i miri ynë, me shpirtin e vrarë dhe të copëtuar mendonte për gruan, Ritën e tij heroinë, dy fëmijët si drita Ketin dhe Kiçon. Tërë ditën punës mbi krye. Një ndërmarrje e vështirë, me helme, me lëndë të ndryshme toksike ia dërrmuan, e brejtën fizikun e tij të fortë. Frymëmarrja nisi ti vështirësohej. Një e keqe e brëndshme, më keq se vetë sistemi iu sajua në mushkëri.

E mira dhe e shtrenjta e babait Keti, e thërriti me shpejtësi në Itali dhe bëri gjithçka që ai të përmirësohej. Por më kot. Është një foto që ka brenda dramën familjare që po përgatitej. Në tragetin e linjës Bari-Durrës, janë fiksuar në maj të vitit 1993 Bebeku dhe vajza e tij Keti. Janë muajt e fundit të Bebekut tonë. Me 9 prill 1994, në prillin e katërt të demokracisë që aq shumë e kishte pritur familja Koçi, mbylli sytë përgjithnjë, për ti mbajtur përjetësisht të hapura në memorien tonë Bebek Koçi- “ i bukuri nënës”.

Por ritmi i muzikës së tij, mbeten të paharruara. Ato i dëgjon për çdo ditë një popull i tërë, i cili di si ti nderoj dhe të mos i harroj kurrë bijtë e vet, që i përkushtuan jetën dhe mënçurinë e tyre.

Në minutat e fundit të jetës, dukuria që ndodhi ishte aq e beftë, sa vetë magjia e shkopinjve të tij.

Bebek Koçi nisi të këndojë. Në parajsë kështu shkohet duke kënduar. Kishte kënduar tërë jetën dhe ishte i gëzuar, por në fund edhe i lënduar. Artisti ka armë të fortë artin e tij dhe me të ngadhnjen dhe krijon çudinë shpirtërore.

Bebek Koçi do të mbetet gjithnjë: “Ritmi i paharruar i muzikës”.