Nga BUJAR QESJA

Gjithnjë më ka tërhequr vëmëndjen, duke luftuar me vetveten dhe duke ballafaquar, forcën e karakterit dhe psikologjisë time, pyetja që bëj shpesh, pa e dëgjuar njeri veç vetdijes time: A duhet të dorëzohemi, para moshës dhe të qenurit rëndom pensionist? “Armët” që kemi përdorur gjatë jetës, ti kalojmë në muzeun e memories dhe të ndjehemi të çliruar nga detyrimet? Po atë traditë sportive, kulturore dhe qytetare të krijuar, një pjesë të së cilës e kemi jetuar dhe prekur nga afër, ta “tradhëtojmë”, duke e lënë në hallin e saj? Dhe përgjigjen ia kam dhënë vetes po me shpirt, me pasionin e zanatit të letrave, të detyrimit qytetar ndaj një brezi që nuk jeton më, për ti thënë dhe lënë diçka një brezi të paditur në ato që ne kemi jetuar, që quhet brezi i ri, apo brezi aktual: është herët ti mbyllim “armët” në muzeun e memories dhe historisë tonë. Dhe i them vetes: bëj punën tënde! Dikush më thotë: që rinia nuk lexon dhe lodhesh kot! Dhe unë gjithnjë këmbëngul në përgjgjen time të gatshme: bëj punën tënde! Secili është në të drejtën e tij, ti gjykoj gjërat si ti mendoj, ashtu sikundër unë jam në të drejtën time morale dhe qytetare, të jap atë që mundem. Dhe këtë po bëj edhe tani, në rastin e njeriut të mirë, madje shumë të mirë, të një njeriu i rritur me vuajtje dhe siklete, të një detari nga një familje humane dhe dinjitoze, të një sportisti cilësor dhe shumë patriot për Durrësin e tij, ku lindi dhe ku ka eshtrat e prindërve të tij. Si mund të hesht ndaj tij? Madje detyrimi qytetar, i kalon kufijtë e respektit, duke u bërë njësh me atë që ka dhënë dhe ndjen ky njeri nobël i Durrësit, me emrin shumë të njohur, madje emblematik Mustafa Allushi, apo Fagu ynë popullor.

Do ta nis me të jashtëzakonshmen, duelin historik të shekullit Allushi – Janku

Në vitin 1963, unë kam qenë 12 vjeç, Mustafa Allushi 28 vjeç, ndërsa Todi Janku 33 vjeç. Fuqia i një ringu të jashtëzakonshëm, ndërmjet dy kolosëve të ringut shqiptar Mustafa Allushi dhe Todi Janku, i kishte kaluar kufijtë e imagjinatës. Kishte përfshirë një popull të tërë, pa dallim moshe, gjinie. I madh dhe i vogël me 22 shtator 1963, ishte drejtuar në pallatin e ri të sportit Partizani. Por gjithashtu i madh dhe i vogël, ndiqte nga valët e Radio Tiranës, dyluftimin historik, të njërit prej boksimeve dhe dueleve më të spikatura, më të padëgjuara të ringut të fuqishëm shqiptar, të dy panterave të dorezave të zeza, Fagut tonë të Durrësit dhe 11 herë kampionit të vendit, absolutit të peshës 75 kilogram Todi Jankut.
Po pse Mustafa Allushi, ishte “egërsuar” me Todi Jankun? Përse Mustafa Allushi, nga pesha 63 kilogram, kaloi në një avneturë të pazakontë, për tu ngjitur në peshën e Jankut prej 75 kilogramësh? Përse Fagu i jonë, i ngjante një deti të trazuar nëntë ballësh dhe mezi priste, të vinte në vend nderin e nëpërkëmbur? Çfarë i kishin bërë, këtij njeriu shumë të urtë, të drejtë, burrëror, korrekt, që mezi priste 22 shtatorin e vitit 1963? Hë, si thoni: nuk duhet ti tregojmë këto gjëra, që kanë ndodhur? Për këtë mision pra fola, në fillim të këtij materiali, me vlera historike.

“Janku i madh, u tregua Janku i vogël”

Për të treguar paanshmëri në rrëfimin tim, jam i detyruar të perifrazoj një fragment, nga shkrimi i kolegut tim të mirë dhe të aftë, ishin boksierit të famshëm tiranas Ahmet Golemi, botuar me 17 maj 1998, në të përditshmen sportive “Sport Ekspres”. Ja paragrafi i shkëputur:
-….Në vitin 1962, Nazmiu, kishte zënë vëndin e vëllait në ekipin ushtarak. Kombëtari zhvillohej në Durrës dhe Kastrati kishte guxuar të ngjiste në peshë Nazmiun, për ta përballur me Jankun e Tiranës. Fagu erdhi dhe miqësisht i kërkoi Todit, t’a kishte kujdes vëllain, pasi ishte ushtar dhe e kishin komanduar të hypte në peshë. Por, nga stuhia e tifozllëkut vendas dhe emocioneve të katrorit magjik, Janku i madh u tregua i “vogël”. Në një moment dyluftimi, sallakja e tmerrshme e tij, u lëshua rreptë mbi kokën e Nazmiut dhe e shëmb këtë keqas në tapetin e ringut. Ishte ky episod i “thyerjes së besës”, që e detyroi Fagun të ngjitej në kampionatin e ardhshëm në peshën e mesme, ku prej 11 vitesh sundonte me një autoritet absolut Janku. Madje Fagu, i kishte dhënë besën shokëve dhe fansave të zjarrtë të tij, se do ta vinte në vend “nderin” e cënuar të familjes Allushi.
Kështu shkruan Ahmet Golemi. Në një version tjetër, Fagu tregon:
-Unë po e shikoja vëllain, që ishte në pozitë të vështirë. E udhëzoja se si duhet të vepronte. Por Janku po tregohej më shumë se i rreptë. Im vëlla Nexhi, nuk kishte përvojën e duhur dhe nuk mundi ta përballonte egërsinë në ring të Todi Jankut. Veç kësaj, tiranasi i ringut, rrëmbeu peshqirin e Nexhit dhe ma hodhi mbi siperfaqen e ringut: Merre Fag Allushi vëllain! Fyerje dhe poshtërim më të madh, nuk kam ndjerë ndonjëherë. Dhe në çast i them: Do ta paguash këtë që bëre. Do të dal në peshën tënde dhe nuk ka zot të më mundë. Bëhu gati Tod Janku, se këtë që bëre, nuk ta fal!”

Dyluftim gladiatorësh me grushtime të frikshme

22 shtatori i vitit 1963 erdhi. Dyluftimi i shumëpritur Mustafa Allushi dhe Todi Janku, tashmë ishte në derë. Tirana dhe Durrësi, lëvizën drejt pallatit të sportit Partizani në Tiranë. Shumë i vogël, për të mbajtur brenda një entuziazëm të jashtëzakonshëm. I madh dhe i vogël të ardhur nga Durrësi, bërtinin me të madhe emrin e idhullit të tyre: Fagu! Fagu! Po kështu vepronin edhe tiranasit. Cili do të fitonte? Fagu kishte disa arsyje më shumë nga rivali i tij, që e motivonte fitoren. Po kështu edhe Janku, që nuk e njihte humbjen. Aq më shumë përgjegjësia e të “tmerrshmit” të boksit shqiptar, ishte tejet e madhe, pasi Fagu i Durrësit ishte rritur artificialisht në peshë 12 kilogram. Drithërima, tension, kërshëri dhe vëmëndje, por edhe inat dhe mëri lokale, për ta parë kundërshtarin një orë e më parë në humbje. Kombëtari i 17-të, kishte ndeshjen e fundit. Allushi – Janku në ring. Ato që e kujtojnë këtë moment, dridhen edhe tani dhe mundohen të sjellin sa më parë, realitetin e atij boksimi të paparë, në ritëm, në energji, në tension, në psikologji, në personalitet, në atë që quhet dinjiteti personal dhe i qytetit. Gjyqtari i ringut, pesë herë kampioni i vendit në boks, korçari i njohur Dhimitër Çakalli.
Një gjë e dukshme, nuk mund të fshihet. Fagu kërkonte hakmarrje për të vëllanë dhe për mbiemrin e tij. Mezi kishte duruar nga 23 shtatori i vitit 1962, deri në 22 shtatorin e vitit 1963. Prova, prova ditë e natë dhe ngarkesë psikologjike e paimagjinueshme. Për ta besuar sa është e vërtetë kjo, kur Fagu ishte këto ditë misafiri im, tregonte me një pasion të madh, atë që kishte ndodhur 55 vite të shkuara. A thua që Todi Janku ndodhej pranë nesh dhe ndeshja e ndërprerë e 55 viteve të shkuara, ishte gati të rifillonte.
– Kanë kaluar 55 vite, më tregon Fagu, kryeheroi i boksit durrsak dhe më ka mbetur si gozhdë ajo ndeshje. Dola në ring të mos turpërohem dhe më turpëruan së bashku me mijra durrsakë të mi, që erdhën të ndjekin në Tiranë panterën e tyre të boksit. Gjyqtari i ringut Dhimitër Çakalli, bëri “krim” ndaj meje. Më dha tri faulle dhe më skualifikoi, duke e kaluar fitoren padrejtësisht, në anën e rivalit tim. Unë e shkatërrova Todi Jankun, kupton e munda. Raundi i parë, ishte epërsi e thellë e imja. Po kështu dhe i dyti, pak sekonda para përfundimit. Nuk e di, se si jam kthyer në Durrës. Nuk e di, se si më mban vendi edhe tani. Nuk më lanë ta përfundoja takimin. Gjykimi ishte paragjykuar dhe se si do të përfundonte dyluftimi, ishte vendosur para se ai të fillonte. Kjo është e pafalshme, për ato që e gatuan këtë.
Dhe për ti dhënë sadopak të drejtë Fagut tonë, perifrazojmë shkurt gjykimin e Ahmet Golemit, dhënë në Sport Ekspresin e të dielës së 17 majit 1998.
– …Ndërsa ringu, ishte kthyer në një arenë thuajse “gladiatorësh”, ku Fagu dëshironte të grushtonte egërsisht rivalin e madh, me një etje të pashuar. Sigurisht që edhe tiranasi, që kishte fituar tashmë në sytë e fansave të tij të shumtë, vlerat e një zeusi, iu përgjigj grushtimeve të egra me të njëjtën monedhë. Përfundimi ishte sa emocionues, aq edhe i paqartë….
Më kujtohet në mos gaboj, pasi kam qenë vetëm 12 vjeç, që ndeshja e famshme dhe e paharruar e boksit Mustafa – Allushi – Todi Janku, transmetohej në Radio Tirana nga profesori im Ismet Bellova. Dhe ai e ndërpreu transmetimin, pa lënë të kuptohej sa çfarë kishte ndodhur. Nëpër të u pranua fitorja e Jankut, por u kuptua qartë, që ndeshja u ndërpre dhe fituesi nuk u shpall, me drejtësinë që ta jep beteja sportive në ring. Durrsakët u zëmëruan që idhullit të tyre, ia mohuan fitoren. Pavarësisht fitores së tiranasit të fortë, ndeshja Janku – Allushi e 22 shtatorit 1963, mund të konsiderohet me bindje të plotë, si takim i papërfunduar. Fagun nuk e lanë, të merrte hakun e të vëllait. Dhe kjo është ajo “gozhda”, e ngulur fort në zemrën dhe muskujt e fortë të Mustafa Allushit, që ai e përmënd vazhdimisht sikur të ketë ndodhur sot.

Fagu kundër 12 boksierëve improvizues

Më tregonte Allushi, një ngjarje nga rinia e tij. Ka shumë humor dhe befasi. Ai po ecte me nxitim, në një nga rrugicat e qytetit. Ishte prag martese dhe sapo kishte provuar dhe veshur këmishën e dasmës. Krejt papritur, shikon disa të rinj që po grindeshin. Njërin prej tyre, e kishin përplasur në tokë dhe po e “vdisnin” me grushta. Ishin disa, vetëm kundër një njeriu. Fagu nuk heziton dhe merr anën e të mundurit. Ndërhyn për ti ndarë. Por papritur, njëri e sulmon dhe e godet. Fagu e harron për një çast dasmën dhe këmishën e dhëndërrit. As nuk vuri re, me sa kishte të bënte. “Ja që u dashka të bëj boks edhe jashtë ringut”, foli me vete Fagu. Trupi i tij u fuqishëm, muskujt e dalë dhe të paprovuar prej vitesh, filluan të bëjnë formalitetin e rastit. Pasi i përplas “kundërshtarët” e tij në tokë një e nga një, numëron që ato ishin plot 12-të. “Shpejt do të ngrihen”, foli përsëri me veten e tij Fagu dhe vështroi këmishën e dasmës të grisur dhe të gjakosur. E thërret Ilias Reka, aso kohe sekretar i parë i Partisë. 
-Hë mor Fag, çfarë ke bërë, e pyeti sekretari.
Fagu i zënë ngushtë, i tregoi se kishte hyrë për ti ndarë dhe ato e kishin provokuar duke e goditur. Kampionët mbesin gjithnjë kampionë.

Nikolin Xhoja boksier?!

Po, po! Nikolin Xhoja, artisti i madh i skenës, ka bërë boks. Këtë e tregon Fagu, tek ditari i tij “Trokitje në kujtesë”. Na befason me atë ditar, mjeshtri i madh i ringut. Në to pamë shumë kujtime dhe fatmirësisht ishin shënuar edhe shumë emra boksierësh, që përbëjnë vlera historike. Janë 15 emra, që me sa kuptohet, janë nismëtarë të nisjes së boksit në Durrës dhe duhet të kenë boksuar, në fundin e viteve 40-të dhe në fillim të viteve 50-të. Befasia e disa emrave është e madhe. Është fiksuar, emri i Artistit të Popullit Nikolin Xhoja. Surprizë kjo dhe çudi më vete. Veç Nikolinit, me skenën dhe artin janë të lidhur edhe emrat e Sotir Afezollit, Enver Likmetës dhe Sul Kokomanit. Dhe 15 të parët, në drejtimin e mitikut Ilmi Reka janë: Vlash Curri, Emrush Arapi, Latif Sela, Nikolin Xhoja, Nexhmi Kosova, Enver Likmeta, Pandi Dimo, Zydi Matrapazi, Shaban Mema, Rrap Teku, Arif Bibi, Eqerem Zalla, Islam Mezi, Henrik Manolli, Sotir Afezolli. Për efekt historik dhe meqenëse jemi në një temë sentimenti, duke iu referuar ditarit dhe kujtesës së Fag Allushit, detyrohemi të rradhisim disa emra që ia vlen, si pjesë e artë e boksit të fortë dhe traditor durrsak. Ata janë: Mustafa Allushi, Ymer Reçi, Hysen Sharra, Hajri Pelingu, Martin Çeta, Abaz Zalla, Selim Bardheti, Sulejman Kokomani, Skënder Sadushi, Hekuran Shkaba, Besnik Reçi, Eqerem Kosova, Shaban Bashhysa, Nexhmi Allushi, Ramiz Reka, Rexhep Bagoi, Syri Basha, Bekim Berberi, Ahmet Bajrami, Met Doçi, Mustafa Idrizi, Shpresim Dauti, Metan Veizi, Beqir Kerri, Shahin Pagria, Dilaver Hasimi, Rexhep Kavaja, Tasim Zamani, Beqir Buthi, Fejzi Alizoti, Mirush Jareci, Vlash Fishku, Shaban Coli, Qemal Cerriku, Murat Reka, Sul Reka, Osman Stojku, Latif Thërmia, Nuredin Oketa, Sulejamn Sula, Hilmi Kapllani, Dodë Zefi, Vasil Stanishi, Burhan Truma etj. Faleminderit Fag Allushi! Ky është një nder që i bën boksit durrsak.

Përfundimi

Me 11 qershor 2018, ikona e notit Mirban Kadiu mbushi 85 vjeç. 1 gusht 2018, ikona e futbollit Sulejman Maliqati, mbushi 90 vjeç. Me 3 shtator 2018, ikona e basketbollit Niko Hercek plotëson 80 vite jetë. Mustafa Allushi, ikona e boksit mbushi 83 vjeç. Këto vlera, a meritojnë të kujtohen, t’u shprehim mirënjohje, t’i mbajmë afër, si pjesë e historisë dhe identitetit tonë? E pyeta Fagun: sa të ka dalë pensioni? 15.000 lekë, përgjigja e tij. Ju shprehem sinqerisht, nuk ishte ky qëllimi im, që shkruajta për Fag Allushin, as edhe për të tjerë, që kam bërë shënimet e mia më parë dhe as për ato, që janë pjesë e planeve të mia krijuese. Unë nuk jap dhe miratoj pensione, as vlerësime dhe dekorata. Pasi nuk jam insitucion. Nuk jam ligji dhe as ekzekutivi. Bëj detyrën time shoqërore dhe qytetare, duke qenë fort i bindur, se ato nguliten në memorien e qytetit tim të lindjes, Durrësit të pandrruar me asgjë tjetër. Por gjërat, vlerat, duhen parë dhe nuk duhen harruar. Ashtu sikundër edhe unë dhashë një shembull modest, me figurën madhore të boksierit historik të Durrësit Mustafa Allushi. Fagu ka përkujdesjen e jashtëzakonshme të të birit Musait, të vajzave Dhuratës dhe Fatmirës, të bashkëshortes së tij të respektuar. Ato e peshojnë babain e tyre dhe unë i pata këto ditë misafirët e mi. Shkrimi për Fagun, na bashkoi dhe aty e kuptuam, se sa fort e duam këtë Durrës dhe sa fort qeveria e këtij qyteti, duhet të bëj për bijtë dhe bijat e tij. Fag Allushi është një nga këto.
Një burrë me shtat të drejtë dhe të goditur disi nga pesha e viteve, ecën i qetë dhe pa u ndjerë rrugëve të qytetit. Unë e njoh atë. Eshtë Fag Allushi. Prandaj edhe e detyrova veten, ta kujtoj kësisoj. Mbetem me shpresë, se i dhashë një dorë arkivës historike të Durrësit dhe memories së saj qytetare. Fagu përgatitet, punë orësh të niset për në Itali, tek i biri. 
Mirupafshim mjeshtër! Shpresoj të takohemi përsëri!

Skeda e Mustafa Allushit

-Lindi në Durrës, më 1 maj 1935.
– E filloi boksin në vitin 1951, me ekipin e të rinjve të Durrësit. Trajneri i parë ishte Ilmi Reka. Ndeshjen e parë e ka bërë në qytetin e Elbasanit dhe u rendit në vendin e dytë.
– Në vitin 1952, boksoi në qytetin e Korçës dhe sërish renditet në vendin e dytë.
-Në vitin 1953, kampionati kombtarë për të rinjtë e rritur, zhvillohet në Shkodër. Me meritë renditet në vëndin e parë. 
-Në vitin 1954, konkuron në qytetin e Beratit me të rinjtë e rritur dhe vendin i parë është për të, në peshën 60 kg.
-Në vitin 1955, konkuron me ekipin e shoqërisë Puna të Durrësit dhe klasifikohen në vendin e parë.
-Në vitin 1955, në kampionatin kombëtar të boksit zhvilluar në qytetin e Shkodrës, inkuadrohet në ekipin e të rriturve dhe ndonëse bokson me boksierë më të rritur dhe me përvojë, renditet në vendin e dytë.
– Në vitin 1956 kryen shërbimin ushtarak dhe inkuadrohet në ekipin e fortë të Partizanit, me trajner të mirnjohurin Ali Kastrati. Në këtë grup të famshëm qendroi 5 vite. Dy vite shërbimi ushtarak dhe tri vite pas lirimit, kreu detyrën e nënoficerit.
-Me ekipin e Partizanit, ku qendroi deri në vitin 1961, meritoi 6 herë titullin kampion kombëtar në peshën 67 kilogram.
-Zhvilloi pesë ndeshje ndërkombëtare, duke mundur kampionin olimpik hungarez Janosh Kajdi. Ndonëse Fagu ishte me peshë trupore më të vogël.
– Në vitin 1958, është pjesmarrës në lojrat e ushtrive mike në Laipcig të Gjermanisë Lindore. Ai mundi edhe një boksier koreanoverior.
– Në vitin 1959 i jepet titulli Mjeshtër Sporti.
-Në vitin 1961, Fagu kthehet në Durrës dhe ndikon në rikthimin e Lokomotivës, nga 
kategoria e dytë në kategorinë e parë. Përsëri në Shkodër në kampionatin kombëtar, Fagu mbetet kampion i vendit në peshën e tij të preferuar.
– Në vitin 1962, kampionati kombëtar zhvillohet në Durrës. Fagu justifikon interesimin e jashtëzakonshëm të bashkëqytetarëve të tij, duke ruajtuar titullin kampion.
-22 shtator 1963, zhvillon në Tiranë në kuadër të kampionatit 17-të kombëtar të boksit, duelin e famshëm me 12 herë kampionin e vendit Todi Janku. Dueli që përfundoi me skualifikimin enigmatik të Fagut, përfundoi në favot të Jankut.
-Pavërësisht se nga ajo kohë, kanë kaluar 55 vite, emri dhe fama e Mustafa Allushit janë ende të fuqishme. Ai mbetet nga boksierët më të mëdhenj, të historisë së boksit durrsak dhe atij shqiptar.
-Me 3 qershor 1997, i jepet titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”
– Në vitin 1999 i jepet vlerësimi i lartë “Nderi i Sportit Shqiptar.


Mustafa Allushi dhe Bujar Qesja. Gusht 2018 


Dueli i famshëm Mustafa Allushi (djathtas) dhe Todi Janku. 22 shtator 1963.


Në stërvitje. Dyshja e jashtëzakonshme e boksit durrsak dhe atij shqiptar. Mjeshtrat e merituar të boksit Mustafa Allushi (djathtas) dhe Martin Çeta.


Fitorja ndaj boksierit koreanoverior


Grushti i frikshëm i Mustafa Allushit


Fagu në një ndeshje ndërkombëtare, me boksierin hungarez.