Nga BUJAR QESJA

Lajme të hidhura na vijnë, këtej e andej kufirit. Sëmundja e këtij shekulli, që ka pushtuar botën dhe tenton ta mposhtë atë Covid 19, po rrëmben jetë njerëzish. Por ku flitet për shqiptarë dhe aq më dhimbshëm për durrsakë dhe kolosë të sportit, trishtimi merr përmasa. Me 14 tetor 2020, në një spital të qytetit italian të Udines, humb jetën emri i njohur i sportit, një kapitull ndër më të artët i sportit të dorezave, ai që tentoi plot aftësi dhe mënçuri të rindez traditën e boksit Dilaver Çobaj (Hasimi).

I larguar prej vitesh nga Durrësi, por pa zbehur peshën e sentimentit për qytetin, që i kushtoi pjesën më aktive të jetës së tij, ai la emër, fragmente të një pune që asnjëherë nuk zbehet, por ka ngjasa të riçfaqet akoma më shumë. Ai e la Durrësin, por historia e boksit të këtij qyteti, nuk ka për ta lënë kurrë kujtimin për angazhimin që ai bëri, për ti rindezur traditën e hershme që ka patur Durrësi, duke ia çfaqur të freskët portretin e gjigandëve të boksit të tij si Ilmi Reka, Hysen Sharra, Mustafa Allushi, Martin Çeta, Ymer Reçi, Selim Bardheti etj.

Dilaver Çobaj e dashuroi sportin që në vogëli dhe pati rezultate të kënaqshme. Bëhet pjesë e boksit amator që në vogëli dhe rezultatet nuk munguan. Por shkëlqeu në gjimnastikë, natyrisht pas ndërprerjes së boksit në vitin 1963, kur Hasimi kishte mbushur të 20-tat. Ekipi i “Lokomotivës” me përbërje me gjimnastë të artë si Dashamir Kërtusha, Tomor Fishta, Alqi Klemo, Diamant Cingu, e shumë më vonë artisti i veglave Vlash Radoja, ku në përbërje plotësonte triumfin e durrsakëve Dilaver Hasimi, ishte në kulm.

Me një trup të veshur plot muskuj të fuqishëm, i lidhur por shumë i zhdërvjellët, me një dashuri të jashtëzakonshme pas sporteve, Dilaveri fitoi simpatinë e qytetarisë durrsake. Mbaroi studimet e lartë në Insitutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve dhe mezi priste të niste mësimin me nxënësit. Viti 1992 shënoi kulmin e arritjeve të tij në sportin e boksit. Ishte 49 vjeç. Kam shkruajtur për klasën e parë të boksit, për maturën e parë, që doli nga shkolla e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”. U bë një përurim madhështor dhe Dilaveri do të përgatiste jo boksjerë, por artistë të ringut.

Hapja e klasës sportive me dispilinë boksin, ngacmoi dëshirën e rinisë durrsake, të cilët falë traditës dhe historisë së legjendave të tij, u rregjistruan me shpejtësi aq sa s’kishte më vënde. Hasimi ynë, një njeri i shkëlqyer, me një buzëqeshje që ia shndriste fytyrën, me një zemër plot zjarr e pasion, ia nisi punës. Rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Emrat e dalë nga dora e mjeshtrit Dilaver Çobaj, janë shumë të dëgjuar dhe që bënë karrierë edhe në ringun profesionist botëror. Një i tillë kalibri është Kreshnik Qato. Po kështu Fatjon Bici, që sot është trajner në Londër dhe trajnon boksjerë profesionistë. Jani Nano është trajner i “Teutës”, një nga specialistët më në zë të trajnimit të boksit në nivele kombëtare, duke u kthyer edhe në teoricien, në arritjet e tij në fushën e botimeve shkencore. Florian Shyti, Ermir Çurre, Olsi Voja dhe Katriot Mone, plotësojnë gjerdanin e artë të punës së artë, të trajnerit dhe mësuesit të artë Dilaver Çobaj (Hasimi).

Patëm një lidhje me Londrën, me kampionin e boksit profesionist në versionin e një prej përfaqësimeve të njohura në botë, Kreshnik Qaton. Ai nuk përmbahej nga dhimbja.

-Të lutem Bujar, fliste me ngashërim mjeshtri, shkruaj diçka për Dilaverin tonë, për profesorin tonë, për atë që iu përkushtua me shumë zell boksit durrsak. Ai u nda nga ne, por të mos u ndarë kujtimet dhe mos harresa e jonë për të. La një emër të mirë, që nuk ka për t’u zbehur kurrë.

Dilaveri Çobaj, i lindur në Vlorë me 1 mars 1943, krijoi një familje të shëndetshme. Vajza e tij Sonila dhe djali i tij Dorjani janë përfshirë nga dhimbja dhe e kanë të vështirë të flasin. Dorjani mundi të pohonte shkurt:

– Ne jetojmë në Pordenone. Babai vuante prej 17 vitesh nga parkinsoni. Ditët e fundit u prek nga Covid 19 dhe e dërguam me urgjencë në një nga spitalet e Udines. Por nuk mundi ta përballonte të keqen. U nda nga ne në moshën 77 vjeçare.

Dilaver Hasimi ndonëse larg Durrësit të tij, nuk i shuajti kujtimet. E merrte malli për shokët, për miqtë që kishte lënë këtu. Mosha ia shtonte më shumë sentimentet, ndërsa fiziku i tij i fortë, po goditej dita ditës nga sëmundja.

Dilaver Çobaj (Hasimi) u shua në dhe të huaj, por do të mbetet kurdoherë e ndezur puna e tij e jashtëzakonshme që la në Durrësin e tij. Gjimnastika e vendosi në histori, ndërsa boksi për të mos dalë kurrë nga lavdia.

Lamtumirë Dilaver Çobaj (Hasimi)! Na ke lënë një kujtim: buzëqeshjen tënde, që do të mbetet për ne, pranvera jote e përjetshme.