Destinacioni i preferuar pak kilometra larg Durrësit. "Pema e jetës", një oaz mes gjelbërimit dhe ushqimeve bio (VIDEO)

27/05/2021 - 21:46

Nga Gertjana Daçi

Kur familja Bujari bleu tokë në kodrat e fshatit Shkallnur vite më parë, nuk mendonte të ngrinte një fermë agroturistike por një shtëpi personale për të jetuar larg zhurmës së qytetit dhe pranë paqes që të ofron natyra, një peisazh i tillë që në sfond ka këngën e magjishme të zogjve.

Mirëpo, duke parë me kalimin e kohës që toka në këtë zonë ishte mjaft produktive në krijimin e prodhimeve organike, idea për ndërtimin e një ferme filloi të merrte formë vit pas viti derisa u ndërtua "Pema e Jetës", me larmishmëri produktesh bujqësore, blegtorale e agroushqimore.

Në një rrëfim për "DurrësLajm", administratori Dorart Bujari tregon fillimet në këtë biznes të ri, që nuk kishte lidhje as me atë që familja ishte marrë më parë dhe as me studimet që kishte përfunduar ai, ku është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë.

Fillimisht ata mbollën perime dhe pemë frutore për nevoja personale, të cilat i ndanin me të afërmit e tyre dhe me kalimin e kohës zgjeruan parcelat e tokës në këtë zonë. Dy vitet e para, thotë Dorarti kaluan vetëm duke sistemuar relievin e tokës dhe duke krijuar kanalizime të ndryshme, e më pas vijoi mbjellja e të gjitha pemëve frutore, të cilat janë importuar nga jashtë.

Ndërtimi i një investimi të tillë nuk ishte pa vështirësi duke qenë se në këtë zonë mungonte rruga, energjia elektrike si dhe uji i pijshëm. Ky i fundit, shprehet Dorarti, vijon të jetë problem edhe gjatë ditëve të sotme. Por, që vaditja e të mbjellave dhe procesi i punës në fermë të jetë i pacënueshëm nga kjo mungesë, ata kanë hapur 5 puse të ndryshme si dhe kanë zbuluar edhe një burim natyral.

"Probleme të ndryshme që kemi pasur ne këtu ka qenë mungesa e ujit. Ky problem fatkeqësisht vazhdon të jetë edhe aktualisht. Ne vetë kemi arritur ta zgjidhim me 5 puse të ndryshme si dhe Zoti na bekoi gjetëm edhe një burim natyral, të cilin e përdorim për gatimet e ndryshme që përdorim këtu. Përveç kësaj një tjetër problem ishte elektriciteti, ka qenë sistemi shumë i dobët. Falë një investimi u bë rinovimi i sistemit elektrik dhe kjo ishte një gjë goxha e madhe, se drita sjell jetë. Para dy vitesh, pas disa kërkesash, më në fund, bashkia e Durrësit bëri rrugën. Rruga ka qenë një nga problemet primare që kanë patur banorët në këtë zonë.", thotë Bujari.

Sigurisht që as agroturizmi nuk shpëtoi nga ndikimi i pandemisë që gjunjëzoi botën mbarë. Krahas kujdesit që duhet të tregonin për shëndetin e tyre dhe të familjarëve, stafi i "Pemës së Jetës" duhej të gjente një zgjidhje edhe për fatin e produkteve të ndryshme që prodhonte ferma. Kështu, ata u detyruan të provonin diçka ndryshe, duke krijuar punë për njëri-tjetrin. Dorarti tregon se në atë periudhë në fermë arriti të prodhonte luleshtrydhe, por për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, mungonin klientët për t'i provuar, ndaj sollën një risi pasi vendosën që këto fruta t'i kthejnë në reçel.

"Pema e Jetës" nuk ka një menu fikse apo një specialitet të vetëm, në varësi të prodhimeve të sezonit ofrohen edhe produktet për të gjithë ata që duan të shijojnë ushqime bio, ku sigurisht përgjatë gjithë vitit në pjatat e restorantit nuk mungon Goji Berry, fruti kurativ nga ku ferma ka marrë emrin. 

Kjo bimë, që të rritet e të prodhojë frutat, kërkon një kujdes të veçantë, gjë që nuk i mungon në fermë, duke patur parasysh pasionin me të cilin Dorarti flet për natyrën dhe gjithçka fal ajo.

Krahas shijimit të pjatave tradicionale që përgatiten në restorant, ku gjithçka është e punuar prej druri, te "Pema e Jetës", qytetarët mund të jenë më afër me natyrën, të njihen me procesin e rritjes së produkteve që do të konsumojnë si perimet, frutat apo edhe kafshët që ndodhen në fermë, si lopë, dele, derra, kaproj, shpendë si pula, pata, rosa etj., duke qenë se ndodhen në ambiente të hapura. Të mbikqyrura nga veterineri i fermës, është ky i fundit që përcakton se cila kafshë është gati për t'u therur e shërbyer mishi dhe cila ka nevojë të rigjenerohet.

"Çdo kafshë që do konsumohet te restoranti është e kontrolluar dhe e verifikuar nga veterineri që kjo kafshë nuk është e dëmshme."

I përshtatshëm si vend për të kaluar momente të bukura bashkë me familjen, në fermë një rëndësi e veçantë iu është kushtuar edhe klientëve të vegjël, të cilëve iu ofrohen guida të ndryshme për të parë nga afër çdo lloj kafshe, bime apo edhe këndi i lojërave, në mënyrë që të largohen sado pak nga jeta virtuale që sjellin pajisjet teknologjike, që janë të pandashme nga ata. Krahas të gjitha kafshëve të lartpërmendura, në ambientet e fermës ndodhet edhe një kalë i vogël i bardhë, vetëm për fëmijët.

Ëmbëlsirat e përgatitura me vezët e fermës janë një tjetër pikë e fortë e restorantit. Nëse keni zgjedhur të drekoni/darkoni te "Pema e Jetës" mos dilni pa provuar disa nga gatimet e ëmbla dhe të veçanta sepse me siguri, jo gjithkund mund të provoni "Rucucuci".

Dy nga pijet që nuk mungojnë asnjëherë në fermën agroturistike janë vera e bardhë dhe e kuqe, sidomos kjo e fundit, të cilat përfitohen nga vreshtat e rrushit.

"Proceset e verës i bëjmë falë një miku familjar, i cili është italian dhe ai na ka mësuar sesi bëhet procesi", shprehet Dorarti ndërsa tregon se krahas kësaj pije, në fermë prodhohet edhe disa lloje rakie, si dhe specialitetet e Durrësit, likeri dhe limonata e trëndafilit.

Ky investim shumëdimensional tashmë, i cili shtrihet në periferi të Durrësit do të vijojë të zgjerohet, këtë herë me ndërtimin e një hoteli. Objekti dy katësh do të kishte përfunduar nëse punimet nuk do të ishin ndërprerë nga pandemia e Covid. 

Vreshtat e rrushit, ullinjtë, drurët frutorë nga më të ndryshmet janë hijeshia e fermës me kafshët dhe shpendët që rriten mes lëndinave të gjelbra të fshatit, vend ky i cili mund të jetë destinacion i preferuar për ata që kërkojnë qetësinë e thellë që ofron një panoramë e tillë shoqëruar nga gatime tradicionale bio.

*Ky reportazh është realizuar me mbeshtetjen e Programit Media For All, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Përmbajtja dhe pikëpamjet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorëve.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: