*Konferenca e Mukjes, pika ndarëse midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe nacionalizmit shqiptar

“Është e domosdoshme të nënvizohet fakti se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial me nacionalizmat e tjerë ballkanikë. Ai nuk është ekstrem, nuk ka parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohet në fondamentalizmin fetar dhe në ekskluzivizmin etnik. Te fuqizimi dhe modernizimi i nacionalizmit shqiptar do të gjenden energjitë për të shëruar shumë nga plagët tona.”

Nga Dokt.Shkenc. Novruz Zejnati, Kolonel R.

Nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më i ri përveç nacionalizmit maqedon. Dhe si i tillë është përballur kurdoherë me mangësitë e rritjes. Kjo veçori është produkt i kushteve specifike të zhvillimit historik të popullit shqiptar në dy shekujt e fundit. Rilindja kombëtare shqiptare ishte një fenomen relativisht i vonë historik. Njëkohësisht një proces i cili u përshkua nga vështirësi të mëdha dhe që në disa aspekte mbeti i papërfunduar. Copëtimi i trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha, i cili ishte më radikali në Ballkan dhe në Evropë, paaftësia e nacionalizmit shqiptar për t’ju kundërvënë këtij copëtimi me anë të një organizimi gjithëkombëtar dhe me efektivitetin dhe potencialin maksimal të kombit shqiptar, janë një dëshmi tjetër e faktit se ai ende se kishte përfunduar procesin e zhvillimit dhe konsolidimit institucional. Ndërsa vështirësitë e mëdha dhe anarkia totale që përfshiu Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë, jo vetëm që përforcon konkluzionin e lartpërmendur, por gjithashtu evidenton edhe një difekt tjetër të nacionalizmit të ri e të papjekur shqiptar – dobësitë dhe kapacitetet e kufizuara të tij në procesin e shtetformimit. Prej robërisë së gjatë shqiptarët kishin humbur kuptimin e bashkimit. Helmi i propagandës së huaj kishte brejtur dhe paralizuar fijet e nervave të kohezionit kombëtar. Grindjet, armiqësitë, depresioni moral, interesat egoiste e antikombëtare dhe anarkia kishin triumfuar mbi nacionalizmin dhe po e nxinin avenirin e një Shqipërie autonome.

Nga ana tjetër është e domosdoshme të nënvizohet se nacionalizmi shqiptar ka një dallim esencial  nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë. Ai nuk është ekstrem, nuk ka parashtruar revizionizmin e dhunshëm territorial, nuk bazohet në fondamentalizmin fetar dhe në ekskluzivizmin etnik. Është e padiskutueshme se si për problemin e tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike, ashtu edhe në procesin e sendërtimit të shtetit, shqiptarët u ndodhën përballë një presioni të fuqishëm të jashtëm me karakter ushtarak, politik, ekonomik, etj, i cili ishte në një disproporcion të theksuar me kapacitetet e rezistencës së tyre. Por ky fakt nuk duhet të mbulojë dobësitë e nacionalizmit shqiptar, të cilat u çfaqën qartë por në një trajtë më pak tragjike edhe në përfundim të Luftës I-rë Botërore. U duk sikur ato u kapërcyen në vitin 1920 (me sukseset madhore e triumfante të nacionalizmit shqiptar): Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës, por përsëri u bënë hapa prapa në situatën e turbullt dhe anarkike të viteve 1920-1924, ku përpjekjet për të ndërtuar një demokraci embrionale, rezultuan në ballafaqime të ashpra ushtarake e politike që e tronditën nga themelet shtetin e ri të brishtë shqiptar. Kjo periudhë përbënte një disfatë të re të nacionalizmit shqiptar, ndonëse ajo shënonte etapën e parë për ndërtimin e një demokracie institucionale në Shqipëri. Divergjencat sociale e politike ekzistonin në çdo shoqëri civile, por në Shqipëri ato kanë patur si karakteristikë thellësinë, ashpërsinë dhe kalimin e tyre të shpeshtë në kriza politike me pasoja rrënuese për shtetin dhe kombin. Dobësia e nacionalizmit dhe e politikave kombëtare kanë bërë që lufta politike shpesh të degradojë në përleshje klasore të pakontrollueshme nga opinioni shqiptar.

Periudha e sundimit të Ahmet Zogut mund të vlerësohet si suksesi më i madh i nacionalizmit shqiptar për arsyen e rëndësishme se duke instaluar një regjim autoritar ai arriti ta fuste shtetin shqiptar në rrugën e konsolidimit. Zogu arriti të shtypë tendencat çentrifugale, aq të fuqishme dhe mbi to vendosi autoritetin e tij dhe të shtetit që ai drejtonte. Edukata dhe institucionet kombëtare si dhe ideollogjia nacionaliste bënë hapa impresionues. Mirëpo përçarja kombëtare nuk u eliminua. Shumë kundërshtarë të Zogut, si ato që përbëjnë rrymën demokratike-republikane ashtu edhe individë të tjerë që ishin, nacionalistë të njohur, u inkuadruan në sistemin e ri politik. Ata përbëjnë një burim potencial për grindje e përleshje në të ardhmen. Në këtë mozaik nuk mungonin edhe individë apo grupe nacionalistë, separatistë të cilat herë pas here e ngrinin kokën, por që në përgjithësi u detyruan t’i nënshtrohen rregullit dhe ligjit, për arsye të efektivitetit të shtetit. Pushteti italian gjatë vitit 1939 e ndërpreu në mënyrë të dhunshme këtë proçes duke shembur dhe eliminuar shtetin e pavarur shqiptar. Në këto rrethana dolën në pah përsëri dobësite e vjetra të nacionalizmit shqiptar. Një rryme që ishte më pragmatistja dhe më egoistja e përshëndeti këtë eveniment dhe mori pjesë në administratën civile e ushtarake që krijuan italianët. Vendimi i Asamblesë Kushtetuese të vitit 1939 për t’i dhënë kurorën e Shqipërisë Viktor Emanuelit, edhe pse në të bënin pjesë vetëm disa nga antarët e parlamentit të mëparshëm edhe pse është e ditur që ky vendim u mor nën kërcënimin e bajonetave italiane, nuk përbën një rekord pozitiv të nacionalizmit shqiptar. Rrymat e tjera nacionaliste mbajtën një qëndrim parimor kundrejt pushtuesit. Mbështetësit e Zogut që më vonë do të formonin Lëvizjen e Legalitetit pranuan të luftonin kundër pushtuesit dhe të merrnin pjesë në një front kombëtar të rezistencës. Ata ishin aktivë në Konferencën e Pezës që ishte e thirrur për të vënë themelet e këtij bashkimi. Mirëpo pikërisht këtu dhe në vijim ato dëshmuan dobësi, paaftësi dhe mungesë vizioni politik. Ata nuk u përpoqën që ky bashkim të ndërtohej mbi bazën e njohjes dhe afirmimit të legjimitetit të shtetit shqiptar, ndonëse aspironin restaurimin e Zogut e të monarkisë. Zogistët dhe një pjesë e nacionalistëve të tjerë që u bashkuan me komunistët në një grupim të përbashkët politiko-ushtarak i cili quhej Fronti Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë, megjithse fillimisht ishin shumë të fuqishëm, madje mund të thuhet edhe në shumicë brenda këtij grupi, duke qënë të paorganizuar, pa një vizion të qartë politik, u absorbuan gradualisht prej një bërthame të vogël por shumë të organizuar komuniste, e cila në vitin 1943 drejtonte efektivisht Frontin Nacional dhe forcat e tij të armatosura. Kjo ishte një dëshmi tjetër e dobësive të nacionalizmit shqiptar. Grupimi më i fuqishëm nacionalist ishte ai i Ballit Kombëtar, i cili kishte një vijë të spikatur republikane e demokratike. Këtu përfaqësohen gjerësisht inteligjenca e re nacionaliste shqiptare e cila aspironte për një Shqipëri etnike dhe demokratike. Ata ishin kundërshtarë të autoritarizmit zogist, gjë që ishte një fenomen pozitiv i mirëpritur për zhvillimin politiko-shoqëror të Shqipërisë. Por duke u dhënë shumë pas antizogizmit, kjo forcë e madhe politike kishte një qëndrim joadekuat. Kundrejt afirmimit të legjimitetit shtetit shqiptar. Bashkë me monarkinë dhe totalitarizmin e Zogut ata sfiduan, ose të paktën injoruan me situatën e rrezikshme të luftës edhe problemin shumë të rëndësishëm e delikat të rivendosjes së legjimitetit të shtetit shqiptar, i cili po sulmohej nga të gjitha anët: nga pushtuesit, nga fqinjët lakmitarë, dhe nga aleatët, të cilët për motive e interesa të ndryshme po godisnin pa pushim legjimitetin e shtetit, që mishërohej tek përfaqësuesit kushtetues të tij. Mbreti Zog dhe qeveria mbretërore shqiptare. Kjo ishte një kuotizim që ndonëse në mënyrë të tërthortë, pati ndikim të madh në dobësitë dhe pengesat që ndeshën nacionalistët shqiptarë për organizimin dhe bashkimin e tyre. Ekzistonin edhe shumë individë me ndikim e pushtet të fuqishëm në krahinat e veçanta të vendit, të cilat aspironin të ruanin pozitën e tyre në këto vënde. Në këto rrethana të një copëzimi shumë të madh të forcave nacionaliste u thirr edhe Mbledhja e Mukjes. Ajo ishte një përpjekje e rëndësishme për ta eliminuar përçarjen dhe për të vënë bazat e realizimit të objektivave të vjetra të nacionalizmit shqiptar, të cilat deri në këtë periudhë kishin mbetur të parealizuara. Pra, krijimi i një shteti kombëtar në trojet etnike shqiptare dhe një sistem demokratik e progresiv qeverisje. Duke ecur në gjurmët e nacionalizmit shqiptar Marrëveshja e Mukjes përcaktoi si synim madhor bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Ky vendim nuk ishte shfaqje e ndonjë nacionalizmi ekstrem. Kufinjtë në Ballkan ishin vendosur sipas konsideratave të Fuqive të Mëdha duke u bazuar në rregullat e balancës së forcave midis tyre. Nuk u mor parasysh e drejta e vetëvendosjes së popujve dhe sakrifica e shqiptarëve nuk i shërbeu ruajtjes së ekuilibrit dhe paqes. Lufta filloi një vit pas coptimit të trojeve shqiptare. Periudha e mëvonshme provoi se ky copëtim ishte burimi kryesor për rritjen e irredentizmit shqiptar dhe nacionalizmit slloven, sërb e grek. Për të shëruar plagën duhej dhe duhet hequr rrënja e së keqes. Deri më sot është pohuar dhe argumentuar me të drejtë se shkaktare e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes ishte udhëheqia e PKSH dhe presioni e ndikimi tutorëve të saj jugosllavë. Qëllimet dhe motivet e komunistave që përcaktuan këtë qëndrim janë tashmë të qarta dhe të argumentuara. Mirëpo mendoj se është e dobishme që çështja të analizohet edhe nga një këndvështrim tjetër. Mund të shtrohet kjo pyetje, që deri më sot nuk e kemi bërë. – Ku i gjetën forcat komunistët që e denoncuan Marrëveshjen e Mukjes, çfarë kalkulimesh bëri udhëheqia e PKSH dhe veçanërisht profesorët e saj jugosllavë? Nga panorama që përshkruam më lartë, është jashtë dyshimit se ato kanë patur parasysh që një aleat i tyre në betejën drejt pushtetit ishin edhe dobësitë historike të nacionalizmit shqiptar difektet strukturale të tij, vështirësitë organizative, përçarja, krahinarizmat, dallimet fetare, mungesa e lidhjeve institucionale, difektet në krijimin e një ndërgjegje kombëtare të konsoliduar tek populli shqiptar, etj. Në qoftë se komunistët do të ishin ndodhur përballë një grupimi të fuqishëm nacionalist dhe përballë një force të organizuar mirë do të ishin menduar më gjatë përpara se të shkelmonin Marrëveshjen e Mukjes dhe aq më tepër përpara, se të fillonin luftën civile. Shembulli i Greqisë kur komunistët u detyruan të nënshkruanin e të respektonin, ndonëse jo plotësisht Marrëveshjen e Varkizës është një provë që shkon në favor të këtij konkluzioni. Marrëveshja e Mukjes, ndryshe nga ajo e Varkizës, u nënshkrua në rrethanat e një vakumi të madh që ishte krijuar nga mohimi apo nga burgosja e legjimitetit të shtetit. Ndërsa qeveria legjitime greke ishte faktor substancial për Marrëveshjen e Varkizës. Ky ishte një handicap i madh i cili goditi shanset e nacionalistëve shqiptarë për të arritur suksesin politik që ata dëshironin dhe që i nevojitej aq shumë kombit shqiptar në këto momente kritike për të ardhmen e tij. Vijmë këtu tek një shkak tjetër i dështimit të Marrëveshjes së Mukjes, i cili deri më sot nuk është kalkuluar si duhet. Bashkëpunimi i forcave nacionaliste shqiptare me ato komuniste ishte i dëshiruar nga aleatët britanikë që ishin Fuqia e Madhe dhe prezente në Shqipëri në këtë kohë. Misionet britanike e nxitën arritjen e Marrëveshjes së Mukjes, por ata nuk ushtruan presionin e duhur që ajo të zbatohej e të mbijetonte. Arsyeja ishte të bënte me prioritetet e politikës britanike, e cila kishte neglizhuar mbështetjen substanciale të forcave nacionaliste shqiptare. Kjo të bie qartësisht në sy po të analizohen raportet që krijuan britanikët me forcat nacionaliste të shteve fqinjë, të cilat ishin shumë më përmbajtësore dhe efektive. Interesat e nacionalistëve shqiptarë dhe ato të britanikëve nuk kishin një përputhje të gjërë, por vetëm të pjesëshme. Nacionalistët shqiptarë synonin rivendosjen e shtetit të pavarur shqiptar, krijimin e Shqipërisë Etnike ose bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Luftën kundër fashizmit ata e shihnin vetëm në këtë funksion. Ndërsa britanikët kishin këto prioritete: të mobilizonin sa më shumë shqiptarë për të goditur forcat e Boshtit, të rishikonin kufijtë e Shqipërisë pas luftës në bazë të kërkesave që kishin parashtruar aleatët e tyre – grekët e jugosllavët dhe për këtë arsye mbanin pezull legjimitetin e shtetit shqiptar dhe pavarësinë e tij, njohja e së cilës në vitin 1942 ishte bërë me disa ekuivoke.

Si rezultat i këtyre mospërputhjeve nuk u ndërtua një aleancë e vërtetë midis të dy palëve, ndonëse pati tentative për bashkëpunim të cilat mbetën në gjëndje stimulimi. Në këtë mënyrë, ndryshe nga nacionalizmi grek, ai shqiptar nuk pati një mbështetje ndërkombëtare, e cila ishte aq e nevojshme në rrethanat e luftës për një rend të vogël e të dobët si Shqipëria. Ky ka qënë njeri ndër shkaqet e rëndësishme potenciale që u krijon mundësi komunistëve, të cilët kishin një mbështetje të madhe të jashtme ndonëse ishte e tërthortë, që të sfidonin pa mëdyshje dhe me sukses Marrëveshjen e Mukjes. Në fakt nacionalizmi shqiptar s’ka patur kurrë aleatë natyrorë dhe të qëndrueshëm për arsye se gjeopolitikat e Fuqive të Mëdha nuk përputheshin në mënyrë substanciale me interesat dhe të drejtat e kombit shqiptar. Dështimi i Marrëveshjes së Mukjes e bëri edhe më të zezë të ardhmen e nacionalizmit shqiptar. Atij tashmë për herë të parë në historinë e ekzistencës së vet, do t’i duhej të luftonte për të mbijetuar. Përballë kishte një klikë komuniste e cila po fitonte terren në shoqërinë shqiptare për arsye të strategjisë dhe taktikave të zgjuara që ia kishin përpunuar dhe zgjedhur tutorët e saj me shumë eksperiencë, qoftë për arsye të problemeve të mprehta sociale që trashëgonte shoqëria shqiptare. Përballë kishte gjithashtu një koalicion të fuqishëm ushtarako-politik, komunizmin ballkanik dhe atë ndërkombëtar, kundër të cilit do t’i duhej të luftonte pa asnjë aleat. Përballë tij ishin edhe dy kundërshtarë, nacionalizmi grek që synonte hapur aneksimin e Shqipërisë së jugut dhe nacionalizmi sllav i cili jo vetëm po përpiqej t’i sfidonte aspiratat e shqiptarëve për bashkimin kombëtar por synonte edhe aneksimin e disa territoreve të reja shqiptare. Në këtë moment kritik historik nacionalizmi shqiptar ende zotëronte një potencial njerëzor ushtarak, politik dhe ekonomik të konsiderueshëm, i cili po të vihej me efektivitet në veprim mund ta ndryshonte situatën dhe të impononte zgjidhjet dhe objektivat e tij. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes e vuri Ballin Kombëtar dhe forcat e tjera nacionaliste përpara dilemash aspak të lehta për t’u zgjidhur. Ajo ndikoi në prishjen e kohezionit të tyre duke i shtuar përçarjet e fraksionimet. Ajo ishte shkaku kruesor që e detyroj një rrymë të fortë nacionaliste që të bashkëpunonte me gjermanët për ta mposhtur komunizmin i cili ishte promotori i luftës civile. Sigurisht nacionalistët  nuk e dëshironin dhe nuk ishin shkaktarët e Luftës Civile. Por, gjithashtu, kur ajo ju imponua atyre nga komunistët, ata përsëri dëshmuan se ende vazhdonin të ishin rrobër të difekteve të tyre të vjetra. Strategjia politike por veçanërisht organizimi e kordinimi i të gjitha rrymave dhe forcave nacionaliste ishin difektoze. Ata nuk mundën të bashkoheshin efektivisht dhe në momentin e duhur, duke humbur momentin e iniciativës, e cila shumë shpejt do të kalonte në dorë të komunistëve. Në vend që të bëheshin në verën e vitit 1943, përpjekjet serioze, dhe një farë rezultati për bashkimin u arrit në verën e vitit 1944. Pra, një vit më vonë, kur situata politiko-ushtarake kishte precipituar në kahjen e kundërt. Tradhëtimi i Mukjes provoj se sa i dobët ishte politikisht elementi nacionalist brenda Frontit Nacional-Çlirimtar dhe se ai humbi, përballë udhëheqies makiaveliste të PKSH. Ai i dobësoi më tej pozitat e nacionalistëve në Frontin N.Çl. Një pjesë e mirë e tyre u largua fare prej tij dhe disa të tjerë si Mustafa Gjinishi e paguan me jetën e tyre. Ai shëmbi përfundimisht moralin e luftës çlirimtare të PKSH, braktisjen e parimeve themelore të Frontit N.Çl, dhe nxiti kalimin e PKSH akoma më majtas  në pozita, gjithnjë e më tepër antikombëtare. Ai rrezikoi seriozisht arritjet e deriatëhershme të nacionalizmit shqiptar, e në radhë të parë të ardhmen e shtetit të pavarur shqiptar. Gjithsshtu pasojë e drejtpërdrejtë e prishjes së Mukjes ishte copëtimi i trojeve shqiptare në Jugosllavi, lehtësimi i etnocidit serb në Kosovë dhe spastrimi i përgjakshëm etnik të Çamërisë. Dështimi i Mukjes e shtyu nacionalizmin shqiptar të kërkonte edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave analoge të fqinjit jugor. Nacionalistë të ndershëm dhe të vendosur, duke parë se vëndi po rrëshqiste në kazanin sllav, propozuan një variant shumë të guximshëm për krijimin e një shteti federativ greko-shqiptar të cilit më vonë do t’i bashkëngjitej edhe Turqia. Ky shtet do të ishte në aleancë me demokracitë perëndimore, e në radhë të parë me Britaninë e Madhe. Këtë projekt e mbështetën thuajse të gjitha forcat dhe rrymat kryesore nacionaliste. Ato synonin që të shmangej më e keqja d.m.th. thithja e Shqipërisë në një Federatë komuniste të sllavëve të Jugut. Por kjo politikë e tyre e hapur pati fatin e keq se nuk gjeti përkrahje dhe aprovim nga, nacionalizmi grek. Forcat nacionaliste dhe qeveria greke e kishin fokusuar gjithë politikën e tyre në aneksimin e Korçës e Gjirokastrës, dhe njëkohësisht, duke dashur të respektonin marrëveshjet e vjetra me nacionalizmin serb për ndarjen e Shqipërisë midis tyre, refuzuan kategorikisht të gjitha ofertat e elitës politike shqiptare. Kështu u humb një shans i ofruar në këtë moment kritik për bashkëpunimin shqiptaro-grek dhe një mundësi për forcimin e pozitave të forcave nacionaliste në të dyja anët e kufirit. Në vitin 1949 forca të rëndësishme të nacionalizmit grek do ta kuptonin se çfarë kishin humbur dhe ofruan një propozim të ngjashëm nëpërmjet zv/ministrit të jashtëm Panjotis Piplnelis. Ky propozim nuk përputhej me propozimin e hapur e të sinqertë të nacionalistëve shqiptarë, por ruante, tendenca shoviniste. Por, sido që të ishte ky propozim tashmë ishte, shumë i vonuar. Nacionalizmi shqiptar ishte shpartalluar ushtarakisht në fund të luftës, ndërsa nacionalizmi grek kishte vite që po cfilitej në kalvarin e luftës civile.

Vendimet e Mukjes i çelnin rrugën dhe i shërbenin realizimit të disa objektivave madhore të nacionalizmit modern shqipta-bashkimi kombëtar, dhe krijimit të një shteti modern e demokratik shqiptar. Prishja e saj i dha goditjen më të madhe këtyre aspiratave. Zbatimi i saj do të shënonte triumfin e nacionalizmit shqiptar dhe pikën më të lartë organizativ të tij. Do të krijoheshin premise për një zhvillim pozitiv e progresiv të këtij nacionalizmi drejt vlerave më të spikatura të nacionalizmit qytetar human europjano-perëndimor. Kjo i hapte rrugën kultivimit të rrymave demokratike të nacionalizmit, dhe i mbyllte rrugën totalitarizmit. Nacionalizmi shqiptar i cili që gjatë luftës kishte shfaqur qartë tendenca kooperuese e integruese në rajon e më gjerë, dhe premisat për një qëndrim tolerant e human ngaj minoriteteve mori një goditje të rëndë. Kështu u ndërpre proçesi i zhvillimit të mëtejshëm historik të tij, i cili do të dobësonte e fashiste më tej tendencat ekskluziviste dhe izolacioniste aq të spikatura në nacionalizma të tjerë ballkanikë.

Pas luftës nacionalizmi shqiptar do të zhvillohej në emigracionin e detyruar, ndërsa ato forca apo elemente, që mbetën në Shqipëri e në trojet etnike shqiptare në  ish-Jugosllavi do të ndesheshin në këto regjime në një betejë të pabarabartë, fundi i së cilës ishte tragjik për nacionalizmin shqiptar. Elastiçiteti dhe largpamësia e vendimeve të Mukjes shërbyen si modele për hapin e rëndësishëm por edhe të vështirë që bënë grupet nacionaliste shqiptare në emigracion në vitin 1949 kur ato u bashkuan dhe krijuan Komitetin Shqipëria e Lirë. Ky organizëm që ishte organ ekzekutiv i frontit të ri nacionalist trashëgoi dhe zhvilloi frymën demokratike dhe politikën për Shqipërinë etnike. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë forcat nacionaliste shqiptare u qëndruan besnike parimeve dhe vendimeve të Mukjes. Ata luftuan me konsekuencë dhe me qartësi për vendosjen e demokracisë në Shqipëri, për ndërtimin e një shteti modern dhe të fuqishëm kombëtar në të cilin do të bashkëjetonin të gjitha forcat dhe rrymat politike demokratike. Ata për asnjë çast nuk e pushuan luftën për mbrojtjen e pavaërsisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë të cilat në disa momente delikate të kësaj periudhe ishin të kërcënuara. Gjatë kësa periudhe të gjitha forcat kryesore nacionaliste nuk e ndërprenë luftën dhe aktivitetin propagandistik për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Në frymën e Mukjes dhe të objektivave të kahershme të nacionalizmit shqiptar, bashkëpunimi me forcat nacionaliste nga Kosova dhe diaspora. Balli Kombëtar i drejtuar nga Ermenji kishte lidhje të ngushtë me Lidhjen Kosovare të cilës i jepte një ndihmë të madhe. Si KKSHL ashtu dhe KKD-SHL u angazhuan gjerësisht në rrugë propagandistike e diplomatike për të frenuar proçesin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Jugosllavi. Këto përpjekje merrnin një rëndësi edhe më të madhe në rrethanat ku ata përfaqësonin të vetmin zë në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të Kosovës, pasi në këtë kohë qeverria komuniste e Tiranës e kishte mbyllur gojën. KKDSHL i drejtoi një lutje qeverisë turke që ta ndalonte emigrimin e shqiptarëve. Më 15 mars 1956, A. Ermenji i dërgoi një telegram OKB, Ministrave të Jashtëm të SHBA, Anglisë e Francës, dhe disa organizmave të tjera lidhur me shpërnguljet dhe operacionin e mbledhjes së armëve që kishte ndërmarrë qeveria jugosllave kundër shqiptarëve me qëllim që t’i nxiste ata të emigronin. Megjithatë gjendej në trysninë e madhe që ushtronin rrethanat tejet të vështira të emigracionit të gjatë, nacionalizmi shqiptar nuk e humbi rrugën dhe perspektivën drejt objektivave historike që kishte përcaktuar në Mukje dhe përpara saj. Gjithashtu me Ballin Kombëtar në pararojë., forcat nacionaliste shfaqën prirje të qarta e të vendosura kooperuese integruese me institucionet dhe vlerat perëndimore. Ata morën pjesë dhe kontribuan, në të cilën Balli Kombëtar përkrahu projektin për krijimin e një Federate të vendeve të Europës Juglindore pasi, ato të çliroheshin nga akomunizmi dhe të vendoseshin regjime demokratike, në Asamblenë e Kombeve Evropiane të Robëruara, e cila miratoi dhe një rezolutë mbi integrimin europjan; në ”Bashkimin Federalist të Komuniteteve Etnike Europjane” të cilën Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare arritën ta nxisin që të miratonte një rezolutë në lirisë së shqiptarëve të Kosovës. Por përsëri edhe në këtë periudhë u shfaqën me forcë disa nga difektet e vjetra, veçanërisht aksionimi. Në këtë mënyrë rrethanat e krijuara gjatë luftës së ftohtë, veçanërisht largimi për një kohë të gjatë nga atdheu dhe izolimi i dhunshëm prej tij, e venitën forcën, organizimin dhe peshën e nacionalizmit shqiptar në botën shqiptare. Këto pasoja negative do të shfaqeshin me tërë forcën e tyre në periudhën postkomuniste dhe pikërisht në dy drejtime kryesore. Në zhvillimin traumatik dhe në karakterin shumë të zbehtë kombëtar të shtetit shqiptar, si rezultat i difekteve të mëdha në ndërgjegjen dhe formimin atdhetar të elitës politike shqiptare, dhe më gjerë shoqërisë shqiptare, e cila dilte nga një sistem politik që e kishte çrrënjosur nacionalizmin si politikë, si ideologji dhe mbi të gjitha kishte shkatërruar bazën sociale të tij. Në dobësitë e theksuara të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar në Kosovë e në Maqedoni. Megjithse ishte dëshpëruese dhe një hap prapa në rrugën e progresit të popullit tonë, prishja e Marëveshjes së Mukjes nuk është një fenomen unikal apo i pariparueshëm. Gjaku që u derdh dhe fatkeqësitë që pësoi kombi ynë pas saj, bëjnë apel që nacionalistët shqiptarë të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo përvojë e hidhur. Etapat në zhvillimin e kombeve nuk mund të kapërcehen në mënyrë voluntariste. Integrimi europian dhe sistemi demokratik nuk mund të konceptohen jashtë ekzistencës dhe funksionimit të shteteve kombëtare të konsoliduara. Është e domosdoshme të studiohet në mënyrë rigoroze shkencore e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e nacionalizmit shqiptar, e këtij aliazhi, frymëzues dhe substance jetike e pazëvendësueshme e kombit dhe shtetit kombëtar. Tek fuqizimi dhe modernizimi i këtij nacionalizmi do të gjenden energji të pashtershme për të shëruar shumë nga plagët tona.