Drurët shekullorë që u prenë në Durrës për të hapur një shesh ndërtimi! (FOTO)

07/10/2019 - 21:24

Durrës, zona në fjalë në vitet 1914-1915

Nga Kristo Xhimitiku

Në Durrës, nën muret e lashtë të kalasë, në zonën e kodrës që dikur njihej me emrin Riviera e që së fundmi gabimisht quhet Kodër Vilë, thua se vila në Kodër është monumenti i fundit që të kujton kohën e shkuar, kishin prerë drurë të vjetër për t’i hapur vend një sheshi ndërtimi. Drurët e prerë të cedrelës apo të pseudoacacies tanimë shekullore, të pashpallur në ruajtje, objekt studimi i shkollave të shkencave pyjore, që dukej se ishin rritur aty vetiu dhe jo si një dhuratë e paçmuar, e që askush nuk kujtonte se kur dhe nga kush ishin mbjellë, nuk ishin më.

Drurët lulëzonin gjithmonë në pranverë, duke lëshuar për çdo degë një tufëz lulesh e frutash të bardha, për të cilat nuk dallohej veç se në fund të verës, kur frutat thaheshin e lehtë fluturonin, se më parë ishin lulet që sillnin frutat apo anasjelltas. Në gjysmëhijen që mbanin gjethet e vogla e të rrumbullakta të pemës tropikale, përdoherë shpërndahej  aty së bashku me puhinë që vjen nga deti, një aromë e lehtë, e butë, e veçantë dhe e paharruar, që nguste bletërritësit të lëviznin kosheret, dhe që dukej se kishte markuar përgjithmonë këtë cukë, deri atëherë të kursyer.

Një kohë i kishin mbjellë në rradhë pemët e gjora e të gjitha bashkë formonin një si kufi pasurije nga perëndimi ndoshta për të kujtuar rrugën e gjatë se nga vinin. Më me fat ishin nxënësit e gjimnazit qytetas, të vendosur aty ku mbaronin ndërtimet, të lirë të zgjidhnin çdo mëngjes mes dijeve, pyllit të kultivuar nga të tjerët dhe detit të pamatë, që njëherësh të lidh dhe pastaj të mban larg.

Në anën tjetër të shtëpisë së bahcevanit të vjetër, që këmbët nuk i bënin më për asgjë, ishte një parcelë me formë kuadri e mbjellë një kohë me cynar, argjinare i thoshin. Mbinte çdo vit vetiu në të njëjtin vend, në të njëjtën parcelë dhe ruante gjithmonë formën e rregullt të kuadrit. Askush nuk i mblidhte frutat e harruara e një menyje të të tjerëve që tanimë ishin egërsuar e mbuluar  me shumë gjemba, sepse te ne si rregull nuk gatuheshin. Vetëm duart e sigurta e të duruara të rojtarit plak dinin të nxirrnin si një kohë frutin e butë nga vjen edhe pija e cynarit. Ishte aventurë të hyje në parcelën e argjinareve se në rastin më të mirë dilje i çjerrë. Nuk ishte më as kjo e kishin betonuar.

Si u ndërtua Legazioni Italian në kodër

Kjo ishte ç’kishte mbetur nga Legazioni Italian në kodër. Ndërtesa e kuqe e ministrit dhe kanceleria nuk janë më. Të ndërtuara në samar të viteve 1914-1915 me skelet druri dhe pupulit nga sipërmarrja Terenc Gay e Romës mbi themelet dhe punimet e jashtme të sipërmarrjes italiane të vendosur në atë kohë në Durrës Tamburlini & Monai, mbi truallin një pjesë të blerë dhe një pjesë tjetër të dhuruar nga Esat Pashë Toptani  mund t’i kishin qëndruar kohës, në qoftë se Legazioni nuk do te largohej në Tiranë. Kanceleria do të dëmtohej nga një bombardim aleat në vitin 1944, kurse Vila e ministrit e kthyer në shkollë pas luftës, që njihet në Durrës edhe me emrin Shkolla e Kuqe, do të digjej nga një zjarr aksidental.

Don kishoteste apo si djali i rrugës Gluk që kujtohet të shkruajë kur fusha nuk ështe më, i ngushtuar të stolisë shkrimin pafund, kujtoj fretnit e Abbazise së Vallambroses në Toskanë të Italisë, që dhuruan fidanët për kopshtin e Legazionit Italian në kodër, e sollën te ne duke eksperimentuar në këtë lëndinë që rrëshqiste gjithmonë drejt detit  traditën e pyllëzimeve, që përsëritet që atëherë çdo vit në Durrës në muajin dhjetor.

Pas marrëveshjes me arkitektin Licurgo Baldacci, që ishte drejtori i punimeve për ndërtimin e Legazionit në kodër dhe Ministrit të bujqësisë, industrisë dhe tregtisë të Italisë ishte ngarkuar firma spedicionere Titi e Brindisit, që të sillte nëpërmjet marinës ushtarake një numër të madh fidanësh të destinuar për kopshtin e Legates. Ngarkohej ministri Aleotti me mbjelljen dhe vendosjen sipas një rregulli të caktuar të fidanëve. Bëhej fjalë për rreth 100 pisha, 100 bredha, 10 cedri (cedrela pseudo acacia) dhe 50 selvi, të zonës së Vallobrosas në Toskanë. Punimet për sistemimin e kopshtit të Legazionit do të ekzekutoheshin nga sipërmarrja Tamburlini & Monai, me një vlerë prej 5000 lira, sipas kontratës së 5 nëntorit 1914.                                                                 

P.S. Me shkrimin lidh edhe disa dokumenta duke kërkuar falje të gjithë atyre që zhvillimin e kuptojnë ndryshe…

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë bre

Një sërë fotosh të publikuara sot në faqen zyrtare të Autoritetit Portual Durrës i përkasin periudhës së viteve 1960-1970  në portin më t

Prof. Dr. SHYQYRI ALIAJ

TËRMETET NË SHQIPËRI – SA TË SHPESHTA DHE TË RREZIKSHME JANË?

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njëjtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i