Durrës. Teatri “Aleksandër Moisiu”, 62 vjet jetë

06/01/2015 - 20:03

Nga komedia “Vajza nga fshati” e Fatmir Gjatës te tragjedia “Elektra” e Sofokliut

 

DURRËS, 6 janar 2014 –  Më 11 janar teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit do të kujtojë 62-vjetorin e themelimit. Është një ditë e veçantë jo vetëm për aktorët, por për këdo që është ulur si spektator në sallën e këtij teatri që mban emrin e artistit të madh me origjinë shqiptare.

Për këdo që ka përjetuar emocionet e thella që dinë të krijojnë regjisori dhe aktorët qoftë nga një tekst që nuk të ka bërë përshtypje gjatë leximit; magjinë që përcjellin efektet e ndriçimit e dekoret e realizuara apo kënaqësinë që të jep muzika e përzgjedhur në sfondin e shfaqjes.

Tragjedia e Sofokliut “Elektra”, me regji të Laert Vasilit, do të hapë në të njëjtën mbrëmje edhe sezonin artistik të vitit 2015.

 

KINEMAJA E VJETËR – SKENA E PARË

 

Skena e sallës që më vonë mori emrin “Kino 14 Nëntori” u bë mikpritësja e parë e teatrit profesionist të Durrësit që nga 11 janari i vitit 1953. Shumica e aktorëve themelues nuk jetojnë më, ndërsa disa nga spektatorët e atyre viteve tashmë të thinjur kujtojnë radhët e gjata për bileta në pritje të mbrëmjes kur bashkëqytetarët e tyre aktorë shndërroheshin papritmas në personazhe nga më të ndryshmit e më të çuditshmit.

Artistja e Merituar Vera Urumi, e cila kishte nisur rrugën e aktrimit në teatrin “Migjeni” të Shkodrës kujton si sot telegramin që e ka mbërritur nga Durrësi në ditët e para të janarit 1953: “Teatri profesionist u aprovua. Të presim”. Firmosur nga Nikolin Xhoja e Todi Thanasi.

I pari, Xhoja, do të bëhej një nga aktorët më të shkëlqyer të komedisë shqiptare, i pavdekshëm më pas edhe në ekranin e kinemasë me rolin e xha Beqos në filmin “Kapedani”. Ndërsa i dyti, Tod Thanasi, një nga intepretët më të mirë të karaktereve të spikatura, një prej të cilëve në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Që të ishin të padiplomuar në shkolla arti, njëlloj si kolegët e tyre që i dhanë jetë premierës “Vajza nga fshati” të autorit të njohur Fatmir Gjata.

Ishte 12 prill 1953 dhe trupa e re profesioniste, nën drejtimin e kryeregjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu, do të korrte duartrokitjet e para. Kjo komedi u shfaq 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues, dëshmojnë statistikat e teatrit. Rruga ishte çelur.

Por si çdo gjë edhe suksesi i parë nuk kishte lindur në tokë djerrë. Shfaqjet e para të diletantëve durrsakë kishin nisur që në vitet 1920, atëherë kur qyteti bregdetar po kërkonte t’i rikthehej lavdisë së antikitetit. Sipas të dhënave të arkivit të teatrit edhe gjatë periudhës 1945-1953 teatri amator përgatiti 36 premiera me 281 shfaqje gjithsej.

 

NDERIM PËR ARTISTËT E TEATRIT

 

“Një shfaqje teatrale të kujton një fjalë të shkruar në rërë, vjen vala dhe e fshin”  -  shkruan një kritik arti. Dhe vërtet pas shfaqjeve të viteve të para atëherë kur nuk ekzistonte televizioni dhe kur aktorët shqiptarë ende nuk kishin “luksin” e interpretimit në kinema, gjithçka mbetej vetëm në mendjen dhe ndjesitë e spektatorëve, duartrokitjet e të cilëve ishin shpërblimi më i mirë për artistët.

Regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Enver Plaku, Driada Dervishi, etj. kanë sjellë në skenën e teatrit “A. Moisiu” drama dhe komedi mjaft të dashura për publikun shqiptar si “Prefekti”, “Martesa”, “I sëmuri imagjinar”, Kartela e verdhë”, “Pulëbardha”, “Vjehrra dhe nusja”, “Prindër edukatorë”, “Ylli pa emër”, “Rrënjët”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Familja e Peshkatarit”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Çështja e Ivanovit”, “Votra e Huaj”, “Festa e Fenerëve”, “Invadimi”, “Hijet e Natës”, “Shërbëtori i Djallit”, “Mulliri i Kostë Bardhit”, “Çështja e inxhinier Saimirit”, “Karnavalet e Korçës”, “Koha e komisarëve”, “Ylli pa emër”, “Revizori”, “Një shok i klasës sime”, “Mirëserdhe Elona”, “Pulëbardha”, “Stacioni i fundit”, “Qyteti pa dashuri”, “Hotel Ballkan”, “Shokë lufte”, “Dështimi i një kryqëzate”, “Aeroporti”, “Nusja e humbëtirës”, “Besëlidhja shqiptare”, “Dorina”, “Gërsheti i luftërave”, “Tri ditët e kiametit”, “Trokitje në dyert e dhimbjes”, “Të jesh nënë”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Vajza pa prikë”, etj.

Shumë nga aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” janë bërë të njohur në shkallë kombëtare përmes interpretimeve dhe individualitetit të spikatur artistik.

Loja aktoriale dhe nuri skenik i Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja në rolin e Podgolisenit te “Martesa” e Gogolit njihet si një nga majat e intepretimit të komedisë.  Ndërsa “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi pas formimit dhe kontributit 23-vjeçar në këtë teatër u nderua me çmimin e parë në Festivalin e teatrit eksperimental në Kajro për monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Marta Burda, Filika Dimo, Guljelm Radoja, Liri Lushi, Ali Bega, Xhevdet Ferri, etj. janë disa nga aktorët e tjerë mjaft të vlerësuar që i dhanë këtij institucioni një vend të nderuar në teatrin tonë kombëtar. Bashkë me regjisorët dhe aktorët një meritë të veçantë në suksesin e teatrit kanë pasur edhe skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj. si dhe punonjësit e “prapavijës” siç thirren edhe sot sektorët e dekorit, ndriçimit, fonisë dhe rekuizitës, pa të cilët shfaqjet teatrale nuk do të ishin të plota.

Veprimtaria e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën  aktuale të saj, e cila është përuruar, 50 vjet më parë, më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë.  

Në 62 vjet veprimtari teatri i Durrësit ka pasur një denduri repertori duke vënë në skenë afro 230 vepra dramatike dhe komedi të autorëve tanë dhe të huaj.

 

Info / Nga Ditari i Enver Hoxhës

 

E ENJTE, 4 SHKURT 1965.   

 

Sot Durrësi inauguron pallatin e ri të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Nexhmija [Hoxha – “Dyrrah”-u] shkoi atje që në mëngjes. Pasdreke, në orën 17: 30 vajta edhe unë për të parë pallatin dhe për të asistuar në shfaqje. Mbas vizitës biseduam me arkitekten e veprës, shoqen [Valentina – “Dyrrah”-u] Pistoli. Pallati i kulturës është ndërtuar shumë bukur, me shije artistike. Salla e shfaqjeve ishte shumë e këndshme, e ndriçuar bukur, e hijshme, me skenë të bollshme dhe me akustikë të mirë dhe e tëra të ndjenjën e intimitetit, të një salle të lehtë pranverore. Dhomat, sallonet dhe ndarjet e tjera janë gjithashtu shumë të mira dhe mjaft të bollshme. Përgëzuam ndërtuesit, i uruam durrsakët dhe i këshilluam ta mbajnë mirë, pastër dhe ta shfrytëzojnë si duhet.

Pamë shfaqjen. Edhe kjo ishte e bukur. Aktorët profesionistë dhe diletantë interpretuan mirë. Durrësi ka mundësi ta përmirësojë e ta zhvillojë më shumë artin, dhe besoj se shokët drejtues të këtij rrethi do të punojnë për ta gjallëruar jetën artistike të qytetit.

Pallati mban emrin e artistit tonë të madh, Aleksandër Moisiut. Të bëjmë, pra, që teatri i Durrësit ta meritojë plotësisht emrin e bashkëpatriotit tonë me famë botërore.

 

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Gëzim Kabashi/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“Le Figaro” ka botuar, të mërkurën e 2 dhjetorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me krijimin e një linje të re detare të rëndësi

Nga Metila Dervishi

Kur 'patriotizmi' nuk tregohet vetëm me një flamur dhe për dy ditë festash! 

URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët.

*In memoriam/ Lajm i dhimbshëm, Salvator Sotiri shkëputet nga jeta

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,