Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Nuk mund të hezitoja, pa e përmëndur këtë përvjetor të largimit nga jeta të doktor Haki Bllacës. Të birit Florianit, i bëra një shënim, ku i përmëndja mos harresën ndaj babait të tij. Por nuk isha i qetë, se e mbarova këtu, detyrimin me një shok dhe mik shumë më të madh nga unë, por tërësisht i barabartë.

Ndonësë lindja e tij ishte me 5 maj 1934 në Gjirokastër dhe e imja 15 gusht 1951 në Durrës, plot 16 vite diferencë, koha, jeta, punët e sollën që të kishim një lidhje miqësore të një natyre tjetër, jashtë profesionit të tij të stomatologut. Mbiemrin Bllaca e kisha fort të lakuar, pasi në gjimnaz kam patur shoqe klase Engjellushen. Lushka siç i thërritnim, është e bija e arkitektit të akulloreve në Durrës, të famshmit Sul Bllaca. Po kështu kam shkruajtur diçka modeste edhe për Fiqiri Bllacën, një futbollist teknik, i shpejtë dhe që ka lënë mbresa.

Bllacët janë një fis i shkëlqyer në Durrës. Prodhimin dhe tregëtimin e akulloreve, në mos vënça duart në zjarr për saktësi, e kanë transferuar nga Turqia dhe krijuan legjendën dhe historinë e pacënuar të të famshmes shprehje :”Janë akulloret e Bllacës”. Kam dëgjuar për Fetahun të parin, e mandej edhe të tjerët. Këtë zanat e trashëgojnë dy Bllaca të tjerë, miku im i çmuar Farudini dhe djali i Sulës Adi.

Dhe jeta e solli, që unë të njoh dhe të lidhem me një Bllacë tjetër, po kaq të mirë, po kaq të ëmbël, po kaq qytetar dhe surprizues në miqësi dhe shoqëri. Dhe ky ishte Hakiu im i pazëvëndësueshëm, në shkallën e lidhjeve të një komunikimi të sinqertë dhe pa interes që krijuam njëri me tjetrin.

Për kohën, Haki Bllaca ishte shumë i njohur. Karriera e tij profesionale, pas mbarimit të gjimnazit “16 shtatori”, u zhvillua në vitet 1954-1960 në Bullgari, ku përfundoi me rezultate lavdëruese, studimet e larta për Stomatologji në Akademinë Mjeksore të Sofjes. Edhe 6 muaj kalifikim pas kësaj, në një lloj specifike profesionale ortodonci dhe protetikë dhe kthimi në Atdhe. Saranda ishte e para që njohu privilegjin e shërbimit të stomatologut Haki Bllaca, ndërsa në Durrës kishin ngritur krahët për të pritur një doktor të specializuar dhe aftësuar në fushën dentare.

Në repartin e fëmijve ishin nevojat më të mëdha, të një brezi në rritje. Dhe Hakiu ynë iu përvesh një pune titanike. Pa orare fikse, ai e ndjente se përvoja dhe kualifikimi i tij ishin jetike, për të ngritur dhe funksionuar një repart jetik per dentarinë e fëmijve. Sa në repart, aq edhe në spital duke zbatuar patologjitë maksiolofaciale, duke shërbyer në format e urgjencës.

Duke u specializuar në vitin 1975, në fakultetin e mjeksisë në Tiranë në sektorin e ortodoncisë, doktkor Haki Bllaca iu përkushtua plotësisht fushës së :”Mjekimi i palnifikuar i fëmijve të qytetit të Durrësit”. Korrigjimi i anomalive të dhëmbëve-nofullës-fytyrës, ishte dhe mbeti sheshpamje bazë e Haki Bllacës për të gjitha detyrimet ndaj fëmijve në rrethin e Durrësit.

Vitet kalonin dhe ndjehej rritja e emrit të mirës, famës së një profesionisti të përkushtuar, sjellja, komunikimi në shkallën më të mirë të mundshme, i doktorit Haki Bllaca. Përvoja e pasur, sukseset e vazhdueshme të arritura, opinionet e mira që vinin në rritje nga prindërit e fëmijve dhe pacientëve të tjerë, ia rritën autoritetin, por kurrë mëndjen, por kurrë karakterin, por kurrë sedrën dhe thjeshtësinë, që mbeten si më parë, në ditën që ai veshi bluzën e bardhë të stomatologut. Oh sa mirë i shkonte Haki Bllacës kjo: një bluzë e bardhë si bora, ku brenda saj fshihej një zemër po e tillë, madje më e bardhë se bora.

Studionte, aplikonte, përdoronte me sukses në objektin e punës dhe kjo pa dyshim e detyronte ministrinë e linjës, që të vendoste doktorin tonë të çmuar në pararojës të përvojës që duhej të jepte jashtë Durrësit. Janë me dhjetra analiza, studime, argumentime teorike, shkencore të lidhura ngushtë me praktikën e puëns që ai tashmë po I jepte në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër e kudo. I vetëm dhe me shumë bashkëpunëtorë si kolegun dhe shokun e tij të ngushtë Pirro Qerimin, Ibrahim Dibrën në Tiranë, Jorgo Bukas në Gjirokastër, Pjetër Pepa në Shkodër, me kolegët Papajorgji dhe Thanati në Katedrën e Ortodontisë në Fakultëtin e Mjeksisë, Haki Bllaca dha një ndihmesë të shkëlqyer, në përmasa të vlerësimit dhe të çmimit të aftësive profesionale.

Në botimet e kohës, por veçanërisht në Buletinin Stomatologjik, apo në Buletinin e Universitetit Shtetëror, është i fiksuar studimi i rastit të rrallë, i anadontisë së pjesshme në dy sistemet dentare i shoqëruar me polidaktili. Doktor Haki Bllaca, do të mbeste pika referuese e të gjitha veprimtarive apo angazhimeve, që bëhej në sektorin e stomatologjisë në Durrës dhe jo vetëm. Konsulta, këshillime, objeksione, praktikime dhe aplikime të ndryshme në fëmijë dhe pacientë të tjerë, në seminare dhe sesione shkencore që organizohej nga seksioni i shëndetësisë në Durrës dhe nga Ministria e Shëndetësisë , ishte i njëjti, doktori ynë i mirnjohur Haki Bllaca.

Por Haki Bllaca gjente kohën të ndihmonte edhe kolegët e rinj, të lidhej me shumë dashamirësi me bashkëpunëtorët, të komunikonte dhe të respektonte me çdo qytetar, që ishin durrsakët e tij, njerëzit që e rrethonin, me të cilët ndante hallet dhe gëzimet e ditës. Por i gjithë ky angazhim, kjo ngarkesë e pazakontë, ia dobësoi shëndetin doktorit tonë. Në një moshë relativisht të re, Hakiut tonë ia krijua në sëmundjekronike: astma bronkiale. E cila u mundonte shumë. Unë dhe miqtë e afërm tanë, ishin prezent në ilaçet që përdorte dhe në përdorimin e vazhdueshëm të ventolinës.

Por si u njoha me Haki Bllacës? Në vitin 1975, u ngarkova të punoj në Këshillin e Bashkimeve Profesionale të Rrethit. Kam kujtimet më të mira gjatë kohës, që një 24 vjeçar, u lidh me jetën e klasës së fuqishme punëtore të Durrësit, me njerëz të shkëlqyer, një pjesë e të cilëvë nuk jetojnë, që më mësuan abc e kulturës së komunikimit, të thjeshtësisë dhe modestisë, për të evituar disa huqe padashje të të rinjve që mbarojnë shkollat e larta dhe mendojnë se kanë epërsi, ndaj atyre që kanë një shkallë arsimore më të ulët.

Një ndër ta ishte dhe mbeti deri në fund, miku im më i mirë, i urti dhe fisniku i lindur Haki Bllaca. Ky doktor i mënçur, ishte i domosdoshëm të komunikonte me njerëyit e thjeshtë të puntorisë durrsake. Të gjithë kishin nevojë dhe u interesonin shërbimet e doktor Haki Bllacës. Që në hapat e para të njohjes, më pas kjo u transformua në miqësi të pandarë, efektet e së cilës nuk kanë për t’u zbehur sa të kem jetë.

Kujtoj katërshen tonë, që binte në sy për të mirë në shoqërinë durrsake. Ishin doktorët stomatologë Haki Bllaca, Piro Qerimi, Vangjel Aleksi dhe Bujar Qesja, që krahas punës, gjenin kohë për të kaluar minuta të paharruara. Humori ynë çante dheun. Shakatë buronin nga respekti ynë, që kurrë nuk zemëroheshim. Kishim nevojë të qëndronim pranë. Por ruanim dhe nuk cënonim natyrën dhe karakterin e njëri tjetrit. Dhe ndër ne, dilte në pah e qeshura plot shpirt, humori fin, komunikimi aq tërheqës i njërit prej nesh. Dhe ky ishte miku im i rrallë, Haki Bllaca. Dhe e qeshura e tij, është elementi esencial, është shenja më pikante, është ajo që mund të quhet nishan, që më ka lënë si pasuri të patjetërsueshme Haki Bllaca.

Kur pranvera po e vishte natyrën, me vellon e bukur dhe të stolisur të stinës, kur po niste fillimin prilli i bilbilave, i trëndafilit, i aromës së luleve në fushë, që aq shumë të zgjeronin gjoksin, as nuk mund ta dija, se po kalonte ditët e fundit të frymëmarrjes së tij, ai, miku im, ai që nuk lija ditë pa e takuar, ai që më befasonte më gëzim e kënaqësi dhe më zbukuronte dhe i jepte kuptim ditëve të mia.

Plot 25 vite të shkuara, u nda nga ne doktor Haki Bllaca. Lajmi më shokoi, më hutoi dhe më ligështoi. Dhimbja i kaloj kufijtë shpirtërore të një 44 vjeçari. Jeta e Hakiut tonë u sos në moshën 61 vjeçare. Po të vazhdonte të jetonte, Haki Bllaca do të ishte sot 86 vjeç. Dhe ne do të qëndronim, e qëndronim si atëhere. Dhe do të gëzonim, e gëzonim vazhdimisht.

Por në një gjë jam i sigurtë. E qeshura e tij, nuk ka ndryshuar. Ajo për mua është si atëhere. Unë e dëgjoj. Dhe tamam si atëhere. Haki Bllaca ka ikur si fizik, por ka lënë armën më të mirë të tijën, më të bukurën, më të hijshmen:

Buzëqeshjen e përjetshme!

Durrës : 2 prill 2020