Ishte vetëm 13 vjeç, thuajse fëmijë, kur hipi për herë të parë në një anije. Jeta e tij do të lidhej pashmangshmërisht me detin, ashtu siç kishin bërë më parë gjyshi dhe babai i tij dhe ashtu siç do të bënin më vonë djemtë apo nipat e tij. Dashuria për detin është trashëguar në 4 breza në familjen Molla, madje ata janë nderuar edhe me titullin e lartë “Mirënjohja e qytetit të Durrësit” për kontributin e dhënë vit pas viti, për rreth një shekull në flotën tregtare shqiptare.

Personazhi i këtij shkrimi është Xhemal Molla, detari i vjetër, që dhe pse në moshë të thyer, sytë e tij ndriçojnë kur nis të flasë për pasionin që e ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës. Xhemalin e takuam në ekspozitën e detarisë, që u hap rreth një javë më parë në galerinë “Nikolet Vasia”. Ishte aty si shumë detarë të tjerë durrsakë e ulqinakë, një pjesë e madhe e tyre tashmë në moshë të thyer, por ende të fortë, pavarësisht jetës së vështirë të kaluar në det.

Në një intervistë për DurrësLajm, Xhemali kujton se ishte ende i mitur, kur nisi punë si muço. Ishte viti i largët 1948…

“Puna ishte e vështirë, por unë e kam pasur me shumë pasion. Në ato kohë anijet ishin prej druri, nuk kishim as kuzhinë, as tualet. Ujë pinim nga një fuçi që e mbushnim që në Durrës. Pinim me zorrë dhe jo me gotë dhe ajo fuçi shërbente për rreth 6 persona”,– kujton Xhemal Molla nga fillimet e tij në flotën tregtare.

Si pjesë e ekuipazhit të anijeve të flotës tregtare, Molla ka përshkuar shumë dete e oqeane, ku qenë deri në Kinë e Kore, ndërsa largësia më e madhe nga familja ka qenë plot 6 muaj.

“Ishim në Kinë,- kujton Xhemali,– kur Shqipëria prishi marrëdhëniet diplomatike me vendin aziatik. Na u desh të shkonim në Kore dhe më pas të nisnim udhëtimin e kthimit për në Durrës. Na u deshën plot 6 muaj. Kjo ka qenë edhe periudha më e gjatë që kam qëndruar larg shtëpisë.”

Pas dekadave të tëra të kaluara në det, tashmë në moshë të thyer, Xhemal Molla, ashtu si shumë detarë të tjerë, ka një peng të madh. Pensionet e ulëta të detarëve dhe mungesa e një statusi për ta.

“Tani dalin 65 vjeç në pension, në kohën time dilnim 55 vjeç. Është një profesion i vështirë, por ne nuk gëzojmë status të veçantë si minatorët apo naftëtarët. Para viteve ’90, kishte më shumë vëmendje ndaj detarëve, në vitet e demokracisë ky profesion nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Shtetit i kërkoj të hedhë sytë nga detarët, të mendojë për ne. Tashmë kemi mbetur shumë pak…”,– thotë i pezmatuar Xhemali.

Pavarësisht vështirësive të kaluara, jetës me shumë privime, largësisë nga familja, Xhemal Molla do ta zgjidhte sërish profesionin, të cilit i kushtoi pjesën më të madhe të jetës. Dashurinë e tij për detin e kanë trashëguar edhe dy djemtë e tij, edhe djemtë e vëllait të tij. Për Xhemalin, deti mbetet dashuria e tij e parë dhe nëse do të kishte një jetë të dytë, sërish do t’ia kishte kushtuar atij…

M.B.