Nga Thoma Qendro

1. Njё vinjetё e çiftit mbretёror Sofia dhe Vilhelm Vid para Pallatit nё Durrёs, botuar nё revistёn satirike gjermane ULK, Nr. 7, tё datёs 13 shkurt 1914, e cila dilte nё Berlin gjatё viteve 1872-1933.
2. Njё pёrshkrim i shkurtёr i jetёs nё Durrёsin e kohёs sё Vidit dhe nё pallatin mbretёror, tashmё tё zhdukur. Pёrshkrimi ёshtё i Eqrem bej Vlorёs, sekretar i pёrgjithshёm i Ministrisё sё Punёve tё Jashtme nё qeverinё e Turhan Pashёs, nё kohёn e mbretёrimit tё monarkut nga Gjermania. Ndёr tё tjera edhe qёndrimi i popullit durrsak ndaj vajzave gjermane qё dilnin tё shёtisnin nёpёr qytet:
“… një morie shёrbyesesh, vajzash të kuzhinës dhe grash të lavanterisë që vinin, kryesisht, nga Tiroli i Jugut. Por fakti i natyrshëm që këto vajza të gjora kishin njё ditë të lirë në javë dhe dilnin, e shëtisnin në Durrës, për tё marrё pakëz ajër të pastër, nuk përputhej aspak me shijen dhe zakonet e vendit dhe të njerëzve. Ata më të kujdesshmit dhe më “të mençurit” në kampin e kritikuesve thoshin se Princi nuk i nderon sa duhet zakonet e vendit dhe dinjitetin e oborrit sepse si shumë e linte “haremin” e tij të dilte para syve dhe nepsit të popullit…”.

Jetesa në Durrës nuk ishte aq e këndshme. Dukuria që binte mё tepër në sy në qytet, ishte gjindja e madhe. Në vitin 1913-14 Durrësi kishte qenë një qendër e vogël me 4000-5000 banorë; brenda natës popullsia u trefishua duke sjellë me vete të gjitha problemet e mangësitë e një zhvillimi të panatyrshëm. Institucionet e reja qeveritare, të quajtura me emrin bombastik ministri, ishin vendosur në ca shtëpi të vjetra dhe funksiononin (nëse kjo ndodhte) edhe më keq se në kohën e Qeverisë së Përkohshme në Vlorë. I gjori kryeministër ishte, në të vërtetë, zyrtari i lartë i shërbyer më keq. Esat pasha, që detyrat e tij zyrtare si ministër i Brendshëm dhe i Luftës i kryente, sipas zakonit të vjetër të bejlerëve, në dhomën e gjumit apo nё atë të ngrënies, përplasej në çdo hap me kryeministrin, me shefin e tij të kabinetit, Nuri bej Vila – Frashëri dhe me mua zëvendës-sekretarin e tij tё përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme. Esati kishte një grup të madh bashkëpunëtorësh të aftë. Shtëpia e tij ishte tё thuash, e vogël dhe e thjeshtë. Vizitorë, “urimtarë” dhe “fallxhorë” hynin e dilnin nga dera e saj, duke kërkuar secili nderimin e duhur nga ana e zotit të shtëpjsë, pavarësisht nëse ai kishte apo nuk kishte kohё, pavarёsisht nëse vizitori kishte ardhur në kohë të përshtatshme, apo tё papërshtatshme. Për këtё arsye nuk mund të parashikohej se ku do të shtrohej në tryezë. Esati e mbante “sofrën të shtruar!” Kushdo që të ndodhej aty (dhe ishte dikushi) ftohej pa një pa dy, të ulej në bukë. Nëse gjatë ngrënies vinte ndonjë telegram, ndonjë lajmëtar apo ndonjë personalitet për këtë apo atë pasha të pranishëm, ai ngrihej, mbaronte punë dhe pastaj kthehej e zinte vend përsëri në sofër. Ne ishim vazhdimisht në kushte lufte, ne jetonim si në komandën e pёrgjithshme dhe në kazinon e oficerëve të një njësie ushtarake në luftë, me ndryshimin e vetëm se ne nuk e kishim vetëdijen e duhur për “njësinë tonë”. Secili në rrethin e tij të vogël apo të madh, ishte sundimtar i vetëm dhe i plotfuqishëm dhe një bashkëpunim i planifikuar as që ekzistonte. Ndonëse diçka e tiilë do tё kishte qenë e papërfytyrueshme – kaq të mëdha ishin ndryshimet kulturore dhe botëkuptimore.
Gjendja e brendshme në “pallat” ishte shumë më e mirë. Banesa e çiftit princor mbase nuk e meritonte plotësisht këtë titull nderi. “Konaku” i Durrësit që do të ishte emri më i saktë për të, ishte godina e modernizuar e ish prefektit (mytesarifit) turk të Durrësit, një ndërtesë guri e ngritur mbi muret e vjetra rrethuese të kohës bizantine e turke me një gjatësi ballore rreth 50 metra dhe me një oborr të po atyre pёrmasave prapa saj. Të 35 dhomat e të tri kateve dilnin të gjithë në një koridor të gjerë katror. Megjithëse mobilimi i brendshëm dhe pamja e jashtme ishin të thjeshta, për kushtet shqiptare ato ishin, sidoqoftë, mjaft dinjitoze. Të gjitha pajisjet si edhe personeli shërbyes kishin ardhur nga Gjermania dhe gjithçka funksiononte nën drejtimin e majorit fon Trota, i cili, me një stil karakteristik ushtari, mbante fort në dorë rrjedhën e brendshme të jetës në pallat.
Por me gjithë rreptësinë dhe disiplinën e tij prusiane, zoti fon Trota nuk mund t’i kënaqte plotësisht shqiptarët. Sepse, më të shumtën, nuk ishin të ashtuquajturit elementë përparimtarë që kritikonin çdo veprim të oborrit, por pjesa e prapambetur e popullsisë së qytetit dhe fshatit që mërmërinte e pakënaqur pёr kёtë apo atë gjë. Një nga çёshtjet më të diskutueshme, ishte, ndër të tjera, edhe prania e personelit femëror në pallat. Ishin tri zonja, një shqiptare, zonja Fezilet hanëm Ekrem Libohova dhe dy gjermane: zonjusha fon Pful dhe zonjusha fon Oidtman që bënin pjesë në kategorinё e damave tё oborrit, ndaj nuk prekeshin dot lehtë, përveç një morie shёrbyesesh, vajzash të kuzhinës dhe grash të lavanterisë që vinin, kryesisht, nga Tiroli i Jugut. Por fakti i natyrshëm që këto vajza të gjora kishin njё ditë të lirë në javë dhe dilnin, e shëtisnin në Durrës, për tё marrё pakëz ajër të pastër, nuk përputhej aspak me shijen dhe zakonet e vendit dhe të njerëzve. Ata më të kujdesshmit dhe më “të mençurit” në kampin e kritikuesve thoshin se Princi nuk i nderon sa duhet zakonet e vendit dhe dinjitetin e oborrit sepse si shumë e linte “haremin” e tij të dilte para syve dhe nepsit të popullit. (Ato që shtonin keqdashësit dhe kundërshtarët në këtë rast, ia lë lexuesit t’i marrё me mend). Këtyre u shtohej edhe kritika se çifti princor ishte i “paafrueshëm”. Njerëzit ishin të pakënaqur që, për t’u takuar me sundimtarin, duhej të kalonin nëpërmjet zinxhirit të ndërlikuar tё lakejve të oborrit. Ata do të kishin dashur të hynin ashtu pa teklif, si dikur te ndonjë bej i madh, dhe jo me atë përçmim durues që tregonte zakonisht beu apo hankoja,175 por me tërë mirësjelljen dhe vëmendjen që meriton një vizitor i rëndësishëm.
Ata kërkonin pra, asgjëmangut, që princi gjerman të shndërrohej në një princ të Malit të Zi, apo edhe më saktë në një mbret Dagobert, i cili i priste nënshtetasit e tij nën një bli. Se sa larg mund të kishte shkuar kjo, unë nuk dua ta hamendësoj, sepse dihet që kërkesat e shqiptarëve, me të gjetur një fushë të përshtatshme zgjerimi, nuk njohin më kufij. Ndërkaq edhe Princi e aq më tepër princesha, nuk e kishin aspak të lehtë të vendosnin lidhje me vizitorët, t’i kuptonin dhe t’u përçonin atyre mendimet dhe ndjenjat e tyre; ata nuk flisnin dhe nuk kuptonin asnjë fjalë shqip dhe nuk kishin as idenë mё të vogël për ndërtimin shpirtëror të këtij populli të huaj për ta. Ndëkohё që, mjerisht, suksesi apo mossuksesi i tyre në Shqipëri varej pothuajse krejtësisht nga ky mirëkuptim i ndërsjelltë.
—————–
175 “Hanko”, fillimisht ka qenë titulli që i jepej gruas së një beu apo pashai “tё madh”. Gratë e fisnikërisë së mesmc thirreshin “xhiko”.
(Nga libri “Kujtime” 1885-1925, tё Eqrem bej Vlorёs, Tiranё 2003, f. 170-172, pёrkthyer prej gjermanishtes nga Afrim Koçi).