*(In Memoriam për Djemtë e Kostë dhe Maria Boshkut)

Nga Gëzim Kabashi

Gjashtë muaj më parë, kur Harallamb Boshku vdiq në moshën 66-vjeçare, lajmin e kumtoi Federata Shqiptare e Shahut.

“Me hidhërim njoftojmë ndarjen e papritur nga jeta të FIDE MASTER HARALLAMB BOSHKU (1953-2019).Boshku ndërroi jetë në garë, dje pasdite, gjatë zhvillimit të Turneut Ndërkombëtar (rapid) të Prishtinës”.

Nga salla e shahut ku zhvilloi ndeshjen e fundit të karrierës si Mjeshtër i FIDE-s, Llambi, siç e njohëm të gjithë, do të përcillej në banesën e përhershme, pas homazheve të organizuara në hollin e Pallatit të Kulturës së Durrësit.

Ishte ndoshta e vetmja vemendje nga qyteti, ndaj një njeriu që si gjithmonë po e nderonte vendlindjen edhe në ditën e fundit të jetës së tij, si sportist i klasit të parë, si mjek dhe si intelektual.

Harallambi ishte djali i Kostë dhe Maria Boshkut, familjes së vuajtur e të ndershme, që jetoi në një banesë mbi Amfiteatrin e lashtë; ishte vëllai i katërt i  Mihallaqit, Margaritës, Miltos dhe Vlashit; i fëmijëve që para se të luanin me lodra “mësuan të bënin në tavolinën e shtëpisë punë te ndryshme artizanale, për ca para më shumë mbi rrogat e ulëta të prindërve punëtore, si pastrim tokëza sandalesh, sumbullash e krehërësh plastike, – kujton një nga moshatarët e tyre.

Bashkë me edukatën e punës dhe të dijes, xha Kosti u mësoi shahun, fushë ku vëllezërit Boshku shkëlqyen. 

Shokët e tyre habiteshin se si në trenat e studentëve Milti dhe Llambi luanin shah pa patur tabelë para vehtes, por vetëm duke e imagjinuar atë. Apo kur në plazh Llambi zhvillonte simultanet e para si shahist i shtrirë në rërë, ndërsa përballë vetes kishte “kundërshtarët” konkurentë.

Durrësi të nderojë njerëzit e punës

Unë besoj se po kalon koha, që Durrësi të kujdeset më shumë për bijtë e vet, për familjet që e riformuan qytetin një shekull më parë. Mbi të gjitha, duhet të nderojë siç e meritojnë ata që para gjithçkaje vunë punën e ndershme dhe të përkushtuar.

Le të kthehemi te nderi që dr. Llambi Boshku i bëri qytetit të lindjes në ditën kur ndërroi jetë, teksa mbi tabelën e shahut mbronte edhe ngjyrat e qytetit të tij.

Në homazhet para trupit të tij, bashkëqytetarët e pranishëm u përkulën edhe si bir i një familjeje të përkushtuar të qytetit antik. Një familje që veç mirësisë, humorit dhe pasionit të djemve për punën u njoh edhe për hallet e shumta, me të cilat jeta e vështirë e ngarkoi.

6 muaj më parë me Llambin u shua edhe i katërti i djemve të familjes së Kostë dhe Maria Boshkut. Mbetet Margarita, motra e vetme, së cilës i duhet të jetojë me kujtimet e vëllezërve që nuk janë më.

Dr. Llambi Boshku, mjeku i nderuar dhe shahisti i mirënjohur, ndërroi jetë tamam, ditën e 5-vjetorit të vdekjes së Mihallaqit, vëllait më të madh, njërit prej mësuesve dhe pedagogëve më të shquar të matematikës në qytetin e Durrësit.

Autor dhe bashkëautor i 17 teksteve për mësimin e matematikës në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, Llaq Boshku mbeti model i njeriut profesionist e tepër korrekt edhe në Greqi, atje ku bashkë me gruan dhe dy djemtë migroi për një jetë më të mirë. Dhjetra studentë dhe nxënës janë konsultuar prej tij gjatë përgatitjeve për provimet universitare në Shkollat e Larta të Athinës e më gjerë.

Mbi të gjitha, Llaqi, i njohur edhe për kurajon e humorin që përcillte, ishte vëllai i madh që kujdesej për vëllezërit më të rinj, sikur të ishte ende gjallë i jati, xha Kosti.

Jeta nuk ishte treguar dashamirëse me familjen Boshku. Përkundrazi.

Vëllai i tretë, Milti, student i shkëlqyer në degën e Ekonomisë,  në mesin e viteve 1970 pësoi një gjendje të thellë depresive për shkak të abuzivizmit financiar të drejtuesve të një kooperative të thellë në rrethin e Elbasanit, ku atë e kishin emëruar si ekonomist.

Situata e tij shëndetsore erdhi duke u përkeqësuar, megjithë kujdesin dhe dashurinë e pamatë të familjes, por edhe me mbështetjen e Portit detar, atje ku punoi në vitet e fundit.

Po ashtu fatkeq edhe Vlashi, vëllai i vogël Boshku, ditët e fundit të të cilit qenë të vështira, dhe kur mendja e tij e lodhur gjente forcë të krenohej me të bijën, që mbante emrin e nënës Maria.

Vëllezërit Boshku vdiqën njeri pas tjetrit në një moshë ende të re dhe nuk kërkuan asgjë nga qyteti. Siç thotë edhe një fjalë e urtë e fqinjëve tanë perëndimorë “Ikin më të mirët”.

I dhanë Durrësit vlera nga puna e tyre, pa zhurmë e bujë, por me rezultate që vazhdojnë t'i mbajnë si tekste në duar nga Mihallaq Boshku të rinjtë që mësojnë matematikë; që vazhdojnë t'i kujtojnë fëmijët e vegjël dhe të rinjtë shahistë, por dhe pacientët që u konsultuan me dr. Harallamb Boshkun.

Kjo ishte arsyeja që mesazhi i hidhur i Federatës Shqiptare të Shahut përfundonte: “Harallamb Boshku ishte njëri nga Mjeshtrat me gjurmë të shkëlqyera në sportin e shahut dhe me kontribut të vazhdueshëm në stërvitjen e brezit te ri.FSHSH i përcjell Ngushëllimet e sinqerta familjes dhe komunitetit të shahut!

Ka ardhur koha që qyteti i Durrësit të nderojë vlerat e vërteta të tij!