*In memoriam/ Lajm i dhimbshëm, Salvator Sotiri shkëputet nga jeta

-Durrësit i ikën një intelektual i klasit të parë
-Sotiri një masovik dhe njerëzor i papërsëritshëm
-Tash e tutje memoria dhe kujtimi ynë për të detyrë parësore

Nga BUJAR QESJA

Dhimbje

Ndodhi edhe ajo, që s’na e merrte mëndja të ndodhte kaq shpejt. Dje në mesdite dha frymën e fundit, në moshën 83 vjeçare, një nga njerëzit më të njohur në Durrës, me një reputacion individual dhe familjar të jashtëzakonshëm. Natyrisht duke qenë i biri i të famshmit arkitekt Kristo Sotiri, i krahasuar me arkitekt Sinanin, ishte një vlerë më vete, duke e shumëfishuar ato me të tjera pluse të një jete tejet aktive, plot qytetari dhe personalitet. Tori ynë lindi më 9 janar 1935 dhe largohet nga jeta me 2 nëntort 2018.

Populli i Durrësit, e përcolli këtë fryt të çmuar të qytetarisë dhe intelektualizmit të tij, me 3 nëntor 2018. Është nga ato humbje që të dhëmb, që të djeg, që të shokon në çastin që njoftohesh. E minutat e mëpastajme, janë të mbushura më lot shpirti, me kujtimet nga më të bukurat, me mbresa të pashlyeshme. Do të na e kujtoj Tor Sotirin, kur të kalojmë në çdo rrugë të qytetit, kur të shkelin çdo gur, e te prekim çdo sfond pallatesh, apo shtëpijash private.

Mungesë që na djeg

Salvator Sotiri! Nuk është më i gjallë, në numurimin e atyre që janë aktivë në jetë, por do të jetë dukshëm i gjallë, në atë që quhet memoria njerëzore. Sa fat! Një shans, që do ta kishte zili cilido. Nuk ka gjë më të shenjtë, më të bukur, më të veçantë, kur një popull të nderon, të respekton, të përulet e të heq kapelen. Ky format ishte dhe mbeti deri në fund Tor Sotiri. Po të kishe fatin të lëvizje qoftë edhe një minutë me Torin, do ta ndjeje, do ta prekje respektin e paparë që kishte populli për të. Jo më kot shoqata Durrësit, e kishte Torin një anëtar aktiv të saj, ku kudo që shkonte, i hapej dera katër kanatësh nga subjekte shtetërore dhe private, nga individë dhe shtresa të ndyshme të shoqërisë civile.

Nuk e besoj dhe nuk kam për ta besuar edhe për mjaft kohe, që Salvator Sotirin nuk do ta kemi ndër ne, nuk do të flasim me të, nuk do të pijmë atë kafen e shkëlqyer që aq shumqë na ngjiste kur ishim me të, apo kur rryfitnim nga ajo faqore origjinale me raki mani, që e mbante në xhepin e brëndshëm të xhaketës, e që në një ditë ma dhuroi mua si kujtim. E kam një kujtim të vyer, më parë nga miku i shtrenjtë i babait tim Xhafer Qesja, e më pas edhe shumë, shumë edhe i imi, Salvatori ynë i shtrenjtë, Salvatori ynë i paharruar, Salvatori ynë i qeshur, hokatar, i ëmbël, oh sa i domosdoshëm në shoqërinë tonë.

Por sa masovik që ishte. Një popull i tërë e përshëndeste, pasi ai një popull të tërë e respektonte pa asnjë përjashtim, si të varfërit ashtu edhe të pasurit, si të mënçurit edhe , apo edhe fëmijve. I takonte dhe i pyeste një për një për punët dhe hallet e tyre. Zor se mund të gjëndet një njeri si Salvator Sotiri, që të ketë kaq ndjeshmëri, kaq dashuri e dhëmbshuri, kaq respekt e përulësi ndaj popullit të tij, durrsakëve të tij aq të dashur dhe të shtrenjtë.

Basketbollist klasi

Tori mbahet mënd, si një sportist i nivelit të kërkuar. Trupi i tij i gjatë si selvi, është shprehje e marrjes me sport, por edhe në formën e edukatës sportive. Durrësi i tij ishte lider në basketboll, e Tori pjesë e kësaj fame. Ylli i Kuq i Durrësit ishte kampion kombëtar në basketboll. Dhe luanin në atë kohë Skëndër Bardhi, Vlash Goga (babai i Igli Gogës), Met Mujka, Sul Tufa, Ndoc Sheldia, Agim Heba, Latif Thërmija, Spiro Urumi, Spiro Goga dhe Petrit Turkeshi. Dhe ky sukses i bujshëm, përsëritet në vitin 1955 me të tjerë protogonistë si Dhimitraq Goga, Napolon Llalla, Vehap Berberolli, Spiro Urumi, Ramazan Njala, Ramazan Beja, Naun Llazo, Omir Vokopola, Niko Hercek, Xhoxh Nushi, Koç Papaj, me trajner të mirënjohurin, eruditin Bashkim Taga. 

Por sipas bisedave të bërë me të, Salvator Sotiri në periudhën e viteve 1954-1957, ishte në Tiranë pasi studionte për matematikë fizikë dhe luante me Dinamon e Tiranës. Me Dinamon bashkëlojtarë të tij ishin edhe Fatmir Meka, Feti Borova, Dhimitër Papa, Njazi Lleshi etj. Trajner i tyre ishte Vlash Koljaka, një inxhinjer i njohur dhe personalitet i lojrave me dorë. Talenti dhe forma sportive i Salvator Sotirit, mundësoi pjesmarrjen e tij edhe në veprimtari ndërkombëtare, duke qenë pjesë e ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Koshat e Torit ishin me vlerë jo vetëm në mjediset shqiptare të basketbollit, por edhe në pallatet e sportit në Bullgari, Gjermaninë Lindore, në Bashkimin Sovjetik etj. Në ekipin kombëtar të vitit 1957, Salvator Sotiri luante krahas yjeve të basketbollit tonë për kohën si Feti Borova, Dhimitraq Goga, Kiço Gjata, Muhamet Përmeti, Fatmir Meka, Ilo Teneqexhi, Ferdinand Qirici, Petrit Murzaku, Andon Kona dhe Muhamet Sokoli. Trajner i tyre ishte Naim Pilku.

Më pas Sotiri vjen në Durrës pranë Lokomotivës së tij të zemrës, për të qenë figurë qëndrore e basketbollit të saj. Shtatlartësia i mundësonte luftën në tabelë, duke qenë rezultativ edhe në gjuajtjet nga fundoret.

Përcjellja

Pse e ndërpreva shkrimin, duke e zëvëndësuar me fjalën vijon? Shkova në funeralin e Salvator Sotirit, bërë sot në Durrës, me 3 nëntor 2018. Një popull i tërë në dhënien e lamtumirës, së njërit për zotërinjve më të nderuar të Durrësit. Jam takuar dhe jam ndeshur me ajkën e basketbollit durrsak në vite. Sa mall! Sa kujtime! Edhe me vdekjen e tij, Salvator Sotiri bashkoi si një trup i vetëm, gjithë brezat e basketbollit. Trupi i Torit tonë, kalonte nëpër duart e atyre që e njohën dhe i njohu nga afër. Aty e kupton, aty e ndjen se Salvator Sotiri, pa dashur të përdor superlativën, është kthyer në personifikim të qytetarisë durrsake.

Ndiqja me vëmëndje kortezhin. Kujtimet rrodhën lumë, e nuk mund ta besoja se mbanim mbi duar trupin e atij njeriu, që e vari buzëqeshjen në shpirtin e çdo durrsaku, mori pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e çdo durrsaku, ndalonte dhe komunikonte me çdo durrsak. Oh sa na ka djeg, humbja e këtij njeriu tejet të veçantë, me një urtësi të lindur, me një dashuri të pambarim për Durrësin dhe durrsakët. I thashë tim vëllai Yllit: që me vdekjen e Salvator Sotirit, kemi vdekur të gjithë nga pak. Sepse tek ai unë shikoj portretin e babait tim, portretin e baballarëve tanë që nuk i kemi më, një pjesë të historisë tonë të gjallë dhe të pashuar. 

Tori, unë do ta ndjej dukshëm humbjen tënde. Durrsakët e tu, janë ligështuar dhe hidhëruar, duke e ditur fort mirë, që nuk do të takojnë më. Nga shpirti dhe zemra e tyre, është shkëputur diçka. Është shkëputur ajo pjesë e mirë dhe e shkëlqyer e qytetit të tyre, që aq saktë e lexonin për ditë tek ty. Ti ishe sëmurë dhe çdo mëngjes, kërkonim të merrnim njoftime për shëndetin tënd, o Tori ynë i mirë, o Tori ynë i jashtëzakonshëm, o kryemirësia dhe fisnikëria e jonë. Kur kisha punë nga shoqata Durrësi, shkoja me gëzim, sepse e dija që do të takoja ty, i miri im. Ti më atë ëmbëlsinë tënde, me atë ngrohtësinë dhe kënaqësinë tënde kur më shikoje, uleshim, pinim një kafe dhe e ngrohnim shpirtin me pak “lëng” dhe ti më tregoje për momente historie për Durrësin tonë, për njërëzit e tij të mirë dhe bujarë. Më çfaqje ndonjë dhimbje në kokë, e më coptoje shpirtin. Dhe kur ikja, lutesha për të të patur për shumë kohë pranë. 

Dhe ja vjen 2 nëntori i vitit 2018. Salvator Sotiri u shua! Po pse lajm është ky!? Më merr Gani Krasniqi në telefon dhe duke qarë më thotë: a është e vërtetë që ka vdekur Tor Sotiri! Vështroni reagimet e deritanishme të njerëzve ndaj këtij lajmi, ndaj këtij materiali, se si e shprehin hidhërimin e tyre, ndaj njërit prej vlerave më të spikatura të qytetarisë durrsake. Gruaja e tij e nderuar, njëra nga juristet më të spikatura në Durrës Vasilika, fëmijët e tij Kristo dhe Loreta, janë të hidhëruar nga ikja e Tor Sotirit. Por ato kanë një ngushëllim të madh me këtë rast, pasi nuk janë të vetëm. Humbjen e Salvator Sotirit, e ka ndjerë një Durrës i tërë, njërzit e të cilit u drithëruan kur u njoftuan. Bisedonim me Niko Profkolën, me Igli Gogën, me Sabri Rustemin tek varrezat, për të bërë historikun e basketbollit, pasi këto kapituj të artë që po na ikin, duhen evidentuar dhe shënuar në arkivën më të mirë, të asaj që quhet basketbolli i shkëlqyer i Durrësit. 

-Në maj të vitti 2018, me thonte Igli Goga, organizuam kupën Salvator Sotiri. Më tregoi në celular mesazhin e Torit tonë të ndjerë: 

-Ju uroj suksese dhe ecuri fidanishtes së basketbollit durrsak. Më falni, por nuk mundem të jem pranë jush. Ju përqafoj Tori!

Kurrë i shkëputur nga memoria dhe shpirti ynë

Një përkim interesant. Mosha e jetës së Tor Sotirit prej 83 vitesh, përkon me 83 vitet e jetës së babait të tij Kristos, ku gjurmët e punës së ti, mbeten përjetësisht të pashlyera në Durrës. Jo rastësisht kam ekspozuar një foto të vilës së famshme, të arkitektit Kristo Sotiri, që tashmë është kthyer në një lokal luksoz me emrin Vila Lule. Kjo si shenjë respekti, për nënën e tij Juliana. Pikërisht këtu ka lindur me 9 janar 1935 Salvator Sotiri. Kam kërkuar me orë të tëra, në arkiva dhe kudo gjetkë. Por foto të Torit tonë, nuk kam mundur të zbuloj. Ishte tejet modest, sa që nuk kërkonte të spikaste në foto. Donte të ishte i qetë dhe brenda lumturisë dhe ndjeshmërisë së tij. Por ai bëri fotot më të shkëlqyera në Durrës, ato foto që nuk mund ti bëjë asnjëri prej nesh. Ai fotografoj në shpirtin e çdo durrsaku, portretin e tij të bukur, tejet simpatik, të larë me ngjyrat e florinjta, të zemrës së tij të madhe.

Jam tejet i trishtuar! Salvator Sotiri u shkëput nga jeta. Por jo, jo, kurrë jo, nga memoria e jonë, nga shpirti i jonë, nga kujtimet tona, nga mbresat tona, nga ajo e mirë që ti gatove gjithë jetën tënde. Dheu i lehtë Tori ynë!

Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh
Durrës më: 3 nëntor 2018