Edicioni i 9-të i Bienales, Florian Vlashi: I trishtuar nga indiferenca e institucioneve (VIDEO)

07/08/2019 - 14:36

Mbrëmja e së martës ishte nata e parafundit e Bienales së Muzikës Klasike 2019, programi i i së cilës ishte Muzika Hispane ku interpretoi "Sax – Ensemble" nga Madridi.

Prej datës 1 gusht, qytetarët durrsakë kanë patur mundësinë të ndiqnin muzikë të mirë klasike dhe të degustonin verëra nga kantinat lokale dhe ato nga Spanja, Italia dhe Gjermania, duke qenë se tema që ka përzgjedhur këtë vit violinisti durrsak Florian Vlashi është "Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer".

Përsa i përket pritshmërive që kishin organizatorët e koncertit, Vlashi thotë për "DurrësLajm" se ato u përmbushën ndonëse frika e tij më e madhe ishte pjesëmarrja e publikut.

Kjo për faktin se "Netët e Muzikës Klasike" nuk u realizuan në qendër të qytetit të Durrësit, por në lagjen nr.13. "Na kanë ndjekur me shumë interes, publiku ndryshoi por ishte e pritshme", thotë violinisti i njohur.

Bienalja nisi 18 vite më parë dhe në këtë edicion të 9-të ka pësuar disa ndryshime. Ka më shumë instrumentistë, vepra të kompozitorëve shqiptare si dhe tematikat. Risia e këtij edicioni është përfshirja e verës.

I pyetur se pse zgjodhi pikërisht Durrësin për të realizuar këto koncerte dhe sa mbështetje ka gjetur nga institucionet e vendit tonë, Vlashi thotë se:

"Durrësi është qyteti im, kthimi im në origjinë, kthimi im në fëmijëri, vendi ku kam kujtime, miqësinë, familjen", ndërsa shprehet i trishtuar për indiferencën e institucioneve për Bienalen.

Por si është marrëdhënia e publikut shqiptar me muzikën klasike në këndvështrimin e Florian Vlashit? "Si në çdo vend tjetër të botës", thotë ai ndër të tjera duke cilësuar si primare dhe të rëndësishme afrimin e publikut të ri.

Për drejtorin e përgjithshëm të Bienales, Haig Zacharian, Netët e Muzikës Klasike ishin netë të bukura për ata që patën fatin t’i ndiqnin ndërsa shprehet i zhgënjyer nga mungesa e interesimit të Ministrisë së Kulturës.

Teksa sonte do të jetë nata përmbyllëse e edicionit të 9 të Bienales tek Amfiteatri, violinisti durrsak kujton fillimet e koncertit shumë vite më parë kur shoqërohej nga bashkëshortja në magazinat e Shkozetit.

Ndonëse është herët për të menduar për organizimin e 20-vjetorit të Bienales, në intervistën për "DurrësLajm", Vlashi thotë se për diçka të tillë duhet të presim, madje kjo mbetet në pikëpyetje.

G. Daçi

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: