Nga Aleksandër Cangonja

Emrulla Gjata (1886-1971) ishte një nga tregtarët më të mëdhenj në Durrës por pa frikë mund të themi që ishte i tillë në gjithë vendin. Ai bashkë me vëllezërit e tij kishin themeluar shoqërinë tregtare “Vllazën Gjata” të cilët importonin dhe eksportonin mallra nga më të ndryshmet. Duke qenë se Emrulla Gjata hynte tek “ajka” e qytetit, “Shoqëria Sportive TEUTA” e cila në përbërjen e saj administrative kishte elitën qytetare të Durrësit, e propozoi atë të bënte pjesë në këshillin e nderit. Sipas statutit të shoqërisë, ajo kishte një këshill nderi e përbërë prej njërëzve më të zgjedhur të Durrësit, simpatizantë dhe përkrahës të sportit.

Në statutin të saj shoqëria kishte një pikë interesante, ajo ishte krijimi i këshillit të nderit, dhe ky këshill u përfaqësonte me figura të larta qytetare si kryetari i bashkisë së Durrësit z.Ahmet Dakli, nga prefekti i Durrësit z. Ismet Kryeziu i cili mbante dhe postin e kryetarit në këtë këshill por edhe emra të tjerë dinjitoz si: Kristaq Zaguridhi, Kurt Shquti, Laz Dovana, Nexhmi Shijaku, Muhamed Dakoli, dhe Andon Çipi. Ky grupim brenda shoqërisë sportive ” TEUTA” kishte thjesht funksion honorifik, e cila shërbente për ti afruar njërëzit me pozitë të qytetit afër skuadrës sportive, të cilët herë pas here jepnin kontribut monetar apo material per skuadrën .

Më poshtë letra origjinale e siguruar prej arkivit qëndror të shtetit:

Shoqnia Sportive TEUTA Durrës, ne 10/XII/931

Zotni,

Emrulla Gjata

Qytet

Kemi nderin me ju njoftue se, Kshilli veprues ne mbledhjen e tije, mbeshtetun ne Statutin e Shoqnies qi thot se, Shoqnia duhet te ket nji Kshill Nderi, prej njerzve ma te zgjedhun te Qytetit, simpathizonjes e perkrahes te Sportit, zgjodhi Z. (zotnine) e Juej si Kshillltar me shok Z. Z. Ahmet Daklin, Kristaq Zaguridhin, Kurt Shqutin, Laz Dovanen, Nexhmi Shijakun, Muhamed Dakolin e Andon Cipin, dhe Kryetar Z. Ismet Kryeziun.

Nderime.

Sekretari. Kryetari

Referenca: AQSH. Fondi. 990 (Firma Emrullah Gjata dhe Vëllezër), D. 24.