Ethet e skrapit në kohët moderne

03/11/2012 - 00:00

 

Porti është mbërthyer nga ethet e skrapit. Prishja e godinave disa katëshe të ish Kantierit Detar të Durrësit ka nxitur personat që merren me tregtimin e skrapit, të dynden në port për të përfituar nga kjo situatë. Brenda pak ditësh një prej godinave është rrafshuar tërësisht dhe kamionët e firmës që ka fituar tenderin për zgjerimin e rrugës po largojnë nga hapësira portuale tonelatat e hekurit.

Godinat e ish Kantierit Detar, të ndërtuara me tulla teke, kanë një sasi shumë të madhe hekuri në konstruksionet metalike dhe elementet mbajtës të tyre. Për pasojë ato janë konsideruar si një minierë “ari” në kohë të tilla krize, ku vlera e hekurit është rritur ashtu si edhe kërkesa në treg për këtë produkt.

Burime zyrtare nga porti i Durrësit bëjnë me dije se godina disa katëshe i është lënë kompanisë ndërtuese për ta shembur, e si rezultat po kjo kompani bën edhe nxjerrjen e hekurit e shitjen e tij. Burimet saktësojnë gjithashtu se në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e rrugës është edhe prishja e godinës, ndërkohë që nuk është llogaritur sasia dhe vlera e konstruksioneve prej hekuri që kishte ndërtesa. Hekuri është pasuri kombëtare dhe si e tillë shitja e tij për skrap duhej bërë nëpërmjet procesit të tenderimit gjë e cila nuk është bërë nga APD.  

Ethet e skrapit

Mbi 200 persona, kryesisht të komunitetit rom, por edhe të tjerë të papunë, janë pjesë e një tragjedie të kohëve moderne. Në mungesë në të vendi pune dhe në pamundësi për të siguruar një tjetër mënyrë jetese, këta njerëz i varin shpresat e tyre tek sasia e skrapit që do të arrijnë të mbledhin e të shesin.

Me dhjetëra familje, gra, burra, të rinj si dhe fëmijë, që kanë braktisur shkollën, me kazma të vogla në supe, qëndrojnë për orë të tëra në kufirin jugor të Portit të Durrësit, duke gërmuar e thyer beton. Janë pikërisht në vendin ku punonjësit e firmës së ndërtimit shembën një nga objektet që i përkisnin Kantierit Detar. Me kazma e vare ata futen poshtë pirgjeve të dheut e grumbujve të betonit dhe gërmojnë në tentativë për të gjetur copa hekuri. Gërmojnë për një pasuri, e cila nuk është as flori dhe as argjend.

Gërmojnë për hekurishte, nga e cila varet jetesa e tyre e përditshme, ajo copë bukë që do të vënë në tryezë në darkë. Ata më të fuqishmit godasin me vare betonin, për të arritur të shkëpusin prej tij shufrat e hekurit, të mbetura nga prishja e godinave.   

Në kërkim të hekurit

Nuk ka fjalë që të shprehë tronditjen që përjeton, teksa sheh një grup të madh njerëzish, ku lehtësisht bien në sy fëmjët që presin në kufirin ndarës të portit të Durrësit me zonën e plazhit. Ata hidhen në sulm, teksa disa kamionë që sjellin dhera prej s’dihet nga ku, shkarkojnë në këtë skaj të portit dhe një buldozier i rëndë sheshon hedhurinat.

Disa policë të sigurisë portuale bëjnë zap turmën, sytë e së cilës shkrepëtijnë teksa shikojnë kamionat. Aty fshihet buka e tyre e përditshme. Ato hekura që do të mbledhin për t’i shitur për skrap përbëjnë mundësinë e tyre të vetme për mbijetesë, në të kundërt rrezikojnë të kalojnë një ditë me barkun bosh. Një ditë e tërë pune, e cila kalon jo pa rreziqe dhe në fund vetëm disa thasë me hekur që arrijnë vlerën modeste prej 500 lekësh të reja.

Megjithëse është shumë e vogël, për ta ajo përbën një gëzim të paparë, pasi arritën t’ia “hedhin” edhe një ditë. Të mësuar gjithnjë të mbijetojnë me pak gjë, madje edhe në kushte ekstreme, ata i drejtohen të lumtur kësaj “miniere” të rastësishme. Komuniteti rom është ndoshta shtresa më e përvuajtur dhe e përbuzur e shoqërisë sonë. I harruar, nga të gjithë strukturat, në një luftë të përditshme mbijetese, në një luftë të hapur me fatin ata janë çdo ditë në kërkim të një fronti të ri pune.

Me kazma e vare ata futen poshtë pirgjeve të dheut e grumbujve të betonit dhe gërmojnë në tentativë për të gjetur copa hekuri. Gërmojnë për një pasuri e cila nuk është as flori dhe as argjend. Gërmojnë për hekurishte, nga e cila varet jetesa e tyre e përditshme, ajo copë bukë që do të vënë në tryezë në darkë. Ata më të fuqishmit godasin me vare betonin, për të arritur të shkëpusin prej tij shufrat e hekurit, të mbetura nga prishja e godinave

Aktualisht pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar në sheshin në kufirin lindor të portit, ku ka nisur të ndërtohet rruga e re hyrëse në portin më të madh të vendit. Disa më kurajozë, përveç gërmimit mes dherave dhe betonit nisin kërkimin edhe në det duke shpresuar se edhe aty do të mund të gjejnë metalin aq shumë të kërkuar prej tyre. Këta familjarë lënë në mëngjes herët shtëpitë e tyre duke marrë me vete kazmat, lopatat, trastat me ushqime dhe shishet e ujit. Bëjnë disa km rrugë në këmbë për të mbërritur këtu, në portin e Durrësit, ku gjendet toka e tyre e premtuar, për disa javë. “Kështu fillon dita jonë e punës, e cila mbaron vetëm pas mesnate”,- tregon Veli Mborja, baba i katër fëmijëve.

Familja e tyre mbijeton duke nxjerrë nga toka, alumin, bronz, bakër dhe hekur, metale këto, të cilat kërkohen shumë nga fonderitë dhe pikat e grumbullimit. Ndonëse shuma e parave që fitojnë në këmbim të këtyre metaleve është shumë pak në krahasim me mundin që u kushton nxjerrja e tyre, sërish ata janë të kënaqur përsa kohë këtu u është hapur një front pune. “Këtu nis puna jonë, me shpresë se çdo ditë do të sigurojmë shumë më tepër se ditët e shkuara”,- thotë kryefamiljari, i cili nuk merr asnjë ndihmë financiare nga bashkia. “Kemi aplikuar, por as asistencë nuk na kanë dhënë”,- thotë ai.

Aida Xhafa është një grua, nënë e 5 fëmijëve jetimë, e pa strehë, e cila së bashku me fëmijët e saj jeton pikërisht në këtë vend. “Pa asnjë përkrahje, pa shtëpi ku të fusim kokën, asgjë s’kemi. Nëse nuk do të gjejmë qoftë edhe pak hekurishta të vegjlit e mi s’do të kenë me se të ushqehen në mbrëmje”,- thotë gruaja, e cila duket sikur është 60 vjeçe, por realisht nuk është më shumë se 35.

Mjerimi, vuajtjet, por dhe mungesa e ushqimit kanë lënë gjurmë në fytyrat e anëtarëve të këtij komuniteti. Së bashku me prindërit, aty gërmojnë edhe mjaft fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve analfabetë. Megjithëse e kanë mbushur moshën për të frekuentuar shkollën ata nuk janë ulur asnjëherë në bankat e saj.

Pavarësisht dëshirës për të mësuar shkrim e këndim si bashkëmoshatarët e tyre ata detyrohen të gërmojnë gjithë ditën nën pirgjet e dheut për të gjetur skrapin e shumë dëshiruar. Ndërsa shumë prej tyre e bëjnë këtë punë prej kushedi sa kohësh, të tjerë zënë “pozicione” në akse të ndryshme të qytetit për të lypur.

Një komunitet që jeton me skrapin

Petrit Bektashi ka 5 fëmijë që punojnë së bashku me të. Në të njëjtin vend ndodhet dhe bashkëshortja e tij. Ata shprehen se nuk i kanë lënë kurrë fëmijët të lypin. “Kemi mbledhur skrap apo kanaçe, por kurrë nuk i kemi lënë të lypin dhe të vjedhin, nuk i kemi çuar dot në shkollë, sepse nuk kemi asnjë të ardhur tjetër, gjithë e ardhmja jonë varet nga kjo punë. Faleminderit policëve që na lënë të gërmojmë sepse po të duan edhe mund të mos na lënë”,- thotë njëzëri Petriti dhe bashkëshortja e tij. Siç tregon ai, aktualisht 1 kg bronz vlen 200 lekë të reja, 1 kg bakër blihet nga tregtarët e shumicës me 400 lekë, ndërsa 1 kg alumin vlen 130 lekë. Rritja e çmimit të metaleve me ngjyrë në bursë ka bërë që mbledhësit e metaleve ta shikojnë këtë gjë si burim të ardhurash. Sipas mbledhësve të metaleve çmimet variojnë, por tashmë në bursën e rrugës çmimet janë si vijon: bakri 680 lekë/kg, bronxi 600 lekë, alumini i përzier 170 lekë/kg, ndërsa i pastërti 300 lekë/kg. Më pak nga të gjithë këto metale kushton 1 kg hekur, i cili vlerësohet vetëm me 15 lekë në tregun e metaleve me pakicë. “Sytë na shkëlqejnë, kur zbulojmë ndonjë masë të madhe metali të oksiduar, të cilën e gërvishim me padurim me shpresën se mos është bakër”,- thotë Petriti. Më pas ai vijon duke thënë: Zhgënjimi është në varësi të llojit, nëse zbulojmë hekur, fati tregohet dorështrënguar me ne. Gjithsesi ato i shohin fatsjellëse këto ditë, pasi gjetën një mënyrë sesi të sigurojnë disa të ardhura duke mbledhur e shitur më pas skrapin e mbledhur në port. 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori