Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Fama e emrave pikantë në Durrës/ Individë të thjeshtë, për t’iu referuar mbarë qyteti

23/12/2020 - 10:25

  • -Individë të thjeshtë, por me popullaritet fantastik
  • -Emërtime të famshme, për t’iu referuar mbarë qyteti
  • - Fuqia e këtyre emrave me vazhdimësi historike
  • -Brenda tyre tradita e një qyteti që ridimensionohet
  • -Populli ia vendosi emrat dhe populli është historiani më i mirë
  • -Do t'i kujtojmë për t’u qenë mirenjohës për vlerat që na lanë

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Më ka tërhequr gjithnjë kjo temë. Shumica prej tyre, mbase edhe të gjithë nuk jetojnë. Por kanë një favor jo të vogël, madje të madh. Kujtesa për ta jo vetëm që nuk është zbehur, por as ka ndërmend të harrohet. Me punën dhe sjelljet e tyre, ata nuk menduan kurrë se po bënin historinë e “vogël” të qytetit, që një ditë t’i përkushtoheshim në një shkrim kësisoj e t’i shprehnim mirënjohjen e pakufi. Durrsakë të hershëm, të një qyteti të vjetër, ku bënë një shërbesë përkushtuese ndaj popullit të tyre, duke mos menduar kurrë, se shkruan ashtu thjesht dhe pa bujo mos-harresën.

Teksa ulem dhe bëj atë turken time, kafen më të mirë në botë, teksa jam i qetë në momente të ditës, mëndja më shkon tek prindërit që nuk jetojnë, tek koha e tyre që është fëmijëria ime, tek shoqëria e tyre, tek të njohurit e tyre, tek ata që u binte rasti të komunikonin jo rrallë. Mosha ime gati 70 vjeçare, kam arritur të flas edhe me disa prej tyre, ti njoh, të qesh me ta, por të jem edhe klient i tyre sa herë më çonin prindërit të bëja pazar.

Do të përmënd jo pak, por nuk kam ndërmënd t’a kthej këtë shkrim lyer të tërin me nota të thella malli dhe nostalgjie, në konkurs dhe anketim. Jam i bindur që secili në memorien e tij, ka plotësimet e veta, ka sheshpamjen e tij, memorien e tij. Por ajo që vlen në këtë rast, është mos-harresa kundrejt detyrimit njerëzor që kemi ndaj tyre. Qëllimi është të trajtojmë famën e tyre dhe jam i sigurtë që në këtë pikë, do të jemi së bashku, pasi së bashku na takon t’i kujtojmë dhe të shprehim mirënjohjen.

Tek Dyli dhe dyqani i Abdylit

Edhe unë e kam këtë defekt, mbase nga mungesa e vëmendjes për t’i ditur dhe mbajtur mënd emrat e rrugëve, apo nga fuqia e famës së emrave dublues, por që janë pikë kryesore referuese. Sa herë që bie fjala, për të dhënë një pikë orientuese në drejtim të spitalit të Durrësit, themi thjesht në rutinën tonë:

-Do të shkosh nga dyqani i Dylit, do të shkosh pak majtas etj. etj.

Dhe ky Dyl Xhaferri një shitës i shkëlqyer, në marrdhënie tejet të ngrohta me klientët, na ka detyruar ta marrim si shembull. Është puna e tij, është zanati i tij, është miresjellja e tij, është përkushtim i tij, është hyzmeti që i bën detyrës së jetës së tij, puna e florinjtë, e djersës së florinjtë të këtij burri plot finesë dhe zotnillëk, që si shpërblim për të tëra këto, ne ta marrim si shembull. Ai nuk e din se po bën një të veçantë, mbase edhe një detyrim historik, që pa dashur krijojnë klientët e tij. Ta përmëndin vazhdimisht, por edhe t’i referohen.

Dhe më kujtohet që në mesin e bulevardit tregtar, aty ku merr rruga për tek amfiteatri ka qenë dikur një mapo. Shitësi i saj quhej Abdyl. Dhe këtu puna e tij ia zbardhi faqen. Dhe sot e kësaj dite, mbase pas 50 vitesh a pak më pak, apo pak më shumë, emri tek “dyqani i Abdylit”, as ka ndërmënd të harrohet nga populli.

Nga Zaje Hushi tek Sheref Xhoi

Ndonëse ky Zaje Hushi u largua shpejt nga jeta, tek 53 vjeçët, memoria qytetare e ka iventarizuar në “magazinën” e saj. Shitës bylmeti ky Zaje Hushi, por edhe tani e kujtoj të qeshurën e tij. E çi duhej shkolla teorike, kur kishin nga katër fakultete të asaj që quhet universiteti i jetës?! Punë e lodhshme, rraskapitëse, me lista e pa lista, Zaje Hushi ishte i njëjti. Dyqani i tij ishtë pranë stacionit të vjetër të trenit, m’u përballë shkollës ish “Dalip Tabaku” të kohës time. Sa herë që më bie rasti kur kaloj aty pranë, ndaloj dhe vështroj. Më duket sikur shikoj Zaje Hushin dhe dëgjoj të qeshurën e tij, që ia vishte me humor e plot finesë fytyrën. Dhe më duket sikur thotë:

-Erdhe djali i Xhafës! Çfarë të ka thënë baba me marrë?

Dhe fillonte komunikimin, artin e shkollës së tij që lidhej përsosmërisht me njerëzit. Kërkova sa munda, por nuk i gjeta një foto këtij Zaje Hushit, pjesë e fëmijërisë time.

Të dalim tek Sheref Xhoi. Shitës në një dyqan ushqimesh. Interesant këta shitës të mirë. Të gjithë kishin një humor, që u shkonte shumë. Klientët mezi pritnin të takonin shitësat e tyre. I donin shumë dhe i kishin si miq shtëpie. Sa i mirë ky virtyt po të ruhej. E kujtojmë Sherefin, siç i thonin tek Lagja e Re, “E Sherefo”. Ka edhe një humor në këtë mes. Disa nga ciganët e Lagjes së Re, që nuk kishin vaj t’i hidhnin byrekut, shkonin tek dyqani ushqimor dhe flisnin me të madhe:

-Të keqen e Sherefo, hidh pak vaj tek byreku im, se nuk kisha!

Dhe i miri Sheref, dhe i urti Sheref, dhe i shkëlqyeshmi Sheref nuk ua prishte. Humori i tij ngjitej deri në qiell.

E fillojmë me Xhaxhin dhe e përfundojmë me Kadriun

Çfarë shitësash kemi patur? Ndjejmë mall. Nderimi ndaj tyre, na përkul deri në tokë. Do ju tregoj një histori të shkurtër, që nuk e kam rrëfyer në asnjë rast. Është plotësisht e vërtetë.

Ky Xhaxhi, emri i plotë i të cilit është Zahar Kume, kishte një kinkaleri tek Plepat, stacioni i fundit i Plazhit të Durrësit. I lindur për tregti, ai nuk kursehej për punën. Të mos harrojmë, gjithçka ishte shtet dhe pagesa nuk lëviste. I kena thënë paga bazë, fikse. Një ditë, me një palë çorape në dorë, del në rrugë dhe i ofrohet një makine që po ecte jo shpejt dhe thërret:

-A doni çorape?

Makina ndalon. Dikush brenda saj, ia bën me dorë Zahar Kumes, që të ofrohej. Ishte një benz i zi, i frikshëm dhe i veçantë në pamje.

Burri brenda mjetit e pyet:

-Sa kohë ke që merresh me këtë punë?

-Pak muaj.

-Këtë veprim tëndin që punon me kaq pasion, sa që e reklamon edhe mallin në këtë mënyrë, nuk e kemi hasur në asnjë rast tjetër. Ti nuk e ke vëndin këtu!

Ky njeri ishte, Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu.

Dhe Zahar Kume, brenda pak ditësh fillon punë tek Parfumeria e famshme e Durrësit, ngjitur me shkallët e Ermenit. Këtu Zahar Kume, mori nofkën “Xhaxhi” dhe shkëlqeu. Nga e gjithë Shqipëria vinin dhe bënin pazar tek Zahari, që edhe sot e kësaj dite i ka mbetur “dyqani i Xhaxhit”. Çfarë korrektese! Çfarë pritje! Çfarë shërbimi!

Të dalim tek i shkëlqyeri tjetër, i mrekullueshmi dhe i papari Kadri Ngjela.

Përballë Nish Gomës së vjetër, ishte dyqani i famshëm i Kadri Ngjelës së famshëm. Një virutoz i vërtetë. Një mirsjellje e lindur. Jo kaq sa kanë kaluar, por edhe për shumë e shumë vite të tjera, emri i njeriut dhe shitësit Kadri Ngjela nuk ka për t’u lëkundur. Në dyqanin e tij kishte edhe “qumësht dallëndyshe” po të doje.

Një dyqan me lëndë ndërtimi dhe artikuj të imët, nga gozhda deri tek xhamat, me mijra asortimente dhe ky Kadri Ngjela kontrollonte gjëndjen si një tabelë llogaritëse shumë shifrore. Punonte, komunikonte, buzëqeshte, shiste dhe t’i dilje nga dyqani për t’u rikthyer me plot dëshirë në rastin më të parë.

Kam shkruar edhe më parë për këtë mrekulli të tregtisë, për këtë magji të komunikimit, për këtë pjesë të jashtëzakonshme të lidhjes me klientin, që zor se mund ta hasësh për shumë e shumë kohë më pas.

Hokatari Vasil Marku dhe “autoritari” Spiro Puteci

I njohur për durrsakët gastranomi, i pari mjedis tregtar me njësi shitje të ndryshme. Përbri hotel “Durrësit”, ku kanë qenë edhe zyrat e NTSHUS-it, në këtë gastranom shërbente shitësi i mishit Vasil Marku. Emër shumë i përhapur, në mjedisin publik në Durrës. Të dukej sikur këndonte, kur tregtonte mish. Edhe kocka të dukej tul, nga shërbimi hipnotizues i tij. Janë vite shumë të hershme, aq sa kishte filluar të formohej fëmijëria ime. Ky trajtues i mishit, ose thjesht kasap, i aftë në zanat, i shkathët dhe i palodhur, por me një lidhje të ngushtë miqësore me klientët. Por edhe një tifoz sporti i prerë për “Lokomotivën” e tij. Përgjërohej pas të nipit Shpendit dhe ëndërronte të bëhej futbollist i dëgjuar.

I një linje me Vasil Markun, mbetet edhe Spiro Puteci. Ka shërbyer në shumë lokale, por në prerjen e mishit ishte një “magjistar”. Jo vetëm shitës, jo vetëm kasap, por njeri që të shërbente pa u ndjerë dhe gëzohej kur klienti largohej me fjalën faleminderit. Autoritar në shërbim, por klientët i njihte si buka që hante.

Pa dashur të bëj konkurentin, kujtoj me shumë nostalgji shitësit e mishit që mbeten të rrallë. Nuk mund të harrohet Petrit Macukulli, Dhori, Rustja, etj. që kanë mbetur si pjesë e mirë, e kulturës dhe artit të të shiturit.

Në emër të mos-harresës jo të gjithë mund të kujtohen

Ky shkrim është një homazh, për të gjithë emrat e famshëm të punonjësve të shërbimit në Durrës. Do të kërkoj të falur, madje një mijë herë të falur, jo vetëm se nuk mund t’i shënosh të gjithë, por jo të gjithë mund ti prekë memorie ime sado e sofistikuar që mund të jetë. Janë shumë që e meritojnë, të paktën t’ua përmëndësh emrin, sepse kanë punuar për këtë, por është e pamundur.

Po të prekesh sektorin e bulmetit rradha e emrave është e madhe. Do ta ngas fjalën për Beje Diglin, nënën e shokut tim të gjimnazit Skënderit. Por është Bulja, por edhe Rukja. Por mund të harrohet gjigandi i tregtisë ushqimore Nazmi Bërdaku. Nëse Kastriot Karamuçan e kam krahasuar më Domeniko Modunjon, pa ngurrim Nazmi Bërdaku ngjason me të famshmin këngëtar italian Serxhio Endrigo. Serioz e korrekt, por edhe humorin e njihte dhe zotnillëkun po ashtu.

Kozma Rexho ju kujtohet? I urtë, plot kulturë dhe shumë xhentil. Punoi edhe ai shumë vite tek dyqani i Xhaxhit.

Po Efterpi Gjonin, shitësen e famshme të mishit të përpunuar (sallameri)? Çfarë sjellje! Po Nora e metrazhit, si ka qenë? Po Roza e famshme e bukës? Po kështu Nurije e bulmetit, Nasi i ushqimores, Vita Semini e magazinimit të peshkut, Lusku i produkteve të detit, Dodona dhe Lushi të zarzavateve, Thimi dhe Besimi të kësaj magazine etj. etj.

Po të prekim riparimin e biçikletave? Dalin emra që na ka marrë malli dhe shyqyr që memoria e jonë nuk është rrëzuar ende dhe flasim me to. Flas me Fadil Kuçin, Nuri Qehajajn, Feridon Deliallisin, Losh Malltezin, Shabën, Xhatin, Verin sa profesionistë që ishin. Biçikletën e kishim mjetin kryesor dhe këta pika riparimi, ishin nga më të preferuarat tonat.

Si mund të anashkalohen Bllacat e jashtëzakonshëm të akulloreve, pinguinëve dhe kasatave tradicionale, unikale dhe të pakonkurueshme. Sul Bllaca, babai i shoqes time të shkollës së mesme Lushkës, ishte virtuozi i atyre akulloreve që shoqëron vetë historinë tonë. Luante me kaushët si xhongler dhe klientëve ua shtonte dy herë shijen e akulloreve, të prodhuar nga shkolla e njohur Bllaca. Tani është Adi që vazhdon famën e krijuar nga i jati. Por edhe miku im i hershëm Farudin Bllaca, është në skalionin tjetër të Bllacëve, por që përbëjnë të njëjtën rrënjë, të njëjtën traditë. Akullorja dhe kasatat e tyre janë magjike, të lyer me aftësinë dhe mjeshtrinë shekullore të disa brezave.

Në mbyllje

Ju miqtë e mi dhe lexues të nderuar të këtyre rradhëve!

Keni të drejtën të shtoni në vëmëndjen tuaj shumë e shumë emra, ashtu si edhe unë kam qenë në të drejtën time, të vendos këto ashtu siç e mendova. Paragjykimi këtu ska vënd, pasi brenda nismës time, është bashkuar malli dhe nostalgjia e pakufi dhe realizova këtë shkrim homazh për ta. Ska rëndësi ndonjë emër i harruar pa dashje, pasi këto janë çështje memorie dhe kujtese. Ajo që vlen të nënvizoj është, të bashkohemi në një pikë dhe të vendosim një emërues të përbashkët. Kemi patur shitës me emër, qytetar të vërtetë, mburrja e kulturës durrsake dhe shprehje e qytetarisë së saj të theksuar.

Bëra një detyrë timin, ashtu siç kam ndërmënd të kryej edhe detyrime të tjera. Madje njërën punë ditësh. Mora përsipër të luaj ndërmjetësin, apo të bëj ndërlidhësin ndërmjet këtij brezi të hershëm të tregtisë së shkëlqyer durrsake, me emra hsitorikë, ku në çdo hap që hedhim, e ndeshim jetën dhe punën e tyre plot mall dhe mbresa. Kjo është arsyeja, që i kujtojmë ata edhe kur takohemi dhe lejmë pika referimi njëri me tjetrin si tek “Xhaxhi”, tek “dyqani i Kadriut”, “tek Dyli”, tek...., tek.... e lista bëhet shumë , shumë e gjatë.

Homazh, homazh, homazh për këta njerëz që pjesa më e madhe e të cilëve, në vënd të frymëmarrjes, na kanë lënë bukurinë e punës dhe kulturës së tyre, duke i shtuar pluse të mëdha, kësaj qytetarie të dëgjuar durrsake.

Pa dashur të zbeh zhvillimin, e sot na duhet të mendojmë se cili, qoftë edhe njëri i ka zëvëndësuar ato. Nuk ngutem për të thënë asnjë. Po edhe një, e kemi të vështirë ta gjejmë.

Prandaj mora lapsin dhe hodha këto rradhë për to, pjesën më të madhe të të cilëve i kam njohur, biseduar, folur e takuar. I kujtova për të vënë në majën e memories tonë mos- harresën, por edhe të shprehim mirënjohje, sa më shumë mirënjohje.

Dhe ky është një detyrim moral, por mbi këtë një detyrim qytetar. Një mirënjohje që prek muret e ndërgjegjës tonë dhe kalon më thellë në mallin dhe nostalgjinë që kemi për ta. Janë pjesë e jona dhe do të mbeten sot dhe më tej pjesë e jona.

Të mos i harrojmë!

Durrës: 22 dhjetor 2020

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: