Fonderia ku përballesh përditë me vdekjen

13/03/2012 - 00:00

Xhevit Gojani
<h4>Xhevit Gojani</h4>

 

Një nga punonjësit tregon sesi u aksidentuar gjatë punës dhe tashmë nuk ka shërim. Asnjë ndihmë nga punëdhënësit, asnjë qindarkë për shpenzimet mjekësore, asnjë telefonatë për të pyetur për shëndetin, asnjë ditë raport apo asistencë. Të gjitha këto pas një viti pune të rëndë ku nuk respektoheshin as normat mbi shëndetin dhe as ato të marrëdhënieve të punës

I ka mjaftuar vetëm një vit punë në fonderi në Durrës shtetasit Xhevit Gojani për t’u përballur me vdekjen. 28-vjeçari i ka shpëtuar mrekullisht një fatkeqësie shumë të madhe duke rrezikuar të lërë në rrugë të madhe gruan dhe vajzën një vjeçe. Shpërthimi në orët e mesnatës i llavës së furrës sapo është hapur kapaku e ka përplasur përtokë, ndërsa Gojani është përmendur vetëm disa orë pas ngjarjes, teksa ishte i shtruar në një nga dhomat e pranimit të urgjencës në Durrës. Pneumologu i sanatoriumit në Tiranë, dr. Pëllumb Hyska dhe prof. asoc. dr. Perlat Kapisyzi, të cilët kanë parë me shumë imtësi të gjitha të dhënat nga blloku i analizave, kanë kërkuar nga 28-vjeçari t’i kthejë kurrizin një herë e përgjithmonë fonderisë. Madje ata kanë shkuar edhe më tej duke e “kërcënuar” të riun se çdo përpjekje për të harruar atë që ka ndodhur me shëndetin e tij dhe rifillimi punës në furrën e plumbit do ta godiste rëndë dhe me pasoja të pariparueshme.

Frika

Xhevit Gojani është një nga shumë të punësuarit në këtë fabrikë të mbuluar me mister që detyrohet të lërë punën dhe t’i nënshtrohet një regjimi të fortë mjekësor, ndonëse nuk ka punuar veçse disa muaj. Gojani ka guxuar dhe ka folur por të tjerë ikin si të trembur sapo u kërkohet të pohojnë se çfarë realisht ka ndodhur me ta. Banorët e lagjes kanë thënë se janë ndeshur me kërcënime të shumta duke i shtyrë ata të heshtin për të mos deklaruar se çfarë ndodh me shëndetin e të punësuarve dhe të lagjes që rrethon fonderinë. Frika deri në panik ka një bazë shumë të fortë pasi ka ndodhur që edhe të punësuar, edhe banorë, të ndeshen fizikisht me administratorët. Strukturat heshtin kur bëhet fjalë për të deklaruar publikisht se çfarë ndodh realisht në këtë fabrikë ku gazrat helmojnë të punësuarit. Këta të fundit detyrohen të shtyjnë ditët njërën pas tjetrës, pasi kërkojnë të fitojnë bukën e gojës për vete e familjen. Të sigurt se askush nuk i merr në mbrojtje shumë, pse jo të gjithë, pranojnë të heshtin, të largohen pa lëshuar asnjë zë. 28-vjeçari Gojani veproi ndryshe duke thyer “rregullat” e përcaktuara nga padroni. Dikush vajti në spital dhe aty në shtratin e tij i tha të mos flasë për asgjë që ka parë në fabrikë. Njeriu iku dhe vet Gojani nuk e mban mend, pasi sapo kishte dalë nga kllapia. Tani ai është i papunë. Të afërmit i janë lutur të mos shkojë më në atë punë të mallkuar e cila ndonëse nuk ia mori jetën, e ka lënë me njëmijë e një shqetësime deri edhe nervore. Mbijetesa e familjes së tij ndonëse e vogël, me gruan dhe vajzën, është vështirësuar shumë. Ilaçet kushtojnë, po ashtu vizitat, ushqimi dhe detyrimet e tjera familjarë. Tani për tani ai ka gjetur mbështetjen e të vëllait, por Xheviti thotë se kjo nuk mund të zgjasë shumë, pasi edhe i vëllai punon ditë-ditë ngase nuk ka më punë në ndërtim, jo vetëm për shkak të motit të ftohtë, por edhe për arsye të tjera. 28-vjeçari del çdo ditë në mëngjes tek vendi ku parkohen kamionçinat të ngarkuar me vinça, skela, dërrasa dhe betoniere në pritje të një pune, qoftë edhe ditore. Rri aty pranë të vëllait. Hesht. Nuk flet, madje duhet ngulmuar ta pyesësh gjatë që të nxjerrë një fjalë. Kjo është një nga pasojat e goditjes nga gazrat dhe shpërthimi në furrën ku punoi kohë më parë. Mjekët e kanë këshilluar familjen të tregojë kujdes dhe, në shenjën më të parë të çekuilibrit shëndetësor, të kërkojnë ndihmë urgjente. Gojani është goditur rëndë dhe këtë mjekët e dinë. Ndaj ata e kanë këshilluar që në mënyrë kategorike të mos kthehet më në atë punë dhe në as një vend tjetër ku ka kimikate.

Aksidenti

Gojani ishte në turnin e tretë në furrën e shkrirjes së bashku me disa punëtorë të tjerë të fabrikës. Puna ishte me turne dhe ata merrnin jo pak lekë në muaj, ndonëse mundi dhe sakrifica ishte shumë më e madhe. Por Gojani e kishte provuar emigrimin. Kishte qenë në Greqi dhe atje më shumë e kishte kaluar pa punë sesa në punë. Familja duhej mbajtur. Në shtëpi ai ka gruan dhe vajzën që tani është pak më shumë se 1 vjeçe. Kështu ai u rikthye në fabrikën të cilën e kishte braktisur në vitin 2009. E njëjta punë, të njëjtët administratorë të ftohtë, të pakënaqur, të rëndë dhe aspak humanë. Edhe ata ishin shqiptarë por kjo nuk kishte aspak rëndësi. Fitimi dhe rendja pas tij kishte zhveshur ndjesinë humane. Kjo është manifestuar disa herë, ndërsa në rastin që tregon Xhevit Gojani mospërfillja arrin kulmin. Në kohën e aksidentit për të nuk u kujdes askush, as pronari, as administratori dhe askush. Asnjë s’u bë i gjallë për të pyetur se çfarë pati, si ndodhi aksidenti. Nuk bëhet fjalë për ndihmë tjetër. Incidenti që i rrezikoi jetën ndodhi në mesnatë. Po shkrihej acid baterish në furrë. Xheviti tregon se në turnin e tretë në furrë ishin pesë punëtorë. Acidi ishte hedhur në një kazan të madh. Ishte nxjerrë nga bateritë që çaheshin e shqyheshin në një kapanon, diku 30 metra larg nga furra e shkrirjes. Pas një procesi shkrirjeje që zgjaste rreth 3 orë, dilte plumb. Gojani kujton se ka qenë muaji qershor i vitit 2011. Tetë muaj më parë. 28-vjeçari tregon se sa hap e mbyll sytë, para tij është shfaqur një shtëllungë e madhe reje, flake dhe gazrash. Kaq dhe asgjë tjetër nuk di ç’ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Punëtorët e furrës kishin menduar se ka përfunduar procesi shkrirjes. Para portës së hekurt të grykës së furrës ishte Gojani, i cili ka zgjatur dorën për të përdredhur masivin e hekurt të derës. Përplasja ka qenë e menjëhershme, në pak sekonda. Punëtorët që kanë qenë aty e kanë marrë dikush duke i vënë duart poshtë shpatullave e të tjerët tek këmbët. Ashtu, në formë barele, e kanë nxjerrë nga fabrika dhe me ndihmën e një mjeti e kanë transportuar për në urgjencën e spitalit. Mjekët janë alarmuar teksa kanë parë të riun në atë gjendje. Urgjenca ka kërkuar natën ndihmën e mjekëve specialistë të cilët për disa orë kanë ndjekur gjendjen dhe treguesit e Gojanit. Në të gdhirë të natës së ngjarjes, Gojani është përmendur por në një gjendje tejet të dërmuar, me fare pak kujtesë për atë që kishte ndodhur dhe me dhembje të mëdha në kraharor. Ndërsa 28-vjeçari përpëlitej në shtratin e urgjencës, familjarët mësuan disa orë më pas për ngjarjen. Ata janë njoftuar nga punëtorët e fabrikës, ndërsa administratorët as që janë dukur. Madje ata janë “interesuar” të dërgojnë vetëm njeriun që i tha ato fjalë në veshin e të sëmurit për t’u larguar i paidentifikuar.

Analizat

Fillimisht Xhevit Gojani i është nënshtruar analizave në Durrës e më pas në Tiranë, tek sanatoriumi. Për shkak të konstatimit të gjurmëve të forta të fushën polmonare, 28-vjeçari është këshilluar të kryejë me shumë urgjencë analizat e gjakut, grafi, skopi, eko, ezhe dhe analiza të tjera të domosdoshme për të përcaktuar jo vetëm shkakun e gjendjes shokuese të pacientit, por edhe pasojat që kishte lënë në organet kryesore. Mjekët, duke parë gjendjen alarmante, e këshilluan familjen e të sëmurit të adresohej për bllokun e analizave në një klinike apo spital privat për të vërejtur sa më parë dhe sa më me garanci se ç’kishte ndodhur. Kështu që pacienti i drejtohet një spitali privat për ezhe, eco, grafi, analiza komplet, ndërkohë që së fundi ai është detyruar të kalojë edhe në skaner. Të gjitha këto rekomandime i ka bërë në rrugë private, duke paguar nga xhepi tij. Asnjë qindarkë nuk u derdh nga fabrika së cilës i është aksidentuar në turn një nga punëtorët. Gojani thotë se, pasi dosja e analizave është mbyllur, mjekët specialistë e kanë rekomanduar të niset sa më parë për një kontroll dhe trajtim, këtë herë më të kualifikuar, në sanatoriumin e Tiranës. Rekomandimi për në Tiranë u pasua me shqetësim të jashtëzakonshëm. Ai u bë menjëherë pacient i dr. Pëllumb Hyskës. Pacienti shtrohet dhe njëherësh përsërit të gjitha analizat dhe kontrollet mjekësore për diagnostikimet, por jo më me lekë siç kishte ndodhur në Durrës. U deshën plot dy javë për diagnostikimin përfundimtar dhe të specializuar. Rezultatet qenë të rënda. Punëtori ishte goditur në zemër dhe mjekët kishin konstatuar se shkak ishin bërë acidet. Ekzaminimet laboratorike kishin konstatuar: “Në fushën pulmore vihet re bronkoektazi cilindrike bazale posteriore sinister (lob inferior) me trashje të shprehur të paretit të bronkeve në këtë nivel” dhe, poshtë përcaktimit të diagnozës, nënshkrimi nga dr. Pëllumb Hyska. Punëtori gjatë qëndrimit në sanatorium është vizituar edhe nga kardiologu Sotir Xhungu dhe pneumologu prof. asc. Dr. Perlat Kapisyzi. Tashmë nuk ka më as fjalë e as justifikime. Diagnostikimi përfundimtar e bënte të paaftë 28-vjeçarin i cili do të duhet të bëjë jetë me shumë kufizime për shkak të ndëshkimit që ka marrë në mushkëri, zemër, kokë dhe në organe të tjera jetike. Që nga 21 qershori 2011, datë e shtrimit në sanatoriumin e Tiranës e në vijim, punëtori do të privohet nga shumë dëshira, ndërsa gjendja e tij emocionale ka ndryshuar. Është bërë njeri i mbyllur dhe me shumë shqetësime e acarime të cilat mjekët specialistë i kanë parashikuar gjatë diagnostikimit. Këshilla e parë dhe e fundit e dr. Pëllumb Hysko dhe e kolegëve të tij për Xhevit Gojanin është të braktisë përgjithmonë atë fabrikë. Ata madje kanë shkuar edhe më tej, duke e paralajmëruar se çdo përpjekje për të shkuar në atë punë do ta përballte shumë shpejt me vdekjen pasi, veç mushkërive, ai kishte goditur rëndë zemër dhe sistemin nervor. 

 

 

Në atë fabrikë ndodhin gjëra të pabesueshme

I katandisur në invalid të përjetshëm, teksa është vetëm 28 vjeç, Xhevit Gojani po përballet prej disa muajsh me indiferencën e pronarëve dhe administratorëve të fonderisë ku u aksidentuar. Megjithëse i janë mbajtur kontributet për sigurimet shëndetësore, ai nuk përfiton asgjë, teksa i duhet që çdo shpenzim për shëndetin ta nxjerrë nga xhepi i vet. I riu tregon për kushtet e rënda të punës në fonderinë ku luhet me jetën dhe askush nuk guxon të hapë gojën, pasi “pronari ka mbrojtjen e shtetit”. “Nëse një ditë aty do të hyjë shteti për të parë se si trajtohen punëtorët dhe çfarë ndodh brenda mureve të saj, do të dalin në shesh shumë gjëra të pabesueshme, tregon ish-punonjësi i aksidentuar. Ata kanë mbrojtje të madhe. Ndryshe nuk kanë as mundësinë më të vogël të sillen me punëtorët në atë mënyrë”.

Sa kohë kishit që punonit në shkrirjen e acidit për të prodhuar plumb?

Në këtë fabrikë kam punuar fillimisht në vitin 2009 dhe pasi e ndërpreva për shkak të emigrimit në Greqi u riktheva në vitin 2010. Puna ishte shumë e vështirë por merrja 40 mijë lekë në muaj dhe për mua ishin më se të mjaftueshme për të përballuar ekonominë. Nuk kisha rrugë tjetër edhe pse e dija se rrezikoja shëndetin. Aty nuk ka punë të lehtë, të rëndë dhe shumë të rëndë. Ai që hyn në atë punë e ka marrë parasysh riskun e madh të dëmtimit të shëndetit. Nuk kishim nevojë të na e thoshte pronari apo administratori këtë, pasi e kishim dëgjuar dhe provuar vetë. Të gjithë e kanë provuar spitalin. Shumë nuk janë rikthyer më, të tjerë janë detyruar nga halli e fukarallëku. Aty nuk ka asnjë masë mbrojtëse. Na detyrojnë të vëmë në hundë një maskë, të mbathim çizme dhe të veshim mushama. Por të gjithë janë të kërcënuar nga rrezatimet, acidet, gazrat, tymi, bloza. Aty nuk ngopesh dot me ajër. Të djeg fyti. Sytë përvëlohen, kruhen, acarohen dhe skuqen, bëhen flakë. Era shumë e rëndë shoqërohet me temperaturën e lartë që vjen nga shkrirja. Ajo është furrë primitive, me teknologji të vjetër. Nuk bëhet fjalë për aspirator. Duhet të jesh hallexhi ku nuk bën më që të sakrifikosh në një punë të tillë. Aty luhet me jetën.

Ju thatë se të gjitha analizat dhe diagnostikimet i keni bërë me lekët tuaja. Nuk keni qenë i siguruar?

Atë e dinë pronarët e firmës. Të gjitha ilaçet unë i marr me lekë në dorë dhe pa as më të voglën ndihmë nga firma. Unë kam një librezë në të cilën cilësohet se më kanë mbajtur për sigurim shëndetësor 3 mijë lekë çdo muaj që ditën kur kam hyrë dhe deri në qershorin e vitit 2011, kohë që u sëmura. Në fillim, kur shkoja tek mjeku, por edhe në farmaci, e merrja librezën me vete duke u përpjekur të përfitoj sado pak rimbursim të ilaçeve. Unë blej çdo muaj 7500 lekë ilaçe dhe nuk është pak. Mjekët dhe farmacistët më kanë thënë se nuk përfitoj asgjë pa më shpjeguar. Libreza ime me numër 0062911 ka edhe numrin e Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që është 40703241 E. Libreza në faqen e parë ka nënshkrimin e vulën e kompanisë, në faqen e fundit firmën dhe vulën e sigurimeve. Megjithatë nuk merret parasysh. Kam shkuar tek sigurimet për të mësuar nëse vërtet jam i siguruar apo jo. Ka qenë e pamundur. Më janë nxjerrë njëqind pengesa dhe nuk e kam mësuar këtë. Unë dyshoj se libreza është fiktive. Nuk e kuptoj se si ndodh që të aksidentohesh në punë dhe firma të mos marrë përsipër të paguajë një analizë, raportin mjekësor apo asistencë. Kam shkuar për të marrë librezën e punës. Kush ta jep? Askush. As që do t’ia dijë ndokush aty për këtë gjë. Thuajse nuk më njeh asnjë njeri aty. E çuditshme. I bie portës dhe roja, sapo merr vesh që kërkoj të takoj dikë të administratës, më nxjerr një justifikim për të mos më hapur portën. Kështu bënin me të tjerë kur unë isha punëtor aty. Mua më takon edhe pagesa e raportit, edhe pagesa e ilaçeve, siç duhet të përfitoj asistencë. Ligjet e shtetit, Kodi Punës e ka të përcaktuar edhe rastin kur aksidentohesh, rastet e raporteve të paaftësisë së përkohshme, lejen e zakonshme apo asistencën. Për leje të zakonshme as që bëhet fjalë aty. E kush guxon ta kërkojë se nesër del në rrugë të madhe. Aty punohet edhe të dielën, edhe në ditë feste. Nuk ka pushim. Përfitimi gjatë periudhës që kam punuar ka qenë fakti se rrogën e merrnim vazhdimisht dhe nuk punonim më shumë se 8 orë në turn. Aty në atë fabrikë nuk hyn këmbë kontrolli. Atje flitet se nuk guxon kush nga shteti të kontrollojë se sa janë të punësuar, në ç’kushte punohet, çfarë bëhet dhe a është e ligjshme. Sipërmarrësit janë të fortë e të lidhur. Ne e kemi me të dëgjuar, por ka shumë të vërteta që thuhen e nuk thuhen. Njerëzit që janë të lidhur me fabrikën janë të gjithë të vobektë dhe nuk guxojnë të ngrenë kokë. Çdo lëvizje brenda kontrollohet. Natën ka më shumë punë sesa ditën. Ditën duket sikur flihet brenda në fabrikë, kurse natën nuk pushon puna. Hynë e dalin kamionë. Shkarkohen e ikin pa u ndier. Përpunimi tyre bëhet në kapanone të posaçme. Na kanë thënë të mos pyesim e as të mos bëhemi kureshtarë për gjëra të tjera.

 

Aty në atë fabrikë nuk hyn këmbë kontrolli. Atje flitet se nuk guxon kush nga shteti të kontrollojë se sa janë të punësuar, në ç’kushte punohet, çfarë bëhet dhe a është e ligjshme. Sipërmarrësit janë të fortë e të lidhur. Ne e kemi me të dëgjuar, por ka shumë të vërteta që thuhen e nuk thuhen. Njerëzit që janë të lidhur me fabrikën janë të gjithë të vobektë dhe nuk guxojnë të ngrenë kokë. Çdo lëvizje brenda kontrollohet. Natën ka më shumë punë sesa ditën. Ditën duket sikur flihet brenda në fabrikë, kurse natën nuk pushon puna. Hynë e dalin kamionë. Shkarkohen e ikin pa u ndier. Përpunimi tyre bëhet në kapanone të posaçme. Na kanë thënë të mos pyesim e as të mos bëhemi kureshtarë për gjëra të tjera

A keni kërkuar shpjegime për mospagesën e raportit dhe të asistencës?

Aty askush nuk flet. Janë të ndaluar të tregojnë se ku është administratori apo pronari. Ata vijnë me makinë dhe futen në fabrikë. Kur largohen bëjnë të njëjtën gjë, me makinë. Sapo afrohesh tek sporteli i portës së jashtme më thonë të tregoj fletë-hyrjen. Unë nuk e kam atë, se tani nuk punoj në fabrikë prej 8 muajsh. U sëmura në punë dhe më takon, por nuk ka kush të më marrë në mbrojtje. As mua dhe as të tjerë që e kanë pësuar si unë. Aksidentet janë të përhershme për shkak të mungesës së kushteve të punës. Pronarët e fabrikës nuk kanë marrë mundimin të bëjnë qoftë një telefonatë të vetme sa për të pyetur për shëndetin. Nëse një ditë aty do të hyjë shteti për të parë se si trajtohen punëtorët dhe çfarë ndodh brenda mureve të saj, do të dalin në shesh shumë gjëra të pabesueshme. Ata kanë mbrojtje të madhe. Ndryshe nuk kanë as mundësinë më të vogël të sillen me punëtorët në atë mënyrë. Në bisedë me punëtorë të tjerë kam mësuar se të njëjtin fat kanë pasur edhe ata. Më kanë thënë se nuk duhet të shkoj të kërkoj me këmbëngulje, se do të bëj sherr dhe se nga kjo grindje të humbur dalim ne që nuk na mbron njeri. Ç’është e vërteta, kam vendosur të ankohem edhe më lart. U bënë gjithë këto muaj dhe meqë nuk mora një përgjigje, pse duhet të pres më. Kam ruajtur të gjitha analizat, diagnostikimet e bëra dhe raportin. Mjekët e Tiranës më kanë këshilluar të bëj regjim shtrati në shtëpi për një muaj. Ky raport dhe ai i spitalit ku kam qenë i shtruar, janë detyrim për kompaninë të më paguajë aq sa është shënuar në modularin përkatës. Ato mbajnë firmën e mjekëve të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” dhe nuk e di se si guxojnë pronarët të mos e njohin firmën e tyre. I kam dërguar raportet dorazi por nuk m’i mori njeri. Më thanë në derë se nuk ka në administratë person që merr raportet dhe se duhej të takoja administratorin. Shko e hajde. Të njëjtën rrugë për muaj me radhë. Ata jo vetëm që nuk kanë ndier përgjegjësi për atë që kanë bërë me shëndetin tim dhe të punëtorëve të tjerë, por shpërfillin edhe firmën e mjekëve. Kur ishim në punë, dëgjoja të tjerë se si firma nuk pranonte asnjë raport nga mjekët. Kishin mjekun e tyre, i cili nuk kishte lëshuar ndonjëherë raport. Unë nuk kam pasur ndonjëherë nevojë, por kështu kam dëgjuar nga punëtorët.

Cilat janë shqetësimet që ndieni sot pas trajtimit të gjatë brenda e jashtë spitalit?

Nuk jam më si më parë. Më duket se trupin e kam të huaj. Lodhem shpejt. Më këputen këmbët. S’kam siguri të qëndroj një minutë i vetëm. Jam bërë nervoz dhe këtë e kuptoj. Kështu më ndodh në shtëpi dhe jashtë saj. E kam të pamundur të duroj. Acarohem. Dua të mos më kundërshtojë njeri. Dhembja kokës nuk më pushon as ditën e as natën. Fle shumë pak dhe gjumin e bëj të çrregullt. Trazohem gjithë natën. Kam therje shumë të forta të gjoksit dhe me dhemb kraharori. E kuptoj se jam bërë i vështirë, por mjekët më kanë thënë se këto shenja janë të pritshme për sëmundjen që kam kaluar. Tani më duhet të shkoj një herë në gjashtë muaj për vizitë dhe përsëritje të analizave dhe diagnostikimeve. Nuk e besoj se si jam bërë invalid. Kam qenë shumë i shëndetshëm, tani më kanë lënë forcat. Edhe nëse gjej punë, e kam të vështirë të përballoj punën fizike. Më ka rënë rezistenca dhe ndiej se nuk jam në gjendje shëndetësore për të përballuar punën. Më duhet të pres. Jo që nuk kam shpresë se dikush në qeveri do e marrë në konsideratë kërkesën time. Flasin letrat e mjekëve, nuk është e nevojshme të marrin asnjë fjalë tjetër për bazë. Kërkoj vetëm atë që më takon. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin

“L’Ouest-Eclair” ka botuar, të dielën e 11 tetorit 1914, në faqen n°4, shkrimin e “La Stampa-s” së Torinos në lidhje me hyrjen triumfale

  • Nostalgjia dhe malli vijnë për ta shqyer shpirtin
  • Në reagim të një diskutimi nisur në një rrjet social

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botë