Gjenerali i lavdishëm që nuk kërkonte lavdi, por ajo, ajo e ndoqi në çdo hap të jetës!

13/08/2020 - 19:39

NGA PANDELI BARDHI

Sa herë që vjen 15 Gushti, kujtojmë “Heroinën e Popullit” Brigadën e Parë Sulmuese, kujtojmë Heronjtë e saj, kujtojmë të lavdishmin Muhamet Prodani. Brigada “Heroinë” lindi nga “barku” i saj jo pak, por katërmbëdhjetë të tjerë “Heronj të Popullit” dhe nxori nga gjiri i saj treqind e shtatëdhjetë e një “Dëshmorë të Atdheut. Midis “Heronjve të Popullit” është edhe Muhamet Prodani, i cili “lindi” luftëtar, udhëhoqi si strateg e mbeti hero legjendar, legjendë e luftës dhe e punës që historia e ka vendosur në altarin e pavdekësisë. Ishte ndër ata të paktë trima që mbajti tre yje, atë të gjeneralit, të “Heroit të Popullit” dhe atë të “Legjendarit”. “Ai ishte dhe mbetet legjendë”, thotë midis të tjerave Kryetari i Komitetit Kombëtar të veteranëve, Rustem Peci. E megjithatë, këta tre yje, për Muhamet Prodanin, janë si të themi një bashkim i shumë “yjeve” që ai mbartte në vetvete, si ai i trimërisë, i ndershmërisë, i thjeshtësisë, i zgjuarsisë etj., që gjithmonë do të ndriçojnë me tërë shkëlqimin e tyre e nuk do të veniten kurrë ndër shekuj. Si luftëtar e strateg i lindur, me zgjuarsi e aftësi të rrallë, udhëhoqi formacionet që nga ato më të vogla në Luftën e Madhe Nacionalçlirimtare e deri në ato më të larta mbas çlirimit të vendit. Yjet e mëdhenj, atë të “Heroit të Popullit” ja dhanë organet më të larta të përfaqësuesve të popullit për cilësitë e tij të rralla, kurse yllin tjetër, atë të “legjendës” ja dha populli, ja dhanë bashkëluftëtarët e tij, ja dhanë brezat e luftës dhe të punës. E filloi karrierën e tij të luftës si luftëtar i thjeshtë, si antifashist i tërbuar, si atdhetar i flaktë qysh në vitet e adoleshencës, për të vazhduar në atë të Komandantit të Njësitit në Çetën e Kolonjës e të Komandantit të Kompanisë në batalionin “Hakmarrja”, për të vazhduar në detyrën e Komandantit të Kompanisë së I-rë, të Batalionit të I-rë në Brigadën e Parë Sulmuese. Tërë jetën e tij, në luftë e pas saj, i parë ndër të parët, edhe si komandant, edhe si gjeneral, edhe si Hero i Popullit, edhe si legjendë. Pak kohë përpara se të zhvillonte punimet Kongresi i Përmetit u emërua në detyrën e Komandantit të Brigadës Heroinë e më pas, në atë të Komandantit të Divizionit të III-të. Luftëtarët e të gjitha formacioneve ku ai drejtoi, ja dinin aftësitë e tij drejtuese dhe komanduese prandaj edhe e duartrokisnin në çdo detyrë që kreu, që nuk dinte të mburrej njëherë, që nuk e deshi lavdinë, por që lavdia, e ndoqi gjatë tërë jetës së tij këmba këmbës. Me shumë të drejtë kundëradmirali veteran Ziqiri Mero, sot i “shpërblyer” nga Zoti me njëqind e një vite mbi kurriz, përlotet si fëmijë tek i kujton Muhamet Prodanin, mikun e tij më të ngushtë qysh në adoleshencë në bankat e shkollës. “Kujtoj të gjithë shokët e sidomos Muhametin, se një pjesë të madhe të jetës e kemi kaluar bashkë. Jemi njohur që adoleshentë, në Korçë kur vazhdonim shkollën e mesme. Ai nga Kolonja, unë nga Devolli, por seç na lidhte, seç na bashkonte një diçka e veçantë. Ajo na bëri shokë. Erdhi lufta e na mori. E si mund të rrinim! Zjarri i luftës po ndizej ngado. Kishim të njëjtin ideal. Të dy vumë armët në supe e dolëm malit për liri. Ai në çetën “Kolonja”, unë në çetën “Morava”, ai në batalionin “Hakmarrje”, unë në batalionin “Fuat Babani”… Na bashkoi Brigada I në Vithkuq. U përqafuam si vëllezër. Të dy na bënë komandantë në kompani të ndryshme. Trim ishte, trim i madh. Nuk e njihte frikën e nuk iu tremb syri kurrë. Kishte diçka të veçantë që e dallonte nga ne të tjerët: Ishte i heshtur si ai. Populli thotë; mat shtatë here e pri një herë, por Muhamet Prodani si ushtarak ishte nga ata luftëtarë që heshtte shtatë herë e sulmonte dy herë… Dhe kur sulmonte ishte i papërmbajtur…..Kur Mehmet Shehu shkoi në Divizionin I dhe në vend të tij u caktua Komandant Muhamet Prodani, entuziazmi i luftëtarëve, ishte i paparë. Nuk kishte zgjidhje më të bukur, më të saktë, më dinjitoze e më të goditur. Me Muhamet Prodanin Brigada I nuk e humbi lavdinë, përkundrazi e rriti edhe më shumë. Muhameti nuk kërkonte lavdi, lavdia, atë e ndiqte dhe e ndoqi gjatë tërë jetës... Në heshtjen e tij fshihej pjekuria, guximi, mençuria, vetëpërmbajtja. Një gjeneral pa vetëpërmbajtje mund të kthehet në rrezik. Por Muhamet Prodani, e ndalte rrezikun, ishte vetë vetëpërmbajtja…Si rrallëkush shkëlqeu në Luftën për Çlirimin e Tiranës, në qendër të formacioneve që morën pjesë në këtë betejë heroike, ishte Brigada e I-rë, e në krye të saj ishte strategu Muhamet Prodani. Lavdia do e ndiqte atë edhe në betejën për çlirimin e Dibrës. Do të takoheshim shpesh mbas vitit 90-të e në çdo takim do të kujtonte heroizmin e shokëve të tij, që mbuluan me heroizëm e lavdi çdo pëllëmbë të kryeqytetit. Mendohej e kujtonte me nostalgji vendet ku gjermanët kishin groposur një tank, aje kur e morëm postëtelegrafën, atje…”. Mbas çlirimit kryen detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Kufirit, Komandant i Korpusit të Gjirokastrës, Drejtor i Përgatitjes Luftarake, Drejtor Operativ etj., ku aftësitë e tij drejtuese dhe organizuese, spikatën kudo. “Tërë karrierën time ushtarakë thotë ushtaraku i lartë në pension, Kiço Tele, unë nuk kam parë një drejtues të tillë që të njihte me aq hollësi terrenin në çdo cep të Shqipërisë, kudo ku kryenim stërvitje që nga Jugu e në Veri të Shqipërisë. Mendja dhe dora e tij, ku do të vendoseshin formacionet luftarake të njësive e reparteve, ishin “stampë” dhe askush nuk i diskutonte më, jo se ai ishte “i Madhi”, por ishte i afti, i dituri, ishte si të them, “në mendjen e të gjithëve”. “Të rrallë janë gjeneralë të tillë që drejtojnë me kaq kompetencë”, do të shprehej kryetari i një delegacioni nga Traktati i Varshavës në vitin 1959, kur dëgjoi raportimin e gjeneral Muhamet Prodanit në një stërvitje të madhe në zonën e Durrësit. Nuk kam ndërmend të bëj historikun e tij në detyrat që ai kreu qysh nga ato më të ulëtat e deri në ato më të lartat sepse ndoshta mua do të më duken si të parëndësishme përballë cilësive të tij që rrallë kush i kishte. Dëshmitarët, edhe dje në luftë edhe mbas çlirimit, janë të shumtë që flasin përmes lotëve për këtë kolos e trim të rrallë, këtë atdhetar që i shërbeu me nder e dinjitet atdheut të vet. Shfletojmë kujtimet e Orhan Frashërit, i cili kohët e fundit është ndarë nga jeta. “Kishte nja dy muaj e ca, që ishte formuar njësiti partizan në fshatin Kozel. Ishte marrë vendimi që njësiti të kthehej në çetë partizane. Kandidat i mundshëm për komandant ishte menduar Zylfo Rajani nga fshati Rajan. Po kush do t’ia thoshte Zylfos dhe a do të pranonte? Duheshin gjetur njerëz që t’u peshonte fjala e t’u zinte vend, se Zylfo Rajani ishte nga ata që, po mos dije të bisedoje, të turpëronte. “Shkoj unë”,- tha Muhameti. E njoh e kemi miqësi familjare. Mendohu mirë, i thanë, se Zylfos i pret sëpata thellë! Muhamet Prodani nuk e bëri dysh, por tha: “Kush do të vijë me mua”? Me vete mori Petrit Dumen dhe mua. Arritëm në shtëpinë e tij. “Po ngrihen gjithandej kundër fashistëve, tha Muhameti. Duhet të ngrejmë çetën”. Jemi të vonuar, -tha Zylfoja. Po ja, sa të gjejmë komandantin, tha Muhameti që i erdhi në shteg. Në Kolonjë, s’gjen dot komandantë- qeshi Zylfoja. Nga partia është menduar që komandant të jeni ju. Jeni apo nuk jeni dakord?- i tha Petrit Dumja. “Ç’është ajo,- tha Zylfoja! Bëhet fjalë për të luftuar fashistët dhe për të çliruar vendin”. “E more përgjigjen, o Petrit, - i tha Muhameti. Tani të nisemi se partizanët presin komandantin, tha Muhameti. Unë nuk mund ta harroj kurrë se si ai djalë i ri, dinte të ngiste muhabetin, si burrë që dinte ta lozte gishtin e pushkës si luftëtar i rrallë. Ai s’pyeste as për të bërtiturat e komandantit e as për të komisarit, as për fishkëllimën e plumbave. Mes tyre sulmonte. Kur u bë vetë komandant u bërtiste partizanëve të ruheshin se “plumbi nuk bën dredha”. Trimat kanë diçka të çuditshme, të papërcaktuar sikur edhe plumbi nuk i zë. Më pas Zylfo Rajani dezertoi nga radhët e çetës partizane të Kolonjës dhe u bashku me Ballin Kombëtar. Të gjithë mbetëm të çuditur, se nuk u besohej. Muhamet Prodani i dërgoi haber: “Ktheu aty ku e ke nderin, Zylfo”! Ishte një kërkesë prej miku e Komandantit të Divizionit të III-të. Më pas, Zylfo Rajani u pendua, në mendje i kishin mbetur fjalët e Muhamet Prodanit. “Ktheu aty ku e keni nderin Zylfo”! Aktiviteti i mëvonshëm tregoi që vendi i tij kishte qënë me të vërtetë atje ku i tha Muhamet Prodani”, e mbyll bisedën e tij Orhan Frashëri.

 Çdo ditë në bulevardin kryesor të qytetit të Korçës, do të shohësh një të moshuar pak të kërrusur që shëtit në orët e mbrëmjes me një shkop në dorë. Më thonë që është Selami Kreka nga Krosnishti i Gorës, i cili i ka kaluar të nëntëdhjetat. I afrohem dhe e pyes: “Më falni, juve jeni Selami Kreka”? “Po, unë jam, më thotë, po juve kush jeni”. Mbasi i prezantohem, midis të tjerave, meqenëse ka qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, i kërkoj nëse ka ndonjë kujtim nga Komandanti i Batalionit të Brigadës I-rë Sulmuese, Muhamet Prodani. Selamiu, qëndron pak dhe i rrjedhin lot. “Ah more djalë sa shumë kujtime kam unë për atë burrë të Madh, për atë Komandant Legjendar, për atë trim që shok kishte veten, për atë që megjithëse nuk ishim në të njëjtin batalion, do të gjeja momentin e të takohesha me njeriun që më kishte hyrë aq shumë në zemër, atë që mbasi ju prezantova i thashë edhe për “gënjeshtrën” që kisha bërë në çetën e Gorës, kur kërkuan partizanë për në Brigadën e I-rë Sulmuese. “Jeni shumë i ri”, më tha komandanti i çetës. “Unë këmbëngula që nuk isha i datëlindjes 1931, por i 1926-ës sepse nuk kisha rrugë tjetër përveçse të gënjeja. “Muhamet Prodani, më shtrëngoi fort e më tha: “Dashuria dhe sakrificat për atdheun e pushtuar, nuk njohin moshë. Bashkë do të jemi e sëbashku do të luftojmë”! “E ç’të them më parë për atë burrë. U plagos në Dukat të Vlorës, atje ku forcat balliste i bënë pritë Brigadës së I-rë Sulmuese. I qëndrova pranë dhe qaja me ngashërim. Muhameti duronte dhimbjet, por nuk përmbante lotët për shokët e rënë”.

Diktatura, si të gjithë të tjerëve, e “gërvishti” por nuk mundi t’ia heqë as shkëlqimin dhe as lavdinë gjeneralit Muhamet Prodani. Lavdinë, ata e stamposën me gjak e me trimëri, e përjetësuan ndër shekuj. “Kolonjë e bukur Kolonjë/ Ç’t’u bënë gjeneralët që nxore/ në Luftën e Dytë Botërore”. Ata janë e do të mbeten mes nesh, do të mbeten mes lavdisë që kurrë nuk mund t’i errësojnë shumë “çapaçulë”, që sot kanë dalë nga “vrimat e errëta” që kërkojnë errësirë...

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: