Gjimnazi 3-vjeçar, gati maturat e para

10/01/2012 - 00:00

Alma Rakipi, përgjegjëse e sektorit të Kurikulës dhe Cilësisë pranë DAR, Durrës
<p>Alma Rakipi, përgjegjëse e sektorit të Kurikulës dhe Cilësisë pranë DAR, Durrës</p>

 

Ethe për nxënësit dhe prindërit, e cila shoqërohet me shqetësimin e mësuesve dhe të drejtorëve të çdo shkolle të mesme. Të gjithë kërkojnë të kenë përfundime sa më të mira. Vlerësimi i pritshëm përmbush interesin e nxënësit dhe prindit, ndërsa mësuesi, drejtori dhe shkolla marrin notën e tyre

 

Ky është viti i parë që gjimnazet mbyllin ciklin tre-vjeçar, ndryshe nga tradita katër-vjeçare, dhe maturantët si zakonisht në fund do të ballafaqohen me provimet e maturës shtetërore. Në pamje të parë duket si një dukuri apo veprim rutine, që përsëritet çdo vit në qershor. Ethe për nxënësit dhe prindërit, e cila shoqërohet me shqetësimin e mësuesve dhe të drejtorëve të çdo shkolle të mesme. Të gjithë, sipas pozicionit që kanë, lakmojnë dhe kërkojnë të kenë përfundime sa më të mira. Nuk është shaka. Vlerësimi i pritshëm përmbush interesin e nxënësit dhe prindit, ndërsa mësuesi, drejtori dhe shkolla, në një farë mënyre, edhe ata marrin notën e tyre. Po ky vit ka disa kërkesa disi të veçanta, meqenëse ka ndryshuar struktura e lëndëve, ose (kurikula) dhe raportet mes lëndëve shoqërore dhe atyre shkencore kanë ndryshuar. Nxënësit i është dhënë mundësia të zgjedhë sipas dëshirës, prirjeve dhe aftësive, se ku e ndjen veten më të zot dhe kështu, t’i përkushtohet më shumë. E thënë me pak fjalë, nxënësi të mendojë e ta gjejë vetë ç’mund të bëjë më mirë, në mënyrë që të përmbushë ambiciet e tij për arsimin e lartë. Në fakt nuk është e lehtë. Dihet, por më shumë ndjehet, sepse është prova e parë, ndaj dhe përpjekjet e të gjitha strukturave të arsimit janë të mëdha.

Në bisedë me znj. Alma Rakipi, përgjegjëse e sektorit të Kurikulës dhe Cilësisë pranë DAR, Durrës, mësojmë se problemet kryesore, më të rëndësishme, të cilat ndiqen me përparësi, për gjatë gjithë këtij vitit mësimor, janë kurikula dhe këshillimi për karrierë. E si themel i tyre qëndron cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Një raport bashkëpunimin mësues-nxënës, i domosdoshëm, i kërkuar e i vendosur në harmoni mes tyre.

Përgjegjësja Rakipi thotë se gjatë gjithë kohës, por sidomos në këtë vit të fundit, në vëzhgim është kurikula mësimore, për të tre vitet e gjimnazit, por në veçanti për klasën e 12. “Ka shumë rëndësi, pasi është një formë dhe përvojë e re, ndaj na duhet të kërkojmë e të gjejmë metodat dhe mjetet më të dobishëm. Nuk është e lehtë, por jo e pamundur. Kam bindjen, se nuk është thjesht çështje ndërgjegje, apo morali, mbase edhe këto qëndrojnë, por kemi përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e nxënësve tanë. Nuk duhet t’u lemë gjë mangut, që nesër të pendohemi. Ne, natyrisht së bashku me mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, po përpiqemi e po bëjmë punën tonë, që nxënësi ta gjejë vetveten, të kuptojë, të mendojë e të përfitojë sa të jetë e mundur më shumë”.

Aspekti tjetër është këshillim karriere. Janë maturantët e parë, të cilëve po u jepet mundësia të gjejnë drejtimin më të mirë, për të qenë të suksesshëm në jetë. “Pse ta fshehim, është një koncept i ri dhe praktikë e re, ndaj si fillim pati vështirësi për ta kuptuar e zbatuar, aq më tepër që, brezi ynë i mësuesve nuk është ndeshur, e as i ka njohur më parë. Tani sikur jemi familjarizuar dhe po kuptojmë, sa vlerë ka të këshillohen dhe të orientohen nxënësit, për atë që duhet të zgjedhin,- thotë Alma Rakipi. Është fjala për degën dhe universitetin, i cili u plotëson më mirë kërkesat dhe pretendimet. Universitetet e ndryshëm po sjellin kalendarin, ku përcaktohen edhe veprimtaritë të cilat duhen të ndiqen nga studentët e ardhshëm. Kur e mendoj veten dhe kohën tonë, atëherë kur gjithçka vendosej nga të tjerët, them se ky brezi ri është me fat”.

Një proverb i vjetër arab thotë: “Shkolla le të jetë edhe një kasolle me kashtë, po me mësues të mirë”. Sot për sot, një lloj kontrolli i cilësisë së mësimit dhe nxënësit, janë provimet, qofshin ato të lirimit në shkollat 9-vjeçare, apo të maturës shtetërore. Janë më të saktët dhe më të paanshmit, sepse kontrollohen dhe vlerësohen nga të tjerët. Përfundimi është nxënësi që nxjerr shkolla. Po hapësira kohore deri te provimi, për ta matur punën dhe cilësinë, është mjaft e madhe. Ne na mbetet në dorë vetëm fakti i kryer, të cilin kemi të drejtë ta gjykojmë, por që nuk e ndryshojmë dot, edhe sikur të duam. Shtojmë këtu se nxënësi, gjatë viteve në shkollë kalon në disa mësues. Kështu sikur mbetet faji pa zot, që siç thotë një fjalë e moçme, edhe kur u bë qyrk, në ditë të ftohta dimri, nuk e veshi kush.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Durrësi dhe i gjithë vendi u tronditën sot rreth orës 16.00 nga dy lëkundje të forta sizmike që pasuan njëra-tjetrën brenda pak minutash.

*(In Memoriam për Djemtë e Kostë dhe Maria Boshkut)

Nga Gëzim Kabashi

Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihet në ndarjet e reja administrative si lagjja nr 11, kalonte çdo ditë një

Ndërtimi i portit modern të Durrësit ka nisur në fund të viteve 1920, në të njejtën kohë kur filloi edhe ndërtimi i institucioneve dhe i

Nëntoka e lagjes 11 në qendër të Durrësit i ka befasuar përsëri arkeologët me një zbulim të ri, ndërsa bashkëjetesa e ndërtimeve të fundi

Nuk ka qytet në Shqipëri për të cilin të jetë shkruar më shumë se sa për Durrësin, po ashtu edhe për portin e tij.

Duke lundruar dhe u lëkundur mbi barkë, vetëm kështu mund t’i pikasësh një buzëqeshje në fytyrë Anna Ninës.

*Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ka qenë, është dhe do të mbetet epopeja më e lavdishme e popullit tonë.