Greta Bilali, gruaja që ndan të njëjtën bindje politike me të shoqin, por adhuron profesionin

09/10/2012 - 00:00

 

Pas daljes nga shtëpia dhe nxitimit për të mbërritur në klinikën dentare, dita nis me gjerbjen e një filxhani çaji me kafe turke. Shija dhe efekti i kafes do ta shoqërojë disa herë gjatë ditës, pasi ajo prej vitesh është kthyer në pjesë të rutinës ditore që ndihmon për të përballuar më lehtë ngarkesën. Greta është një grua që të tërheq që në takimet e para. Jo për shkak të bashkëshortit, po të asaj që është vetë. Ka një marrëdhënie gati dashurore me profesionin.

Të tërheq me mënyrën si e përdor komunikimin, përgjigjet e shkurtra që nuk lënë shumë shteg për t’u ngacmuar më tej, pasi ke ndjesinë se do të gjesh një derë refuzimi, gjithsesi të ngrohtë. Ashtu si çdokush, ka gjëra që nuk do të donte t’i ndante me të tjerët, ndërsa me tërë qenien e saj reflekton krenarinë e brendshme. Pavarësisht ujërave që kanë rrjedhur e rrjedhin në jetën politike të të shoqit, ajo mbetet e njëjta. Larg imazhit të krijuar rëndom nga gra spitullaqe e të verbëra pas parasë e pushtetit dhe shpenzimit të tyre me atë që rëndom pëlqejnë ta quajnë “klas”, pavarësisht se klasi nis nga brenda. 

 

Natyrisht që vitet dhe eksperienca e fituar ndikojnë duke sjellë që gradualisht nga një person që ke dëshirë të flasësh para se të mendohesh gjatë në një person që mendohesh gjatë para se të flasësh. Megjithëse jemi vetëm 40 km larg Tiranës si distancë, gratë e Durrësit dhe qyteti ynë në përgjithësi është shumë më tepër larg përsa i takon sfidave të progresit shoqëror

E nëse thonë se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e mirë, Greta Bilali nuk është një grua në hije, po një grua e suksesshme dhe e zonja në profesionin e saj, po aq sa dhe i shoqi. Madje nuk janë të paktë ata që mendojnë se ajo është po aq e suksesshme në mos dhe më shumë se i shoqi, vetëm se në një tjetër fushë.

Teksa emri i bashkëshortit të saj, Ferdinand Xhaferajt u deklarua si kandidati zyrtar që do t’i kthente së djathtës pushtetin në qytetin nr.2 të vendit, si votuese do të kisha dashur që të ishte ajo në një përballje për administrimin e qytetit. Mbase për shkak të angazhimit të përkushtuar ndaj profesionit, korrektësisë, komunikimit dhe ngrohtësisë që të imponon. Vepron në një fushë ku konkurenca ndër vite është ashpërsuar e megjithatë përveçse një stomatologe e mirë ka treguar se është dhe një menaxhere e zonja e aktivitetit të saj. Një nga të paktat imazhe pozitive të fushatës së kaluar për zgjedhjet lokale erdhi përmes një pamjeje të ngrohtë familjare që përcillte ngjyra, harmoni, qëndrueshmëri dhe mbi të gjitha një marrëdhënie të shëndetshme. Përmes saj imazhi i Greta Bilalit, gruas së Ferdinand Xhaferajt zgjoi mjaft interes te ata që nuk e njohin, ose e njohin pak.

Gjithnjë lëvizim nëpër botën tonë të madhe e të vogël duke mbartur me vete shpesh kureshti për jetët e të tjerëve. Kush janë? Çfarë bëjnë? A gjenerojnë mendim? Çfarë fshihet pas tyre? Jo rrallëherë ndeshim njerëz pozitivë e të mençur, komunikues e punëtor që na bëjnë për vete. Kuptohet kushdo nga ne ka pëlqimet dhe tërheqjet personale në morinë e tipave dhe karaktereve që na rrethojnë dhe na qëllon të takojmë. Ajo që është e pëlqyeshme për dikë, nuk është për një tjetër. Kushdo vetorientohet në qerthullin e pëlqim-mospëlqimit shpesh i diktuar nga vlera, parime dhe herë të tjera nga ajo që na lejohet të shohim e vlerësojmë. Sipërfaqësia gjithsesi është bërë pjesë e botës sonë.

Nxitoj t’i bëj disa pyetje për të sjellë një profil më publik për të, ndërsa diku syri më zë një komunikim të shkruar, ku i shoqi i drejtohet me fjalën: Jetë.

Diçka për historinë e emrit tënd... 

Me sa më kanë thënë prindërit emri im, Algreta, që në gjendjen civile e transformuan disi, ishte produkt i mirëkuptimit të dëshirave të tezes dhe nënës sime. Ndihem mirë me emrin Greta.

E zgjodhët stomatologjinë apo ju zgjodhi ajo?

Mendoj se në çdo kohë dhe veçanërisht për vajzat çështja e shkollimit është objekt i një diskutimi të zgjeruar familjar. Si vajzë e vetme kuptohet që edukimi im për stomatologji ishte frut i diskutimeve dhe kontributeve të prindërve dhe rrethit familjar.

Si ndjeheni pas kaq vjetësh në ushtrimin e këtij profesioni, pjesë e listës së profesioneve të dëshiruara nga të rinjtë?

Jam e kënaqur me profesionin e stomatologes. Së bashku me koleget e tjera kemi krijuar një ekip dhe mendojmë se japim shërbim të mirë. Profesioni është relativisht i vështirë, sepse kërkon impenjimin personal dhe kryesisht pa delegim te çdo pacient që trajtohet. Fakti që stomatologjia po shndërrohet ndjeshëm në profesionet e dëshiruara për rininë tregon se rinia e sotme po bëhet edhe më shumë pragmatiste.

A ju ka shkuar ndërmend që dhe vajza juaj të orientohet në këtë drejtim?

Dëshira ime ka qenë që vajza të trashëgonte profesionin tim, por më duhet të pranoj se ajo ka zgjedhur të orientohet në drejtim tjetër.

Cila është “arma” që përdorni për te kaluar momentet e vështira në familje dhe kush është më tolerant?

Mendoj se raportet funksionojnë kënaqshëm dhe kjo nuk përjashton rastet kur kemi kaluar momente të vështira. Besoj se biem dakord që pa momentet e vështira nuk do të dinim të vlerësonim si duhet edhe momentet e mira. Lidhur me tolerancën do të doja të isha unë më tolerante, por më duhet të pranoj se Fredi është më tolerant.

Ç’raport keni me paranë? Me të bërit shopping?

Më pëlqen të bërit shopping dhe mundohem ta shfrytëzoj me maksimumin e mundësive të mia. Ashtu si shumë të tjerë, kur veshjet e firmave të njohura mundësohen me ulje çmimesh të shijojnë dhe më shumë.

Për gratë e deputetëve, ministrave është krijuar përshtypja që shpenzojnë paratë dhe privilegjet që burrat me postet e tyre ua sigurojnë. Ju jeni pjesë e këtij ambjenti. Ç’opinion keni?

Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë. Duke mbetur te vetja mund t’ju them se në familjen tonë Fredi gjithmonë ka qenë në një punë me maksimumin e të ardhurave të sektorit publik, por “privilegjet” në kuptimin që thoni ju kanë ardhur nga biznesi im.

Si u njohët me bashkëshortin tuaj? Ishte dashuri me shikim të parë?

Besoj se ishte dashuri me shumë shikime dhe derisa ka rezistuar pothuajse 20 vite natyrisht që besojmë tek ajo.

A ndodh të përfshiheni në debate politike me bashkëshortin tuaj dhe a keni menduar ndonjëherë të angazhoheni politikisht?

Nuk kemi debate sepse debatet normalisht prodhohen kur ka bindje të kundërta. Bindjet politike dhe sociale i kemi të njëjta, por nuk kam menduar asnjëherë se mund të angazhohem politikisht. 

Çfarë ka ndryshuar me vitet te ju?

Natyrisht që vitet dhe eksperienca e fituar ndikojnë duke sjellë që gradualisht nga një person që ke dëshirë të flasësh para se të mendohesh gjatë në një person që mendohesh gjatë para se të flasësh. Ky proces maturimi edhe të dëshpëron, sepse tregon që rinia i përket tashmë të shkuarës.

Si e shihni shoqërinë sot? Po gjendjen sociale të grave durrsake?

Varet nga këndvështrimi. Po ta shikonim shoqërinë me syzet e viteve ‘90 padyshim që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Po ta shikojmë me syzet e viteve që vijnë, kuptohet se kemi shumë për të bërë. Lidhur me gjendjen e grave durrsake është një pyetje që të vendos në siklet. Megjithëse jemi vetëm 40 km larg Tiranës si distancë, gratë e Durrësit dhe qyteti ynë në përgjithësi është shumë më tepër larg përsa i takon sfidave të progresit shoqëror.  

Ju shqetëson kriminaliteti dhe dhuna familjare që raportohet çdo ditë?

Zakonisht këto çështje përcillen shumë në media. Ndoshta angazhimi pothuajse gjatë të gjithë ditës në punë nuk më lë shumë hapësira për të ndjekur lajmet, por natyrisht që kriminaliteti është element shqetësues për shumë shoqëri sot në Europë.

A përfshiheni në akte bamirësie dhe nëse po ndaj cilës kategori?

Përfshihem në akte bamirësie dhe kryesisht për fëmijët jetimë, po këto akte sikur humbasin vlerë nëse bëhen publike, përmenden në gazeta.

Ka pasur ndonjë moment kur keni thënë: “Mjaft, u lodha!!!”?

Për të thënë u lodha kam pasur shumë momente, por jo derisa të them “Mjaft, më!”.

Mamatë kanë gjithnjë këshilla apo Mos-e për fëmijët e tyre. Ju çfarë i thoni më shpesh vajzës tuaj? 

Marrëdhëniet me vajzën janë një çështje shumë delikate. Që fjala “Mos!” të përdoret me efektivitet dhe të mos humbasë pa asnjë ndikim shpeshherë duhet të thuash “Po” për të realizuar objektivat që lidhen me Mos. E rëndësishme është që si unë dhe Fredi akoma kemi ndikim pozitiv tek vajza.

Çfarë bëni në kohën e lirë?

Ta gjejmë njëherë pastaj të mendohemi se çfarë do të bëjmë.

Besoni në Zot apo në horoskop? 

Besoj në Zot.

Keni dashur të keni fëmijë të tjerë?

Jo dhe tashmë mendoj se kam pasur të drejtë.

Çfarë vlerësoni më shumë te një person?

Nuk mund të kem një përgjigje me një fjalë, po ndoshta mungesën e dëshirës për të qenë gënjeshtar.

Vendi i preferuar për të udhëtuar a për pushime?

Viena

Profesioni i ëndërruar?

Sikur të mos isha dentiste, do të doja të isha farmaciste.

Gatimi më i dashur? Dini të gatuani mirë?

Nuk shquhem përsa i përket aftësive në të gatuar, por e kompensoj këtë defekt me aftësinë që kam për të respektuar dhe konsumuar ato që gatuajnë të tjerët.

Autori / libri i preferuar?

Thomas Friedman dhe librin e tij “The Lexus and the Olive Tree”. Një libër që të jep shumë për të kuptuar tendencat e shoqërisë së sotme.

A mund ta ndani me ne një nga synimet që keni për të ardhmen?

Tashmë synimi im është që të ndihmoj vajzën të realizojë synimet e saj.

Herda për Gretën:

Mami im është një grua e fortë. E fortë të përballojë vështirësi, padrejtësi, madje edhe të më ketë mua larg. Është e vështirë të përshkruash marrëdhënien tonë, kjo për arsye se është aq e ngushtë dhe e veçantë sa nuk e di nësë mundem ta ndaj me të tjerë. Çfarë mund të them me siguri është se ka evoluar: nga koha kur bisedat tona ishin më shumë në formën e pyetje-përgjigjeve në: “Mami, kam nevojë të flas me ty.”; nga “mos!” në “për mendimin tim…”; nga “jo” në “kam besim se do të bësh zgjedhjen e duhur”.  Mami është një mbështetje e padiskutueshme, e vetmja e aftë të më bëjë të ndihem mirë në çdo situatë a moment. Dy gjërat që vlerësoj më shumë tek ajo janë pozitiviteti dhe dhembshuria. Ka gjithnjë tendencën të bëjë mirë. Karakterizohet nga një dëshirë për risi si në aspektin profesional, ashtu dhe në perceptime. Është e bukur në çdo aspekt. Ky është viti i 2-të gjatë të cilit unë studioj jashtë vendit dhe mami më mungon shumë. Ndonëse flasim thuajse çdo ditë më krijohet ndjesia se nuk kam të ngopur me të. Dua më shumë, më shumë mendime të saj dhe më shumë ledhe prej saj. Duke qenë se së shpejti do të aplikoj për universitet, mund ta merrni me mend sa e stresuar ndihem. Besimi që prindërit e mi tregojnë karshi meje është një shtysë e fortë për të ecur përpara. Jam me shumë fat që kam prindër të aftë për të më dëgjuar, kuptuar dhe mbështetur. Jam shumë krenare për mamin tim; arritjet e saj dhe mënyrën sesi ajo përballon çdo situatë. Shpresoj që të rritem dhe të bëhem një grua po aq e fortë dhe e bukur sa ajo.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori