Halil Myderrizi, i urti dhe fisniku i Durrësit

31/07/2020 - 18:04

Nga BUJAR QESJA

30 korriku 2020, shënon një ngjarje të dhimbshme për qytetarinë durrsake. Pas një lëngimi të gjatë në shtrat, mbylli sytë dhe ndaloi frymëmarrjen e fundit, një nga kapacitetet e urtësisë durrsake, një intelektual kalibri, një fisnik në gen dhe një njeri me një lidhje gjithpërfshirëse për Durrësin. Jeta e Halil Myderrizi u mbyll në harkun kohor 1937 deri me 30 korrik 2020, 83 vite. Por përshtypjet që krijon njeriu në jetë, nuk maten nga kohë zgjatja e konsumimit të saj, por nga shenjat, nga mbresat, nga gjurmët që u lë të tjerëve, një brezi pasardhës. Një i tillë ishte dhe mbeti deri në fund të jetës i mrekullueshmi Halil Myderrizi.

Lajmin për largimin nga jeta të mikut tim, të mikut tonë, të mikut të të gjithë durrsakëve Halil Myderrizit e mora në Presidencë, teksa po flisja për gjigandin e portës shqiptare Sulejman Maliqati, që u nderua me titullin shumë të lartë “Nderi i Kombit”.

Isha pikërisht në atë vend ku në vitin 2017, së bashku me Halil Myderrizin, u nderuam me titullin “Mjeshtër i Madh”. E kam ndjekur së bashku me mikun shumë të afërt, intelektualin Gani Krasniqi ecurinë e shëndetit të tij. Ligështoheshim kur ditët kalonin dhe Halili ynë rëndohej gjithnjë e më shumë. E dinim që po shkonim drejt humbjes së një personaliteti të rrallë të qytetarisë durrsake. Ky burrë zotni, me shumë iftibar, me një komunikim me shumë se të qetë, me një mënçuri dhe zgjuarsi të rrallë, krijuan modelin e një intelektuali të veçantë, duke vënë së pari në lëvizje mëndjen dhe fjalën, argumentin dhe bindjen, besimin dhe kurajon, optimizmin dhe durimin.

Halil Myderrizi, i shkolluar për matematikë, bëri mjaft mirë matematikanin e jetës, duke qenë i saktë në atë çka llogariste në investimin moral dhe edukativ për familjen e tij të shenjtë, e më pas për civilizimin e shoqërisë durrsake.

E gjithë familja Myderrizi është një shembull prove, i arritjeve të shoqërisë, duke punuar e ndërtuar gjithçka të vlefshme me punë, djersë e mundim. Të dy djemtë e Halil Myderrizit Neritani dhe Indriti, janë përfaqësuesit më ekselencë të të jatit, duke u dalluar në shoqëri me aftësi dhe cilësi të rralla, pa u dukur dhe pa i rënë gjoksit. Urtësia, mënçuria dhe fisnikëria, mbesin dukuritë më tipike të familjes Myderrizi. Në këtë anë, miku dhe mësuesi ynë Halil, fli i qetë në parajsën tënde, në atë parajsë të artë dhe të veçantë të të madhërishmit, Zotit tonë.

Halili kudo ku punoi, duke nisur në gjimnazin e Kavajës “Medar Shtylla”, inspektor në seksionin e arsimit në Durrës, pedagog në filialin e Durrësit, drejtues në shkollën profesionale të mbrëmjes, mbeti po i njëjti. Njeriu me mëndje të artë, komunikues, masovik, bashkëpunëtor me të mirën dhe për të mirën, duke formatuar atë personalitet që na bën sot nder të gjithëve.

Kulmin emri dhe puna e tij, do të kishte një rritje të jashtëzakonshme kur nga një grup intelektualësh dhe të mënçurish durrsakë, ngarkohet me detyrën e Kryetarit të Shoqatës “Durrësi”, e cila u kthye në një qendër të evidentimit të vlerave shoqërore, historike dhe intelektuale të Durrësit.

Emri dhe autoriteti i Shoqatës Durrësi me kryetar Halil Myderrizin dhe sekretar Shpëtim Metanin, i kaloi përmasat e Durrësit dhe fitoi autoritet në të gjithë vëndin. Nuk mund të harrohen, madje do të kujtohen në breza, puna kolosale e Halil Myderrizit dhe e shumë mentarëve të tjerë të çquar, që lidhën besën së bashku dhe ia rritën vlerat deri në përmasat e kryelartësisë çdo durrsaku. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë burrë të lartë, që punoi e u përpoq për vendlindjen e tij Durrësin, duke na bërë të mburremi me aktivitetin dhe atë çka na la pas.

Ndjej dhëmbje dhe nuk dua të përziej humbjen që na dhëmb të këtij miku të rrallë, me atë përgjumje që e kapi më pas shoqatën tonë, shoqatën që krijoi Halil Myderrizi me shokët e tij të shkëlqyer në vlera dhe autoritet, duke tentuar të na ulin kryet. Por kjo nuk do të zgjasë shumë, pasi emri yt Halili ynë i paharruar, është në ato lartësi, që s'do të mund ta kapërceje kushdo. Fli i qetë mik në këtë drejtim.

Halil Myderrizi nuk jeton më! Na dhëmb kjo, e dhimbja do të na bashkoj më shumë. Halili pati si bashkëudhëtare, një bashkëshorte të shkëlqyer Behixhen, të cilën e njohu në punën si arsimtare. Behixhja i përket komunitetit boshnjak të zonës së Shijakut, duke mbetur një grua më se e shkëlqyer, e duke i bërë një shërbim të paharruar Halil Myderrizit deri në minutën e fundit të jetës.

Por edhe djemtë janë për t'u pirë në kupë. Neritan Myderrizi është ortoped i njohur në spitalin e Durrësit, doktor i shkencave, i specializuar në Gjermani dhe Izrael. Bashkëshortja e Neritanit, është rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit Kseanela Sotirovski, doktore e shkencave. Djali i dytë Indriti, mbaroi studimet e larta për elektronikë në Stamboll dhe është pedagog në një nga universitetet e këtij qyteti 15 milion banorësh. Që të dy djemtë kanë nga dy fëmijë, që aq shumë i gëzonin Halilin dhe Behixhen.

Halil Myderrizi, Mjeshtër i Madh, mbajtësi i Urdhërit “Naim Frashëri” i Klasit të parë, por mbi të gjitha mbajtësi më i denjë i besimit të patundur të qytetarisë durrsake, nuk do të jetë më ndër ne. Por jemi të sigurtë, se kurrë nuk do të shkitesh nga kujtesa e jonë. 20 vite që bashkëpunuam së bashku dhe tërë kohën që u njohe me mua dhe të tjerë, nuk do të harrohen, por do të kujtohen si modeli më i mirë që na le dhe që kemi për detyrë të vazhdojmë.

Fli i qetë Halili ynë! Ngushëllime pa fund nga unë dhe çdo durrsak. Puna më shumë se e mirë, që kreve për Durrësin tënd, është kurdohere e vlefshme dhe e mundshme për tu vendosur në memorien e kujteses të gjithsecilit. Edhe më tej do të duam shumë, siç të deshëm. Portreti yt fisnik, pamje e jote aq e ëmbël dhe burrërore, aq e qetë dhe e ndjeshme, janë kujtesa më e mirë e jona.

Lamtumirë mik! Lamtumirë Halil Myderrizi!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në kërkim të vlerave të qytetarisë durrsake - Jovan Xoxe rilindte kur lindnin të tjerat

Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) dhe Ar

Nga muaji dhjetor kur mori përgjigjen pozitive nga universiteti i Harvardit për të ndjekur studimet e larta atje, kanë kaluar rreth 6 mua

Në çdo kohë, pavarësisht formatit të printuar apo online, është dëshmuar që libri mbetet miku ynë më i mirë.