Haxhi Ballgjini, figurë e shquar e futbollit durrsak dhe atij kombëtar

25/01/2014 - 13:03

25 janar 2014- Ish kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit në vitin 1983 Haxhi Ballgjini ka folur rreth aktivitetit të tij si futbollist i skuadrave shqiptare por dhe si futbollist i kombëtares, me të cilën madje ka mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshjen kundër RFGJ-së në 1983, ndeshje të cilën skudra jonë e humbi minimalisht 2-1. Mesfushori Haxhi Ballgjini, mjaft i njohur në qytetin e Durrësit dhe në mbare vendin në vitet '80, është shprehur midis të tjerash se "atë që nuk e arrita dot si futbollist me Lokomotivë, e arrita si trainer duke e nxjerrë për herë të parë kampion të vendit ekipin durrsak". Haxhi Ballgjini mban titullin Mjeshtër i Merituar i Sportit, titull i cili në 2002 është konvertuar në Medalje Ari, titulli më i lartë që jepet për sportistët. Ai është nderuar edhe me titullin Nderi i Qytetit të Durrësit në vitin 1996 nga bashkia e qytetit. Ballgjini tregon fillimet e tij në sportin e bukur të futbollit:”Fillimisht unë jam aktivizuar me pionerët e qytetit të Durrësit në moshën 10-11 vjeçare dhe në atë kohë kishim si trainer Filip Xhain, i cili ër mua mbetet njohësi më i mirë i talenteve dhe ky profesor është ai që më mësoi si të luaja futboll. Më pas kam kaluar tek ekipi i të rinjve me Lokomotivën e Durrësit me trainer Sul Maliqatin, Petraq Ikonomin, të cilët në atë kohë organizonin kampionatet kombëtare të të rinjve. Ishin vitet '72-'74 dhe në atë kohë unë kam luajtur me të rinjtë dhe një vit më pas unë kam kaluar me të rriturit në skuadrën e lokomotivës me trainer Skënder Jareci. Ndeshja e parë zyrtare për mua ka qenë ajo e 31 dhjetorit 1975 që luhej për kupën e gazetës "Sporti Popullor" ku ne kemi luajtur në Kavajë kundër Besës. Që nga ajo kohë vazhdova me ekipin e parë të Lokomotivës derisa në shtator të vitit 1979 mua më thirrën ushtar dhe në këtë mnëyrë, ashtu siç ndodhte në atë kohë, unë u futa tek ekipi i "Partizanit" derisa mbarova ushtrinë për 27 muaj rresht.”

Kampion Ballkani me Shpresat

Më pas Ballgjini tregon edhe detaje të veçanta nga karriera e tij e gjatë si futbollist:” Unë kam luajtur afro 17 vjet rresht deri në vitin 1992 dhe pozicioni im në fushën e lojës ka qenë në mesfushë. Golat që kam shënuar janë afro 100, me sa më kanë thënë kolegët dhe miqtë e mi, në ndeshje zyrtare brenda dhe jashtë vendit. Dua të them fillimisht se në vitin 1978 ne dolëm kampion të Ballkanit me ekipin e Shpresave, ku në finale u ndeshëm me ekipin e Rumanisë me të cilin humbëm ndeshjen e parë në Bukuresht 3-1, por fituam në Tiranë me rezultatn 7-1. Në atë kohë ekipi i Shpresave përbëhej nga lojtarë mjaft të mirë të cilët më aps u bënë furnizuesit e kombëtares si Musta, Kola, Ahmetaj, Rragami, Marko, Sh.Ballgjini, Bajaziti, Minga, Hysi, Gega dhe unë. Ne kishim trainer në  këtë skuadër Shyqyri Rrelin dhe pas ekipit të shpresave, për dy vjet kam luajtur me Partizanin ku në vitin 1981 dolëm kampion të vendit. Në fakt me Partianin kam luajtur edhe para se të shkoja ushtar, si përforcim për skuadrën kupën ballkanike ku luajtëm me Riekën ku fituam 4-1 dhe me Janinën ku fituam -0 dhe njërin nga golat e kam shënuar unë.” Trofetë më të mëdha në karrierën e tij Ballgjini i ka marrë me Partizanin e Dinamon që në atë kohë kanë qenë ekipet që grumbullonin futbollistët më të mirë në vend:”Si fillim dua të theksoj se në atë kohë lojtarët më të mirë të rretheve i merrte Partizani dhe Dinamo. Në vitin1979-1980 ne fituam me këtë skuadër kupën e Republikës dhe zumë vendin e dytë në kampionat, më pas në '80-'81 u shpallëm kampion të kategorisë së parë, ndërsa u aktivizuam edhe në kupën e kupave dhe atë të kampioneve në Evropë. Në '79 luajtëm me Selltik të Skocisë ku fituam 1-0 në Tiranë dhe humbëm 4-1 në Skoci, me Malmoen e Suedisë humbëm 1-0 në Suedi dhe barazuam 0-0 në Tiranë. Në vitin 1981 luajtëm me Austrinë e Vjenës   ku humbëm 3-1 në Vjenë dhe fituam 1-0 në Tiranë ku autor i golit isha unë. Dua të ndalem pak këtu sepse dua të them se ndeshjen në Vjenë e këmi humbur për fajin komplet të arbitrit i cili, në kohën që ndeshja ishte 1-0 për ne, dha 2 penallti të paqena për austriakët. Në atë kohë shtypi austriak shkruajti shumë për këtë ndeshje duke folur me superlativa për ne pasi një vit më parë kombëtarja jonë kishte humbur në Vjenë me rezultatin 5-0.”

Ballgjini kapiten i ekipit kombëtar

Haxhi Ballgjini ka qenë edhe në ekipin kombëtar ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të kësaj skuadre:”Ndeshja e parë ka qenë në vitin 1980 me Bullgarinë në Sofje ku humbëm 2-1. Ka patur më pas ndeshje shumë të mira me Gjermaninë, Astrinë, Poloninë, Irlandën e Veriut, Turqinë, Greqinë, Belgjikën etj. Në ndeshjen që skuadra jonë fitoi 2-0 me Belgjikën në Tiranë, unë kam qenë i dëmtuar, por u aktivizova disa muaj më pas me Poloninë ku në fushën kundërshtare barazuam 2-2. Ndeshje e paharruar ka qenë ajo me Gjermaninë Perëndimore në 1983 ku unë mbaja shiritin e kapitenit, kurse për gjermanët kapiten ishte Rumenige. Ekipi ynë në atë kohë përbëhej nga Musta, Hysi, Ahmetaj, Ruci, Çipi, Targaj, Demollari, Minga, Kola, Rragami, Eksarko, Tomori, Dedja, Vukatana, Mema etj. Dy ndeshje kanë qenë të veçanta: ajo me Poloninë që doli 2-2 dhe humbja me Belgjikën jashtë fushës me rezultatin 3-1. Të dyja skuadrat kanë pasur lojtarë mjaft të mirë që luanin me skuadra mjaft të njohura në Evropë si Verkauter dhe Shifo të Belgjikës, apo Bonjek i Polonisë duke vazhduar me gjermanët e famshëm si Rumenige, Brajtner, Brigel, Fisher etj në fakt në ato vite ne u afruam dhe kishim shanse ër një kualifikim për botërorin e 1986, por në fakt ishte shumë e vështirë që ne t'ia arrinim kësaj gjëje. Duhej që të dilnim mbi Belgjikën dhe Poloninë për t'ia arritur kësaj ëndërre.   Në atë kohë kemi bërë edhe një ndeshje miqësore me AEK të Athinës në Athinë dhe kemi fituar 1-0 me gol të shënuar nga unë.”

Aktiviteti i spikatur sportiv në Durrës

Por natyrisht Ballgjini nuk harron aktivitetin e tij sportiv në Durrës që fëmijë e deri sa u bë një futbollist i konsoliduar:”Ka qenë një thënie në atë kohë: "Mesi i artë i tabelës dhe e fortë me të fortat, dhe e dobët me të dobëtat". Pra Lokomotiva ishte një skuadër pa pretendime. Nga ana tjetër thuhej edhe një gjë tjetër "në rast se doni të merrni vesh se cila skuadër do të fitojë kampionatin, shkoni në Durrës". Skuadra e Lokomotivës kishte lojtarë të mirë si portierët Dollaku, Ajazi, Maliqati, Lekbello, mbrojtësit Kapllani, Sejdini, Çela, Jani, Koka, Engjëlli, në mesfushë   H.Ballgjini, Oketa, Miho, Fliari, Hima, Hado, SH.Ballgjini, Likmeta, Ristani në sulm Leshteni, Bulku etj trainer në fillim fare kur unë fillova me të rriturit ishte Skënder Jareci dhe më pas Petraq Ikonomi, i cili për mua mbetet kryetraineri durrsak i të gjitha kohrave. Më pas kanë ardhur trainerë të tjerë, si Kristaq Toçi, Edmond Zalla etj. Teknikumi i fiskulturës më ndihmoi shumë  në përgatitjen time, falë edhe përkushtimit tim. Isha i dashuruar me futbollin, por dhe familja ime ushtronte kontroll të rreptë ndaj meje në këtë drejtim, pasi që nga vëllezërit deri tek nëna dhe motra e vogël, më lanin baltën që çoja në shtëpi. Nga ana tjetër në atë kohë kushtet e stërvitjes kanë qenë shumë të këqija krahasuar me kohën e sotme. Fusha ishte me gunga, me bar natyral dhe kishim vetëm 1 uniformë. Në dimër në fushë krijohej baltë e madhe, kurse në verë thatësira na i bënte këmbët gjak. Herë-herë nuk bëni dush ër t'u larë pas ndeshjes. Një herë nuk do kishte dru për kaldjën, një heë mungonte uji për depozitën dhe kështu me radhë. Dua të them se parametrat në atë kohë zbatoheshin me mjaft fanatizëm dhe niveli i ekipit kombëtar në atë kohë ka qenë në rritje, por sot ekipi kombëtar është disa herë më i mirë. E kundërta ndodh me kampionatin   shqiptar, i cili është shumë poshtë nivelit tonë në vitet '80. Nëse mund të shprehemi kështu: Në atë kohë lojtarët e kampionatit shqiptar vraponin, kurse sot ecin. Në atë kohë arriheshin paarmetrat në mënyrë që lojtarët të federoheshin, ndryshe mbeteshin jashtë. Kishte teste fizike në 30 dhe 300 metër si dhe stafetë 14 herë nga 10 metër. Së fundmi ishte edhe testi aerobik në të cilin norma 3200 metër duhej të bëhej jo më pak se 12 minuta.” Dy vëllezërit Ballgjini kanë qenë një legjendë në kohën e tyre dhe Haxhiu kujton edhe ndeshjet që ka luajtur me të vëllain Shqyqyri Ballgjini:”Me Shyqin kemi luajtur në finalen e kupës ballkanike me shpresat, në ndeshjen kundër Finlandës në kombëtare dhe më parë me ekipin e shpresave. Në kampionatin shqiptar kemi luajtur së bashku tek Lokomotiva 5-6 vjet nga '82-'86, por në '87 Shyqi e la futbollin. Në kampionatet e viteve 82-8 dhe 83-84 ne ishim pretendentë për titull, por nuk e fituam dot dhe në 1984 titullin e fitoi Labinoti i Elbasanit. Ka pasur ndeshje shumë të mira në ato vite, si ajo kundër Dinamos që doli 3-3. Në një tjetër që luaja unë me Lokomotivën dhe Shyqi me Dinamon, në një moment e godita me shkelm Shyqin, ai ngrihet i nervozuar dhe kur pa se isha unë, mërmëriti dicka nëpër dhëmbë dhe nuk foli.” Por Haxhi Ballgjini ka edhe një karrierë historike si trajner i teutës ku ekipi durrsak ka fituar edhe të vetmin kampionat nën drejtimin e tij:”

Teuta me trajner Haxhi Ballgjinin fiton të vetmin titull kampion kombëtar

Pas 17 vjet karrierë futbollistike, në 1992 u bëra trainer i skuadrës durrsake, e cila tashmë kishte emrin "Teuta". Pas dy vjetësh, në 1994, skuadra doli kampione e vendit për herë të parë dhe finaliste në kupën e Republikës, por humbëm ndaj Tiranës Kupën Teuta e ka fituar tre herë në vitet 1995, 2000 dhe 2005. Atë vit që ne dolëm kampionë kishte një interes mjaft të madh për futbollin nga ana e tifozerisë durrsake. Më vjen mirë që arrita atë që nuke   bëra dot si lojtar për skuadrën durrsake. Në ndeshjet që zhvilluam në 1994 treni mbushej plot e përplot nga tifozët tanë dhe na shoqëronte kudo. Skuadra përbëhej nga Kapllani, Shtama, Abazi, Furxhi, Dashi, Memeti, Alliu. Fraholli, Zalla, Koça, Qendro, Vila dhe Begeja. Dua të them se titulli kampion ishte i merituar dhe këta lojtarë mund të kishin luajtur edhe në skuadrat evropiane. Titulli u vendos me Vllazninë në Shkodër, ndërsa fitorja 3-0 në Kavajë vulosi sigurinë për t'u shpallur kampion të vendit. Pas kësja ndeshje ka ndodhur dicka e rrallë. Që nga Golemi dhe deri në hyrje të Durrësit na ka shoqëruar një karvan i aparë makinash dhe njerëzish. Ne zbritëm tek karburanti në hyrje të Durrësit, pasi rrugët dhe sheshet isin pushtuar nga njerëzit. Një ditë më pas u zhvillua festë e organizuar nga bashkia ku mori pjesë edhe kryeministri i asaj kohe Aleksandër Meksi.”Në fund të kujtimeve të tij Haxhi Ballgjini nuk harron të japë edhe një vlerësim për Teutën e sotme:”Them me bindje se Teuta pas viteve '90 është në elitën e futbollit shqiptar. Është impresionuese në rezultate dhe e sukseshme. Ka fituar 3 kupa dhe 1 kampionat dhe disa herë ka dalë finaliste. Ka marrë pjesë rregullisht në kompeticione ndërkombëtare dhe meritë të veçantë për këtë gjë ka presidenti i skuadrës Edmond Hasanbelliu, të cilin e përshëndes sepse investon për një ekip të fortë dhe me talente të rinj të cilët shtohen vazhdimisht dhe nderojnë qytetin.”

/ Agjencia e lajmeve "Dyrrah" / 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

URT-ja e Durrësit është e njohur në të gjithë vendin për radiot dhe televizorët.

*In memoriam/ Lajm i dhimbshëm, Salvator Sotiri shkëputet nga jeta

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim