Një datë e rëndësishme në historinë e detarisë shqiptare: si sot 74 vite më parë, Porti i Durrësit kaloi nga kujdestaria e Forcës Detare nën atë të Ministrisë së Punëve Botore (e cila mbulonte asokohe Punët Publike, dhe Çështjet Vendore).

Infrastrukturë kombëtare e rëndësisë së veçantë, Porti i Durrësit siguron sot 90% të transportit detar shqiptar dhe 60% të furnizimit me ushqime të tregut vendas. Por po aq i rëndësishëm është roli i tij në historinë e vendit, veçanërisht në kohë krizash, përmbysjesh apo rimëkëmbjesh të mëdha.

Në Portin e Durrësit mbërriti më 21 nëntor 1912 Ismail Qemal Bej Vlora, përpara se të shpallte pavarësinë e vendit. Nga Durrësi hyri Princ Vilhelm Vidi më 7 mars 1914 dhe prej andej u largua gjashtë muaj më vonë. Po aty, në 28 qershor 1928 krijohet Marina Mbretërore, duke e kthyer Portin e Durrësit në një strehë të sigurtë për Forcën tonë Detare.

Lufta e Dytë Botërore nuk e kurseu: pikë kryesore e zbarkimit të forcave italiane gjatë pushtimit të Shqipërisë, më 7 prilli 1939, porti qëndroi funksional deri në përfundim të luftës, por me dëmtime të rënda.

Pas çlirimit të Shqipërisë, më 29 nëntor 1944, u pa e nevojshme që ringritja e tij të bëhej nën mbikqyrjen e Seksionit të Marinës, ku më 12 shkurt 1945 u emërua shef seksioni Kapiteni i parë Abdi MATI.

Më 15 gusht 1945, u nxorën në tokë dhe u riparuan në Durrës dy motovedetat MS-30 dhe JO-84, datë e cila shënon ringritjen e Forcës sonë Detare.

Në 2 prill 1946, me urdhërin nr. A1-127 të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare, Porti i Durrësit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve Botore, kalim i cili u bë efektiv më 15 prill 1946.

74 vite më pas, Porti i Durrësit vijon ti shërbejë sigurisë ekonomike dhe shëndetësore të vendit.