HISTORI/ Dekreti përparimtar i Ahmet Zogut në favor të Durrësit!

03/09/2020 - 21:14

Anëtari i Këshillit Bashkiak Durrës, Aleksandër Cangonja, ka publikuar në rrjete sociale një dekret interesant të kohës kur Ahmet Zogu ishte kreu i shtetit shqiptar.

Dekreti në fjalë flet për një vendim të qeverisë së kohës, viti 1925, ku përcaktohet një taksë 1% më tepër për mallrat që importohen dhe ato që eksportohen në portin e Durrësit me qëllim pershpejtimin e punimeve për ndërtesat dhe zbukurimet e qytetit.

"Po flasim vetëm për 13 vite shtet dhe shihet sesi strategjia e përdorur për të zhvilluar qytetin doli shumë efikase, sepse punimet e asaj kohe janë sot pjesa më e bukur e Durrësit.",- shkruan Cangonja në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Meqë jemi në kohë rindërtimesh, investimesh dhe projektesh zhvillimore për trashëgimin kulturore dhe historike po postoj një dekret që i përket periudhës kur Ahmet Zogu ishte president i republikës së Shqipërisë.

Dekreti është mjaft interesant të mendohet për kohën kur një kryetar shteti ngulmonte për të avancuar zhvillimin e një qyteti duke rritur taksat e saja me 1%, të cilat do ti shkonin në ndihmë bashkisë së Durrësit.

Vendimi i këshillit të ministrave me datë 18 gusht 1925 (e botuar në fletoren zyrtare më 26 gusht 1925) ishte i ndarë në 5 pika, ku mund të veçojmë pikën A e cila thuhet shkurtimisht "duke marrë parasysh nevojën e domosdoshme të bashkisë Durrës për të përshpejtuar punimet për ndërtesat dhe zbukurimet e qytetit, bashkia do marrë dhe një taks 1% më tepër për mallrat që importohen në Durrës dhe ato që eksportohen në portin e Durrësit".

Pika B që përjashtohet nga kjo taksë e re mallrat e trupit diplomatik, kryqit të kuq dhe ato të ushtrisë.

Pra po flasim vetëm për 13 vite shtet dhe shihet sesi strategjia e përdorur për të zhvilluar qytetin doli shumë efikase, sepse punimet e asaj kohe janë sot pjesa më e bukur e Durrësit.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: