Faqja në Facebook “Na ishte dikur” ka publikuar dy foto të Durrësit, realizuar në vitet 1990 dhe 2015 nga Kozma Borova.

Në fotot që kanë diferencë çerek shekullore mes tyre vihen re dallimet e mëdha që ka pësuar një nga zonat më të bukura të qytetit të Durrësit, ajo pranë portit detar, ku ndërthuren Torra Veneciane me muret antike dhe kishën ortodokse, hyrja e portit dhe akset rrugore më të frekuentuara të Durrësit “Egnatia” dhe “Taulantia”.

Ndërsa në foton e parë vihen re ndërtimet e ulta, gjelbërimi që rrethon objektet më ikonike të qytetit dhe porti detar që shfaqet i plotë në të gjithë shtrirjen e tij, në foton e dytë, për fat të keq dominojnë kullat shumëkatëshe, gjelbërimi është shumë më i pakët, ndërkohë që porti nuk është më i dukshëm në të gjithë madhësinë madhësinë e tij.

I njëjti kënd i fotove të realizuara me 25 vite diferencë dëshmon çfarë ka humbur dhe fituar Durrësi. Ndërtesat e ulta kanë humbur gjithë madhështinë e tyre përballë godinave shtatlarta. Aq sa dhe Torra historike duket si jetime mes shumëkatësheve që qëndrojnë krah asaj apo ngrenë shtatin në sfondin e fotos.

Sipërfaqet e gjelbërta të shumta në numër në foton e parë, atëherë kur edhe lëvizja e mjeteve nëpër rrugë ishte thuajse e papërfillshme, tashmë janë zvogëluar, pavarësisht se ndotja e ajrit është shumë më e madhe për shkak të emerimit të karbonit.

A e ka humbur Durrësi identitetin e tij historik, apo Durrësi modern është më atraktiv? Kjo është një pyetje që mund t’i japin përgjigje mjaft mirë qytetarët e Durrësit, ata të dikurshmit dhe të ardhurit 30 vitet e fundit, ata nostalgjikët për të kaluarën dhe ata që shohin nga e ardhmja.

Normalisht që një qytet ndryshon në 30 vite, transformohet. Por a është ky transformim në interes të qytetarëve, a garanton një jetesë më të mirë për komunitetin, a i përgjigjet asaj se çfarë ka përfaqësuar Durrësi në të kaluarën dhe çfarë duhet të përfaqësojë në të ardhmen?!

M.B.