Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Histori/ Kur Perikli Goga (i vjetri) kërkonte ndihmë për botimin e revistës "Drejtësia"!

22/01/2021 - 21:49

Nga Aleksandër Cangonja

Ishin vitet '20 të shekullit të kaluar dhe në Durrës kishin filluar ndryshime progresive në fushën ekonomike, sociale dhe kulturore. Pjesë e këtyre ndryshimeve ishte dhe Perikli Goga, i cili mbasi kishte kryer studimet për juridik në Selanik dhe Stamboll ishte kthyer në atdhe për të dhënë kontributin e tij në qytetin e lindjes në Durrës. Si jurist që ishte, Perikliu ushtronte profesionin e avokatit, ku jo pak herë jepte shërbimin e tij falas për familjet ddurrsake në nevojë kur ju drejtonin dyerve të gjykatës. Por krahas kësaj ai ishte aktiv dhe në shtypin e shkruar madje duke botuar dhe revista. E tillë qe revista "Drejtësia" e cila u botua vetëm 4 numra dhe nuk pati jetëgjatësi për shkaqe politike të kohës.

Në dokumentin e mëposhtëm është një letër e shkruar prej Perikli Gogës drejtuar mikut të tij durrsakut Vlash Dovanës ku i kërkon ndihmë për botimin e kësaj reviste, duke qenë se Vlashi ishte një prej aksionerëve kryesorë shoqërisë "Stamles" e cila botonte dhe libra.

"Tiranë 10.2.928

I ndershëm z. Vlashë Dovana, Durrës

Herën e pare ju uroj emrin për shum vjet.

Z.Vlashë ! Të ish që të dishit shkakun dhe qëllimin qi më shtyti për nxierjen e revistës “Drejtësia” e cila asht nji barrë shum e randë për mu, sidomos për nji njiri si un me halle, me gajle dhe mendjen jo në vend, jam i sigurt se nuk do kurseshit çdo përkrahje masi mvareshe ke ju, por për fat të keq në vend qi numri pare të kishe dale që me datën 15 Kallnuer kaloj nji muj e gjysëm e nga numrin 1 akoma nuk ka dale qi kjo vones, me gjithë që ndofta nuk zjedhë prej jushë, më ka shkaktu nji dam moralisht ashtu dhe materialisht si të kishim marë dhe përda që me koh numrin e pare do kishim mbledhë deri tani së paku 2000 f(franga) ari qi kështu do largoshim nji pjes t’hallevet e mia. Nuk dua të thiomë se shoqënis Stamles do me botoj pa t’holla, por me shpres dhe masi fialët qi na dha z.Shefqet Beja dhe z.Petro Korçarit të cilët më siguruan se për veç vleftës kartës dhe të ardhuravet nuk do mirte shoqenis na aji fitm prej me je, por më dhan fialën se do tu kujdeseshin qi t’abonoshin në ket revistë së paku 100 persona prej antarvet të shoqënis. Prandaj, tue marë para syshë miqësinën tone dhe se për naji përkrahje nuk ju kamë bezdisur naji her, dhe se me përkrahjen e botimit në mënyrën e nalt tregumun shoqënis materialisht nuk shef naji dam (por fitim vetëm të pakët qi shef), dhe se antarët e shoqënis për abonimin në kët revistë nuk do rregulloshim ndonji her propozimin tuj, marë nderin me ju lute qi mos kurseni përkrahjen e duhunm se kjo botë asht e rrumbullak si portokalli, se kushë e di që dhe miu i vogël mund ti sherbej për të mire asllanit (Turqisht- luan) nga nji her.

Doni të kuptoni se kushë dhe si asht i gjori Perikli Goga, me pak fialë ju përgjegjem "Apo lolos in qe vrethi" (Greqishtja vjetër- Ka ikur nga rruga e drejte i humbur dhe u gjet)

Me kaq nap fund letrës dhe ju falenderoj miku juj

Perikli Goga"

Aqsh: F. 460 (Firma " Dovana" (vëllezër) Durrës), V. 1928, D. 16

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: