Durrësi dhe i gjithë vendi u tronditën sot rreth orës 16.00 nga dy lëkundje të forta sizmike që pasuan njëra-tjetrën brenda pak minutash. Qyteti bregdetar prej kohësh është cilësuar nga sizmiologët si "kryeqyteti" i tërmeteve.

DurrësLajm po ripublikon të plotë një shkrim të botuar nga ne 5 vite më parë, më 20 janar 2014, shkrim i gazetarit të njohur durrsak Thanas Mustaqi. Shkrimi hedh dritë mbi hostorikun e tërmeteve shkatërrimtare që kanë goditur Durrësin në të kaluarën dhe pse qyteti bregdetar konsiderohet si një rajon me rrezukshmëri të lartë sizmike.

SHKRIMI I PLOTE:

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 20 janar 2014 –Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Evropë, thonë sizmologët dhe gjeologët shqiptarë dhe të huaj, “Dyrrah”-u ka konsultuar literaturë shkencore të shkencëtarit, të të ndjerit Eduard Sulstarova dhe kolegëve të tij të respektuar me emër ndërkombëtar. Shumica e tërmeteve të forta ndodhin në 3 breza sizmikë:

a) brezi tërmetor Jonik-Adriatik në buzën lindore të mikro-pllakës së Adrias me shtrirje veriperëndim-juglindje,

b) brezi tërmetor Peshkopi-Korçë me shtrirje veri-jug, dhe

c) brezi tërmetor Elbasan-Dibër me shtrirje veri-lindje

Zona Durrës-Tiranë bën pjesë në brezin e fuqishëm tërmetor Jonik-Adriatik, brezi më sizmik i vendit. Zona Durrës-Tiranë është goditur nga tërmete të forta, ku mund të përmenden ato që kanë pasur epiqendrën në zonën Tiranë-Durrës, në vitet 58, 334, 346, 506, 1273, 1617, 1852, 1860, 1926, 1934, 1970 dhe ai i vitit 1988.

ATO QË NUK I NDIEJMË

Durrësi është “kryeqyteti” i tërmeteve në Shqipëri, thotë sizmologu Prof. Jani Skrami. Prandaj dhe tërmetet në Itali ndiqen me ankth dhe në Shqipëri. Ka shumë durrsakë emigrantë këtu. Por edhe sizmologët si dhe firmat e ndërtimit, arkitektët e konstruktorët diskutojnë për “larg qoftë!” çka mund të ndodhte në Durrës nëse binte një tërmet i tillë. Çdo ditë te ne ka aktivitet sizmik, por këto tërmete nuk janë mbi 3 ose 4 ballë. Shqipëria bën pjesë në brezin sizmik alpin-mesdhetar, që përfshin zonën midis dy pllakave tektonike, asaj afrikane dhe aziatike, që nga Alpet në Jugosllavi, Shqipëri etj. Në kontaktin e këtyre dy pllakave lindin sforcime që krijojnë tërmete. “Zona më sizmike është Durrësi ose më saktë zona pranë bregdetit, duke filluar nga Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Vlora”, thotë Jani Skrami, përgjegjës i Departamentit të Sizmologjisë Inxhinierike.

DY TËRMETE TË MËDHA

Durrësi është prekur rëndë në historinë e tij të gjatë nga tërmetet, sidomos në vitet 334 dhe 506 të erës sonë, si dhe në vitin 1273. Sipas sizmologëve, tërmeti i fundit ka shënuar 25 mijë viktima në atë kohë dhe ka shkatërruar plotësisht qytetin. Duke marrë parasysh vendosjen sizmotektonike të Durrësit, në bregdetin e Adriatikut, mund të thuhet se paraqesin interes dy tërmete të mëdha: tërmeti i Durrësit i 17 dhjetorit 1926 (M = 6,0-6,3, Io = IX) dhe tërmeti i 15 prillit 1979 Shqipëri -Mali i Zi (Ms = 6.8, Io = IX +). Megjithëse i fundit nuk i përket rajonit të Durrësit, epiqendra e tij ndodhej në të njëjtë sistem thyerjeje, i cili vazhdon në jug, duke kaluar përmes shkëputjes tërthore të Durrësit, thanë në studimin e tyre Siasi Koçiu & Liri Koçiu. Referimi i tyre që u paraqit në Konferencën e 17-të Ndërkombëtare të Portlandit, SHBA, titullohej “Ulja e rrezikut sizmik për qytetet bregdetare në Shqipëri”. Madje është hartuar dhe harta e mikrozonimit sizmik të qytetit të Durrësit.

MIKROZONIMI SIZMIK

Sipas sizmologëve të njohur, është vërtetuar shkencërisht se nga pikëpamja sizmike, sitet më të rrezikshme të zonës bregdetare në Shqipëri janë qytetet e Durrësit dhe Vlorës, me shumë probleme të lidhura me 400 troje jostabile nëse në të ardhmen ndodhin tërmete. Rezultatet e studimeve të kryera për vlerësimin e rrezikut sizmik në nivel lokal mund të përdoren nga urbanistët për reduktimin e rrezikut sizmik në planifikimin fizik dhe urban, duke përfshirë në këtë proces specialistë të disiplinave të shumta, si dhe vendimmarrësit. Nga ana tjetër rekomandohet të përdoren hartat e rrezikut sizmik, të hartuara në shkallë lokale për të njëjtat qëllime për qytete të tjera të zonës bregdetare të Shqipërisë, veçanërisht për zonën Pranadriatike. Para disa vitesh, pas një seminari të zhvilluar në Durrës me drejtues të pushtetit vendor, Prof. Siasi Koçiu, në atë kohë drejtor i Institutit Sizmologjik, i tha autorit të këtyre radhëve se në përgjithësi për projektet e ndërtimeve të reja, madje dhe për ndërtesa me 10-12 kate, në Durrës deri në vitin 2003 nuk ishte kërkuar mendimi i sizmologëve. Po ashtu, sipas Prof. Koçiut, edhe në Shqipëri, ekziston dhe rreziku i cunamit, sidomos në bregdetin Adriatik, i përqendruar në grykëderdhjen e Bunës, Durrës dhe Vlorë. Nga kronikat mësohet se sidomos tërmeti i vitit 1866 me magnitudë 6.5 ballë, shkaktoi një dallgë të madhe e cila përmbyti bregun nga Kanina në Nartë. Edhe tërmeti i vitit 1979, në Shkodër-Lezhë shkaktoi një dallgë por jo shumë të madhe… Vërtet, jemi “afër detit, afër mbretit”. Por jemi dhe afër tërmetit! Ta dimë të gjithë, qytetarë denbabaden, të sapoardhur nga të gjitha rrethet. Të mos ta harrojnë këtë gjë projektuesit dhe ndërtuesit. Mbi të gjithë, bashkia.

Dokumenti /Rreth tërmetit në Durrës (korrik 1273)

Nga Gjergj Pahimeri (1242- rreth vitit 1310)*

Pas njëfarë kohe, në Durrës ndodhi një gjëmë e rëndë dhe tragjike. Gjatë muajit korrik, ushtima të pazakonta bënë që toka të dridhej vazhdimisht, ushtima, të cilat normalisht do t’i quanim ofshamë. Ato kumtonin se kishte ndodhur diçka e llahtarshme. Një ditë, zhurma jehoi fare pa ndërprerje dhe më me forcë se më parë. Frika që përfshiu disa njerëz bëri që ata të shkonin dhe të gjenin strehë jashtë qytetit, pasi druheshin se gjërat do të merrnin më përkeq. Nata ra mbi zhurmën gulçuese të ditës që po kalonte dhe bashkë me të, ndodhi një tërmet i fuqishëm, më tepër i dhunshëm se çdo tjetër në historinë e njerëzimit. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajnë, një dridhje e tokës që lëvizte në mënyrë diagonale, por më tepër një goditje dhe lëkundje e përsëritur e tillë saqë menjëherë, gjithë qyteti u kthye kokëposhtë dhe u rrafshua për tokë. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, që nuk rezistuan asnjë sekondë, u këputën dhe rrëzuan, duke i varrosur banorët e tyre brenda tyre. Njerëzit nuk kishin ku të shkonin për të shpëtuar, sepse ndërtesat ishin ndërtuar pranë njëra-tjetrës. Në të vërtetë, shumë më i madh ishte shansi të mbijetonin ata që qëndruan brenda se sa ata që dolën me vrap nga shtëpitë të cilat kishin shpëtuar pjesërisht. Asnjë prej ndërtesave nuk mbeti pa u prekur. Ato u shembën mbi njëra-tjetrën dhe ndonjë ndërtesë që ndodhi t’i kishte shpëtuar fatit të shkatërrimit, u shtyp nga rënia e të tjerave. Katastrofa ishte tejet e papritur dhe e papërballueshme saqë askush nuk mund të mbeste gjallë duke ia mbathur. Për shumë njerëz, ishte ëndërr; nuk e mësuan kurrë se në çfarë ngjarjeje u zhdukën. Fëmijët e vegjël dhe foshnjat, që nuk e kuptonin se çfarë kishte ndodhur, u varrosën në rrënojat. Ushtima dhe rrëmuja ishin të tilla saqë edhe deti që vlonte nga jashtë, [i bënte] të mbijetuarit që shihnin pranë të pandehnin se nuk ishin ato fillimi i dhembjeve, por të ndienin mbarimin e botës. Meqenëse ai qytet ndodhej buzë detit, dhe të keqen dhe tronditjen e pësoi befas, dhe kaq konfuzion njerëzish u bë dhe kaq goditje pati nga shtëpitë që binin  njëra mbi tjetrën, saqë ata që u ndodhën jashtë, u tronditën shumë nga ata që dëgjonin dhe nuk kishin se çfarë tjetër të pandehnin, veçse zhdukjen e të gjithë botës.

Meqenëse ai qytet ndodhje buzë detit, dhe të keqen dhe tronditjen e pësoi befas, dhe kaq konfuzion njerëzish u bë dhe kaq goditje pati nga shtëpitë që binin  njëra mbi tjetrën, saqë ata që u ndodhën jashtë, u tronditën shumë nga ata që dëgjonin dhe nuk kishin se çfarë tjetër të pandehnin, veçse zhdukjen e të gjithë botës. Tërmeti zgjati jo pak, saqë të mos mbetej asgjë në këmbë, por çdo gjë që ishte brenda të rrëzohej dhe njerëzit t’i mbulonte. Vetëm Akropoli (ai qëndroi dhe nuk iu nënshtrua tërmetit). Kur u bë ditë, vrapuan në ndihmë banorët përreth, me shata, dhiqela e çdo vegël tjetër që gjetën përpara e përdorën për gërmim. Duke u hedhur [mbi gërmadhat] gërmonin që të mund t’i shpëtonin nga rreziku disa të mjerë, që akoma ishin gjallë. Edhe për më tepër të mos gjenin çdo lloj pasurie, të cilën pasi ta nxirrnin nga gërmadhat ta merrnin e ta mbanin [për vete].

Atëherë me sendet e të vdekurve u përzien edhe trashëgimtarët e tyre dhe nuk pengohej me vendim gjyqi ai që rastiste të merrte. Pasi gërmuan për ditë me radhë, gjithë atë që u bë në tokë dhe pasi bënë korrje të arta, shqiptarët dhe banorët përreth, që përdorën së bashku dhiqelat, më në fund e lanë të shkretë qytetin e dikurshëm, që njihej nga disa shenja të zbehta dhe që quhej kështu jo se ishte [tani qytet], por vetëm nga emri. Peshkopi i tij Niketa, që u gjet edhe ai atëherë [aty], megjithëse shpëtoi, në shumë vende të trupit të tij kishte shenjat e rrezikut. Duke parë fatkeqësinë e hidhur, që askush ndonjëherë nuk e priste, iku i tmerruar, duke lënë metropolin (kryeqytet) të shkretë, jo vetëm nga vetja, por edhe nga banorët e tij (metropolit), nga bukuria e godinave dhe sendeve të tyre.

*Historian bizantin[Marrë nga: Georgii Pachymeris, “Relationes historicae”, Bonn (1835), Vëllimi I, libri V, 7, f. 355-358. Përkthimi fragmentit nga Koço Bozhori, Filip Liço (në “Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, Tiranë 1975), si dhe plotësuar nga autori i speciales]