Nga Dr. Jahja Drançolli (shkëputur nga Buletini i Fakultetit Filozofik, Prishtinë 1995/XXIII)

Historia e zhvillimit të shkencës dhe kulturës shqiptare ruan traditë të largët. Ajo shpie që në dukjen e civilizimit më të hershëm evropian. Në këtë aspekt falë punës së popullit tonë ndër shekuj, më parë në treva ilire gjatë antikitetit, e më pastaj në troje të rrudhura shqiptare, u zhvillua një përvojë e madhe e njohjes, që u transmentua nga brezi në brez. Populli ynë ndër shekuj krijoi gjithashtu një kulturë popullore të shëndoshë, e cila gjatë formimit historik të saj, është zhvilluar me tipare të njësuara e të harmonishme, duke ruajtur të pastër individualitetin etnik të saj dhe duke forcuar karakterin popullor.

Kultura materiale shpirtërore, që këtej edhe arsimimi i popullit tonë u krijua në truallin etnik shqiptar. Kështu, mendimi shkencor shqiptar ka ruajtur dhe ka forcuar gjithnjë karakterin kombëtar të brezave dhe shtytje për zhvillimin shoqëror. Gjithashtu, me luftërat e tij për liri kombëtare e shoqërore, populli ynë ka ndihmuar e përkrahur gjithherë çështjen e çlirimit të përbashkët të popujve me tipare pozitive të kulturës së tij të njohur, ai në çdo periudhë historike, ka dhënë kontribute të vyera në visarin e përbashkët kulturor e shkencor të popujve, nëpërmjet letërsisë sonë gojore, letërsisë së kultivuar, mendimit shkencor, artit tonë e me të tjera dukuri të jetës shpirtërore e materiale me karakter përparimtar.

Sikurse shkenca dhe kultura në përgjithësi, ashtu edhe sistemi i edukimit iliro-arbëror nuk përfshinte vetëm traditën popullore. Edukimi dhe zënia e diturive në troje iliro-arbërore ndër shekuj është zhvilluar përmes shkollimit të rregullt. Siç dëshmojnë historianët e dokumentet e kohës, niveli kulturor i popullsisë autoktone ka qenë mjaft i lartë. Në kushte të tilla, natyrisht që veç ambientit shoqëror dhe familjes, shkollat kanë qenë një institucion i rëndësishëm edukimi me virtytet tipike iliro-arbërore.

Ndërtimi i shkollave të para në troje iliro-arbërore zuri fill që nga antikitetit, kur edhe u ngritën shkollat në Apoloni dhe Epidamnus. Ndërkaq, në bibliotekën e madhe të Durrësit është ruajtur një pjesë e diturisë së shkruar, që u zhvillua në shtete antike përqark Mesdheut. Biblioteka në fjalë, e mirënjohur në mbarë civilizimin antik, me rastin e sulmit të gotëve u dogj në tërësi2.

Para se të ndalemi në çështjen që kemi në shqyrtim, është për të vënë re se historiografia shqiptare deri vonë nuk ka dhënë kontributin e vet të duhur për ndriçimin e historisë së zhvillimit të shkencës dhe kulturës së moçme iliro-arbërore. Fal punës së pionierit të disa studiuesve tonë, si p.sh. E. dhe N. Çabej, M. Haxhiu, Dh. Shuteriqi, M. Prenushi, M. Domi, I.

Zamputi, si dhe disa studiuesve të tjerë, kohëve të fundit janë plotësuar shumë boshllëqe, si dhe janë ngritur themele të qëndrueshme për studime të mëtejshme në lëmenjtë e përmendur. Bazë solide, veç rezultateve të studiuesve të sipërm, paraqesin studimet dh kërkimet sistematike në arkiva të ndryshme të shteteve evropiane, si, p.sh. Arkivi Shtetëror i Venedikut, Firences, Raguzës, Romës, Vatikani, Kotorrit, etj., qendra me të cilat ndër shekuj kontraktuan shqiptarët, duke këmbyer reciprokisht njohur nga më të ndryshmet, ndërtuan ura për qëllim të afirmimit të dijenisë në përgjithësi.

Themelimi i shkollave e studimeve në troje arbërore gjatë mesjetës u nis me nisiativën e urdhrave kishtare (veçanërisht urdhrit dominikan), si dhe administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Që këtej, një aktivitet i këtillë u nis së pari në Ulqin rreth vitit 1258, Kotorr me 1266, Durrës më 1278, Shkodër më 1345, Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV3.

Meqë studimet e përgjithshme apo në Universitetin e Durrësit (Studio Generale), si dhe në shumë shkolla e studime të tjera në trevën arbërore, ngriten fal aktivitetit të pjesëtarëve të urdhrit dominikan, që këtej, për të pasur më të afërt organizimin shkollor mesjetar ndër ne, do t’i sillemi organizimit dhe llojeve të shkollave dominikane, si tipa me reprezentues të shkollave mesjetare edhe në hapësirën arbërore.

Me kalimin e kohës në urdhrin dominikan zuri vend një sistem shkollor i shkollave ose mësimeve të ndryshme ndërmjet veti, si për nga lloji, ashtu dhe për nga shkalla. Themel i gjithçkasë ishin shkollat e kuvendeve (studia conventualia), të cilat paraqisnin bazën e piramidës, mbi të cilën mbindërtoheshin të gjitha shkollat e tjera ose mësimet e veçanta (studia particularia): mësimet provinciale të shkathtësive të lira dhe të filozofisë, të teologjisë dhe të gjuhëve. Vijuesve të vet ato u ofronin dije ca të gjera të shkollës së kuvendit dhe i përgatitnin për t’u regjistruar në studimet e përgjithshme, të cilat paraqisnin majën e piramidës së sistemit shkollor.

Derisa mësimet e kuvendeve të veçanta përgatisnin me anët të ligjëratave nga filozofia, teologjia, Bibla, punët dhe detyrat priftërore, etj., përgatisnin rregulltarë për veprimtarinë e predikimit, studimet e përgjithshme përgatisnin profesorë për të gjitha llojet dhe shkallët e shkollave të mesme. Një karakteristikë e të parave ishte decentralizimi i madh, kështu që ato, varësisht nga kërkesat e hapësirës e të vendit, mund të themeloheshin lehtë nëpër kuvende dhe në provinca.

Meqenëse ligjëratat e të gjitha lëndëve nuk ishin të domosdoshme të zhvilloheshin në një kuvend, për çdo vit kapiturlët (kuvendet) provinciale përmendnin jo vetëm lëndët, të cilat do të ligjëroheshin në një shkollë të veçantë, por gjithashtu edhe profesorët dhe studentët, me çka arrihej një kursim i shënueshëm i mjeteve materiale dhe shmangej shkapërderdhja e kuadrit. Kështu, çdo vit ndodhnin dyndje të vërteta të profesorëve dhe të studentëve nga një kuvend në tjetrin dhe nga shkolla më të ulëta në ato ë të larta, në të cilat fitohej një arsim më i lartë dhe ku arriheshin titujt akademikë. Studimet e përgjithshme, përkundrazi ishin shumë të centralizuara. Themelimi dhe legjislacioni i tyre, emërimi i profesorëve, aprovimi i titujve akademikë, etj., vareshin vetëm e vetëm nga udhëheqja qendrore e urdhrit, qoftë i rregullt (i përgjithshëm), qoftë periodike (kapitull i përgjithshëm.)4 .

1.Shkollat e kuvendeve

Ato paraqisnin shkallën e parë në arsimimin filozofiko-pedagogjik të anëtarëve të urdhrit. Themelimi i tyre ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së urdhrit se secili kuvend duhej ta kishe shkollën e vet. Rëndom ishin të karakterit publik, kështu që mund t’i ndiqnin ato, përveç anëtarëve të kuvendit përkatës, edhe të tjerë, pa marrë parasysh se a ishte fjala për klerikë apo laikë. Detyra e tyre parësore ishte përgatitja e vijuesve për veprimtarinë baritore, ndërsa e dorës së dytë përzgjedhja e tyre për shkolla më të larta. Në përgjithësi, studimeve u jepej rëndësia e njëjtë si liturgjisë dhe shërbimeve në kuvend, ndërsa klasat dhe bibliotekat duhej të ishin të pajisura po aq mirë, si dhe kori e kisha. Bëhej përpjekje që studentët të ngarkoheshin sa më pak me punë dhe detyrime të tjera, të cilat vështirë shkonin me studimet. Po ashtu lektori i kuvendit, i cili vinte në këtë post pas së paku katër vjet mësimi në studime të përgjithshme, ishte i liruar nga të gjitha detyrat e tjera, sidomos nga shërbimi i predikimit, i rrëfimit dhe i kujdestarisë shërbime që zakonisht u merrnin më së shumti kohë rregullatorëve5.

2. Shkollat humaniste të kuvendeve

Në fillim të urdhrit nuk kishin qenë parashikuar, sepse shumicën e anëtarëve të tij e përbënin njerëz me arsim të lartë, shumë nga të cilët ishin profesorë të shkollave ose të universiteteve të ndryshme. Meqenëse urdhri ishte për nga natyra e vet priftëror dhe predikues, me rastin e rekrutimit të anëtarëve të rinj ai bënte një seleksion të rreptë, duke kërkuar prej tyre një arsim më të madh sesa arsimi mesatar. Por, kur u ndesh një herë me kërkesat e të rinjve që donin të hynin në të, para mbarimit të studimeve të veta të rregullta, ose as i kishin filluar ato fare, urdhri, qe i shtrënguar të themelonte në kuvendet e veta shkollat humaniste, me të cilat ligjërohej latinishtja, pastaj gramatika dhe logjika si përgatitje për regjistrim në shkollat teologjike të kuvendeve ose në shkollat provinciale të shkathtësive dhe të filozofisë. Meqenëse ishin të tipit të hapur për nga natyra dhe destinimi i vet, ishin të arritshme për të gjithë ata që ishin të interesuar6.

3. Shkollat provinciale të shkathtësive dhe të filozofisë

Kishin qenë themeluar për dy arsye: për t'u plotësuar nevojat e numrit gjithnjë e më të madh të kuvendeve për lektorë të rinj dhe për ta mbajtur hapin me zhvillimin e studimeve në fakultetet e shkathtësive (artes) dhe të teologjisë në Universitetin e Parisit, pranë të cilit i kishte urdhri studimet e veta të përgjithshme. Aty gjithnjë si tjetërkund, gjithë deri në shekullin XIII, mësoheshin gramatika, retorika dhe dialektika (trivium), si një përgatitke për regjistrimin në teologji. Mirëpo, kur u rrit menjëherë interesimi për filozofinë, shpërtheu një polemikë e ashpër e ndonjë ithtarëve dhe kundërshtarëve të aristotelizmit rreth pajtueshmërisë përkatësisht papajtueshmërisë së Aristotelit në mësimet e krishtera, duke shkaktuar njërën nga krizat më të thella në historinë e mendimit perëndimor.

Në saje të Albertit të Madh dhe Toma Akuinit, në fund kremtoi fitore aristotelizmi, i dëlirur nga premisat ca të vonshme, kështu që Fakulteti i Shkathtësive i Parisit e zgjeroi programin e vet, duke u bërë një fakultet i shkathtësive dhe i filozofisë, gjë që u pasqyrua drejtpërdrejt edhe në programin mësimdhënës të shkollave dominikane. Urdhri iu përshtat menjëherë atyre kërkesave të reja duke e futur detyrimin e nxënies së disiplinave filozofike, të cilat paraqisnin një kohë të gjatë strumbullarin e programit të filozofisë së tij. Kjo ishte e mundshme, në radhë të parë, në saje të autoritetit dhe angazhimit të madh të Albertit të Madh, i cili jo vetën që e futi i i pari filozofinë në programin mësimdhënës të shkollave kishtare, por edhe mbrojti vendosmërisht autonominë e saj kundrejt teologjisë7.

Programi i filozofisë në thelb qëndronte në shkoqitjen dhe komentimin e veprave ca më të rëndësishme të filozofëve të vjetër grekë dhe mesjetar, ndaj ishte i ndarë në filozofinë racionale (artes), e ashtuquajtura filozofi e natyrës, në të cilën studioheshin fizika e psikologjia, si dhe në filozofinë morale ose etike. Ja skema e atij programi:

I. Filozofia racionale:

Gramatika

Priscian, Institutio de arte grammatica dhe traktate të tjera ca të vogla; E.Donat, Ars major; Gilbert i Forretanit, Liber sex principiorum.

"Logjika e vjetër" (Logica vetus)

Profili i Tirit, Izagogat; Aristoteli, De cathegoriis

dhe De interptatione; Beoci, De divisione dhe De differentiis topicis.

"Logjika e re" (Logica nova)

Aristotel, Topica; De sophisticis elenchsis; Pirora dhe Posteriora Analyticorum.

II. Filozofia e natyrës:

Fizika dhe psikologjia

Aristoteli, Physica; De animalibus (d.m.th. De historia, de patribus de generatione animalium); De anima; De generatione et corruptione; De sensu et sensibili; De somno, De plantis, De memoria, De vita et morte; Costa ben Luca, De differentia animae et spiritus.

Astronomia

Aristoteli, De caelo dhe Meteorologia

Metafizika

Aristoteli, Methafysica

III. Filozofia morale:

Aristoteli, Ethica

4. Shkollat teologjike provinciale

Themeloheshin për t'u ofruar vijuesve të shkollave të kuvendeve mundësinë e një arsimi më të lartë. Meqenëse secila provincë duhej të kishte patjetër një shkollë të tillë, të gjithë rregulltarëve u ishte mundësuar arsimi shkollor i lartë, i cili në mjediset e tjera ishte i kufizuar në një numër ca të vogël personash. Studimet e teologjisë zgjatnin si rregull tre vjet. Përparimi i studentëve në mësim verifikohej për çdo ditë (repetitio), ndërsa një herë në javë mbaheshin takime të profesorëve dhe të studentëve, në të cilat shqyrtoheshin të gjitha çështjet lidhur me studimet W.A (disputatio)8.

5. Shkollat provinciale për gjuhët

Provincat, të cilat merreshin me punën e misioneve në gjirin e arabëve, çifutëve dhe grekëve, kishin shkolla të veçanta për nxënien e gjuhëve të popujve në fjalë (Studia arabica, graeca et hebraica)9.

6. Studimet e përgjithshme

Ishin shkalla më e lartë në sistemin arsimor të urdhrit. Në to ligjëroheshin të gjitha lëndët e njohura nga filozofia dhe teologjia. Të drejtën ekskluzive të themelimit të tyre e kishin gjeneralët (eprorët suprem) të urdhrit dhe kapitulët e përgjithshëm (kuvendet supreme), të cilat pas një shqyrtimi të gjithanshëm të nevojave të ndonjë province dhe shqyrtimit të kushteve përkatëse për këtë, lëshonin lejen e duhur. Meqenëse studimet e përgjithshme për nga thelbi vet kishin një rëndësi të përgjithshme, secila provincë kishte të drejtë që të dërgonte në cilatdo studime të tilla 2-3 anëtarë të vet, por u ishte lejuar regjistrimi edhe studentëve të jashtëm.

Studimet e përgjithshme të para dhe më të njohura në urdhrin dominikan ishin themeluar në vitin 1220 në Paris. Meqenëse gjithsej disa vjet më vonë ato qenë bashkuar si një fakultet teologjik me universitetin e atjeshëm, i cili e gëzonte autoritetin shkencor më të madh në Evropë dhe diplomat e të cilit ishin të njohura gjithkund, urdhri kujdesej që mësimdhënia të ishte në një nivel sa ma të lartë, kështu që në Paris dërgonte njerëzit e vet më të aftë, siç ishin Alberti i Madh, Toma Akuini etj.

Kjo ishte arsyeja që studimet e përgjithshme të Parisit u bënë nishan i studentëve të tërë urdhrit, kështu që u imponua nevoja për themelimin e studimeve të reja. Por, meqenëse në fillim nuk ishte lehtë për të siguruar për to një numër të mjaftueshëm të profesorëve kualifikuar, qe caktuar se, përveç studimeve të Parisit, vetëm dhe katër provinca të tjera mund të themelonin studimet e veta të përgjithshme: Provansa, Lombardia, Anglia dhe Gjermania.

Kjo leje qe zgjeruar në vitet 1270 -73 gjithashtu në provincat e Romës e të Spanjës, por në vitin 1303 të gjitha kufizimet qenë hequr, kështu që secila provincë mund të themelonte studime vetjake të përgjithshme. Ato studime qenë themeluar me këtë radhë; Oksfordi (1246), Monpelje, Tuluza, Bolonja dhe Këlni (1248), Napoli dhe Orvieto (1269), Roma (1270), Kembrixhi, Barcelona, Perpinjano (1303), Kenterberi (1320), Padova (1363), Firencja (1378), Praga (1383), Salamanka dhe Krakovi (1421), Zara (1495), Avilja dhe Sevilja (1504), Budimi (1507), etj. 11
Këshilli i profesorëve në studimet e përgjithshme përbëhej nga shumë lloje të profesorëve, të cilët, varësisht nga lënda e ligjërimit dhe nga shërbimi, quheshin në mënyra të ndryshme:

a) Filozofinë e ligjëronin bakalaureusët (baccalaureus) të filozofisë ose të shkathtësive, të cilët, sipas programit mësimdhënës tashmë, ligjeronin lëndët e ndryshme filozofike si hyrje në kursin teologjik.

(b) Bakakalaureuset "biblike" e ligjëronin Biblën pa hyrë më thellë në tekstin biblik, veçse ndaleshin në interpretimin e kuptimit letrar. Detyra e tyre ishte t'u jepeshin studentëve një dije themelore, por prapëseprapë të rrumbullaksuar të tekstit biblik si përgatitje për një përpunim me themel, të cilin e jepte më vonë profesori kryesor.

c) Bakalaureusi "sententiarius" e ligjëronte teologjinë sistematike sipas Sentencave të Pjetrit të Lombardisë, përkatësisht sipas Qenësisë teologjike të Toma Akuinit.

ç) "Mësues i studentëve" (magister studentium) ishte bakalaureusi që kishte ligjëruar më parë Sentencat. Rëndom ai mbikëqyrte punën e studimeve të tëra, mbante diskutime javore me studentët, e ligjëronte teologjinë morale dhe komentonte tekste të ndryshme të Toma Akuinit, d) Drejtuesi kryesor i studimeve quhej "regens" (magister regens), i cili kishte zakonisht titullin e doktorit, përkatësisht të magjistrit. Si rregull ai ligjëronte traktate teologjike ca më të rëndësishme, prekte më thellë problematikën e shkrimit të shenjtë dhe të teologjisë, kryesonte diskutimet javore, në të cilat studentët dhe bakalaureusët stërviteshin në parashtrimin e temave të dhëna, në shkoqitjen e problemeve dhe në zgjidhjen e tyre 12.

Titujt akademikë, që arriheshin me studimet e përgjithshme, ishin tre: a) Studentët që, pas kursit të kryer me sukses të filozofisë dhe të teologjisë, ndiqnin gjatë një numri të caktuar të vjetve ligjërata të specializuara nga teologjia, e fitonin titullin lektor (Lector). Në vitin 1257 papa Aleksandri IV lejoi që lektorët jo vetëm të mund të ligjëronin në shkollat e kuvendeve dhe në studimet e provincave, si dhe të regjistroheshin në fakultete për arritjen e doktoratës13.
b)Bakalaureati (baccalaureatus) ishte shkalla e dytë akademike, ose, më mirë një messhkallë ndërmjet lektoratës dhe doktoratës. Një kohë të gjatë në urdhrin dominikan nuk konsiderohej titull akademik, veçse shërbim. E mbanin lektorët që nuk ishin doktorë, kishin të drejtë të ligjëronin në studimet e përgjithshme, pro forma et gradu magisterii për hir të arritjes së doktoratës nga teologjia. Kishte qenë futur së pari në Universitetin e Parisit, nga u shtri në universitete të tjera evropiane. 

c) Doktorata (doctoratus) ose magjistratura (MAGISTERUM) ishte titulli akademik më i lartë në fakultete teologjike dhe në studimet e përgjithshme të urdhrit dominikan. Arrihej me dhënien e provimeve nga teologjia pas shumë vjet ligjëratash të teologjisë në ndonjë fakultet ose në studime të përgjithshme, për çka duhej ta jepte pëlqimin kuvendi provincial. Doktorata ka qenë e konsideruar gjithnjë kurorë e karrierës së suksesshme të profesorit dhe mirënjohja më e lartë zyrtare për pjekurinë doktrinare dhe morale të një rregulltari. Meqenëse mbajtësit e këtij titulli gëzonin privilegje të veçanta, për shkak të të cilave askush nuk mund t'i punësonte me diçka që përkonte vështirë me vokacionin e tyre si profesorë, numri i tyre i kufizuar me ligj për secilën provincë, kështu që për dhënien e doktoratës kërkohej pëlqimi i provincës. 

Se studimi dhe kërkimi i lëndës arkivore ka rëndësi të nduarnduarshme për ndriçimin e së kaluarës, më së miri dëshmohet nga arritjet e sotme të reja të historiografisë sonë. Vazhdim i suksesshëm i këtyre studimeve, që del nga lënda arkivore, që i referohet së kaluarës sonë shumë të ndritshme arsimore-shkencore, paraqet pa dyshim ndriçimi i dy dokumenteve, që dalin nga lënda arkivore shumë e pasur burimore e ruajtur në arkiva italiane, përkatësisht në arkivin e bibliotekës së Romës16, të cilat hedhin dritë për veprimtarinë e studimeve universitare në Durrës.

Sipas të dhënave të këtij dokumenti17, njihemi me faktin se në fillim të viteve 80-të të shek. XIV në Durrës vepronte Studio Generale (Studime Gjenerale), përkatësisht studime universitare. Shkolla të këtilla për studime superiore ka pasur më parë vetëm në Universitetin e Bolonjës nga viti 1189 (i njohur për studime teologjike e juridike); Oksfordit nga fundi i shek.XII (i njohur për studime teologjike e filozofike); Padovës nga viti 1222 (i njohur për studime të mjekësisë e teologjisë); Sorbonës nga viti 1253 (i njohur për studime të teologjisë); Barcelonës nga viti 1303, Kantërbërit nga viti 1320, Firencës nga viti 1378. Ndërkaq, diç më vonë pas ngritjes së studimeve universitare në Durrës, këso studime ekzistonin në Pragë nga viti 1383; Salamankë dhe Krakovë nga viti 1421; Avilë dhe Sevilë nga viti 1504; Budim nga viti 1507. Universitetet e tjera të Evropës dhe jashtë Evropës u ngritën më vonë.

Nga të dhënat e mësipërme kronologjike, të cilat drejtpërsëdrejti bëjnë fjalë për ekzistimin e universiteteve evropiane gjatë Mesjetës, na del e qartë se në Gadishullin Ballkanik gjatë mesjetës ekzistonin vetëm dy universitete. I pari i Durrësit dhe i Zarës i dyti. Që të dy këto universitete apo studime gjenerale u bënë të njohura për studime nga lëmenjtë e teologjisë. Sikur edhe në të gjitha universitetet e Evropës gjatë mesjetës, ku mësimi është organizuar nën patronatin e kishës, përkatësisht sipas organizimit të urdhrave kishtare, si, bie fjala urdhrit dominikan, françeskan dhe benediktinas, edhe studimet gjenerale të Durrësit u organizuan nga urdhri dominikan i Durrësit. Madje, dominikanët e qytetit për pallat studimesh ofruan Kuvendin e tyre, si dhe disa ndërtesa për strehimin e studentëve.

Për qartësimin e të dhënave që ofron dokumenti, i cili i referohet Universitetit të Durrësit, do t'i nënvizojmë disa argumente më interesante. Dokumentin që e zotërojmë së pari nuk ofron fare ndonjë datë mbi organizimin e studimeve në Durrës. Mirëpo, nga të dhënat që dalin nga ai bëhet e qartë se Universiteti i Durrësit ka ekzistuar edhe para sulmeve të para osmane në Shqipëri, si dhe ka ekzistuar gjatë kohës së studimit venedikas në Durrës, pra para vitit 1392, kur qyteti në fjalë hyri në kuadrin e Republikës së Venedikut.

Prova dëshmuese mund të dalin nëse dokumenti në fjalë komplementohet edhe me disa dokumente të tjera të ruajtura të kohës. Duke u mbështetur në të dhëna të pakta arkivore për këtë çështje, jemi të mendimit se ky institucion i arsimit superior është ngritur në kohën e sundimit të Karl Topisë, kryezot i shtetit të Durrësit. Themi kështu, meqë të dhënat e kohës dëshmojnë se shteti i Durrësit gjatë zotërimit të Karl Topisë ka jetuar në periudhën e lulëzimit të plotë të marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore, politike, fetare dhe kulturore-arsimore.

Që këtej është për të vënë re se Durrësi ka qenë qendër studimesh jo vetëm për Shqipëri por edhe për Bosnjë, Dalmaci dhe Hungari. Përveç studentëve shqiptarë, të cilët vinin nga të gjitha trevat shqiptare, këtu kanë studiuar edhe studentë nga troje të tjera ballkanike dhe më gjerë. Ligjëratat janë mbajtur në pallatin e Kuvendit dominikan të Durrësit. Fatkeqësisht, ndryshe nga shumë pallate të mirënjohura të universiteteve evropiane, të cilat janë ruajtur bukur mirë deri në ditët e sotme, pallati universitar i Durrësit, u rrënua nga sulmet barbare të hordhive osmane. Të dhënat relevant të kohës dëshmojnë se në Universitetin e këtushëm janë promovuar shumë doktorë shkencash, të cilët pas dhënies së provimeve përkatëse nga lëmi i shkencave teologjike arritën titullin më të lartë akademik, doktor shkencash (magister theologiae apo sacre theologiae professor).

Dokumentin e dytë që e kemi në dorë dhe i cili i referohet po ashtu Universitetit të Durrësit hedh dritë për kualifikimin dhe numrin e kuadrit arsimor, i cili ligjëronte në këtë qendër të arsimit superior. Sipas radhonjave të tij, këtu ligjëronin 25 doktorë shkencash të teologjisë.

Duke u mbështetur në këtë numër, që pa dyshim për kushte mesjetare qe shumë impozant, me plot gojën mund të thuhet se ky institucion ka gëzuar zulm të madh shkencor. Në se ky dokument komplementohet me dokumente dhe botime të tjera të kohës, që dalin nga burimi i Universitetit të Bolonjës dhe të Padovës, qendra në të cilat autori i këtij punimi ka bërë kërkime shkencore, është e qartë se as qendrat universitare në fjalë ndër më të njohurat në Evropë, gjat shek. XIV nuk zotëruan me numër më të madh të arsimtarëve, që mbanin titullin doktor shkencash.
Sikur edhe në qendra të tjera universitare të Evropës, edhe në studime dhe shkolla të Durrësit dhe shkolla të tjera shqiptare të kohës, mësimi është zhvilluar kryesisht në gjuhë latine, gjuhë e cila gjatë tërë periudhës mesjetare në tërë Evropën perëndimore, jugore e të mesme, përkatësisht në Angli, Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Holandë, Poloni, Bohemi, Hungari, ndër shqiptarët, kroatët e sllovenët është konsideruar për gjuhë zyrtare. Gjuha latine ndër shqiptarët katolik si dhe ndër popujt e tjerë evropian të këtij konfesioni është konsideruar për gjuhë arsimi dhe inteligjence. Mirëpo, duhet thënë se dokumentet arkivore dhe shkrime të tjera të kohës me të cilat disponojmë, hedhin dritë për përdorimin e gjuhës shqipe në Arbëri dhe në disa qytete bregdetare dalmatine, si, p.sh. në Raguzë e në Kotorr. Në zhvillimin e gjuhës sonë gjatë Mesjetës rol me rëndësi kanë pasur universiteti dhe shkollat e përmendura. Për nevoja të kishës, por edhe për qëllime arsimore-pedagogjike, profesorët dhe promovuesit në Universitetin e Durrësit dhe shkolla të tjera shqiptare, shkruan ndoshta edhe vepra në gjuhë shqipe, gjë që provohet më së miri nga të dhënat e arkipeshkvit të Tivarit, Gulielmus Adae ose Brokardit (jetoi dhe veproi në Tivar gjatë viteve 1325 – 1329), i cili në relacionin e tij nga viti 1332 drejtuar dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, dëshmon se atëbotë në Arbri ekzistonin libra të ndryshme shqip me alfabet latinë 21. Nga kjo dëshmi na bëhet e qartë se gjuha shqipe është shkruar ndoshta jo më vonë se në shekullin XIII, meqë arqipeshkvi në fjalë, tërthorazi dëshmon edhe për traditën më të hershme të shkollave shqipe, pra disa shekuj më parë, para se të ngrihet Universiteti i Durrësit dhe shkolla të tjera në trevat shqiptare.

Radhonjat e sipërme të punimit tonë u shkruan me qëllim që të dëshmohet zhvillimi i lartë i shkencës dhe kulturës shqiptare ndër shekuj, e cila për qëllime tendencioze e shoviniste nuk ka gjetur ende vendin e merituar midis shkencës e kulturës evropiane e më gjerë. Po ashtu, qëllimi i punimit tonë është që përmes ndriçimit të burimeve të panjohura, që kanë rëndësi të dorës së parë të argumentohet lashtësia e shkencës dhe kulturës shqiptare, e cila duke ruajtur një traditë të moçme, bëri të mundur që populli ynë të çmojë kurdoherë lirinë, punën, dijen, kulturën, artin, si dhe t'i zhvillojë ato, gjë që më së miri dëshmon për vitalitetin dhe gjenialitetin e tij ndër shekuj.

Bibliografia

1Duke bërë kërkime në Bibliotekën e Kuvendit Dominikan të Dubrovnikut, të dhëna me interes shkencor që hedhin dritë për Universitetin e Durrësit, më ofroi, miku i popullit tonë, studiuesi i mirënjohur, dominikani Dr. Stjepan Krasić. Me këtë rast e falënderoj sinqerisht.

2Ilirët dhe Iliria te autorët antikë Rilindja, Prishtinë 1979, në shumë vende

3S. Krasić, Filozofski-teološki studiji dominikasnkog rada u Zadru (1396-1806), Zadar 1987, p.12-13

4I. Taurisano, L’organizzaizione delle scuole domenicane nei secolo XIII, Lucca 1928, p.93-98; Cfr. S. Krasić, op.cit., p.6-7

5 W.A. Hinnebusch, Th. History of the Dominicane Order, II, New York, 1937, p.1-22; H. Rashdall, M.A., The Universities of Europe in the Middle ages, vol. I-part I; vol. II-part I, II, Oxford at the Crendon Press MDCCCXCV; M. Féret, Vie intellectuele et vie scolaire dans l'Ordre des Prêcheurs, in Archives d'historire dominicane, 1916/1, p.5-37; C. Douais, Essai sur l'organization des études dans l'Ordre des Précheurs au XIII et XIX siècle, Paris 1884, p.26,63,72

6W.A. Hinnebusch, op.cit. p.19-22; S. Krasić, op.cit.p.9-8

7 F. Van.Steenberghen, Sifer de Brabant d'après ses oeures inedits, IILouvain 1942, p.463-469

8 W.A. Hinnebusch, op.cit., p.27-32

9 C. Douais, op.cit., p.135-140

10 H. Denifle, Die Universitäten des Mittelalters bis 1400, Berlin 1985, p.20-29

11 O, Nabdibbetm De l'incorporation des Dominicains dans l'ancienne Université de Paris, Revue thomiste, V.Paris 1896, p.133-170; W. Hinnebusch, op.cit., p.132-133; L.A. Redigoda, Frati Predicatori in Dizionario degli instituti di perfezione, IV, Roma, ed Paolinem 1977, p.928-929; S. Krasić, op.cit., p.10

12 J. Lagrange, Le lecture de la Bible et l'âme dominicaine. La vie dominacaine, 1936, p.160-165, 201-206, 233-239, 265-2722, 309-314, 333-335, 367-372; W.A. Hinnebusch, op.cit., p.58-60, 99-100

13 H. De Romans, Opera de vita regulari, II, Roma, 1889, p.253

14 S. Krasićm op.cit., p.11

15 M.Grabmann, De gradu magistrii in s.theologia apud Praedicatores, Annalecta Ordinis Praedicatorum, 20, Roma 1931-1932, p.101-107, 158-169,225-283, 405-412

16Acta Capitulorum generalium Ordinis Praedicatorum, in Monumenta Ordinis Frairum Praedicatorum historica, XIV, libër K. p.590 (më tej AGOP)

17"La provintia di Dalmatia antichamente era numerosa delli conventi et delli frati, et era delle principali provintie della Religione, poiché comprendeva il principato di Albania et il Refo di Bosna, Karvatia et Dalmatia et confinava con la provintia di Hungaria. Come il principla conveto era il Durazzo, di studio generale et in Antivari, ma essendo all'presente occupari gli sudetti principati dall'conventi numero tredeci tra priorati et vicarati, tutti sotto il dominio della Serenissima Republica di Venetia nelle cittá`maritime et isole. Et se bene questi puochi conventi restarono, alla Religione, tutta via le intrade la maggio parte sono godute dall' Turco" (Roma, AGOP XIV, liber K. P.590)
18 Hastings Rashdall, M.A., The Universities of Europe in the Middle Ages vol. I(Salerno – Bologna-Paris), OXford MDCCCXCV; vol. II- part I (Italy-Spain-France, Germany-Scotland etc.), Oxford MDCCCXCV; Vol II-part II (England- Portugal etc), Oxford MDCCCXCV
19 Roma, AGOP, liber K, p.590