Nga BUJAR QESJA

Rrëmoj e rrëmoj mbi arkivën time, duke m’u dukur vetja si një gjeolog që kërkoj nga nëntoka të nxjerr florinj. Dhe nëntoka ime, është arkiva ime dhe floriri im, janë këta florinj që quhen historia e basketbollit të Durrësit. Dinjiteti ynë, na kërkon t’u jemi mirnjohës breza e brezave të të të rinjve të basketbollit, të cilët bënë çudinë dhe pse jo edhe habinë, duke nxjerrë në skenën e sportit shqiptar nga viti 1959-60 deri në 1970, një brez hipnotizuesish, të cilët bënë kërdinë mbi kundërshtarët e tyre.

Dhe këta basketbollistë, në përmasat e një spektakli artistiko sportiv dhe dëfryes, ekzaltuan masat e gjëra të sportëdashësve anekënd Shqipërisë. Dhe këta artistë të topit, kishin për regjisor, një mjeshtër të madh, një mjeshtër të çquar, një kalorës tëe qytetarisë dhe sportit durrsak, një gjigand për nga mëndja e më pas për nga trupi, me emrin drithërues Dhimitraq Goga. Rinia durrsake u përfshi gjërësisht në basketboll dhe në këto vite ajo demosrtoi kulturë, pasion për sportet, por edhe shembull për atë brez ëndërrimtarësh për përparim dhe zhvillim.

Basketbollistët e rinj të Durrësit, në gati 10 breza përfaqësimi, demostruan një teknikë të lartë loje, një “tallje” absolute të topit, një kolektivitet adimirues, një prezantim të një uniforme që punonte dhe qendiste një Durrës i tërë, që djemtë e rinj aq të bukur e të pashëm, të paraqiteshin me kostume sportive nga më të veçantat. Me stilizime mjeshtërore, ku në dijeninë time, punonte itensivisht një piktor i çquar i Durrësit, që iku nga jeta shumë i ri, vetëm 36 vjeç Spiro Golgota. Por edhe të tjerë qendronin pranë të rinjve, pranë harlemave të tyre, duke e kthyer basketbollin e të rinjve,një pasuri të patjetërsueshme të Durrësit.

Edhe tani, kur kaloj pranë parkut të famshëm sportiv Nako Spiru, më duket sikur dëgjoj ovacionet e fuqishme të sportëdashësve durrsakë, të cilët këndonin, gëzonin, argëtoheshin, kënaqeshin me spektaklin e djemve të tyre të artë. Në këtë shkrim po prezantoj vetëm një formacion, atë të sezonit të vitit 1965-1966. Është viti i gjashtë i titullit kampion rradhazi, që do të vijonte edhe me katër të tjerë nga pas. Dhe janë emra të mëdhenj. Janë historia dhe tradita e basketbollit të Durrësit, krenaria dhe kryelartësia e saj, vijnë e bëhen më pikante, me ngjyra të ndezura, paçka se një brez i ri i tanishëm, nuk ua njeh vlerat dhe nuk ua di bëmat, të cilët edhe tani na bëjnë krenarë dhe shumë lakmues për tu mburrur.

Në këtë foto është basketbollisti legjendar, nga më virtuozët i basketbollit shqiptar Niko Profkola, Mjeshtër i Madh dhe Qytetar Nderi i Durrësit, Nderi i Sportit Shqiptar. Në këtë pamje është Ibrahim Begovi, teknik dhe rezultativ, Vladimir Agaraj, që pozicionet anësore ishin pronë e tij, Spartak Jaho i fuqishmi i qendrës, kështu edhe Pali Jorgoni. Për të përmënduar më tej Shpëtim Prodanin, që na qan ende zëmra për të, që u largua shpejt nga jeta duke shkëlqyer si një afarist ekselencë, Qemal Kërtusha që këndonte me gjuajtjet e tij drejt koshit, ashtu si Kërtusha këngëtar. Anesti Kuqi një djalë zotni dhe që luante hijshëm, për ta përfunduar me më të riun Leonard Janin, një basketbollist i lindur, djali i përmetarit zotni, tifozit që linte kokën për ekipin, të paharruarit Thimi Jani.

Dhe kapitulli i veçantë qendron me Dhimitraq Gogën, strategun, apo krijuesin e kësaj ere të re në basketbollin e të rinjve, Nderin e Qytetit të Durrësit, mjeshtrin e shumë sporteve, shtyllën e ekipit kombëtar si basketbollist, trajner i ekipit kombëtar dhe të Lokomotivës së të rinjve dhe të të rriturve. Duke qenë edhe një violinist i zoti, Dhimitraq Goga e ktheu ekipin e basketbollit të të rinjve, në një orkestër gjigande, ku ai dirigjonte në ato partitura ku ishte në lëvizje gjithçka dhe ku orkestrantët e tij, korrnin duartroktitje në të gjitha qytetet e vëndit.

Do të shkruajmë sërish për këta kampionë, për këtë lavdi të tyre, që i dhanë një lavdi akoma më të madhe vendlindjes së tyre Durrësit, duke u vendosur me meritë në muzeumin e patjetërsueshëm të historisë së sporteve.

Në foto janë 10 basketbollistë, me diplomat e titullit kampion në duar, duke vendosur në mes, atë, arkitektin e topit të koshit, atë hero të basketbollit durrsak, që e lau veten që kur ishte gjallë, me karatet e floririt të artit që bëri në basketbollin e Durrësit.

10 vetë me një trajner. 10 vite kampion me të njëjtin trajner. Dhe historia kap lartësinë. Atë lartësi, që s’mund ta kapë askush pas tyre.