Homazh për të mëdhenjtë e historisë së Durrësit

06/10/2019 - 14:21

Në foto: në këmbë nga e djathta: Abdulla Duma (nuk jeton), Vajdije Duka (bashkëshortja i Enver Dukës), Mustafa Saraçi (nuk jeton), Petraq Ikonomi, Met Myshku ( i sëmurë), Enver Shehu (nuk jeton), Orest Grami, Naim Saraçi, Zyhdi Daja (nuk jeton), Feti Golashi, Nderim Hoxha (nuk jeton). Ulur nga e djathta: Enver Duka (nuk jeton), Bujar Qesja, Nuri Bylyku.

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Vazhdoj të nxjerr nga laboratori i pafund, ku strehohet një pjesë e magjishme e arkivës së një gazetari profesionist, që nisi udhëtimin në fushën e letrave nga viti 1971. I ndodhur në ngjarje, dukuri sportive dhe jo të tilla, në gëzime dhe hidhërime, në udhëtime në ajër, tokë dhe det, së bashku me komunitetet sportive të të gjitha kategorive të përfaqësimit.

Duke u lidhur historikisht me Durrësin, vendlindjen time të bekuar, nuk kam dashur dhe nuk do të dua deri në fund të mos e ndërroj me asnjë qytet, e jo më me shtete, ku më janë dhënë oferta për të qendruar. Më ka mjaftuar ky Durrës dhe jam ndjerë shumë ngrohtë dhe shumë i privilegjuar pranë durrsakëve të mi, ku edhe për ditë, vazhdoj të bëj miq të rinj, krahas miqve të vjetër dhe aq të domosdoshëm në jetën time njerëzore dhe krijuese.

Kapa në duar një foto, që më ngjall emocione të pafund. Humbas në brendësi të saj. Janë 14 personazhe, ku vetëm njëra nuk ka luajtur sport, ndonëse i ka shërbyer një kolosi të futbollit shijakas, mikut tim të paharruar dhe babait të të dy miqve të tjerë të mitë Agronit dhe Armandos. Ajo është një zonjë fisnike dhe bashkëshortja i Enver Dukës, e mira dhe jashtëzakonshmja Vajdija.

Por le të kalojmë tek foto dhe ta zbërthejmë atë, me të mirnjohurit futbollistë, që të gjithë me një histori dhe që të gjithë të denjë, të pasurojnë arkivën dhe lumturojnë njeriun e hershëm të letrave durrsake. Po e nis nga a djathta në këmbë. Një mjeshtër i madh i futbollit. Është Abdulla Duma, që shkurt i thërritnin Duli. Luajti me Dinamon e famshme të Tiranës ku u aktivizua në vitet 1955-1960, pasi e nisi top këmbën në Durrës. Janë lidhur disa zhvillime historike me Dul Dumën, që ia përsërisim opinionit sportiv durrsak dhe më gjërë. Dul Duma ishte nga ata burra, që nuk ia “drodhi” Durrësit të tij. Kur mësoi se ekipi i vendlindjes ra në kategorinë e dytë, la Dinamon e famshme dhe shkoi për ti dhënë dorën e ndihmës, Lokomotivës së njohur të fund viteve 50-të.

Eh Dul Duma! Në vitin 1958, zëvëndësoi në ekipin kombëtar të madhin Loro Boriçi dhe iu bë krah atij në vitin 1967, kur drejtoj Lokomotivën dhe në vitin 1968, i dorëzon fanelen Safet Berishës, mbrojtësit të njohur të Durrësit dhe ekipit tonë kombëtar. Abdulla Duma nuk jeton më, duke na mbetur në kujtesë, me atë pamje të një djaloshi simpatik, duke u shqëruar gjithnjë nga një biçikletë e tipit të vjetër Robusto, por që ia hijeshonte më shumë performancën Dulit, kur lëvizste rrugëve të Durrësit.

Vajdije Duka, është e dyta në foto. Zonjë e vërtetë. Me një komunkim brilant, i respektonte pa masë shokët futbollist të të shoqit. Mustafa Saraçi. I larguar nga jeta në mënyrë të papritur. I miri Fajë! Kishte martesën e djalit në këtë ditë. Jemi mbledhur prej tij në një vizitë kolektive. Duhet të jetë kjo pamje në mesin e viteve 90-të. Në vitet 50-të dhe pak në fillimet e viteve 60-të, Saraçi ishte sulmues i mirfilltë krahu, duke mbetur një kujtesë e artë, e memories së sportëdashësve durrsakë.

Petraq Ikonomi. Tani 79 vjeçar. Trashëgon një mbiemër të famshëm. I jati Ksenofon Ikonomi, pësoi një aksident tragjik duke humbur jetën, diku në fillimet e viteve 60-të. Në një terren të lagësht, ai po udhëtonte me motor për të ndjekur të birin, kur luante në Tiranë me 17 nëntorin. Gjigandi i mbrojtjes durrsake Ikonomi, do të kishte një histori po aq brilante edhe si trajner. Me të drejtë, ai mund të konsiderohet si babai i futbollit durrsak. Mjaft breza futbollistësh që ka punuar Ikonomi, sot i bëjnë shoqëri, duke kaluar ditë mjaft mbreslënëse sa në Durrës aq edhe në Itali, ku ka fëmijët.

Petraq Ikonomit zotëron edhe një arkivë të pasur me foto të futbollit, të lënë si amanet nga veteranë të tillë të njohur si Mit’hat Hoxha dhe Stefan Druga. Veç kësaj Petraq Ikonomi zotëron edhe siglën origjinale, apo stemën e klubit të futbollit Teuta, që në krijimin e saj, dhuruar nga veterani i njohur i futbollit durrsak Mikel Nushi. Nejse, në një rast tjetër, do të shkruajmë për një temë shumë të ndjeshme, të historisë së futbollit durrsak në momente të rëndësishme të zhvillimit të saj. Unë i shtrij dorën e bashkëpunimit, njeriut të mirë dhe fisnik të Durrësit Petraq Ikonomit, që kjo arkivë të bëhet publike dhe t’ia lejmë brezave, ashtu siç edhe ia dorëzuan të tjerët atij.

Met Myshku! Një temë më vete. Nje emër emblematik si futbollist, por edhe si gjyqtar. Doja të bëja një shkrim, atë ditë, kur shkuam për ta vizituar së bashku me Sul Maliqatin, Feti Golashin, Bardh Bilalin dhe Pandi Zogën. Por Meti ynë ishte shumë sëmurë. Ishte në një sklerozë të thellë dhe i pamundur për të komunikuar. E kisha bërë publike vizitën për tek ai, por heshta pas asaj që u njoftuam për të. Ishte shumë rëndë. Nuk mund ta mendonim kurrë, që s’do ta takojmë e s’do të shihemi më këtë futbollist me histori dhe si një gjyqtar i futbollit, nga më të mirët e viteve 70-të.

Pas Metit, kemi Enver Shehun, i cili u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare, me 22 tetor 2009, 10 vite më parë. Dhe ky Enver Shehu, krahas legjendës si futbollist dhe traner i Tiranës, diku nga mesi i viteve 90-të, drejtoi edhe Teutën e Durrësit në kohën e një krize të pazakontë. Ashtu si dikur Skënder Hyka në fundin e viteve 60-të edhe Enver Shehu, krijoi atë lidhje të fuqishme miqësore, që ka ekzistuar historikisht ndërmjet futbollit durrsak dhe atij tiranas.

Orest Grami që arriti me talentin e tij, të grumbullohej edhe në ekipin kombëtar. Një futbollist me një elegancë të rrallë, me fuqi tribluese dhe me një hap tërheqës. E gjitha kjo, konvertohej në duartrokitjet e sportëdashësve durrsakë. Naim Saraçi, i vëllai Mustafa Saraçit. Edhe ky një pasionant futbolli, por edhe virtuoz në lojën me topin. Shumë atletik dhe luante cilësisht, në rolin e sulmuesit të krahut. Zyhdi Daja, i miri dhe i urti. Një mbrojtës qendre dhe fizikisht shumë i fortë. Duke qenë dukshëm i qetë, ai mbahet si një penalltist profesionist. Kur gjuante 11-të metërshat Zyhdi Daja, goli ishte shumë i sigurtë.

Feti Golashi. Nga përfaqësuesit e familjes së njohur sportive të Golashëve, i përbërë edhe nga Krenar Golashi titullar i ekipit kampion të volejbollit të Lokomotivës në vitin 1964, Muharrem (Lemi) Golashi dhe Ali Golashi. Të tre nuk jetojnë më dhe Fetiu është shoku ynë i përditshëm. I qetë, por shumë punëtor në lojë. Kishte një triblim që ngjallte entuziazëm në publik. Kjo është edhe arsyeja që Loro Boriçi, e grumbulloi edhe në ekipin kombëtar të Shqipërisë. Dhe më pas në foto prezantohet pamja e Nderim Hoxhës, këtij alfi shumë pozicional. Është bërë i njohur në Durrës, veçanërisht në markimin e sukseshëm, që i bënte të madhit Panajot Pano.

Ulur në gjunjë nga e djathta, në fillim është i paharruari Enver Duka. Ka qenë titullar me ekipin e Erzenit kur kishte emër, veçanërisht në fillimet e viteve 60-të. Por Ver Duka ka lënë edhe një nishan në futbollin durrsak. Në vitin 1957, së bashku me Niko Bespallën, kanë qenë pjestarë të ekipit kampion të Lokomotivës për të rinj, kur drejtohej nga Faik Dervishi. Ver Duka, së bashku me zonjën e tij të respektuar Vajdijen, rritën dhe edukuan dy djem të mrekullueshëm, të cilët edhe ata iu falën sporteve.

Vazhdon fotoja, me prezencën e gazetarit sportiv dhe publiçistit universal, Bujar Qesja. I biri i një intelektuali të njohur në Durrës Xhafer Qesja, i cili ka meritën se nxiti tek i biri dashurinë për profesionin e gazetarit, ku ai vetë në fillim të viteve 50-të, ishte korespondent i gazetës Bashkimi për Durrësin dhe Elbasanin. Bujar Qesja, që në fillimet e veta të angazhimit në publiçistikë, lëvroi të gjitha gjinitë e mediave si gazetën, radion dhe televizionin, duke mos e shkëputur nga detyrime të tjera të rëndësishme shtetërore dhe shoqërore.

Mbyllet fotoja e rrallë dhe shumë mbreslënëse, me 83 vjeçarin Nuri Bylykun, një njeri i shkëlqyer, një tiranas 24 karat, një futbollist me histori dhe në atë kohë, ishte sekretar i klubit të futbollit Tirana. Së bashku me bashkëqytetarin tjetër tiranas Enver Shehu, erdhën të gëzojnë, shokun e tyre të futbollit nga Kavaja dhe Durrësi Mustafa Saraçi.

Kjo është historia, e kësaj fotoje të përmallshme. Duhet t’i dinë brezat. Të njohin dhe prekin traditën. Dhe ne na duhet, e duhet, të punojmë, e punojmë vazhdimisht e pa u lodhur për t’i bërë të njohura. Gjithnjë gjërat e mira dhe të dobishme, duan mundim, sakrifica, por që më pas, meritojnë të vlerësohen e respektohen.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

(Trendi Evropën për të rënët, jo plehrinat dredharake’’pa uniformë e pa armë’’, të shpikura në gjirize mitomanësh të korruptuar…)

Ishte vetëm 13 vjeç, thuajse fëmijë, kur hipi për herë të parë në një anije.

Për 84 vjet me rradhë qëndroi në qendër të qytetit, duke u kthyer në një nga simbolet e Durrësit, pjesë e memories kolektive të shumë bre