Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Inmemoriam/ Mbylli sytë për gjithnjë Kostandin Gajda, emri i njohur i sportit në Durrës

17/02/2021 - 10:43

Nga Bujar Qesja

Lajmet e kobshme sikur janë vënë në rradhë dhe presin të zbulohen. Absolutisht, unë jo se jo, të mos mendoj se jam portë furneralesh. Ato kanë detyrën e tyre dhe kryejnë formalitetet që u takojnë. Praktika ime në këtë rast, është krejt e ndryshme. Është një praktikë sa humane, aq edhe qytetare. E kam marrë përsipër me bindjen time, se lapsi që u nënshtrohet emrave të tyre është mëse i merituar. Kryej atë detyrim shpirtëror që më takon. Mosha ime, përvoja, lidhja e gjatë me durrsakët, punët që kam patur dhe profesioni që zotëroj, cilësitë e atyre njerëzve që i përkushtohem janë plotësisht të justifikuara.

Këtë e ndjej, këtë e prek pasi lotët e njerëzve, falenderimet e pafund, lutjet për jetë të gjatë, bekimet për shëndet janë aq të shumta sa që e ndjej, se ky humanizëm duket se do të vazhdoj gjatë. Kemi shkruar dhe shkruaj shpesh për të mira dhe gëzime. Por jeta ja që i ka edhe dhimbjet, largimet nga jeta dhe më duhet që lapsi im të laget me lotët e shokëve dhe miqve dhe shpirti të më ngacmohet deri në trishtim dhe dhimbje.

Teksa isha duke bërë kafenë e mëngjesit dhe pritja disa miq, Ilir Kazazi nga miqtë e mi më të thekur, më të gjindshëm më njofton për largimin nga jeta të Kostandin Gajdës. Iliri është martuar me vajzën e Nin Gajdës dhe ka si trashigmtarë tre yje. Lash miqtë dhe kafenë dhe po hedh në letër fjalë respekti dhe nderimi për Nin Gajdën, këtë kuadër të hershëm të sporteve dhe fizkulturës në Durrës.

Largimi nga jeta i Ninit ishte i menjëhershëm. Kishte pak javë që zemra kishte filluar ta ngacmonte. Ishte shumë i fortë. Gati e takoja për ditë. Bënte pazaret e shtëpisë dhe ecte për bukuri. Mosha e tij 84 vjeçare, më krijone bindjen se do të ecte gjatë në njerëzit me frymëmarrje. Kur takonim, bisedonim për kohën e hershme, kur Nini krente detyrën e sekretarit në Komitetin e Kulturës Fizike dhe Sporteve në Durrës, në kohën kur drejtonte i paharruari, mitiku i sporteve, organizatori i pakonkuruar Mustafa Çelkupa. Në vitet 70-të, Durrësi ka patur kohën më të artë të zhvillimeve fizkulturore sportive dhe padyshim Nini ynë ishte një mrekulli më vete.

Largimi i Kostandin Gajdës nga jeta, nuk ka të bëjë me mortajën që ka një vit që trondit miletin. Zemra e ngarkuar me shumë punë, lodhje, vështirësi jetësore, me ngjarje dhe dukuri të natyrave të ndryshme, nuk mundi të na e mbante edhe për ca kohë Ninin pranë nesh. Ajo ndali në mesnatën e sotme dhe na dhënë mundësitë të kujtojmë të gjallët e këtij njeriu të mirë, korrekt, serioz dhe qytetar që i dha nder Durrësit të tij.

Profesioni i Ninit ishte mësues i lëndës së edukimit fizik, pasi kishte mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë. Punoi në shumë shkolla dhe në të gjitha shkëleu puna e tij shembullore dhe shumë profesionale. Në fillim të viteve 60-të, Kostandin Gajda ishte edhe mësuesi im i edukimit fizik në shkollën 7-të vjeçare “Dalip Tabaku”. Puna e tij nuk përmbyllej me orën e mësimit, por kishte detyrime para qytetit të tij, para durrsakëve të tij, të testonte dhe përgatiste edhe sportistë me të ardhme për të mbushur ekipet përfaqësuese të qytetit.

Duke qenë shumë korrekt dhe i ndershëm, ai preferoi të merrej edhe me gjykimet në sportin e volejbollit. Trajneri i ekipit kombëtar të volejbollit, “Nderi i Kombit” Ylli Tomori, më fliste një herë me shumë superlativa për Kostandin Gajdën, duke i mbetuar në kujtesë mjaft nga gjykimet e arrira të durrsakut tonë të zot. Ishte koha kur drejtonte Dilaver Cara, ky artist i bilbilit të rrjetës, që arriti të marrë edhe stemën e ndërkombëtarit. E Nini ishte në krah të tij.

Ky portret e këtij kuadri që po shkëlqente, pasurohet edhe më tej kur punon shumë vite në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Durrësit. Shumë i shkathët dhe komunikues. Sa kuadro të tillë ka patur Durrësit ynë! Pa pretendime, të thjeshtë, shumë modeste, vetëm jepnin e jepnin, pa kërkuar asgjë. Por merrnin uratën e një populli të tërë, që fliste mirë dhe i mbante afër ata. Kostandin Gajda pa dyshim është njëri prej tyre.

Vitet e demokracisë e gjejnë Kostandinin në Greqi, ku punoi fort dhe jetoi me djersën e ballit. U rikthye në vendlindjen e tij, duke merituar sërish respektin e bashkëqzytetarëve të tij. Kujtonim me mall që të dy spartakiadën e katërt kombëtare, ku Durrësi shkëlqeu dhe unë sapo kisha marrë titullin profesionist të gazetarit, pas mbarimit të fakultetin të shkencave politiko juridike. Kujtonim gjithashtu edhe miqtë dhe shokët që na kishin lënë. Por ishte kurajoz, me një memorie për tia patur zili, por qa na pikëlloi me largimin nga jeta.

Kostandin Gajda! Atlet pikant, nxënës i të mirnjohurit Tom Gjiri, mësues konkurues, gjyqtar i kualifikuar në volejboll, kuadër drejtues i fizkulturës dhe sporteve, ndihmues në mjaft arritje të sporteve në Durrës, këtij njeriu sot durrsakët i japin lamtumirën e fundit.

Kujtimi yt do të mbesë gjatë Kostandin Gajda!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: