Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

E kisha mësuar sëmundjen e tij, pas largimit nga jeta të Tush Çumashit. Ai e dinte, se diçka e pazakontë, madje fatale po i taksej. E çfarë mund të bënte?! Ishte në 75 vjetorin e lindjes, që ditë më ditë i bie, që ta festonte me 7 dhjetor 2019. Por diçka tragjike po përgatitej.

Atëhere natyra e tij e qetë, një ndjesi e brendëshme e karakterit apo e moralit, po forcohej me afrimin e “largqoftit”. Takonim jo shpesh, por përmallshëm. Një herë në vit, me 29 qershor, Igli Goga, kjo pjesë e shkëlqyer i Durrësit tonë, ia kishte bërë për mbarë vetes, të ftonte basketbollin e Durrësit në festë. Mosha të ndryshme, takonin, kujtonin kohët e bukura të rinisë dhe të karrierës në basketboll. Këndohej, kërcehej dhe alegria shkonte deri në qiell. Vonë në mbrëmje, kujtohej takimi i rradhës.

Me krijimin e Goga Basket, ky brez i artë i basketbollit të Durrësit, mund të mblidheshin ditën e ndeshjes dhe të preknin një fillim të ri, në një pallat sporti të ri, që Igli Goga i kishte vënë emrin e profesorit të çquar, njeriut me mjekërr të madhe të topkoshit durrsak, të atij që e udhëhoqi basketbollin e brezit të periudhës 1959-1969, drejt legjendës, drejt mos harresës së përjetshme Dhimitraq Goga.

Josif Xhufka, nuk e ndante paketën dhe m’u në buzët që varesh fundi i cigares, aty çelej edhe një lloj buzëqeshje, që i jepte finesë, një lloj fisnikërie të natyrës durrsake, këtij djaloshi fantastik të basketbollit që lindjen e pa me 7 dhjetor 1944.

Çfarë e kishte bërë të famshëm Josif Xhufkën? Vendosja në shpirtin dhe shijen e bashkëqytetarëve të tij, nëpërmjet topit çudibërës të koshit dhe më pas edhe prezantimit të tij, si kuadër dhe intelektual, i qytetit të vendlindjes së përbashkët.

Tushi dhe Sifi

Një dyshe që nuk ka për të vdekur kurrë, në historinë sportive dhe qytetare të Durrësit. Të dy shokë gjimnazi, e më pas edhe në fakultetin e shkencave të natyrës. U rritën që të dy, rrugicave origjinale të Durrësit të lashtë, pjesë i një çivilizimi 3500 vjeçar.

Tushi ishte 286 ditë më i madh se Sifi, por dukeshin si binjakë. Që të dy ishin një prerje lojtari, të shpejtë, shumë të shkathët, teknikë loje deri në prefeksion, bënin finte dhe “xhibla” si askush si ata dhe kjo shoqërohej, deri në ekzaltimin e sportëdashësve të jashtëzakonshëm durrsakë.
Komentet më pas mbushnin tërë Durrësin, duke manifestuar secili prej nesh gëzim, kënaqësi dhe entuziazëm.

Dhimitraq Goga i kishte mësuar të stërviteshin me moton:
‘talleni topin” gjatë gjithë kohës. Dhe më fantastikja qendronte, në mënyrën se si realizohej koshi. Veprime të rralla spektakolare, me përpunimin e topit deri në “lodhje”, duke dhuruar art, improvizime marramëndëse dhe kjo shkoi aq sa në Durrës dhe më gjërë, filluan ti quanin “harlemat” shqiptarë. Sidomos Tushi dhe Sifi, mbetën nga talentët më të rrallë të basketbollit të Lokomotivës, duke ia rritur nderin këtij basketbolli dhe atyre që e adhuronin atë, qytetarëve durrsake, por edhe tifozërisë kombëtare.

Bukuria arrinte, kur kapeshin tri shifrat. Edhe pas kësaj vallëzimi i dyshes së “kërcimtarëve” të basketbollit, vazhdonte derisa mbaronte tangoja e një loje, me nota muzikore gjithnjë të magjishme. Ju nuk luanit vetëm Sifi dhe Tushi! Ju kishit lindur për të gëzuar e argëtuar një popull të tërë, i cili ju kishte idhull, ju mbante në krah dhe tash është i detyruar, t’ju mbajë përjetësisht në mëndje.

Tushi dhe Sifi! Sifi dhe Tushi! Një dyshe gjithnjë pranë njëri tjetrit. Edhe kur luanin në rininë e tyre, edhe kur dolën në jetë, edhe kur u martuan edhe kur përkujtonin jubiletë e shkollës së mesme. Në çdo foto, asnjëherë të ndarë. Në çdo foto, gjithnjë bashkë dhe bashkë, do të mbeteni në parajsën e vendosur nga Zoti i Madh.

Mitrush Çumashi u largua nga jeta, me 14 maj 2019. Josif Xhufka i mbylli sytë, 107 ditë pas shokut të tij të ngushtë, 29 gusht 2019. Që të dy jetuan një kohë dhe ndaluan frymëmarrjen thuajse në një kohë. Një dyshe e artë, i një historie të artë, të një brezi të artë.

Ajo ç'ka doja të nënvizoja

Që kur lind njeriu, dihet një gjë e thjeshtë. Që një ditë, do të ketë një fund. Por ka edhe njerëz, që ndonëse kanë një fund, duket sikur e rifillojnë jetën nga e para. Ky quhet mesazh i jetës, i atyre që ikin për ne të gjallët.

Kur ke bërë një jetë aktive, kur ke jetuar me synime dhe ambicje për ti shërbyer vetes, por duke krijuar një raport detyrimi edhe me të tjerët, familjen, të afërmit dhe shoqërinë, largimi nuk ekziston dhe duket sikur ke të bësh me një jetë të pafund. Josif Xhufka vërtet nuk ishte perëndi, por ishte një pjesë aq e mirë, aq e bukur, aq e hijshme e Durrësit tonë. Një përfaqësues i një qytetarie, që i meriton dhe gëzohet me vlerësimet që i bëhen, si Josif Xhufka.

Ndonëse nuk arrita të shkruaj, në ditët e dhimbjes së freskët, por nuk e lashë pa i bërë nënvizimet e mia, që ndjeshëm e ndjej që janë të çdo qytetari durrsak, të çdo njeriu që e njohu dhe shkëmbeu qoftë edhe një fjalë të vetme me Josif Xhufkën.

Fotot që mi ofroi Luan Jaupi, shprehin një kënaqësi njerëzore dhe kulmore të Josif Xhufkës, kur ndodhet pranë brezit ëndërrues të gjimnazit. Pranë tij qendron jo vetëm Tush Çumashi, por edhe Javeri, Mikeli, Ilia, Pirro, Azemi, Nikolla, Stavri, Shqipja, Frosina, Katerina, Agimi, Frederika, Luli, Bashkimi, Oliverta , profesor Salvatori, e shumë e shumë të tjerë.

Por Sifin e shikojmë edhe pranë bashkëshortes së tij, atë që e deshi që në bankat e shkollës së mesme, Liljanën e dashur dhe të shtrenjtë. Sifi mbetet gjithnjë i gjallë në kujtesën tonë, pasi bëri në jetë gjëra të dobishme. Mësues biologjie, por edhe inxhinjer kimist nga më të zotët. Por mbi të gjitha, një mik dhe një shok i rrallë.

Gjithnjë pranë kësaj qytetarie! Gjithnjë në mos harresë, për punën e tyre mbreslënësë, në shërbim të një qyteti të tërë. Dhe nëse ndodh kjo, pavdeksia të ofrohet pa hezitim.

E kisha në merak, të mos mungonte Josif Xhufka në letrat e mia. Dhe këtë merak, ia shlyeva vetes. E shlyeva në formën e një detyrimi, që qytetaria durrsake ia rezervon bijve të saj.

Dhe kjo është ajo, ç'ka doja të nënvizoja.