Kjo është parajsa e Durrësit, e rrezikuar nga gjuetia dhe ndërtimet (FOTO)

Postuar: 19/09/2017 - 18:11

   Vetëm pak kilometra larg kryeqytetit në veri të qytetit të Durrësit, gjendet një nga ligatinat me interesante të Shqipërisë. Banorët e zonës e njohin me emrin “Sektori Rinia – Fllakë”.

Ligatina shtrihet në pjesën më jugore të Gjirit të Lalzit duke u kufizuar nga Rezervati i Rrushkullit në veri, nga Kepi i Bishtit të Pallës në jug, në lindje nga një rrip i gjelbër pishash dhe në perëndim nga Deti Adriatik

Kjo zonë karakterizohet nga një peizazh i larmishëm dhe tejet tërheqës si dhe nga një biodiversitet shumë i pasur.

Shumë pak njerëz kanë dijeni për potencialin që ofron kjo zonë për turizimin e kundrimit të shpendëve. Mirjan Topi, ornitolog pranë Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), shprehet për Citizens Channel se bazuar në eksperiencën e tij, kjo ligatinë përbën një ndër zonat më të rëndësishme në Shqipëri përsa i përket larmisë së llojeve të shpendëve të ujit që hasen në të.

Gjatë kundrimit të shpendëve paraditen e së enjtes (13.9.2017), u konstatua prania e disa llojeve të veçanta si: Dallëndyshja e detit, Kojliku i madh, Çafka e bardhë e vogël, Gjelëzi i madh bishtvijëzuar, Shqipja e kënetës, Vrapuesi gushëbardhë, Vrapuesi i vogël, Kllinza e vogël, Luftëtari, Gjelaçi i artë, si edhe shumë lloje të tjerë.

Laguna mbushet me ujë të ëmbël nëpërmjet Lumit të Durrësit dhe të kripur nga Deti Adriatik. Sezoni i verës sjell uljen e konsiderueshme të nivelit të ujit, ndërsa në dimër mbulohen edhe disa prej rrugëve automobilistike që përshkojnë lagunën. Muaji shtator përkon me periudhën e shtegtimit të disa prej llojeve të shpendëve të kësaj zone, dhe ofron mundësinë për të kundruar disa prej më të rrallëve prej tyre, siç është edhe Gjelëzi i madh bishtvijëzuar.

Laguna nën mëshirën e çifteve dhe betonit

Moratoriumi 5 vjeçar i gjuetisë, miratuar vitin e kaluar, ofron mbrojtje për të gjithë shpendët. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjoba që variojnë sipas llojit të shkeljes.

Pamjen e bukur dhe tingujt e mrekullueshëm që lëshojnë zogjtë e shumtë ujorë, e prish vetëm një shikim përtokë. Kudo ka gëzhoja armësh gjuetie. Disa janë mbuluar nga ndryshku e të tjera duket sikur sapo janë shkrepur.  Në zonë konstatohen mbejtje(pupla) shpendësh,  çka do të thotë se gjuetia e tyre është një fenomen aktual e i pandëshkuar.

Megjithë distancën e shkurtër nga qyteti i Durrësit, agjencitë dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e moratoriumit të gjuetisë nuk ndërmarrin veprimet e duhura për ndalimin e këtij fenomeni. Gjahtarët kanë ngritur në mes të barishteve edhe “fushëza gjuetie” (pjesë e ngritur me dërrasa, mbuluar me bar dhe që ofron mundësinë e shtrirjes mbi të) për të mos u pikasur nga shpendët.

Laguna gëzon edhe një mbrojtje tjetër. Me ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, miratuar këtë vit, kjo zonë klasifikohet si “Zonë e rëndësishme për zogjtë” (IBA). Në nenin 26, pika 4 të këtij ligji, shkruhet se ligatinat dhe tokat e lagëta si ekosisteme të trashëgimisë natyrore janë të patjetërsueshme dhe në to ushtrohen vetëm veprimtaritë tradicionale të bujqësisë, peshkimit, pyjeve dhe turizmit mjedisor, me miratim edhe të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ndërsa në pikën 5, shkruhet se në “zonën veçanërisht të mbrojtur mjedisore si habitat i shpendëve ujorë” (mund të kryhet):

a) çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor ose veprimtari të tjera të çfarëdolloji në një largësi 1500 m nga vija e ujit, duke përjashtuar ndërtimet me konstruksion të lehtë druri apo materiali tjetër miqësor ndaj mjedisit, duhet miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit;

b) janë të ndaluara veprimtaritë që sjellin dëmtime apo shqetësime për llojet e kafshëve e të shpendëve të egra dhe të peshqve me banim të përhershëm, të përkohshëm dhe në rrugëkalimet e shpendëve shtegtarë e të emigrimit të peshqve.

Por në terren rezulton se ndërtimet pa leje “shkojnë e vijnë” çdo verë. Plazhi lakmohet nga subjektet private që kanë ndërtuar objekte me elementë si hekuri dhe betoni vetëm pak metra larg bregut të detit.

Shkarkimet e ujërave të zeza duket se përbëjnë një tjetër element në dëmtimin e ekosistemit. Kanalet që mundësojnë qarkullimin e ujit në lagunë janë të mbushur me inerte.

Menaxhimi i mbeturinave përbën sfidën më të madhe gjatë muajve të verës. Përveç faktit se ato i gjen në formë pirgjesh, nuk mungojnë dhe lëndët e rrezikshme, si ambalazhe vajrash të automjeteve etj.

Kundrimi i shpendëve në këtë lagunë, u bë në kuadër të projektit të quajtur “Krijimi i një rrjeti rojtarësh për mbrojtjen e mjedisit dhe rritja e ndërgjegjësimit në zonat me rëndësi të lartë për biodiversitetin” dhe ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin, të forcojë zbatimin e ligjit si dhe të sigurojë një impakt të qëndrueshëm në çështjet e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit.

Koordinatori i këtij projekti nga Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, Xhemal Xherri, tha se do të organizohen disa takime ndërgjegjësuese rreth mjedisit me gjimnazistët të fshatrave përreth lagunës.

“Përveç takimeve që do të bëjmë në zonë, menduam që edhe ta promovonim në nivel mediatik për rëndësinë e lartë të biodiversitetit që zona ka, duke e kthyer në një atraksion turistik për dashamirësit e kundrimit të shpendëve dhe jo në një lagunë të preferuar nga gjuetarët e paligjshëm”,u shpreh ai për Citizens Channel.

Autor: Geri Emiri*

Autori është kryeredaktor i Blog-ut Amfora.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Kur ishte fëmijë, në qytetin e tij të Durrësit, i shihte me admirim makinat e udhëheqjes që rreshtoheshin para Vollgës.

   Në nëntor të vitit 1924 Noli dhe qeveria e tij u gjendën në rrethim të plotë nga të gjitha anët.

Paratë duket se nuk janë më arsyeja më e madhe që i motivon njerëzit të shkojnë në punë çdo ditë.

   Portali i njohur boshnjak STAV ka marrë rrëfimin e Fatmir Baçit, një poeti e shkrimtari nga Shijaku, mbi fatin e komunitetit të bo

Gazetari i vjetër nga Durrësi Thanas Mustaqi ka publikuar këtë kartolinë të veçantë me pamje nga Durrësi të 89 viteve më parë.

- Fragmente nga kujtimet e ish-togerit perandorak rus, major i monarkisë shqiptare dhe gjeneral-brigade i ushtrisë italiane, Lev Pavloviç

   Sarkofagu i Meleagrit, padyshim është një pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare dhe përbën një pjesë së thesarit tonë arkeologjik.

   Ajo është një arkitekte shqiptare, e zhvendosur në Londër që prej vitit 2010, por që vetëm 4 vite pas mbërritjes në ishullin britanik

Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihej vitet e pasçlirimit në ndarjet e reja administrative si lagja nr 11, ka