Klodiana Spahiu, mjekja e përkushtuar ndaj politikëbërjes

Postuar: 09/06/2013 - 09:03

Nga Vali Qyrfyçi

Sapo ka mbushur 40 vjeç. Me një pamje dhe zë të brishtë, po të vendosur mjekja kardiologe Klodiana Spahiu e përqëndruar në politikë synon të fitojë mandatin e dytë, në zgjedhjet e këtij qershori. Në një shoqëri patriarkale që transformon në gra-burra ato që përfshihen aktivisht në politikë, ajo duket se ia ka dalë mbanë. Të paktën deri tani. Ka mbetur grua, pa humbur elementet e përkatësisë gjinore në këtë përfshirje, tashmë 4-vjeçare, të saj në politikë, të cilën e konsideron si sfidën e jetës së vet. Një sfidë të vështirë, po të bukur, ndërsa profesionin e dashuron. Ishte pjesë e shoqërisë civile dhe ftesa e socialistëve e hodhi në krahët e politikës. Në këtë ndërmarrje, ajo ka mbështetjen e bashkëshortit, Eduardit, por edhe mbështetja e shumë njerëzve të tjerë i jep kurajo për të vazhduar më tej. 

Si për çdokënd tjetër, edhe për të familja mbetet më e rëndësishmja dhe pse e ndjen që angazhimi politik ia ka kufizuar shumë kohën e qëndrimit me të. Ka dy fëmijë që ndajnë mes tyre një diferencë moshe gati 9-vjeçare. E bija këtë vit është maturante dhe përpos intensitetit të aktivitetit politik, takimeve të ngjeshura elektorale, ajo mbetet një nënë me shqetësimin e vazhdimësisë së edukimit të mëtejshëm të së bijës, që tani është në prag të jetës universitare dhe pse ethet e provimeve nuk kanë kaluar ende. Klodiana e konsideron veten një nënë të butë, larg dhunës verbale që rëndom karakterizon marrëdhëniet prind-fëmijë. Ajo beson se mënyra më e mirë është bindja, bashkëbisedimi, tregimi i udhës së duhur dhe lënia e fëmijëve të lirë në veprime, qoftë dhe ndonjëherë duke i lënë të gabojnë për të mësuar nga gabimet dhe marrë vendimet e duhura.

E ndërsa është larguar nga profesioni i vet, për shkak të mungesës së kohës fizike dhe jo dëshirës për të qenë pranë pacientëve, përfshirja në politikë e mban të lidhur në një mënyrë tjetër me profesionin, të cilin e sheh nga një tjetër aspekt. Është një nga hartueset e programit të Partisë Socialiste për shëndetësinë. Ka një synim, dhënien e kontributit në hartimin e politikave shëndetësore që të mundësojnë mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe institucioneve shëndetësore. Ajo e konsideron të hidhur realitetin e sotëm, prandaj ndjehet gjithnjë e më shumë e angazhuar për të kontribuar personalisht, nën çadrën e forcës politike që përfaqëson, për krijimin e një sistemi të ri shëndetësor kombëtar.

Shtimi i numrit të grave në parlament, për Spahiun është një domosdoshmëri dhe ndikon në frymën e përgjithshme të veprimtarisë së legjislativit shqiptar dhe niveleve të tjera të pushtetit dhe shoqërisë. Nga përvoja e mandatit të parë ajo vlerëson se një bashkëpunim më i ngushtë mes grave deputete të forcave të ndryshme politike do të ishte mjaft pozitiv dhe me ndikim të drejtpërdrejt në çështje të rëndësishme sociale dhe ekonomike.

Situata, pozicionimi i grave dhe vajzave në familje dhe shoqëri është një shqetësim i saj. Duke u ndalur në situatën e qarkut të Durrësit, ajo shprehet se sipas statistikave 1 në 3 gra është viktimë e dhunës dhe në raport me popullsinë kjo shifër arrin në afro 66 mijë gra. Shqetësim serioz për të mbetet edhe punësimi i grave dhe sipërmarrja private nga gratë. Me programin e Rilindjes dhe zhvillimin e arsimit profesional dhe zgjerimin e vëndeve të punës në sektorë që janë lënë mbas dore, si ai i turizmit, fasonet dhe administrata publike, ajo beson se do të ndryshojë dhe situata e vajzave dhe grave në qark dhe në të gjithë vendin.

Spahiu tashmë është angazhuar të përcjellë programin për Rilindje të PS-së me grupe të ndryshme interesi dhe individë, pasi për të: “Ky program është një kontratë me çdo qytetar.”. Dhe ajo zotohet të jetë një zë i fortë dhe i palodhur në Kuvendin e Shqipërise, që kjo kontratë të zbatohet përpikmërisht.

Kush është

Klodiana Spahiu ka lindur në Durrës më 22 maj 1973 dhe është zgjedhur deputete për Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Ajo është diplomuar për Mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe për kardiologji në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”. Ka punuar si pedagoge në Universitetin e Tiranës, si kardiologe në Spitalin e Durrësit dhe ka kryer disa specializime në këtë drejtim. Klodiana Spahiu është docente pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë. Ajo është anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë. Është e martuar me mjekun specialist Eduard Spahiu dhe ka 2 fëmijë: një djalë dhe një vajzë.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument të arkivit të ministrisë së Brend

Gjeneral Esat Pashë Toptani vazhdon ende të mbetet një personazh historik me shumë dritëhije.

Historia e Laçit, jo thjesht e qytetit por edhe emrit të tij, lidhet me vitet që ai ka mbi shpinë, që prej krijimit në periudhën komunist

Emisioni investigativ “Boom” në “Ora News” udhëtoi sot drejt portit të ri të peshkimit në Durrës.

Beteja e Durrësit është një betejë detare e zhvilluar ne afërsi të brigjeve të këtij qyteti, gjatë luftës së parë boterore, ekzaktësi

Fatmira Hajdari, foli për herë të parë pas vrasjes së bashkëshortit dhe babait të tre fëmijëve të saj, Azem Hajdarit, pesë muaj më pas.

Shumëkush prej shqiptarëve që i përket brezave të kohës së komunizmit, duhet ta mbajë mend radio “Pionerin”, siç dhe radio “Fatosin”, siç