Nga BUJAR QESJA

Jeta që fiksohet me foto, është dokumentari më i mirë i asaj që ke kaluar, duke ngacmuar kujtesën dhe emocionet e të sotmes. Në punët e mia të dëndura në fushën e letrave, kam takuar, biseduar, shkruar e intervistuar, me qindra njerëz, qoftë të artit, të ekonomisë, të jetës sociale dhe natyrisht edhe të sportit. 
Por mbetet një shans për mua, që ma solli rasti të takoj e të ulem me Ramiz Rekën, këtë kolos të boksit shqiptar, këtë personalitet rrace, i cili i ka bërë të gjitha: ka boksuar, ka studjuar për boksin, ka qenë trajner, asiston hapat më të ndjeshme të boksit tonë, ka ndërtuar programe stërvitore dhe ka hedhur bazat teorike të përgatitjes së boksjerëve. Brenda tij, noton një pasion i pazakontë për boksin. 
Aq i saktë është fakti, sa që edhe kur kërcen Ramiz Reka çfaqet në një koreografi tejet të veçantë, duke boksuar. Elegant si dikur, me thinja, por flori nga zemra, i mënçur, i thjeshtë, me një fytyrë që rrëshqet mirësia dhe dashuria e pafund për boksin dhe boksjerët. Ramizi, ndër pjestarët aktivë të fisit dibran të Rekajve, por që ardhur në Durrës aq sa gati i merr për autokton, boksin e kishte ëndërr. Famozi Ilmi Reka, ndër legjendat durrsake të boksit shqiptar, por edhe i jashtëzakonshmi tjetër Ali Kastrati, punuan me të riun ambicioz të dorezave, me emrin tashmë historik Ramiz Reka. Bëri karrierë. Fitoi tituj. Dha shumë, aq sa në një ditë si kjo e sotjma, ai feston së bashku me 81 vjetorin e lindjes edhe historinë e papërsëritshme në romanin gjigand të boksit shqiptar.
Nuk ka një të dytë në vendin tonë, që ta ndjekë Rekën e fortë të dorezave. Boksjer ringu, gjyqtar ringu, trajner, studiues, historian, krijues dhe hulumtues i pazakontë në këtë boks tashmë të zhvilluar tonin, përfaqësues në organizmat ndërkombëtare të boksit, drejtues i Federatës Shqiptare të Boksit, vazhdojnë të plotësojnë gjerdanin e artë të meritave dhe arritjeve të dukshme, të kësaj legjende të gjallë të boksit.
Ai lindi kur vdiq Skëndërbeu i Madh, për të treguar se krahët e fuqishëm dhe fitues të një luftëtari të madh e të lavdishëm, ndiqen nga një përfaqësues i sportit të muskujve të hekurt, duke hedhur në fushë betejë sfiduesit e përballjeve të tyre. Ramiz Rekës, Zoti i dha edhe një përkim shumë origjinal dhe të kërkuar nga cilido boksjer: ai lindi në një ditë më boksjerin e paarritshëm të ringut botëror, me emrin drithërues Muhamed Ali (Kasius Klej).
Në këtë ditë durrsaku ynë i madh i boksit, “tiranasi” pikant i karrierës historike në boks, emri idhull i boksit shqiptar Ramiz Reka, të uroj shëndet dhe jetë të gjatë. Pse jo edhe karrierë akademike të pandërprerë. 
Është fat për sportin shqiptar, jo vetëm që janë gjallë formate madhështorë si Ramiz Reka, por që vazhdojnë të kenë mëndje të kthjellët, fizik të rinuar, pamje optimiste dhe fisnike, duke punuar e punuar në nxitje të zhvillimit të boksit tonë.
Faleminderit Ramiz Reka!

Foto që prezantojmë, daton me 17 janar 2008. Është fiksuar në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë – Tiranë. Në emër të Bashkisë së Durrësit, i dhurova këtij emri të madh të boksit një kupë simbolike dhe një dedikim prekës dhe të merituar. Në atë kohë Ramiz Reka, festonte 70-të vjetorin e lindjes.