Kur komuniteti investon në shkollë

11/01/2012 - 17:46

 

Në konferencën rajonale të arsimit në Durrës, që u mbajt para disa kohësh, një ndër problemet që u theksua me forcë ishte zhvillimi dhe forcimi i marrëdhënieve shkollë – komunitet. Nuk është gjë e re, aq më tepër që nuk e shpikim ne, pasi bota gjithmonë është mbështetur te komuniteti, duke e trajtuar si partnerin më të mirë dhe më të dobishëm. Bëjmë mirë tani që i kthejmë sytë dhe po i kushtojmë vëmendje, pasi nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri për drejtimin, administrimin dhe në fund edhe për rregullimin e mirëmbajtjen e shkollës.

Cilido drejtues shkolle, me sado pak përvojë në drejtim, e ndjen nevojën e bashkëpunimit me komunitetin, të cilit më e pakta që mund t’i kërkojë është, të njihet me të gjithë shqetësimet me të cilat përballet shkolla. Ky është vetëm hapi i parë, por që nuk mjafton, sepse në kuadrin e njohjes, jemi brenda vetes dhe përsëri mbetemi vetëm. E dobishme është përfaqësimi dhe pjesëmarrja aktive në jetën e shkollës dhe ndihma për të zgjidhur problemet, pse jo edhe për të ndarë gëzimet dhe arritjet. Duke u nisur edhe nga përvoja botërore, “Bordi i shkollës” është forma më e gjetur e përfaqësimit të komunitetit në shkollë. Praktikisht dhe formalisht kudo ngrihen, apo “emërohen” bordet, por problemi qëndron sa punë bën, sa ndihmon, ç’halle apo detyra merr përsipër të zgjidhë. Zakonisht drejtuesit vrapojnë të zgjedhin anëtarë të bordit kryesisht njerëz nga biznesi e pastaj ndonjë person me detyra shtetërore. S’kanë faj! Në mungesë të fondeve, kështu mendojnë të zgjidhin së paku nevojat e çastit, bie fjala zëvendësimi i një xhami të thyer, apo i një brave të prishur, e plot rraqeve të tjera, që s’kanë fund. Praktika ka treguar se diku edhe kanë bërë punë, por ka edhe një dukuri tjetër, që bordet mbeten forume të krijuara formalisht, pasi nuk janë gjetur njerëzit e përshtatshëm. Disa e quajnë këtë detyrë si diçka formale, disa nuk kanë kohë, disa përtojnë e kështu me radhë. Se të jesh anëtar i bordit, kërkon së pari dashuri për shkollën, të jesh i papërtuar, po kërkon që të harxhosh mundim dhe kohë për të ndjekur problemet. Kjo është njëra nga vështirësitë që qëndron në anën e përfaqësuesve të komunitetit, por ka edhe një anë tjetër që është në dorën e drejtuesve të shkollës: ftesa dhe kërkesa për të qenë të pranishëm duke u përfshirë në të gjitha veprimtaritë.

Një shembull dhe praktikë e dobishme në krijimin dhe veprimtarinë e bordit gjendet në gjimnazin “N. Frashri”, një ndër shkollat më me emër në qytetin tonë. Në bisedë me drejtoreshën Monada Mehmeti, mësojmë, se është e kënaqur nga bordi, sepse së pari funksionon sipas të gjitha rregullave. Është kërkesë e rregullores. Së dyti, anëtarët e bordit janë dashamirës të shkollës, duke u ndjerë si pjesëtarë të kolektivit. Dhe së treti, ata janë të pranishëm në të gjitha veprimtaritë, duke u përfshirë edhe në detyra konkrete si, pjesëmarrje në këshillin e disiplinës dhe vendim-marrjen dhe administrimin e buxhetit. Asnjë qindarkë nuk shpenzohet pa u kontrolluar më parë nga kryetari.

“Detyrat konkrete me të cilat janë ngarkuar anëtarët e bordit, e që përpiqen që t’i zgjidhin, përbëjnë në vetvete një lloj transparence, që rrit e garanton besueshmërinë dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë, thotë drejtoresha Mehmeti. Asnjëherë nuk do të kisha mundur të zgjidh dy problemet, që na shqetësonin prej vitesh, sepse kërkojnë fonde, por edhe kohë. Fondet duhet t’i gjesh, po ku t’i gjesh? Ndërsa për kohën, me pa tjetër duhet të lesh punët e shkollës, për të rendur lart e poshtë, sepse ka plot angari e andralla”. Shqetësimi më i madh ishin ujërat e zeza që shkarkoheshin në oborr, një dukuri antihigjenike, por edhe një pamje e shëmtuar për një institucion shkollor. “Nuk mbeteshim me kaq, na merrte lemeria kur afrohej dimri, sepse edhe pak shi të binte, oborri mbushej si pellg me ujë. Mendo si kalonim ne mësues dhe nxënës, lagur e baltosur si mos më keq. Të dy problemet u zgjidhën, falë ndihmës që dha bordi i shkollës e më shumë kryetari tij, Jashar Arëza. Ja shiko, sot po bie shi, po oborri nuk mban as një pikë ujë”. Drejoresha shton se bordi i shkollës, e më shumë kryetari, bërë një punë të jashtëzakonshme së pari në sigurimin e fondeve, jo pak po 10.000 Euro. Shtojmë këtu edhe në ndjekjen e punimeve për t’u kryer në kohë e me cilësi. Në ceremoninë për përfundimin e punimeve, drejtoria e shkollës “Naim Frashri” i dha titullin “Nderi i shkollës” dy ish-nxënësve të kësaj shkolle, Jashar Arëza dhe Ardian Muka. “Gjej rastin t’i falenderoj, duke u shprehur edhe një herë mirënjohjen e kolektivit të mësuesve dhe të nxënësve”, shton drejtoresha Mehmeti. 

Në bisedë me Z. Jashar Arëza, si mësues dhe kolegë të vjetër, fjala u gjet shpejt. Ndër të tjera ai thotë se edhe pse sot merret me biznes, nuk i ka harruar ditët e vështira dhe të bukura të mësuesisë. “Nuk them se e pranova me shumë dëshirë detyrën e Kryetarit të bordit të shkollës, rrëfen Arëza. Puna e biznesit të kërkon t’i qëndrosh mbi krye, aq sa nga një herë nuk ke kohë edhe për kafe. Po edhe nuk hoqa dorë. Kam qenë vetë mësues, e megjithëse kanë kaluar kaq vjet kam nostalgji. E çmoj dhe e nderoj punën e mësuesit. Janë misionarë të dijes. Në qoftë se në botë ka shumë punë që i shërbejnë njerëzimit, besoj se më fisnike, më hyjnore dhe më e shenjtë se puna e mësuesit nuk ka. Unë e di mirë se sa halle e problem ka shkolla, aq sa nuk kanë të sosur. Dikur i kam provuar vetë. E ndjej se duhet bërë më shumë edhe si qytetar i Durrësit, pavarësisht se koha nuk më premton. Herë pas here, e detyroj veten që, sapo gjej pak kohë të lirë të shkoj në shkollë. Është si një ndërmarrje e madhe me shumë probleme nga më të ndryshmet, sepse punon me të rinj. Së bashku me anëtarët e tjerë të bordit, bëjmë çmos që të afrojmë në shkollë më shumë prindërit dhe banorët e komunitetit, që ta ndjejnë veten pjesëtarë të shkollës dhe të edukimit të fëmijëve të tyre. Shkolla dhe mësuesi i vetëm bën aq sa mundet, por së bashku mund të bëjmë shumë. Interesi është i përbashkët. Fëmijët janë tanët, dhe shkolla është e jona. Kështu duhet ta kuptojmë dhe sa më shpejt aq më mirë”.

Investimi i madh, apo i vogël qoftë, ndihmon në krijimin e kushteve më të mira për mësim.Dhe puna e përbashkët e stafit dhe bordit të shkollës duket se ka dhënë rezultate. Në provimet e maturës shtetërore të vitit të shkuar u arrit që, nga 354  maturantë, 247 u vlerësuan me notat 8- 9-10. Është një shifër e kënaqshme, pasi 2/3 e nxënësve patën vlerësim mbi mesatare. Vitin e shkuar, shkolla u nderua me çmim të dytë nga “Microsoft”, për formimin e mësuesve inovatorë, duke marrë si dhuratë një tabelë “Smartbord” dhe një videoprojektor. Fatjon Hajdari dhe Stela Kërtusha, dy nga maturantët më të mirë, sot studentë në universitet, janë ftuar të marrin Çmimin e Ekselencës. Ndërsa në vlerësimin që u bëri Bashkia e qytetit njëzet maturantëve më të mirë të gjimnazeve të Durrësit, gjashtë ishin nga “N. Frashëri”. Nuk është pak të kesh mbi 1/3 e gjimnazistëve më të mirëve të qytetit.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: