Kush e “vrau” durrsaken denbabaden 86 vjeçe Sofi Qendro

06/10/2013 - 11:30

DURRËS, 6 tetor 2013 – Ajo vdiq dje, më 5 tetor 2013 nga mjerimi rrëqethës i ekspozuar në qendrën administrative të qytetit turistik. E ndjera Sofi Qendro ishte 86 vjeç, një nga viktimat e nxjerra nga banesa me përdhunën e ligjit për rikthimin e shtëpive ish-pronarëve. “Dyrrah”-u po boton tri shkrime të gazetarëve të njohur durrsakë Klodiana Haxhiaj, Vali Qyrfyçi dhe Gjergj Thanasi që hedhin dritë mbi ngjarjen e trishtuar. Qysh më 30 shtator 2013 paralajmërohej: “A ka shpresë për Llazin dhe tezen e tij 86-vjeçare? Vështirë! Shoqëria shqiptare  karakterizohet nga një hipokrizi e skajshme dhe cinizëm i pafund. Nja tre vjet më parë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve dhe disa media të njohura sulmuan ashpër Bashkinë e Durrësit dhe të Tiranës për barbarinë e treguar në vrasjen e qenve rrugaçë. Të tilla OJF nxituan të aplikojnë pranë ambasadave të huaja për fonde për ndërtim stela qensh komunalë të paktën në qytetet kryesore të  Shqipërisë. Lavdi zotit qentë e rrugëve në Durrës sot janë shëndoshë e mirë dhe shëtisin me tufa edhe në qendër të qytetit, madje në të njëjtën lulishte, ku “banojnë” dy të mjerët personazhe të shkrimit tonë. Qentë në këtë rast gëzojnë të njëjtin standard me dy qenie njerëzore!”

1.

Gruaja e pastrehë vdes në lulishte

Nga Klodiana Haxhiaj

Lëmoshat e dhëna nga qytetarët nuk e shpëtuan nga ferri 87-vjeçaren Sofie Qendro, e cila së bashku me nipin e saj 67-vjeçar prej 6 javësh kaluan ditët dhe netët ashtu kruspull në një stol para Bashkisë së Durrësit. I ftohti i ditëve të fundit çoi drejt vdekjes të moshuarën, e cila dje mbërriti në gjendje kome në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit. As lokalët dhe as biznesmenët e këtij qyteti nuk e vunë dorën në zemër për të gjetur një strehë për pleqtë e pafat që u përzunë pas 70 vitesh nga shtëpia e ish-pronarëve ku ata banonin. Edhe apeli i bërë afro tre javë më parë nga “Gazeta Shqiptare” për dramën e dy të pastrehëve ra në vesh të shurdhët. Përkundrazi, drejtuesit lokalë thjesht u “turpëruan” nga pamja mizerabël e atij stoli ku deri dje dergjej Sofia dhe vijon të dergjet nipi, i saj, Llazi. Ky i fundit pohon se kërkesës së tij për t’ju gjetur një barake ku të fusin kokën, kreu i bashkisë i është përgjigjur: “Largohuni prej andej se na keni nxirë faqen, është turp të qëndroni aty!”. Indiferenca totale ndaj dy jetëve njerëzore, bëri që 87-vjeçarja të arrinte deri aty sa të niste të jepte shpirt në stolin e rrethuar me kartonë. Mesditën e djeshme, një autoambulancë dhe një furgon policie dërguan me barelë të moshuarën për në spital. Mjekë të këtij spitali pohuan se Sofie Qëndro vuante nga një sërë sëmundjesh kronike të pakuruara, ndërsa pësoi dehidratim të trupit nga i ftohti dhe kequshqyerja. “I gjithë stafi është përkujdesur për Sofinë. Ajo ka reaguar, është përmendur, pasi erdhi në gjendje kome. Problemi është se nuk dimë ku ta çojmë më pas. Gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë. Në urgjencë nuk e mbajmë dot, në lulishte nuk mund ta kthejmë, sepse ajo do përkujdesje dhe ngrohje”, thanë bluzat e bardha. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes problemi “Sofia” u mbyll njëherë e mirë. Ajo ndërroi jetë pa mundur që të “ngushëllonte” nipin e saj. Ndërkohë, Llazi Qendro, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” bën sërish apel për ndihmë. Ai tregon ferrin e ditë-netëve mbi stolin para bashkisë.

Llazi, sa kohë u bënë që u përkeqësua tezja juaj?

Katër netët e fundit, sa nisi i ftohti, tezja ime nuk lëvizte më as ditën as natën. U ftoh shumë. Nuk i hapte më sytë, as hante dhe as ushqehej. Unë gjeta ca kartonë të mëdhenj dhe i vura në anë të stolit që të mbanin erën e ftohtë. Netët kanë qenë shumë të ftohta këto ditë, ndërsa ne qëndronim këtu.

Ju e lajmëruat urgjencën që ta merrte?

Jo, tezja ishte duke dhënë shpirt dhe ishin disa kalimtarë që e morën urgjencën në telefon. Erdhën infermierët e hodhën në barrela. E kthyen nga vdekja. Ajo kishte ditë që nuk hante e nuk pinte më, ishte nisur për në atë botë. Ja kështu na lanë për faqe të zezë në mes të katër rrugëve. Tezen e pret në botën tjetër nëna ime që më la jetim që kërthinjë. Ajo ikën e shpëton nga kjo botë, por unë nuk di se çfarë do të bëj. Me siguri që dhe unë do të kem fatin e saj.

Ju ka dhënë bashkia ndonjë alternativë për strehim?

Këta të bashkisë nuk na kanë dhënë asnjë shpresë. E kam takuar disa herë kryetarin e bashkisë, i cili më tha: “Na keni nxirë faqen duke qëndruar në lulishte. Ikni prej andej, se është turp të qëndroni aty”. Ndërsa unë i thashë që të na gjente një barake ku të strehoheshim.

Po tani çfarë do të bëni?

Nuk e di, siç po ikën tezja në botën tjetër, ashtu do iki edhe unë nga i ftohti. Nuk kam si të shkoj as deri në spital, të marr vesh si u bë, pasi më vjedhin plaçkat që kam në lulishte. Unë kam edhe frikë të gdhihem natën këtu i vetëm. Sa ishte tezja qëndronim të dy, tani kërkoj të vdes edhe unë sa më shpejt.

Cili është apeli juaj?

Kërkoj një barake ku të fus kokën, pasi 100 mijë lekë të vjetra pension që marr unë, nuk të jep askush shtëpi me qira. Edhe kur të vdes, komunales i mbetet të më varrosë, sepse nuk kam asnjë të ardhur tjetër. (Gazeta shqiptare, 6 tetor 2013)

2.

Strehimi, plaga që dhemb

Nga Vali Qyrfyçi

Sofia dhe Llazi, teze e nip, po kthehen në viktima-simbol të vendosjes së drejtësisë përmes një padrejtësie sociale. Më shumë se kushdo tjetër, Sofia 86 vjeçe dhe nipi i saj 64-vjeçar po e provojnë frikshëm në kurrizin e tyre këtë padrejtësi, ndërsa çdokush kalon fare pranë tyre thuajse indiferent. Jo vetëm nga përditshmëria e ngarkuar personale, po dhe për shkak të pafuqisë për të ndryshuar atë që forca më të mëdha, në këtë rast autoritetet shtetërore kanë prodhuar, pa menduar faturën e lartë sociale. Banorët e stolit në qendër të qytetit i përkasin moshës së tretë. Kanë kaluar vetëm pak ditë nga Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve dhe ata mbeten atje në stol, si për të na kujtuar hidhësinë e jetës dhe faktin se fundet e lumtura mund të shpërbëhen në një çast. Ashtu si ndodhi me ta. U flakën në rrugë nga apartamenti ku kanë jetuar gjithë jetën. Askush nuk pati mirësinë t’i linte të pleqëronin deri në fund në të.

Ekzekutimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për nxjerrjen e qeramarrësve nga shtëpitë e pronarëve dhe kthimin e tyre në duart e pronarëve i la pa një çati mbi kokë. Shtëpia e shtetëzuar gjatë diktaturës u kthye te pronari i mëparshëm. I flakën. Gjendja shëndetësore e së moshuarës sa vjen e rëndohet, kurse temperaturat ulen ndjeshëm. Çdokush që kalon aty i sheh me keqardhje, po vetëm kaq.

Që prej një muaji e gjysëm po i kalojnë ditë-netët e tyre në lulishten që ndodhet në qendrën administrative të Durrësit. Stoli-strehë, i mbuluar me kartona dhe plastmas, është kthyer në një prej këndeve të trekëndëshit që e lidh me Prefekturën dhe Bashkinë, si pika referimi nga ku pritet zgjidhja që nuk vjen.

Kolegë gazetarë i kanë bërë personazhe të shkrimeve dhe kronikave televizive për të ndërgjegjësuar autoritetet dhe qytetarët që mund të ndihmojnë, por ata ndodhen ende aty. Në të ftohtë, jashtë. Nuk kanë ku të shtrihen. Stolat e lulishtes u vijnë ngushtë.

E moshuara nuk lëviz më. Qëndron në të njëjtin pozicion prej ditësh, ndërsa kushte higjeno-sanitare po e rëndojnë ndjeshëm shëndetin e saj. “Jo vetëm këmbët, por edhe në të ndenjura i janë hapur plagë. Është shumë e rëndë dhe nuk mund ta lëviz që ta shtrij.”- thotë nipi, ndërsa Sofia e ka humbur mendjen nga gjithçka po përjeton frikshëm në etapën e fundit të jetës së saj. Vetëm belbëzon dhe ankohet për dhembjet e forta që i shkaktojnë plagët e hapura në trup.

“Në spital më thanë nuk jemi azil që t’ju mbajmë, por ajo ka nevojë për mjek. Askush nuk e vë ujin në zjarr për ne. Ja, ku jemi. Afër prefektit dhe kryetarit të bashkisë.”- thotë Llazi teksa tund kokën i hidhëruar.

Një qytetare e Durrësit u ka ofruar një dhomë ku të qëndrojnë deri sa të zgjidhin situatën e tyre, por nuk kanë pranuar. “Ajo është një zgjidhje provizore dhe është shumë larg. Në Porto Romano. Po të shkojmë atje, askujt nuk do t’i bjerë ndërmend për situatën tonë dhe sërish do të jemi në rrugë.”- arsyeton 64-vjeçari.

Me të drejtë ata pyesin nëse është drejtësi të flakësh në rrugë njerëz të pastrehë e për më tepër të moshuar të sëmurë, ndërsa kanë nevojë më shumë se kurrë për strehim, kurim e kujdes. 

STREHIMI, PLAGA E HAPUR E DURRËSIT

Në Durrës strehimi është kthyer në një problem të mprehtë social, ndërsa mundësitë për t’i plotësuar nevojat e të pastrehëve të pakta. Ne u interesuam pranë bashkisë për mundësinë e strehimit të tyre dhe situata duket e zymtë, po shpresë ka.

Dy të moshuarit duhet të presin mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Durrësit në fund të tetorit, ose në fillim të nëntorit. Bashkë me ta janë dhe shumë të pastrehë të tjerë dhe duket se bashkia i trembet kthimit në fenomen, të qëndrimit në lulishte, si mënyrë për të përfituar atë që në fakt u takon, po...

Janë vetëm 100 banesa sociale dhe shumë familje të pastreha, duke e bërë të madh presionin për përzgjedhjen e tyre dhe jo vetëm kaq. Përfituesit, shumica e të cilëve familje pa të ardhura të sigurta, duhet të paguajnë për to.

Ndërkohë situata në të cilën ndodhet Sofia dhe nipi i saj është kritike dhe nuk asnjë siguri nëse do të mund të mbijetojnë deri në fund të muajit, kur parashikohet të mblidhet Këshilli Bashkiak që të diskutojë e miratojë listën e përfituesve. Nuk ka as siguri nëse ata do të jenë pjesë e kësaj liste të lakmuar nga afro 2 500 të pastrehë që numëron Durrësi. Përfitimi i një apartamenti social nuk i përjashton as të moshuarit nga pagesa prej minimalisht 7 mijë lekësh (të rinj) në muaj.

Vangjush Dako, kryetar i bashkisë Durrës thotë se dy të moshuarve u është ofruar edhe mundësia për t’u strehuar në Shkozet dhe te ish-ambientet e URT-së. „Nuk janë banesa, po sa për të pasur një çati mbi kokë. Shumë më mirë se në lulishte...“- thotë jo pa keqardhje Dako.

Një realitet i hidhur për të strehuarit e stolit. Sofia qëndron aty, në qendër të Durrësit, e bërë njësh me stolin duke pritur vdekjen ose një shtëpi ku të fusë kokën. Sytë e saj të veshur nga vuajtja, dhembjet dhe një vel i qëndrueshëm lotësh akuzojnë për braktisjen dhe ftojnë për ndihmë (shkruar më 4 tetor 2013 për “Dyrrah”-un).

3.

Portet akuzë

Nga Gjergj Thanasi

Mu në zemër të Durrësit, një stol i lulishtes përballë bashkisë është shndërruar në “shtëpi” banimi. Aty banojnë dy njerëz, dy varfanjakë, që jetojnë në mjerim afrikan, në një vend të NATO-s, që aspiron për t’u anëtarësuar në BE. Këta dy persona janë pjesë e kontingjentit prej mijëra shqiptarësh, që ra pre e operacionit tip “fshesa”, të ndërmarrë nga ministri Olldashi në muajt e fundit të sundimit të kabinetit Berisha. Këto dy viktima ishin strehuar që nga viti 1948 në shtëpi të konfiskuara nga regjimi komunist ish-pronarëve legjitimë. Në pamje të parë operacioni “fshesa” dukej se synonte të korrigjonte, ndonëse me shumë vonesë një padrejtësi, një krim të komunizmit. Faktikisht në jo pak raste ky operacion prag-zgjedhor ishte një nga veprimet e fundit të Kabinetit Berisha të nxitur nga motoja të vjedhim çfarë të mundemi deri ditën e fundit, që do jemi në kolltukët e pushtetit. Në të mirë të këtij konkluzioni shkon edhe fakti, që ka dhjetëra kontrata parablerjeje të pronave të ish pronarëve nga njerëz pranë ish pushtetit Berisha apo të afërm të ish pushtetarëve. Këto blerje bëhen me çmime më së paku dhjetë herë më të ulëta se mesatarja e tregut. Në këtë rast kemi të bëjmë  me një plaçkitje të re të pronave të ish-pronarëve, por tashmë me mjete demokratike. Tipik në Durrës është rasti i plaçkitjes së pronave të patriotit të shquar Idhome Kosturi. Nëse një ditë do të hapen letrat për këtë plaçkitje pasurish të patundshme, me siguri qelitë e burgut të ri të Drenovës nuk do mjaftonin për të strehuar “batalionin” e hajdutëve të pronave. Kjo fshesë duke pretenduar të korrigjonte një padrejtësi thuajse shtatëdhjetëvjeçare, krijoi një padrejtësi të re dhe njëkohësisht u ofroi pushtetarëve një mundësi të re për të blerë për dy grosh prona të patundshme në zemër të qyteteve shqiptare.

ME 100 EURO PENSION

Le t’u kthehemi dy viktimave, që edhe tani në vjeshtë flenë në stolin përballë Bashkisë së Durrësit. Zonja Sofie Qendro është 86 vjeçe. Ajo ka punuar gjithë jetën në ndërmarrje të ndryshme në Durrës dhe sot jeton me 14.000 lekë të reja pension duke fjetur në qiell të hapur në pritje të shirave të vjeshtës dhe ngricave të dimrit. Zonja vuan nga një koleksion sëmundjesh si spondiliatroza, kardiopatia dhe artriti i agravuar. Kuptohet, që 100 Euro pension me zor mbulon shpenzimet për ilaçe dhe për ushqimet më të domosdoshme sa për të mos vdekur nga uria, ndërsa për banesë mbetet stoli i lulishtes. Bashkë me zonjën në stol banon dhe nipi i saj Llazi Qendro, 64 vjeç, i cili që në vitin 1966 është me kartelë mjekësore të përpiluar nga neurologu i famshëm durrsak Miti Vokopola. Llazi është një person i mirënjohur nga durrsakët e para vitit 1990. Sot ai mbijeton me ndihmë ekonomike prej 9.500 lekësh në muaj. Këta të pastrehë nuk janë as kriminelë, as refugjatë lufte nga Siria, as edhe nomadë romë. Janë thjesht qytetarë shqiptarë, që trajtohen si qen jo si qenie njerëzore. Që të dy viktimat e VKM-ve të muajve të fundit të qeverisë Berisha gëzojnë statusin e të pastrehut, dhe duhet të pajisen me banesë shtetërore në përputhje me këtë statut, por faktikisht flenë në lulishte në mjerim të plotë. Llazi është përpjekur me dinjitet të mbijetojë duke larë vitrinat e dyqaneve dhe duke shfrytëzuar iniciativat e ndryshme të shoqatave bamirëse, por dëbimi nga banesa e ka dekurajuar komplet. Këtë goditje ai dhe tezja e tij plakë nuk po dinë si ta përballojnë.

A KA SHPRESË?

A ka shpresë për Llazin dhe tezen e tij 86 vjeçare? Vështirë! Shoqëria shqiptare  karakterizohet nga një hipokrizi e skajshme dhe cinizëm i pafund. Nja tre vjet më parë shoqatat për mbrojtjen e kafshëve dhe disa media të njohura sulmuan ashpër Bashkinë e Durrësit dhe të Tiranës për barbarinë e treguar në vrasjen e qenve rrugaçë. Të tilla OJF nxituan të aplikojnë pranë ambasadave të huaja për fonde për ndërtim stela qensh komunalë të paktën në qytetet kryesore të  Shqipërisë. Lavdi zotit qentë e rrugëve në Durrës sot janë shëndoshë e mirë dhe shëtisin me tufa edhe në qendër të qytetit, madje në të njëjtën lulishte, ku “banojnë” dy të mjerët personazhe të shkrimit tonë. Qentë në këtë rast gëzojnë të njëjtin standard me dy qenie njerëzore! OJF-të hipokrite ngritën stuhi në gotë uji për persekutimin ndoshta edhe të stisur të  Klodit të “Big Brother”, derisa edhe Sekretarja Klinton ngriti zërin në mbrojtje të shqiptarit Klodi. Po shqiptarin, po durrsakun Llazi kush e mbron? Po për tezen e tij plakë, kur do kujtohet shoqëria, kur të ketë vdekur nga të ftohtit duke fjetur në stolat e lulishtes?

TË PASTREHË

Ku janë OJF-të që u rrjepin miliona Euro e dollarë donatorëve të huaj për të sensibilizuar, për të bërë programe anti-varfëri, për të përkrahur më të paprivilegjuarit etj? Kryebashkiaku Dako ka premtuar se odiseja 20-mujore e ndarjes së banesave sociale për të pastrehët do marrë fund në mbledhjen e tetorit të këshillit bashkiak. Kryebashkiaku ka besim se konfiguracioni i ri i këshillit bashkiak do t’u japë fund lojërave politike në kurriz të të pastrehëve. Problemi është se zonja Sofi dhe Llazi nuk kanë miq, kështu që ka shumë mundësi, që shtëpi të marrin njerëz edhe më të pastrehë se Llazi, që fle në stolat e lulishtes. Dimri po vjen dhe nuk është çudi, që njëlloj si në shkrimet e Migjenit, kur durrsakët të zgjohen në mëngjes të mësojnë nga shiritat e lajmeve se një zonjë e nderuar vdiq duke fjetur në stolat e lulishtes. Po, ajo ka jetuar një jetë të tërë me nder, me djersën e ballit dhe indiferenca, cinizmi dhe hajdutëria mund ta çojnë drejt vdekjes me këtë jetë qeni,që po bën në pleqëri të thellë.

I BRAKTISUR, I RRASKAPITUR, I PA SHPRESË

Llazi ndihet i braktisur, i rraskapitur, i pa shpresë. Në një lokal aty pranë ka parë në televizor se ministri Veliaj më në fund e zgjidhi problemin gangrenë të romëve të pallatit me shigjeta të dëbuar nga barakat e tyre nga ish-vrasës aktualisht ndërtues kullash. Llazi bën një apel publik: “Zoti ministër, zoti Erion më ndihmo të mos ngordh rrugëve si qen bashkë me tezen plakë. Aman o zoti Erion më ndihmo se ti ma di hallin!” Le të shpresojmë se ministri Veliaj ashtu si e çon vetë në spital romin e vogël të aksidentuar, ashtu si gjen banesa në Tufinë për dhjetëra romë nomadë në shekuj të vijë vetë në Durrës, ta takojë vetë Llazin dhe tezen e tij dhe t’u gjejë banesë këtyre dy shqiptarëve të mjerë denbabaden qytetarë durrsakë (Dita, 30 shtator 2013).

Shënim: Fotot janë dërguar nga Vali Qyrfyçi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Flamuri është një djalë i ri nga qyteti i Durrësit, ku ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij fati është treguar i padrejtë, pasi është me af

Burimi: Vjetari i Mbretërisë së Shqipërisë, viti 1940.

Porti i Durrësit është më i madhi në fund dhe një aset i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhurat e qytetit bregdetar.

Nga Dr. Jahja Drançolli (shkëputur nga Buletini i Fakultetit Filozofik, Prishtinë 1995/XXIII)