– Ti ruajmë dhe mbrojmë traditat tonë kulturore

– Nihilizmi dukuri e gabuar dhe keqdashëse

– 17 vite më parë në Durrës një tjetër arritje artistike

– Qendra kulturore “A. Moisiu histori suksesi

Nga BUJAR QESJA

 Mjeshtër i Madh

Kisha kohë që e bluaja në mëndje, një shkrim të kësaj natyre. Nuk besoj se shkalla e teprimit, mund të ma cënojë këtë lloj logjike, që mosha e jonë ngjason me një verë të vjetër, shija e së cilës përmirësohet me kalimin e viteve. E përplasja fort brenda mëndjes idenë e një materiali, ku të thërritja traditën kulturore të Durrësit dhe sa të mundja ta zhvishja nga harresa. Të thoja përshëmbull këtë, që me 25 shkurt të vitit 2003, në nder të 35 vjetorit të operas historike “Bijtë e Skëndërbeut”, prodhim i artit befasues amator durrsak, është vënë në skenë opera e dytë La Serva Padrona- “Shërbëtorja Zonjë”, i kompozitorit italian Giovanni Battista Pergolesi (1710-1736). Kjo vepër e artit italian, është vënë në skenë për herë të parë, me 5 shtator të vitit 1733 në qytetin e Napolit.

Si u bluajt mendimi për La Serva Padrona

Ishte fundi i vitit 2002. Kisha një vit që drejtoja Qendrën Kulturore të Durrësit, ku përfshihen krahas teatrit dhe veprimtaritë kulturore masive. Durrësi ka fuqi të madhe të harqeve. Po kështu është banda e qytetit. Ka patur edhe grup vokal. Po edhe ansamblin folklorik. Brenda Qendrës Kulturore, është edhe muzeu i luftës dhe muzeu etnografik. Teatri është vetëm një pjesë e kësaj qendre dhe funksionon brenda saj. Me këtë dua të pohoj, që të gjitha veprimtaritë janë të barazvlefshme, në raport me këtë organizim kulturor.

Me dirigjentin e njohur, Mjeshtrin e Madh Ermir Dizdari, kemi një miqësi të vjetër, e cila lindi dhe u zhvillua në respekt të punës dhe aktivitetetit të secilit. Ermiri, një perlë e kulturës artistike të Durrësit, një njeri novator, punëtor i madh, virtuoz jo vetëm në dirigjim por edhe në mendim, vjen e më takon m’u në këtë Qendër Kulturore dhe më çfaq propozimin e tij.

-Bujar, besoj se do të më përkrahësh në këtë idenë time. Meqenëse vitin që vjen është 35 vjetori i operas “Bijtë e Skëndërbeut”, që është vënë në skenë nga kjo Qendër Kulturore, ta përkujtojmë me një opera tjetër dhe ta çojmë në dy historinë e tyre në Durrës. Hë, si thua?

Duke qenë një natyrë “zevzeke” dhe i gatshëm për të bërë gjëra të pëlqyeshme për Durrësin, i dhashë miratimin tim, këtij njeriu që gjithnjë më ka tërhequr me qetësinë dhe seriozitetin e tij. Isha i bindur për suksesin, pasi e tërë rruga krijuese dhe ekzekutuese i Ermirit, flasin për një profesionist të nivelit ekselencë. Por më parë duhej ta bisedoja me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, kirurgun e famshëm Miri Hoti. Nevojitej projekt financiar, pasi duheshin bërë shpenzime në çdo hap. Dhe doktori ynë e dha okein e tij dhe po shkonim kështu, drejt materializimit të një ndërmarrje artistike vërtet të veçantë dhe nderuese për Durrësin.

Pasi u takuam sërish me Ermirin, i çfaqa mbështetjen e doktor Miri Hotit dhe kështu nisi një sfidë e lodhshme, por shumë nderuese për traditën kulturore të një qyteti aq të njohur historik si Durrësi, që do të prekej nga artëdashësit me 25 shkurt 2003.

Nikolin Gurakuqi një tjetër dorë e fortë e “Shërbëtores Zonjë”

Se kisha njohur më parë, këtë fisnik të artit shqiptar. I ardhur nga fisi plot dinjitet dhe me kulturë i Gurakuqëve, Nikolini, një burrë shtatlartë dhe simpatik, punëtor i madh edhe ky, me një të folur brenda karakterit të tij, me një humor që i shkonte shumë mirë pamjes tërheqëse, ishte regjisori dhe skenografi i operas. Natyrisht forcat artistike vinin nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.  “La Serva Padrona”, mbështetej vetëm në tri personazhe: solistët Avni Shehu dhe Yzolda Yzeiri (vajza e këngëatrit Novruz Yzeiri) dhe memeci, rol që i besohej Flamur Carës.

Ekzekutim i muzikor, ishte plotësisht në duart e Ermir Dizdarit. Në dispozicion të tij, orkestra e harqeve “A. Moisiu”, krijese dinjitoze e harqeve tona të shkëlqyera, me përvojë dhe suksese të merituara. Kjo orkestër është krijim i Ermir Dizdarit, pa spostuar për asnjë çast, ndihmesën e dhënë në vite edhe nga kolegë të tij të nderuar, që përbëjnë atë që quhet tradita e shkëlqyer e harqeve të Durrësit.

Për mua ishte një fat i madh, si drejtues i këtij institucioni potent në Durrës, që të bashkëpunoja me dy njerëz të veçantë, që Zoti këtë mirësi i kishte vendosur në vetë emrat e tyre Miri dhe Ermir. Dhe natyrisht do të dilte edhe një punë jo vetëm e mirë, por shumë e mirë.

25 shkurti 2003, tjetër datë për t’u mbajtur mënd

Një kohë e bukur, si në këtë shkurt të 2020, ndonëse jemi 17 vite më tej. Në çfaqje mori pjesë publiku aq me kulturë durrsak, që e mbushi sallën 500 vëndëshe. Po ashtu, jo vetëm atëhere, por as edhe tani, ajo sallë e nderuar zor se mund të ketë patur personalitete me emër nga kultura shqiptare. Kujtoj këtu Vath Koreshin, Agron Taton, Edit Mihalin, Ramazan Bogdanin, Agron Xhagollin, Afërdita Onuzin, Bujar Alliun, Burhan Spahia, Arjan Sukniqi, Kastriot Tusha e shumë të tjerë. Këtyre i bashkoheshin edhe personalitetet vendore, në krye të tyre doktor Miri Hoti, duke krijuar një përbërje në sallë nga më të veçantat.

Ndjeja gëzim të jashtëzakonshëm gjatë dhe pas çfaqjes. Të gjithë ishin në prefeksion. Shkopi i dirigjentit i mikut tim të çmuar Ermir Dizdari, më dukej si një shkop magjik, maja e së cilës më çfaqej si magnet i fuqishëm, ku komandonte figurat e arrira artistike si në skenë, ashtu edhe në xhepin gjigand, ku ishte vendosur orkestra jonë e mrekullueshme e harqeve.

Suksesi i ngjasoi punës. Ne arritëm të krijojmë një bashkëpunim cilësor, me kualitete profesionistësh dhe të realizojmë një premierë durrsake të operas së dytë, në historinë e kulturës të Durrësit. Suksesi fryt i bashkëpunimit, mirkuptimit, organizimit, komunikimit dhe respektimit të secilit për secilin. Bashkëpunime të këtij niveli, gjithnjë të japin bereqet dhe të krijojnë atë kënaqësi artistike, që mbajnë vlagë dhe mbesin të freskëta dhe të gjalla m’u bash në ditën që ndodhi suksesi, pra të 25 shkurtit të vitit 2003, 17 vite të shkuara.

Ermir Dizdari, figurë e skalitur artistike

Ermiri (Era e mirë), jo vetëm tipizim  i emrit të tij, por edhe të një pune kolosale të kryer në tërë karrierën e tij, e cila mbetet si një libër i hapur që vazhdon ende të shkruhet nëpër faqet e saj. Vetëm 13 vjeç dhe e shikojmë të ulet në një nga bankat e liceut artistik “Jordan Misja”. Konservatori nuk mund të mos e priste krahë hapur, këtë djaloshi që i kishte vënë vetes detyrë të bëhej dirigjent, të bëhej artist. Mbrojtjen e diplomës e realizon me orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, nën vëmëndjen e të mirnjohurit dirigjent Rifat Teqja.

Në vitin 1966, Dizdari do të emërohej përgjegjës muzike dhe dirigjent në pallatin e kulturës të Durrësit. Një kohë e artë për këtë krijues virtuoz, i lindur për të marrë përsipër organizime madhore. E tillë mbetet krijimi i orkestrës simfonike dhe orkestra e harqeve. Janë dy asete shumë të çmuara të kulturës durrsake. Dhe në moshën 25 vjeçare, drejtoi orekstrën simfonike të Durrësit në operan e paharruar dhe kulminacion i kulturës amatore, me një pjesmarrje fantastike 200 njerëz “Bijtë e Skëndërbeut”. Dirigjenti i ri Ermir Dizdari e mahniti publikun.  I qetë dhe shpërthyes, i matur dhe i saktë, i papërmbajtur mbi partiturat, nga duart e të cilit lëviznin si një sinkron orkestra gjigande simfonike e Durrësit. Suksesi ishte në përmasat e ëndërrës.

Viti 1986 e gjeti Dizdarin tonë në Tiranë, si specialist muzike në Drejtorinë e Artit, ku drejtonte i miri dhe intelektuali i mirfilltë Vath Koreshi, ku ai kujton me mall të mirnjohurit dhe eruditët Alfred Uçi, Sefedin Çela, Çapajev Gjokutaj, Agron Tato etj. E la Durrësin pas 20 vite pune itensive, në majën më të lartë të famës së arritjeve në muzikë, e sidomos në gjinitë e ndryshme të saj. Largimin e Ermirit, e qamë me lot në miqtë dhe shokët e tij, amatorët e shumtë, instrumentistët të cilët patën arritjet nga më të mirat e tyre, nën shkopin magjik të dirigjimit të Ermir Dizdarit.

Përvoja, sukseset, modestia dhe thjeshtësia, studimi, puna, këmbëngulja, raportet model të krijuar me kolegët dhe bashkëpunëtorët, i detyruar instancat t’i japin poste të tilla si Drejtor artistik organizativ i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore, drejtor i Qendrës Kombëtare i Veprimtarive Folklorike. Ermir Dizdari u bë mjaft i domosdoshëm në organizimet e festivaleve dhe takimeve kombëtare dhe në diasporë, sa i takon kultivimit të muzikës popullore dhe asaj folklorike.

Titulli “Mjeshtër i Madh” mbetet qershija mbi tortë, për të vlerësuar punën e jashtëzakonshme të kryer nga ky kualitet jo vetëm i dirigjimit, por në tërësi i kulturës shqiptare, duke e kthyer pse jo dhe në një figurë ballore të saj.

Ermiri as nuk ka ndërmënd të dorëzohet. Fillon e qesh kur i kujtojmë moshën 77 vjeçare, pasi reagimi i tij është puna, janë planet e ditës dhe afatgjate, në krye tashmë të një orkestre shumë simpatike, të ndërtuar me 15 violiniste si flutura të shkollës së mesme të muzikës “Jordan Misja” në Tiranë. Kjo quhet orkestra e harqeve e Klubit të Artit dhe Kulturës Sigal Uniqa, duke vazhduar të korrë sukses, ashtu si dikur orkestra simfonike dhe harqet e famshme të Durrësit. Tradita jo vetëm vazhdon, por edhe pasurohet me kapituj të ri të një pune kolosale dhe gjithnjë në këndshikime optimiste për të ardhmen.

Ermiri njeri, shok, mik dhe i domosdoshëm në shoqëri. Ermiri buzagaz, optimist, i mënçur, këshillues gjithnjë fitimtar, por edhe i dashuruar pas shëtitjeve anekënd botës, por edhe peshkatar gati profesionist. Një nga shkaqet e njohjes së bashku, ka qenë edhe peshkimi me tonja. Ermir Dizdari pedagoj i jashtwm nw Akademinw e arteve, duke dhwnw leksione në lëndën e Historisë së Kulturës. Ermir Dizdari edhe shkrimtar, duke botuar një monografi brilante, kushtuar njërit prej figurave më të spikatura të dirigjimit dhe kompozimit në Durrës, fisnikut Enver Mara.

Kjo ishte historia e operas së dytë në Durrës, e çfaqur me 25 shkurt 2003. Një histori suksesi, që gjithsesi ia vlente ta përkujtonim kësisoj. Ky ishte dhe është Ermir Dizdari, njeriu i artë i Durrësit.