• S’do ta kemi më mikun dhe shokun tonë të paharruar
  • Një inxhinjer virtuoz dhe intelektual i dorës së parë
  • Kujtimi për të nuk do të shuhet kurrë

Nga BUJAR QESJA

Me 28 maj 2018! Shkruajta një material për Pavllo Rokon. Titullohej: “Njeriu i artë i punës dhe i mendimit”.

Evidentova vlerat e tij, pa e mburrur e pa i thurur lavde. Është një brez ky i Pavllos, që nuk ta fal superlativën. Janë idealistë të lindur. Janë patriotë të heshtur të Atdheut të tyre dhe gjithçka të mirë që bënë në këtë jetë, e ndjenë në shpirtin dhe zemrën e tyre. Në pamje dukej një shkrim i lehtë, por ishte tejet i vështirë, pikërisht për natyrë të karakterit dhe burrërisë së tyre. Atë ditë Pavllo mbushi 88 vjeç. Bëra edhe një foto, që as nuk më shkonte ndërmënd, që do të ishte e fundit.

Kisha ditë që bluaja një shkrim për mësuesen time të klasës së parë. Quhet Eleonora Goga (Syko). Është 7 marsi dhe mësuesit kanë ditën e tyre. Një ditë e gëzueshme, e mbushur me aromë lulesh dhe mimozash. Natyra ka marrë një pamje shumë të bukur, ku lulet e kumbullave, kanë krijuar nje pamje mahnitëse.

“Irena jam. Babi… Dhe nuk mundi të vazhdonte më tej

E enjte, 7 mars 2019. Ora ishte 18. 30. Nata e kishte marrë në dorëzim ditën, për t’ia lënë përsëri rradhën në mengjesin e nesërm. Një ditë e lodhshme, e ngarkuar me atmosferë feste. Lajmi për largimin nga jeta të Pavllo Rokos, më ra rëndë, aq sa edhe kur po i shkruaj këto rradhë, tronditja mezi po më jep kohë të punoj. Po ngutem. Dua të jap lajmin e dhimbshëm, por të ndërtoj një meritë, për këtë njeri të lartë në staturën e plotë të tij. Me përjashtim të familjes, mund të vij fill pas tyre, njeriu që e takoja, e përshëndetja dhe bisedoja për ditë me të.

Përfitoja shumë prej tij. Kam qenë me fat, qe jeta në prag finalen time, më ofroi për shoqërues në orë të tëra të paraditeve, një njeri të rrallë, një zemër të ndjeshme, një urtësi e lindur, një natyrë shumë origjinale që veçse, veçse prodhonte buzeqeshje, ëmbëlsi dhe fisnikëri pa fund.

“Babi na….! Mos, e ndërpreva Irenën. E kjo zemër, më është thënë që nuk duhet ngarkuar me dhimbje. Por jeta, jeta është në parimet e saj, kur të vjen fuqishëm dhe papritur lajmi i kobshëm: 
“Pavllo Roko, nuk jeton më”!
Brenda dy ditësh, trupi nuk ia mbajti më zemrën dhe e lëshoi në moshën 89 vjeçare.

Kjo pranverë po vjen kaq e bukur, me ngjyra joshëse, me një diell që me të drejtë në popull trajtohet si “jorgani i fukarasë”. Në hapsirën ku qendroj në kafen time të përditshme, vjen lehtë, pa u ndjerë, në çdo mëngjes, ashtu urtë e butë, burri zotni me emrin e famshëm Pavllo Roko.

“Po mirë Irena, me lajmin që më dhe, unë nuk do ta shikoj më Pavllo Rokon? A mund të besohet kjo?! Domethënë, ai nuk do të vi të ulet pranë meje dhe të më tregojë pjesa aq të bukura, aq delikate, aq qendrestare të jetës së tij jo fort të lehtë, për të mos thënë të vështirë?

Domosdoshmëria për ta parë dhe takuar përditë Pavllo Rokon, këtu e shtatë vite me rradhë, do të më kthehet në një ngacmim psikologjik, kur të mendoj se ka ndodhur e kundërta.

Më tregonte për shkollën që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik (1950-55) për inxhinjer të mekanikës bujqësore, për detyrën shumë delikate të drejtorit të Uzinës Mekanike Bujqësore në Durrës (1969-1974), ku i ra rasti të lidhet me drejtuesit më të lartë të sistemit të djeshëm. Këtu ai shkroi me gërma të arta emrin e tij, teksa i tërë revolucioni tekniko shkencor, ideohej, projektohej dhe zbatohej nga ky burrë i shkurtër nga shtati, por shumë, shumë i lartë nga mëndja dhe nga zemra.

Por 7 marsi, kjo ditë e bekuar e dijes, më kujton Pavllon edhe në pozicionin e mësimdhënësit në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna. Aty ku punoi la gjurmë, la vlagë, la vulën e një njeriu me besë e brumë, me taban, e pa iu futur në hak kërkujt. Në të gjitha detyrat ku pati rastin të angazhohet ky burrë zotni, punë të mira kreu, duke çfaqur besim dhe mbështetje tek njerëzit e thjeshtë, të kolegët e përkushtuar, tek ato që ishin mësuar të bënin veç punë të mira dhe të vlefshme.

Deviza të thella dhe me shumë kuptim

Nga Pavllo Roko, ky beratas mëndje dhe zemër flori, që u rrit jetim me shumë fëmijë në sofrën e të jatit, mësoje veçse mësoje për çdo ditë, e në çdo bisedë e takim. Me kanë lënë pa mënd, disa deviza apo moto të jetës së tij.

1.“O njeri ndihmo vetveten”.
2. “Nëse do të shkosh afër, shko vetëm. Nëse do të shkosh larg, shko me shokë”.
3. “Më mirë sot e nga mot, më mirë mot, e nga mot”.

Familja e Pavllos shumë qytetare dhe e mbushur me intelektualë. E shoqja Romana, një inxhinjre kimiste shumë e njohur. Dy vajzat Irena dhe Xhilda dhe djali Dhimitri, janë një trio, që veçse e nderuan dhe ia ngritën më shumë kryet Pavllo Rokos. Dhe kajmaku i jetës së tij, i këtij njeriu që për shumë kohë nuk kam ndërmënd ta besoj se nuk do ta shikojmë më, janë një trio tjetër nipat Geri, Enea dhe mbesa Ana.

Pavllo Roko mbeti edhe një eksplorues i natyrës. Pyjet e Qafshtamës dhe të Voskopojës mbetën hobi i tij. Shumë ka punuar, studjuar, por edhe ecur në natyrë ky Pavllo Roko, duke kalëruar i sigurtë dhe me plot suksese, në segmentin kohor të jetës së tij që zuri fill me 28 maj 1930 dhe që përfundoi me 7 mars 2019.

Lulet e kumbullës kanë çelur bukur, duke krijuar një kurorë magjepëse në vendin ku qendrojnë. Dhe çeljen e tyre, e ndiqte për ditë edhe Pavllo Roko. Me dy duart e tij, në atë kryqëzim nga prapa që aq shumë i shkonte, ecte dhe ndalonte. Ngrinte kryet dhe vështronte lart ku kurora e luleve shumëngjyrëshe, ishte më e formuar.

Dhe mua më është fiksuar ky shikim magjik i Pavllos. Madje ky shikim më duket se vështron edhe më lart. Dhe ky është qielli i përjetësisë, që ne do t’ia rezervojmë gjithnjë këtij burri ideal, këtij zotërie të rrallë, këtij intelektuali plot nur e vlerë, këtij familjari të pakrahasueshëm, këtij punëtori dhe euridi të madh, këtij mësuesi të thjeshtë dhe gjithnjë modest.

Pranvera nisi. Gjithashtu nisim edhe Pavllo Rokon, për në banesën e fundit. Por kur të vijë pranvera e ardhshme, ne na takon të nisim kujtimet, për njeriun e shtrenjtë dhe shumë të dashur Pavllo Rokon.

Sa i mbarë ky Pavllo Roko! Lindi në pranverë dhe në pranverë mbajti frymën. Në stinën e luleve, dukesh se mbetesh gjithnjë pjesë e saj.