Lamtumirë zysha ime e paharruar Eleonora Goga!

17/11/2020 - 19:48

Nga BUJAR QESJA

Dhimbje! Dhimbje! Kudo dhimbje! O Zot ndale këtë tmerr! Sapo më njoftojnë në këtë fillim mbrëmje, të së martës së 17 nëntorit 2020, se ndali frymëmarrjen një zonjë e nderuar, bashkëshortja e korifeut të basketbollit Dhimitraq Gogës, zysha ime e shtrenjtë e klasës së parë Eleonora Goga (Syko). E datëlindjes 9 mars 1929, Nora ishte gati në kufijtë e 91 viteve të jetës.

E brengosur sa s’ka ku të shkojë, me largimin nga jeta të Dhimitraq Gogës me 27 qershor 2013, Nora përjetoj vetminë bashkëshortore. Një grua e rrallë, një grua e urtë, një kryezonjë do t’i mungojë qytetarisë durrsake. Eleonora Syko do të kujtohet nga brezi im, për kulturën dhe edukatën që pati një mësuese si ajo, kulturë dhe edukatë që manifestohet edhe tek ne ish nxënësit e saj.

Eleonora Goga! Mësuesja ime e klasës së parë. Hapsira ime e parë, e hapjes së portës së parë të asaj që quhet dije dhe arsim. Fillova të belbëzojë gërmat e para të alfabetit të gjuhës amtare, nga zysh Nora. U rrita me kujtimet më të bukura për të dhe kurrë nuk e harrova. Isha i lumtur që e kisha gjithnjë me jetë, pasi e ndjeja privilegjin e urimit të ditëlindjes për çdo mot.

Ka qenë vjeshta e vitit 1958, ku në shkollën 10 korriku, ish qytetësja e famshme e Durrësit, vatra e inteligjencës durrsake, hyra në klasën e parë. Dhe për mësuese të kisha ty Nora Goga. Ti ishe një grua e bukur, me një buzëqeshje që na varej në sytë tanë dhe një mësuese e lindur. Për herë të parë fjalën shok dhe shoqe i përdora në klasën e parë. Po ashtu për herë të parë fjalën mësuese, apo zysh, e mësova po në këtë moshë. Dhe ti Nora Goga, je mësuesja ime e klasës së parë.

Sa të ka privilegjuar Zoti, zysha ime shumë e dashur! Me 7 mars është festa e mësuesit, që të takon të të uroj. Me 8 mars është dita e grave, që të takon sërish të të uroj. Dhe trioja e urimeve plotësohet me 9 mars, ditën e lindjes tënde, të një zonje të rrallë, të një mësuese të shkëlqyer, të një bashkëshorteje ideale e të madhit të basketbollit durrsak, mbretit të topkoshit Dhimitraq Goga. Por tani s’do ta kem më këtë rast dhe këtë fat.

Nxënësi yt 69 vjeçar tashmë, e ka tretur vështrimin e kujtesës pikërisht në vjeshtën e vitit 1958. Mbresa, përshtypje dhe impresione të pafund. E tani më duhet të çfaq dhimbje. S’jam mësuar të ndodhem në këtë vështirësi. Më duhet ta njom fytyrën me lot të nxehtë, që dalin nga zemra dhe jo nga sytë, për të ndjerë këtë trishtim.

Largimi yt nga jeta, në një kohë largimesh, do të më ofrojë më shumë me kujtesën dhe mos harresën tënde.

Eleonora Syko! Mësuesja ime e alfabetit. Gruaja madhështore, e madhështorit Dhimitraq Goga. E paharruara jonë e madhe.

Dheu i lehtë mbi trupin tënd zyshë!

Lamtumirë!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: